E merkure, 24.04.2024, 03:52 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Babai nuk e ndante shikimin nga varrezat

E enjte, 07.05.2020, 03:28 PM


BABAI NUK E NDANTE SHIKIMIN NGA VARREZAT, OSE, SI NGELËN DUART E TIJ NË DUART E MIA...

-Fragment i shkurtër nga libri, “NJERIU ‘PA’ VENDLINDJE”-

Nga Sejdi BERISHA

Atë ditë, në varrezat e xhamisë kishte kositur më shumë se ditëve të tjera dhe sigurisht se ishte lodhur, të them nga puna e jo nga mosha që mbante mbi supet e veta si një histori të trishtë, jo vetëm të vetën por edhe të kombit dhe të atdheut. Por, si duket, kjo nuk i bënte përshtypje, ngase, ai e kishte një dëshirë të pashpjeguar për t’i mirëmbajtur varrezat, gjë të cilën, shqiptarët, mund të them lirisht se tradicionalisht nuk e kishin zakon, dhe mu për këtë, nëpër kohë janë tretur gjurmët e varrezave si dëshmia dhe shenja më thelbësore historike mbase edhe kombëtare dhe fetare! Por krahas mirëmbajtjes se varrezave, barin e njomë që e kosiste, e shfrytëzonte për t’i ushqyer dy dhitë që i mbanim për qumështin dhe kosin e familjes.

Kapërceva murin e oborrit të xhamisë dhe iu afrova babait ku ishte duke pushuar. Kishte qenë, siç themi ne, në kokërr të gjumit. Kujdesshëm e zgjova, por, edhe më kujdesshëm, ai u kthye në anën tjetër duke mbledhur gjurin e këmbës së majtë për t’u ngritur në këmbë.

-Ik!-më tha. Mos ma kap dorën, se edhe do ditë do provoj të lëvizi e të ngritëm vetë në këmbë...!

Nuk fola. As ai nuk tha gjë. Gjithmonë ishte fjalëpakë. U nisëm për në shtëpi. Por, posa mbërritëm, ai ia mësyri shtratit të vetë dhe sërish u shtri...! Nga pak, edhe pse nuk dëshironte, i lëshonte disa gjëmime të thella, përmes të cilave më bëhej se i numëronte kohërat dhe sfidat me të cilat ishte përballur dhe ishte kacafytur...

Pas disa orësh që kaluan, më shkoi mendja se do të ishte më mirë që ta dërgoja në spital, edhe pse, ai kurrë dhe kurrë nuk e ka dëshiruar mjekun dhe as ilaçet, e lëne më spitalin!

-Do të shkojmë ke mjeku. Të shohim se çfarë po na thotë ai! -i thash prajshëm, duke ia ledhatuar duart, që për mua ishin shumë të ngrohta dhe të ëmbla, mjaltë!

Më shikoi e më shikoi me sy të mekur, dhe pas pak më tha:

-Po! Po shkojmë...!

Deri atje ecëm këmbë, sepse, nuk kishte taksi, besa edhe nuk kishim “lekë”. Pasi e vizitoi mjeku, atëherë shef reparti ishte një mjeku, Iliq e quanin, më tha se babai duhet të shtrihej në spital, sepse, lukthin e ka në gjendje shumë të keqe. Tash, sërish ngadalë dhe kujdesshëm i tregova babait se pak ditë duhet të qëndrojë në spital. E dija se nuk e donte spitalin...!

-A bash duhet të qëndroj në spital, a?! -më pyeti me zë të ulët por pelin.

-Po! -ia ktheva. Më mirë është të qëndrosh në spital, sepse, do pak shërim lukthi. Uli kokën dhe nuk foli.

E putha në të dy faqet asht e lëkurë, dhe pasi e vendosa në një dhomë ku kishte shumë të sëmurë, isha si i djegur zemre e i thyer shpirti.

Prej asaj dite, babanë për çdo ditë e vizitoja në spital, kurse, ai tanimë kishte zënë shoqëri me shumë pacientë, dhe kjo ia lehtësonte mërzinë për sëmundjen dhe për jetën. Spitali i qytetit atëherë gjendej afër stacionit të trenit, ose te Ferovia, siç e quanin shumica e qytetarëve stacionin e trenit.

Është interesant të theksoj, se, sa herë që shkoja në spital për ta rruar, drejtonte shikimin kah unë dhe më thoshte: a po i rruan edhe këta dy shokët që i kam afër me shtrat?... -ia puthja ballin dhe i thosha: me dëshirën më të madhe, o plaku im!...

Mirëpo, babai dot nuk e merrte veten, por, përkundrazi, sikur shëndeti prej ditës në ditë i përkeqësohej. E, nga e tërë kjo, më i tmerrshmi dhe më trishtuesi ishte rrëfimi i babait, atëherë kur pasi që ishte kthyer në shtëpi për festën e Bajramit, u kthye sërish në spital. Duke u kthyer së bashku me te sërish në spital, kaluam përkrah xhamisë. Tani, babai e mbante edhe shtagën kërrutë. Prit, më tha, dhe u ndal para varrezave të xhamisë. Ma dha shtagën kërrutë, dhe ngriti duart e u lut për shpirtin e të gjithë të vdekurve, që në periudha të ndryshme kohore ishin varrosur këtu, në oborrin e xhamisë. Atëherë, vazhduam rrugën për në spital.

Nuk e ndante shikimin nga varrezat. I thash: hë, babë...?! Dhe, fjalët tjera nuk më dolën as nga goja as nga zemra. Më shikoi dhe më tha:

-Eh, more biri im... Ti e din se sa kam hequr në këtë jetë...?!!

Në këtë moment, sikur para meje doli tërë jeta e tij, i cili asnjëherë nuk ishte përkulur, por kishte qëndruar gjithnjë vertikalisht. Për atë, edhe unë këtë fjalë “vertikalisht” shumë shpesh e përdori edhe në shkrimet e mia, sepse, më ngjanë në atë lapidarin e pathyeshmërisë!

***

Dhe, ashtu pa ndërruar asnjë fjalë, unë dhe babai arritëm në spital. E vendosa në shtrat, por m’u duk se aty e lash mu si një pjesë të trupit tim, si një pjesë të historisë së familjes dhe jo vetëm të familjes...! Nuk pat dëshirë të shtrihej sërish në spital. Heshti, dhe shih, fshehtas e tradhtuan lotët, të cilët mua më goditën edhe më shumë, ma lënduan edhe rrugëtimin tim rinor edhe ashtu të ngarkuar me përplasje e trakullima jete dhe me vrushkuj rinie, të cilat në moshë rinore lëndohen dhe vriten lehtë!

Pasi u ktheva në shtëpi, tërë ditën dhe tërë natën shpirti nuk më rrinte i qetë. Nuk mund u durova, dhe vendosa, shkova dhe e nxora plakun nga spitali. Kur i thash se kisha ardhur për ta marrë dhe për të shkuar në shtëpi, m’i ledhatoi faqet sikur kur fshihen lotët që përlajnë çdo gjë, si valët e detit kur çmenden, ato!

-Të faleminderit, biri im! Tani ndjehem më mirë, vetëm se e kam një lutje...

-Thuaje, babë!...

-Pasi po dal nga spitali, a ke mundësi së t’i rruash edhe kësaj radhe këta dy shokët e mi?!...

Pajisjet e rrojës ia kisha lënë në syzën te krevati i tij, andaj, pa hamendje i thash:

-Po si nuk bën, or plaku im!

M’u falënderua sikur të isha i huaj, kurse, me dy shokët e dhomës në spital por edhe me të sëmurit të tjerë që gjendeshin në dhomën e tij, u përshëndet si mërgimtari në momentet kur do ta braktisë vendlindjen, i cili nuk di se a do të kthehet më, dhe a do të takohet me anëtarët e familjes.

U kthyem në shtëpi. Ai, tani e dëshironte vetëm shtratin. Dhe, afrohet shkurti i vitit 1973! Plaku, tash ishte bërë pjesë e pandarë e shtratit, dhe kishte dëshirë që gjithnjë t’i rrija pranë, por, nganjëherë duhej freskuar dhe ndërruar shtrojën e shtratit. Kështu që, unë, për pak minuta e vendosja në shtratin tjetër, trupin e tij që ishte i tëri vetëm kockë.

Njëherë, me shumë kujdes e mora para duarsh dhe e vëna në shtratin tjetër vetëm për pak. Kur e vendosa, ai, ia plasi vajit, mu si fëmijë. Desh sa nuk më dolën mentë. Mendova se a mos e lëshova në shtrat pa kujdes dhe me rreptimë. Por, nuk ishte ashtu. E vërteta ishte se eshtrat e tij i kishin grumbulluar dhembjet e gjithë dynjasë!

E pyeta me loçkë të zemrës se pse ia krisi vajit. Isha shumë kureshtarë që të dija të vërtetën. Ai, prapë duke qarë, nuk e di se prej nga i vinin gjithë ata lot nga trupi i tharë, më tha:

-Djali im, pashë të Madhin Zot, të mos t’ju vjen mërzi nga unë dhe nga sëmurja ime...!

Kur më tha kështu, e mora vesh shkakun e lotëve. Atëherë, desh sa nuk ia theva ato kocka të mbetura në lëkurë, duke e përqafuar. I thash se edhe njëqind vjet të tjera po të jetonte, ai, është pjesa më e dashur e shpirtit dhe e zemrës sime.

***

Kështu, ditë pas dite, erdhi edhe ajo dita e enjte, ajo dita e pesëmbëdhjetë shkurtit të vitit 1973. Gjithnjë rrija pranë babait. Ashtu kërkonte ai, dhe më tha që me të dy duart e mia t’ia shtrëngoja duart e tija, me të cilat e kishte pedatur tërë atë jetë, e kishte fituar bukën e familjes, e kishte ledhatuar dhe madhështuar tokën, me të cilat ishte lutur për të mirën e njerëzimit, edhe të kombit, për atdheun që asnjëherë nuk arriti ta shihte dhe përjetonte të lirë e të buzëqeshur! Kërkonte edhe akull, sepse, trupi dhe shpirti i kishte marrë flakë. Sikur i tëri digjej.

Akullin e bluar, si kokrrizë, me lugë ia jepja kohë pas kohe dhe atë deri në orën gjashtëmbëdhjetë(16:00), kur luga e fundit me akull i ngeli në gojë. Nuk mundi ta flladiste edhe pak as lukthin, as zemrën, as shpirtin, dhe kështu, duart e tij ngelën në duart e mia. Iku plaku im me shkrumbin dhe zjarrminë për shumëçka, që është histori në vete kjo “përrallë” e jetës!

Në ato çaste, edhe pse ishe muaji shkurt, një rrebesh shi i përcjellë me bubullima të forta e përcolli në lartësi shpirtin e babëlokut tim! Ndoshta ndodhi kështu, pse iku plaku im përgjithmonë nga jeta dhe ma la amanet veprën dhe jetën e vetë, padyshim të madhërishme.

Është interesant. Para se të vdiste, më kishte thënë: ruaje dhe kujdesu për nënën tënde, sepse, ka hequr keq në këtë jetë, për t’iu rritur mirë, ndershëm dhe me frymën e familjes e cila e do njeriun, e do kombin dhe tokën e vetë. Respektoji motrat, dhe në rast nevoje, mbështeti aq sa ke mundësi, aq sa ke forcë materiale... Por, edhe dashurinë prej tyre kurrë mos e braktis, sepse, edhe ato kanë hequr dhe kanë vuajtur për ta ruajtur e kultivuar familjen me thelbin e madhështisë njerëzore, me edukatën që reflekton vetëm fatbardhësi dhe krenari...

Biri im..., bashkëshorten tënde, duaje, ruaje, përkrahe dhe kujdesu fortë për te, ngase, shumë na ka respektuar, kurse për mua është kujdesur si për fëmijën e vetë...!



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora