E premte, 03.02.2023, 09:39 AM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Maksi shkau

E enjte, 07.05.2020, 04:19 PM


Maksi shkau

Nga Edison Ypi

Rrugët, sheshet, ngrehinat, zyrat, shkollat, burgjet, dhe gjithçka tjetër, duhej të ishin të gjitha të njëtrajtëshme si budallallëku, të rrafshët si qelqi, lineare deri në infinit, monotone deri në vdekje, nuk duhej të bënin asnjë përshtypje, nuk duhej të linin asnjë mbresë, nuk duhej të mbahej ment asgjë çfarë ndodhte brenda tyre, jashtë tyre. Vetë ndodhitë, sidomos intervalet reflektive mes ndodhive, ndaloheshin të ndodhnin. Asgjë nuk duhej të ngadalsohej, përshpejtohej, aq më pak të ngecte. Madje asgjë nuk duhej të "ndodhte". Gjithçka duhej të "rridhte" si një lëng i trashë brenda një tubi të madh që s'dihej nga vinte, ku shkonte, kujt i duhej. E vetmja gjë që duhej të merrte vëmendje ishin deliret e Diktatorit. Gjithçka tjetër që bënte sadopak përjashtim nga ky rregull i hekurt, cilësohej "shkarje". Autori i "shkarjes", ishte një "i shkarë", një i çmendur që e priste çmendina, një hije që e priste internimi, burgu, pushkatimi.

Ishullarët i klithnin njëritjetrit shkarje me tu ngjeth mishi. Por shkarjet e tyre nuk i dëgjonte kush. Ishin të shurdhëta. Aty shkisnin, aty vdisnin. Pas shkarjeve vajtimtare të ishullarëve, lëngu i trashë në tubin e madh njësoj vazhdonte të rridhte; puntori punonte, ushtari vigjëlonte, fshatari buzëqeshte, traktori buçiste, populli duartrokiste, drapëri korrte, çekani godiste.

Asgjë nuk e tmerronte Diktaturën më tepër se "shkarja". Shkarja, duke mos mundur të ekzistonte e vetme, shkarje pas shkarje, shndrrohej në ortek dhe rrezikonte fitoret, fatet e vendit, të ardhmen e revolucionit. "Shkarja në kulturë", "shkarja në art", "shkarja në ekonomi", "shkarja në mbrojtje", "shkarja nga vija", "shkarja nga parimet", "shkarja nga morali", ishin disa nga shkarjet. Duke qënë ekuivalente me çmendurinë, "Shkarja" ishte herezia më e rrezikshme që mund të ndodhte.

Por "shkarje" nuk mund të mos kishte. Pa shkarje diktaturat do ishin të përjetshme.

Një nga më të mëdhatë, më të famshmet e më të bujshme "shkarje", ishte një pallat në qëndër të Tiranës, mu në mes të "Broduejit".

Shkarjen arkitektonike kubiste që thyente monotoninë e skëterrshme ndërtimore, e kishte projektuar arkitekti Maks Velo.

Shkarja arkitektonike avanguardiste e Maksit, të cilën sado gjatë ta kqyrje nuk mund ti konstatoje asnjë simetri, ishte e hatashme. Të gjithë i mahniste. Të gjithë i zbaviste. Të gjithëve u pëlqente.

Sot e kësaj dite shkarja arkitektonike e Maks Velos në Rrugën e Dibrës është shkarja më e shkarë në tërë Historinë e Shqipërisë së shkarë dhe të pa shkarë.

Si ja arriti Maksi ta realizonte atë shkarje në ato kushte të skëterrshme ? është nga ato mistere që shkarësit gjenialë si Maks Velo nuk i tregojnë, i marrin me vete.

Brenda uniformitetit lemeritës të gjithçkaje, për ishullarët shkarja e Maks Velos ishte më magjepsëse se ekzistenca, më sugjestive se Natyra, më misterioze se vdekja.

Pse nuk e shembin shkarjen e Maksit ?!

Përgjigja e turbullt që vinte nga fundi i Ferrit, ishte; Mund të shembim llaç e tulla. Nuk mund të shembim shkarjen e brendëshme të Maksit. S'jemi aq budallenj. Kaq gjë e dimë. Le të rrijë shkarja e një të shkari. Në atë rrugë të ngushtë, ajo shkarje borgjeze mund të shihet vetëm po të ngresh kryet përpjetë. Shqiptarët janë kryelartë nëpër epe, balada, libra, filma, jo në rrugë, jo në jetë. E ka thënë armiku Kadare, "mbi supë nuk mund të shihen yjet". Shqiptarët që i mbajnë sytë mbi tasin e supës, shkarjen e Maksit nuk mund ta shohin. Le ta bëjnë pijanecat shurrën mbrapa shkarjes së Maksit ku banon borgjezi Kadare. Aq më mirë për diktaturën e proletariatit.

Shumica e shqiptarëve që donin por nuk mund të bënin asnjë shkarje, shkarja e Maksit i mjaftonte dhe tepronte për ta konsideruar Maks Velon e shkarë një hero të shkarë që me diktaturën e shkarë i kishte qëruar hesapet.

Të mos e shembnin shkarjen, dhe të shkarin e shkarjes ta linin të livadhiste për të bërë të tjera shkarje, s'mund të ndodhte. Prandaj Maksit i vunë pas ca spiuna dhe e burgosën.

Të burgosurit ishin shumë. Shkarjet ishin të rralla. Para shkarjes së Maksit, burgosja e Maksit nuk bëri përshtypje. Mes rënkimeve të të gjithëve, si dhe për shkak të fohtësisë proverbiale të shqiptarëve ndaj më të mirëve të vet, me vuajtjen e Maksit nuk u muar askush. Me shkarjen e Maksit, po. Shkarja e Maksit u shoqërua me pëshpërima të frikshme dhe solemne si muzikë funebre. Për shkarjen e Maksit pëshpërimat thoshin; Shkarjet e modernistit Maks janë inxhinieri letrare. Shkarjet e realistit kozmik Kadare janë letërsi inxhinierike. "Pallati i Kubeve" dhe "Pallati i Ëndërrave" lidhen me llagëme të nëndheshme me dalje në Vatikan. Revizionisti Kadare brenda "Pallatit të Kubeve" të Maksit, dhe i shkari Maks brenda "Pallatit të Ëndërrave" të dekadentit Kadare, përbëjnë një simbiozë ekzistencialiste që nëse kqyret me kujdes në formë dhe përmbajtje dhe nëse vlerësohet si duhet nga pikëpamja ideore, mund të nxirren konkluzione që duhen shqyrtuar në një mbledhje të posaçme...mjaft se më çmende.

Pa absolutisht asgjë meskine, mediokre, autoreferenciale, shkarja arkitektonike e Rrugës së Dibrës dhe të tjera shkarje, do mbeten dëshmi madhore të sakrificës sublime të Maks Velos që bëri sa mundi për të mos e lënë Shqipërinë të ngordhte.

Me shkarjen që e përgjaku por nuk e vrau, Maks Velo u tregoi të dobtëve, frikacakëve, llafazanëve, se me bishën mund të luftohej, bisha nuk ishte e pamposhtur, nuk ishte e pavdekshme. I pamposhtur dhe i pavdekshëm ishte dhe është Maks Velo dhe Shkarja e Tij madhështore.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora