Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me artistin shumë-dimensional Frederik Ndoci

| E merkure, 06.05.2020, 03:23 PM |


Intervistë ekskluzive me artistin shumë-dimensional Frederik Ndoci

Nga Gëzim Marku

Frederik Ndoci është këngëtar, këngëautor, instrumentist, poet, shkrimtar dhe aktor. Ndoci nuk është vetëm i njohur kombëtarisht,  por përmasat e njohjes së tij janë edhe ndërkombëtare, madje ndërplanetare, pasi zëri i tij është përzgjedhur si një ndër dhuratat më të çmuara nga planeti ynë për atë Mars. Padyshim, një ndër përfaqësuesit më të veçantë të muzikës shqiptare. Talenti i tij ka rrjedhur në mënyrë natyrale përgjatë dekadave, edhe pse që nuk ka qenë e lehtë. Ne, si publik që ishim mësuar ta shihnim Frederik Ndocin vetëm në skenë,  do të njihemi edhe me  prapaskenën e jetës së tij artistike gjatë diktaturës hoxhiste...

GM: Çfarë kujton nga fëmijëria artisti shumë-dimensional i sotëm. Kush ishte vogëlushi Frederik?

FN: Fëmijëria e mbushur me kureshtjen e madhe për të njohur realitetin që të rrethon, për të kuptuar thelbin e ideales së mohuar që kthehej në mbijetesë konkrete. Gëzoheshim me dy dhurata të vobegta që prindërit e mij punëtorë (baba murator, sipërmarrës privat pasdreke dhe në shtet 8 orë deri në drekë, ndërsa nëna 8 orë punëtore ngarkim sharkimi në fabrikën e qumështit) nga që prejardhja e tyre ishte me biografi antipartizane. Ne i gëzoheshim fatit që jetonim por që gjithçka ish hipokrizi... nga që edhe këngët që zgjidhnim (gjithmonë ku nuk përmendej xhaxhi dhe partia) fundoseshin nga të paaftit që zgjidhnin këngë që ishin disnivel por mjafton që flisnin për xhaxhin dhe partinë, bënin që këngët tona të dukeshin si këngë të zgjebosura, pasi salla ngrihej në këmbë nga frika se mos i shihte njeri që nuk rrespektonte partinë dhe xhaxhin... e  jo për interpretuesin, po për fjalët e këngës, interpretuesi guackë i paaftë, vinte në mesin tonë ku hipokrizia e tyre fillonte të hidhte shtat në përgëzimin me buzëqeshje që përmbante urrejtje deri në përbuzje. Kjo ish një shkollë që çdo ditë rritej në heshtje brenda nesh. Këngët e mia asnjëherë nuk e patën shansin të shkonin më shumë se çmimi i dytë në festivalet mbarëkombëtare për femijë... pavarësisht se çdo njëra këngë u vleresua me çmim...

Po më çelej një derë në artin shqiptar, derë prej të cilës tani e kam shumë të veshtirë të më nxejë nëse një ditë mendoj të kthehem e të dal prej saj.

GM: Kinematografia dhe muzika duket se po rriteshin me ju... Çfarë mund të na thoni për këto dy dimensione?

FN: Perceptimet e para vinin nga mundësitë teknike që kishim asokohe, një radio Londra dhe që gjithë bota e lajmeve, Zëri i Amerikës, Radio Prishtina, etj. dhe deri tek artistët më të mëdhenj të botës dilnin nga autoparlantet e kësaj radioje për të zgjeruar në shpirt pasionin për një botë të madhe që quhet art. Kishim disa kinema në Shkodër, Pionieri, Punëtori, Verore dhe Republika, doemos filmat e kohës bardh e zi dhe me ngjyra rrëmbenin një botë ëndërrash dhe na çonin larg diku në lashtësi, në mesin e qyteteve të mëdha të botës, ku prindërit  i dëgjonim tek thoshin se kjo është “liria”.

Endërroja të bëhesha aktor edhe unë, dhe  iu ngjita skenës që në klasë të pestë, edhe si aktor humori dhe dramë. Më pas erdhi televizori bardh e zi, Jugosllav!, stacionet e huaja Italia Uno,  Seconda, Jugosllav, baba bani çmos të shihnim Shkupin dhe sidomos Prishtinën nga që pëlqente Nexhmien, Ismetin, Bashkimin, 2 Shpresat, Esatin...etj. Ndërsa adoleshenca ime hidhte hapat e saj unë angazhohesha edhe me ndërrmarrje të ndryshme, edhe me shkolla të mesme, me grupet e reparteve ushtarake të Korpusit, me Klubin e Rinisë Heronjtë e Vigut...  Suksesi rritej sëbashku me emrin tim dhe dita ditës krijonte një negativitet të baba im, pasi gjithë qyteti tashma e njihte jo më emër, por “baba i Frederik Ndocit” (qesh...).

GM: Në moshën 13-14 vjeçare fituat kinoprovën për të qenë protagonist në një film, por në mënyrë arbitrare ndërhyri ajo, partia. Çfarë ndodhi konkretisht?

FN: Po më kujtohet që më erdhi një telegram, sepse kështu funksiononte për shumicën e popullsisë që nuk i lejohej telefoni personal, telegrami vinte nga Kinostudio Shqipëria e Re, dhe shkruhej: Frederik Ndoci - Ju presim në Tiranë pranë studiove pasi jeni i përzgjedhur për të bërë kinoprovë për film rreth një roli primar (kryesor)  shumë të rëndësishëm, Spartak Pecani as/regjisor dhe Kristaq Dhramo regjisor. Ditën e hënë të paraqiteni. – Imagjino çfarë emocioni, u bëra gati dy tri ditë dhe në  darkën e të dielës udhëtova me tren për në Kryeqytet. Nuk po zgjatem, pas shumë skenash me kinoprova për 10 ditë rrjesht, komisioni aprovoi unanimisht që të jem unë protagonist, pasi kisha grumbulluar 97 pikë ku i dyti pas meje ishte me 61 pikë... U nisa për në Shkodër pasi filmi fillonte  për më pak se një muaj, më thanë se duhej të regjistrohesha në shkollë në Tiranë, pra u duhej edhe dokumenti dhe dëftesa e shkollës 8 vjeçare ku isha dhe të vazhdoja xhirimet dhe shkollën në klasën e 7-të. Prisja telegramin e tyre – “nisu Frederik!” por që nuk erdhi për 70 ditë, i bëra unë një lajmthirrje telefonike dhe më del as/regj. Spartak Pecani dhe me keqardhje më thotë: që kemi një muaj që xhirojmë  dhe na ka ardhur nga lart me urdhër që protagonist duhej të ishte  ai i 61 pikëve, pasi nëna i punon në KQPPSH, sepse e vërteta ishte që ti Frederik ke biografi të padëshirueshme me vijen e Partisë!” E mbylla telefonin jo me lot në sy, por me lot në zemër... e çfarë ishte gjithë ai mund i imi dhe i familjes sonë për “këta”, ku do ishte e ardhmja e jonë? Isha nxënës i shkëlqyer në mësime, po tani kush do ma nxirrte shkollën e mesme  profesionale që pretendoja? Gjatë gjithë rrugës vështroja majën e  Taraboshit që ishte në pjesën perëndimore të qytetit, pas atij mali ishte “liria”- lexonte faqja e malit Lavdi PPSH,  më dolën lotët, i fshiva me kujdes, një bashkmoshatar më pyeti: hë kur do fillojë filmi? Ka mbaruar për mua, iu përgjigja, që nga  ai moment për herë të parë fillova të mendoj të ndryshoj karakter, të flakë tutje sinqeritetin dhe të jem cinik ndaj edhe vetë jetës, ndaj edhe vetë fatit. Muzika mori fund, nuk doja më të këndoja, ndoshta ishte edhe faza e pubertitetit, pjekjes së adoleshencës, por nuk mora pjesë më si solist por si orkestrant. Iu dhashe kryekëput mësimit të kitarës dhe më joshnin shumë vetëm këngët e huaja.. fillova të urrej hipokritët që këndonin dhe gënjenin për lumturinë, që gënjenin për realitetin që na rrethonte.

GM: Në sistemin e kaluar, aq brutal sa edhe qesharak, përveç fletërrufeve ishin në modë edhe ato... letrat anonime, njëra nga të cilat ndihmonte partinë për të zbuluar një ''armik të popullit'' me emrin Frederik Ndoci...

FN: Tani vonë një mik më ka dhënë një zarf, që kur e hapa mu rrënqeth mishi e mu ba kokërr, kur pashë dy fletë arresti për mua në vite të ndryshme, 1986 dhe 1987, neni 55 agjitacion, ndërkohë që unë vija nga dënimi me Agjitacion e Propagandë nga një letër anonime që në vitin 1983, dënim i cili me ndali karrierën artistike që nga 1978 deri 1983, dmth 5 vite art, akoma sot është e çensuruar në dhomën e çensurës së RTSH,  Karriera e ime me ''Na Bashkoi Kënga Popullore'' do të ndalonte aty,  ku kisha më se 9 këngë solo dhe duete, 120 këngë në grup si solist dhe instrumentist. Materialet  u hoqën me vendim të ''Kuvendit Popullor”, mendo se shumica e këngëve dhe debutimeve ishte nderuar edhe me çmime të ndryshme, asokohe isha edhe pa mbaruar filmin “Në çdo stinë” rol i cili mbeti përgjithmonë i përgjysmuar nga që u dënova me motivacionin si agjent i KGB-CIA-FBI-UDB-VATIKAN!! Pas dënimit s'do mend që më hoqën nga ''Teatri i Operas dhe Baletit'' dhe më emëruan në Macukull të Matit, ku pas 3 muajsh më erdhi një emërim tjetër në Shkodër. Xhaxhi ishte gjallë, e unë që riemërohesha në teatrin Migjeni si aktor pranë estradës së Shkodrës, kuptohet një reabilitim apo pendesë dënimi apo perestrojkë e parakohshme. Por atë vit kur erdhëm me Estradën e Shkodrës për filmim e fundvitit, Y. Pepo asokohe drejtor, sot demokrat, me sytë e zgurdulluar dhe i skuqur i tëri më tha: po ty kush të ka lejuar të hysh në TV? I befasuar por edhe i ndërgjegjshëm se ishte në rregull ai sepse burokracia nuk kishte punuar dhe unë isha “kulaku” për mediat unike të asaj periudhe, thirri një polic dhe i dha urdhër të më shoqërojë në tren deri sa të ulesha në Lezhë, polici edhe pse shumë kureshtar përgjatë gjithë rrugës se për çfarë më kishin larguar, pasi e mësoi të vërtetën më tha je shumë guximtar qe ke hyrë në digasteret e RTSH. I dhashë dorën dhe polici i hipi trenit dhe u kthye mbrapsht.

Unë “armiku i popullit” kthehesha vetëm në qytetin tim.

GM: Studionit në Akademinë e Arteve, njëkohësisht punonit në Teatrin e Operës dhe Baletit si dhe ishit pjesë e grupit të mirënjohur ''Na Bashkoi Kënga Popullore''. Unë shkurtimisht e ju gjerësisht, ju lutem...

FN: Kuptohet që sapo erdha në Tiranë duke e fituar konkursin për dramë me vota unanime nga tërë komisioni, pas muajit të parë në Akademinë e Arteve, më propozojnë për të qenë pjesë e grupit Na Bashkoi Kënga Popullore. Doemos që ishte ngjarje pozitive për mua, dhe pranova por me një kusht që propozimi të vinte në mënyrë administrative edhe pranë katedrës së Dramës, pasi unë isha student ndërsa grupi me vendim nga lart ishte vendosur si mini ndërrmarrje pranë TOB. Ku kishte planin e vet që duhej realizuar me shfaqje turne, koncerte etj. Me erdhi letra administrative ku filloi konflikti mes Akademisë  TOB, konflikt që do më kushtonte përsëritjen e vitit, prapë në cen në biografi, me ngelën në Histori PPSH, njëri nga profesorët Xh. M. (që nuk ia harroj kurrë) nuk e firmosi notën 4 në librezën e studentit, pasi edhe pse  ishte komunist, iu duk shkelje flagrante. Por do vinte edhe një dënim i njëjtë me atë të filmit. Erdhi një i Ministrisë së Arsimit dhe na rreshtoi  dhe me gisht ti dil këndej ti dil andej, dhe pasi na ndau në dy grupe, i tha grupit që nuk bëja pjesë: “ju jeni caktuar  për një rrugë jashtë shtetit, ju  të tjerët jeni të lirë, shkoni e pini nga një birrë”. Imagjino kë të urreje, të deleguarin? Ministrinë, Regjimin apo shokët që u përzgjodhën, dmth ata ishin spiunë dhe ne duhet të hapnim sytë se mos na rrëshqet ndonjë llaf nga goja.  Kur u kthyen shokët na sollën çimçakeza dhe gjithsecilit një kollare ose sapun (Qesh). Kështu do kalonin disa vite gjersa... erdhi një letër anonime në adresën e emrit tim, që e thashë më lart... do fillonte kalvari si i dënuar, më pas asokohe mendoja vetëm se si mund të arratisesha... gjersa erdhi emërimi në Estradën e Shkodrës.

GM: Ne si popull ndeshim në vështirësi kur bëhet fjalë për integrim europian dhe unë, pak cinikisht, do të akuzoja edhe kënduesit e tallavasë si propagandues të injorancës, mundësisht edhe si 'ushtarë' që luftojnë kundër lirisë së identitetit tonë kulturor...

FN: Absolutisht që edhe tallavaja është një zhandërr që e sollën nga Maqedonia lindore,  me qëllim shumë të errët që të tregonin përfundimisht që ne jemi mbetje turko-aziatike të mbetur qysh nga pushtimi turk. 80% e popujve shqipfolës e vlersojnë shumë më tepër se  muzikën e mirëfilltë popullore  qytetare apo folklorin tonë të kultivuar. Paralel me këtë është edhe muzika turbo folk, e emërtuar nga diletantë ose nga njerëz me dipllomë të blerë, të cilët 'vidh aty një lupë vidh’ këtu një frazë dhe ndërtojnë këngë që rinia pa u thelluar e pëlqen... A nuk ishte e turpshme që në një festival Ballkaniadë doli një kantautor dhe e këndoi dhe pas 6-7 këngësh doli Ana Visi dhe tha që kisha një këngë tjetër  për të debutuar por dëgjova këngën time të kënduar në një gjuhë tjetër dhe më vjen keq t'i them autorit turp të kesh, por po e këndoj në gjuhën greke që e kam në CD që 5 vite. E çfarë mbeti për përfaqësuesin albanez, iku i mbuluar  me deshirën “do Zoti e nuk e kanë parë shumë Shqiptarë”. Gjithsesi tallavaja është muzikë dhe nuk ka muzikë të keqe por ka autorë të keqij, ka kompozitorë të keqij, ka interpretues të keqij dhe ka audiencë dhe popull të keq që i perkrahë edhe pse është nën nivel.

GM: Ju nuk vini nga rruga, por sot është koha e rrugës, koha e të tmerrshmes ''jasha jalla''. Unë  si artdashës ndoshta lëndohem pak sepse nuk jam artist apo kritik profesionist. Cila është shkalla e lëndimit për një këngëtar si ju...?

FN: Askush nuk vjen nga rruga, por kanë dëshirë ta bëjnë rrugën si dhomë pritjeje ose kuzhine, dikur njeriu doli nga shpella dhe ndërgjegja i tha se duhej të përdorte gjethe, ashtu bëri, i tha se duhej të mbulohej, u mbulue me lëkurën e kafshëve, i tha se duhej te jetonte me kollare.  E lidhi kollaren tashti është e kundërta, njerëzit po shkojnë drejt shpellës. Dr Martin Luter King iu tha qeveritarëve dhe senatit amerikan,  -“kultura jonë zezake,  shumë shpejt do të bëhet e juaja”. Dhe tashti fiset zulu kishin muzikën veç me perkusion e drum, tashti me thuaj sa % e kësaj muzike del në vit në të gjitha gjuhët e botës – miliona. Jasha është shprehje e këngëve Bosnia-ke  J’allah asht shprehje arabie... tashti a e dëmton të ardhmen, pushtuesit kanë lanë mbi ndërgjegjen tonë jo vetëm dhunën por me dhunë hoqën vlerat tona autentike. Para disa vitesh ndërroi jetë një ikonë e një stili popullor shqiptar në extention (zhdukje) Jareja, Artisti i Merituar Bik Ndoja, ky kollos i Madh i këngës Popullore Shkodrane e sidomos jares për 71 vjet debutoi me mjeshtri këngën që shpesh nga mungesa e kulturës në salla nëpër Europë i bërtisnin ”këndo shqip” që do të thotë, sipas atyre që thërrisnin, që duhej të këndohej ajo që ata e njohin për shqip, vetëm atë muzikë që kultura e tyre e ulët njeh. Dhe që armiku Turko-Serb-Grek ia ka serverë si muzikë shqipe.

GM: Muzika nuk i shmanget dot globalizmit, sipas meje, por tekstet e tyre lehtësisht mund të ishin të pastërta shqip dhe jo të mbushura me fjalë të huaja si turke, arabe, serbe e greke. Kjo ndotje e Shqipërisë kulturore është shumë e theksuar tek këngët popullore dhe folklorike nga Jugu në Veri, i cili përfshin dhe Kosovën. Tragjikja dhe jo romantikja i solli ato kaq dhunshëm, megjithatë duket se shqiptarët nuk jetojnë dhe as nuk krijojnë dot art pa "ndihmën" e turko-arabëve dhe sllavëve...

FN: Shko në Kinë, Kore, Japoni Indonezi... muzika e tyre dallohet lehtësisht si autentike edhe pse muzika e lehtë është mjaft afër, pothuajse e njëjtë  me muzikën e lehtë europjane. A thue nuk kanë ata presione nga fqinjët? Sa të duash, por muzika popullore Vietnameze dallon përnjëherë nga ajo e Koresë e kështu me rradhë. Shko në Kalabri dhe do të gjesh modelet tona muzikore të paprekura për 5-6 shekuj. Shko në Ukrainë dhe e gjen muzikën tonë që para tre-katër shekujsh të paprekur... shkoodra ka mbi 4 shekuj këngë të shkruara me nota e parditura.

Shko në Rumani, shko në Gjeorgji dhe dëgjo këngët shqip, shko në Afganistan dhe Pakistan te fiset me origjinë pellazgo-ilire akoma i kanë ruajtur vlerat tona...

Pra, po të duash ia di vlerën e artë që ka krijimtaria  autentike  e brezave që ta la trashëgimi. Po ta këndosh në një sallë një këngë gjeorgjiane shqiptare të thonë “eeeeej shqip shqip”.

E citova edhe më lart, varfëria e krijimtarisë dhe sidomos kërkesat e atij që e paguan edhe kompozitorin e mirfilltë, bëjnë që vulgu dhe bërlloku të lulzojnë dhe të jenë si fasade e një muzike që nuk asht gja tjetër, veçse  grahmat e fundit të mbijetesës se vlerave  të ruajtura nga populli me aq mund dhe sakrificë tërë këta shekuj.

GM: Jeni fitues i  Festivalit të Këngës në RTSH (1989 dhe 2006). Si e keni përjetuar këtë sukses në dy sisteme të ndryshme?

FN: Do të kisha qenë edhe shumë herë të tjera fitues por gjithnjë i paafti ka paranë dhe pafytyrsinë që ble juri dhe njerëz të varfër në shpirt e në xhep. Të dyja herët që ju po thoni, vlerësimi i këngëve ishte unanim, “Toka e diellit”,  “Balada e Gurit” por edhe “Në çdo zemër një herë troket”, “Kitarat e paqes”, Një ditë shprese”, “Pasuri e Pasurive “, ''Ah jetë o jetë”, ''Një ditë tjetër” etj., këngë këto që u gjymtuan nga juritë e blera dhe tarifat e korrupsionit në art. Megjithatë ato mbesin rrelike e repertorit tim dhe turpi i tyre dhe historia do t'i denojë si kundërshtarë te paaftë të karrierës së Moxartit, Beethoven, Verdit dhe atyre që koha u ngriti monumentet, por që ata vetë e kaluan të zinjët e ferrit nga poshtërimi dhe shkelja me këmbë që i bënë të paaftët.

GM: Do doja përgjigjen e Frederikut si artist dhe jo si fitues i festivalit në fjalë. Sa vlerë ka ky festival?

FN: Frederiku do fitojë sa herë të paaftit s'do ta kenë vëmëndjen dhe do t'i rrëshqasë papritur dhe do tua rrëmbejë para se të organizohen... kështu ndodhi me këngën Toka e Diellit, çfarë nuk bënë derisa kënga doli dhe fitoi unanimisht, po ashtu edhe Balada e Gurit, nuk kisha vajtur asnjëherë në prova, vetëm ditën e fundit shkova dhe e debutova, e  ndjeva thikën që iu ngul të gjithë atyre që të zverdhur me përgezonin si në festivalet  e fëmijëve - hipokrizia vazhdon... të nesërmen dinastitë e monopoleve të muzikës nuk lanë derë pa trokitur që Balada të mos fitonte. Ja pra nuk është e lehtë të jesh i mirë dhe cilësor dhe sidomos kur ua merr bukën nga goja. Të them se kush është kënga fituese e vitit x me siguri nuk e di, por sapo ta dëgjosh këngën time do ta marrësh vesh se të njëjtat hiena vazhdojnë të zgërdhihen dhe të ecin në natën e tyre të pafund, duke gllabëruar çmime. Pas vitit që këndova Tokë e Diellit nga muaji maj më telefonon një kompozitor total i paaftë, por që fitues i disa çmimeve, që të gjitha me para, dhe asnjëherë muzika e tij, por një rrjesht muzikor nga x dhe një nga y. Ky njeriu më telefonon dhe më thotë: Frederik, a ke deshirë të marrësh edhe sivjet çmimin e parë? Sigurisht i thashë që kam.  Atëherë hajde dhe më dëgjo këngën që kam kompozuar... Në fakt unë po punoja për dy këngë të tjera sipas shijes time, më të bukura se Tokë e Diellit. Gjithsesi vajta në shtepinë e pseudokompozitorit. Dhe pasi me debutoi për herë të parë një zgurdullsi muzike femijësh, iu luta ta  përsëriste edhe një herë, por e mbyllte dritaren sepse po dalin të gjitha tingujt nga dritarja dhe s'po hyn asgjë në vesh. E përsëriti, dhe unë i thashë troç në sy që më duket material i vogël dhe nuk është mirë me  këndu pas Tokë e Diellit një këngë të vogël. Më tha me sytë e Judës, Frederik kjo këngë e ka marrë qysh tani vendin e parë, kam pagu 10 mijë marka dhe çmimi është pa dyshim. Ishim në 1990 dhe 10000 marka ishin shumë. Po dhe më tha se kujt ia kishte dhënë. Mendova që njerëzit kanë luajtur mendsh dhe nuk dyshoja në asnjë sekond në vërtetësinë e fjalëve të këtij burratini... kur në natën e tretë kryetari i jurisë tha që ''kënga ... X çmimi i parë”. Salla fishkëlleu me britma injorimi dhe me një uuuuuu të madhe. Kompozituci  më ka parë të parin, mu në dritë të syrit, sikur të më thoshte ''he more loqe që nuk e besove?... doli pa u skuqur nga UUUUUUU që i dha tërë publiku  dhe mori trofeun. Por kur kenga fituese sipas zakonit do rikëndohej, në fund të kënges duartrokitën vetëm tri pastruese sanitare dhe katër roje dere, sepse i madh e i vogël ishte larguar në shenjë injorimi dhe disrespekti. Ishte çmimi që më bëri të largohem përfundimisht nga Shqipëria...

GM: Eurovizioni, 'prezantim vlerash të vërteta muzikore', 'një mbrëmje argëtuese europiane' apo 'nënshtrim i artit nga politika'?

FN: Eurosong është në aparencë një ide e madhe që përshkon çdo artist si dhëndërrin dhe nusen në ditën e dasmës, më pas e merr vesh që do ishte ma mirë bashkëjetesë se sa dasëm  e më pas detyrime ndarje etj. (Qesh...) Është një manifestim i madh, çdo gjë është persosmëri  i një teknologjie të lartë, OGDE, grupi  i organizatës më të madhe Gey and Lesbio, që e ka eskluzivitetin që në 1991, ku njerëzit që marrin pjesë dhe e mendojnë familjen si gjënë më të shtrenjtë, shikohen nga organizatorët si dinozaurë. Që këtu fillon tatëpjeta e parë e artistëve nëse nuk jan gey,  pastaj vjen lobimi gjeo-politik dhe e ndjen veten pas derës së festivalit, prandaj në botë nëpër media  del shpesh artikulli, “Na ishte njëherë Eurosong”. Lobimi fillon me një shumë 50 $ dhe mbaron me 500 000 $ vendi i parë. 

Dmth duhet t'u japësh organizatorëve këtë shumë nëse do që kënga të dalë në finale dhe t'i afrohet zonës së çmimeve,  ku shtetet ish-sovjetike japin shumën që të dalin në natën e tretë dhe pastaj kush do të fitojë jep më shumë. Unë edhe sikur të fitoj prapë, ju betohem që nuk marr pjesë më, por shkon kënga pas meje, dmth kënga e rradhës.

GM: Jeni këngëtari i vetëm shqiptar që është nominuar për çmimin më të rëndësishëm në botën e muzikës, Grammy, në 14 kategori të ndryshme, por që jo shumë shqiptarë janë të njohur me suksesin tuaj...

FN: Në vitin 2005 shtëpia diskografike Blue November së bashku me Chelsea Studio NY dorëzuan 'double CD' me 17 këngë  të reja dhe  regjistrime të reja dhe këngë të vjetra  të risjella. CD Canterina kishte 6 këngë të kompozuara  nga unë. 6 këngë  të tjera ishin këngë të ribëra por në stil  të ndryshëm  dhe 5  këngë të krijuara nga kompozitorë të ndryshëm amerikanë. Pas kësaj CD-je bota filloi kritikat pozitive, pati deri nga ata kritikë që thanë, “pse duhet ta njohim ne këtë gjigand në moshën 40 vjeçare? Ku ishte deri më tash ky vocal? CD-ja e 2006 hyri në 15  nominime,  49-th Grammy Awards (që është çmimi më i lartë i muzikës në botë). Këto nominime  të ndryshme në stil, formë, interpretim, arrangement, vokal etj. bënë që unë të isha pjesë e artistëve më në zë të kohës, emrave më të mëdhenj të muzikës botërore. I pari ballkanas që ngjit shkallët në këtë kompeticion. Po atë vit, nga IMA (Independent Music Awards), kënga ime si tekst e muzikë “Corason de Cristal” do të rradhitej e treta,  ose të ishte në peseshë, me Aguileren, Enrique Iglesias,  Nora Jonnes... Po atë vit gazeta ''Amazon Vocal Competition'' do të akordonte Frederik Ndocin si një nga 50 zërat e kristaltë botëror... Po atë vit NASA përzgjedh këngën e kompozuar nga Norman Kerner “Piano on a Moon”, për ta vënë në fondin e muzikës së përzgjedhur që të transmetohet 'non stop' në planetin Mars, sëbashku me 3000 materiale të tjera. Po atë vit gazeta World Jazz akordon  Frederik Ndocin si një nga 1000 të përzgjedhurit e tëra  kohrave  - në New Age Jazz. Në Vietnam një këngë bëhet sigël e një telenovele, CD shpërndahet edhe në Azi etj...

Në vend që të shkoja atje ku jepeshin çmime, përzgodha Tiranën dhe Shqipërinë...

GM: Ishit pjesë e mikpritjes artistike shqiptare të Papa Franceskut në Shqipëri...

FN: Në muajin qershor të 2014 kisha kompozuar  një këngë me tekst të Agim Doçit kushtuar gjenocidit qe i beri pushteti diktatorial klerit,  sidomos klerit katolik, “Martirët e fesë”. Pa e marrë vesh se Papa kish vendosur që të vinte për vizitë në Shqipëri.  Ne muajin Gusht me telefonon D. Gjovalini dhe më thotë që : - “ne të kemi përzgjedhur për të kënduar në meshen e Madhe për nder të Papës Françesko, a jeni i mundshëm?  Mu errësuan sytë dhe i thashë pa zë Zotit të falemnderës për çka kam vuajtur, sepse tani jam krejt si mos me pasë vuajtur asgjë. Atë ditë me qiell të rënduar me re të zeza hapa sytë që artificialisht i kisha mbajtur mbyllur gjithë natën pasi nuk më zuri gjumi as për një sekond. Këndova tre herë këngën time të kompozuar nga unë, “Një ditë Shprese” për të bërë edhe prova teknike ndoshta, ishte ora 8 e mengjesit dhe këndonim live në sheshin Nënë Tereza. Pastaj Ave Maria sëbashku me Alisën, kur papa ishte te presidenti B. Nishani. dhe “Martirët e fesë” kur papa i ra dy herë rrotull sheshit Nënë Tereza, gjatë meshës tri këngë të tjera, plot 6 këngë atë ditë që edhe 200 vjet në jetofsha nuk do më hiqet emocioni pozitiv që ndjeva në prani të njeriut më të klikuar në botë, për ne më të dashurin në botë, pas Zotit.

GM: Ne si përgjithësi nuk jemi ende gati për Europën, sipas jush, po muzika a është?

FN: Në Europë muzika e jonë ka hyrë por pa fizionomi, ne nuk kemi autentiken tonë që na dallon nga shtetet tjera rrotull, sepse në jetë të jetëve na është dashur të luftojmë për të ruajtur diçka nga gjithshka që okupatorët e huaj u munduan ta shkatërrojnë dhe ta tjetërsojnë.... Polifonia është marrë në mbrojtje nga Unesco. Një kompozitor gjerman (mjerisht s'më kujtohet emri i tij)  në fillimvitet 1990 udhëtoi në trevat kryesore të veriut të Shqiperisë, Dukagjin, Tropojë, Shllak, Kukës, Peshkopi dhe gjer në Mat, nuk kishte mundësi të vazhdonte më tej. Por ai ka lënë një testament: Shqipëria vetëm me muzikën e këtyre tre-katër trevave, ose me modelet e kësaj  muzike,  mund të mbijetoje, pa vjedhur asnjë muzikë tjetër, edhe 400 vjet.

Shumë vëzhgues vijnë nëpër festivalet folklorike një herë në 4 vjet dhe arrijnë në konkluzione se muzika e jonë është shumë e vjetër.

GM: Me objektivin “mikrofon” janë vërsulur shumë individë që, pavarësisht zërit dhe talentit, kanë dëshirë të këndojnë...

FN: Absolutisht jemi në demokraci dhe koleg mund të ketë dëshirë të më thërrasë kushdo, por t'i them unë koleg dikujt,  besoj se e kam këtë të drejtë dhe nuk më detyron askush t'i them kujdo që nuk e meriton.

GM: Duke u bazuar tek tekstet unë kam dyshimet e mia. Ju mendoni se muzika Rap është art?

FN: Është art muzikor i kohës pavarësisht vulgaritetit të tekstit...

GM: Ndoshta nuk është pyetje e lehtë, megjithatë unë po e bëj. Nëse nuk do kishe një mundësi të tretë, pra të ishit i detyruar, cilën do zgjidhje, një këngë për partinë e punës apo një tallava?

FN: Normal do e këndoja një këngë për partinë në stilin tallava (qesh...), mos mendo se nuk na kërkojnë edhe njerën edhe tjetrën netëve kur debutojmë.

GM: Largohemi nga tallavaja. Ka ndryshim muzika e sotme e lehtë, popullore dhe ajo folklorike me atë të Shqipërisë moniste?

FN: Shumë ndryshim sepse me integrim kuptojmë gjithçka në të gjitha fushat, kështu që edhe krijimtaria muzikore do kalojë përmes këtij fakti të pamëshirshëm i cili do ta vërtitë të bukurën në muzikë, do ta zhveshë, do ta tërheq zvarrë dhe do t'i hipi sipër me grushta e shpulla për të përdhosë çdo lloj vlere të ruajtur, ndoshta edhe me konservatorizëm dhe me urdhër deri më 1990. Tani kemi copa arti, vrima dhe asgjë si dikur që ishte e dhënë në mënyrë profesionale, dhe mbijetoi më shumë se e sotmja, arsyeja kuptohet; - sasia nuk është cilësi, por tek-tuk nga sasia e prurjeve njeriu do të mbështetet diku... prandaj vuan shumë muzika e lehtë, prandaj muzikë popullore është gjithshka që kërcehet dhe vërehet pas 10 vjetësh përmbajtja e ulët e saj. Prandaj folklori ka marrë lustër me turbo folk. Unë vazhdoj të ruaj melosin tonë popullor në të gjithë këngët e krijimtarisë time, sidomos ajo e muzikës së lehtë, sa njëherë me thanë në një festival se –“është si këngë popullore, dhe nuk bën për këtu në këtë festival!!” Atëherë unë i bëra nje pyetje, “kush jeni ju?  Që merrni guximin me e thënë një gafë të tillë?”

Imagjino akoma ka peshq që janë jashtë akuariumit dhe hiqen si ministra të vegjël të muzikës. Mbështetja në tabanin popullor më ka bërë ndoshta me origjinalin si kantautor... me një karrierë më të madhe, prej më shumë se 50 vitesh në skenë, dhe që vazhdoj,  si  asnjë artist tjetër shqiptar sepse asnjëri nuk e ka më të gjatë suksesin se karriera ime... ose më ndihmo të mos dukem mendjemadh.

GM: Nuk pres të më thuash që për të gjitha këngët e tua ke të njëjtën dashuri...

FN: Absolutisht diferenca mes tyre është një njësi matëse shumë, shumë e vogël, si njësia specifike në kimi... (qesh...)

GM: Cilët janë këngëtarët e preferuar shqiptarë, këngët e të cilëve ju shoqërojnë?

FN: Shqipëria ka qënë dhe do të jetë vend prodhues i kangëtarëve. E keni edhe në Bibël këtë fakt. Kur bëri fajin Kaini u dëbu dhe zuri vend diku. Kaini këndonte bukur, ne jemi në Ball Kain,  dmth t'u ball i kainit, kështu që Ballkani nxjerrë më shumë se e gjithë Europa kangëtarë... studioje dhe do të dali hipoteza ime. Për interpretet e këngës popullore për mua mbajnë vend të parë Bik Ndoja, Luçie Miloti, Xhevdet Hafizi, Nexhmie Pagarusha, Vaçe Zela, Mefarete Laze, Maria Kraja  etj.

Vokalet shqiptare po shquhen në botën klasike. Edhe  pse audiencës së performancës së tyre i bëhet shumë bujë, sa shpesh zbehen edhe arritje të individëve në zhandre dhe rryma të tjera muzikore.

GM: Shkodrës i keni kushtuar disa këngë...

FN: Po dhe disa të tjera janë në ardhje.  1-Zonja Shkodër, 2-Ah Ky mall, 3-Mëkat me u plakë larg teje, 4-Se biri yt unë jam, (feat R. Xhylbegu dhe D. Garuci) 5-Hymni i Vllaznisë, 6-Porsi ty nuk ka një tjetër, 7- Jare për Shkodrën (feat artistja pa titull Mefarete Laze). I dashuruar me cdo çelizë me këtë qytet, dhe kam bërë mirë qe i kam ndejë kaq larg, se ndoshta nuk kisha shkruar as një këngë (qesh...).

GM: Falë rastësisë më ka ndodhur që të dëgjoj dhe këngë folklorike për kriminelë. Nuk studiohen individët në fjalë dhe kemi të bëjmë me injorancë të rapsodëve, apo me adhurues të krimit?

FN: Varet, nëse e ke fjalën për  kriminelë të epokave të ndryshme, apo të kohës sonë,  psh E. Hoxha ka hyrë në Guinness për krime, atij i janë thurur pa fund këngë. Si Kedafit, Huseinit, Hitlerit, Stalinit etj. Kriminelët paguajnë më shumë për t'i thurur  një këngë, se një hero... apo një viktimë. Koncepti për kriminelin është nga këndvështrime të ndryshme, nëse një krimineli  ordiner  i këndohet këngë, përveç këngëve West, që të gjitha janë këngë kushtuar kriminelëve dhe bëmave të tyre, edhe vjedhjen e bankave apo trenave (qesh...)

Në hip-hop apo rep kjo gjendet edhe më shpesh. Mua do më vinte turp nëse dikush do më paguante për diçka të tillë  dhe nëse do ia kryeja porosinë do të ndjehej e turpëruar tërë duartrokitja e ime e marrë sëbashku që do dëgjohej deri ne galaktikat e tjera, sepse kam  karrierë të gjatë artistike ku që në debutimin e parë njerëzit janë ngritur në këmbë (standing ovations) dhe vazhdojnë të ngrihen në këmbë edhe  sot.

GM: Ju shkruani edhe poezi. Eshtë poezia këngë pa muzikë apo më shumë se kaq?

FN: Poezia është virgjëresha e artit, është ura e të gjitha arteve. Qysh në fëmijëri më ka rrëmbyer dhe kam filluar risitë e para t'i lëvroj si poet e vjershëtor, kur një ditë e pashë se ishin shumë dhe dikush shumë i njohur nga Shqiptaria m'u lut t'i botoja, ashtu bëra, i ndava në dy vëllime dhe sot gjenden dy libra, “I lindur e plak i divorcuar” dhe “Mozaik nga jeta dhe arti”.

Me poezinë është si me ujin që askush nuk ngopet dhe vdes po te mos pijë vazhdimisht. Mjerë ai njeri që është varrosur pa lexuar një poezi në jetë.

GM: Në një intervistë që kishit dhënë për TVSH, hipur mbi një kalë, mësova se në moshën 9 vjeçare kishit hapur një ekspozitë me piktura...

FN: Është e vërtetë që në moshën jo 9 vjeçare, por në klasë të parë, mësuesi i pikturës z. Pjerin Sheldia m'u bë sponsorizues moral në ato vite që të më shikonte pikturat e mia, kur i pa më tha mundohu me i shit sa të mundesh sasinë e tyre por në mënyrë cilësisht të mirë si këto të tjerat. Pas një muaji u bënë rreth 120 punime në tush (bojë e zezë kine) aquarel, pastel, lapsa kolor dhe karbon,  ai më tha që është mirë jo t'i nxjerrim të gjitha por përzgodhi rreth 70-80 që ishin të ndryshme... tematika dihej, herojntë e punës socialiste, 500 vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit, peisazhe me ndërtime, me fabrika, punë nëpër ara, mbrojtja e atdheut... më kujtohet që kryetari i qytetit, ose sekretari i parë, Pjetër Kosta as nuk e besoi qe isha unë autori dhe më bëri të bëja diçka në moment e unë bëra një llampë elektrike dhe në mes vura me mijëra krahë lart sikur bënin urraaaaaaa të madhe, kur më pyeti se çfarë do ta titullosh, i thashë “Elektrifikimi u krye”. Më pas në festival kënga “Rrugëve të fshatit”, vendi i tretë,  u përzgodh të këndohej para xhaxhi Enverit.

Dhe ashtu ndodhi... Më kujtohet emocioni ishte zero. Në vitet 1982 para se të më arrestonin ndjeva të njëjtën emocion kur u përzgodh kënga ”Kjo Kosova e ka adet, nga nji pashë me e mbyt përvjet”, përkonte me demonstratat e prillit 1881, pas 6 muajsh do ta shihja vehten në qeli, ishte urdhër nga Beogradi që kënga të mos këndohej më në televizion, atëherë sajuan letër anonime dhe kënga nuk doli më në TV pasi këngëtari u dënue politikisht... sot është vlerë me e thënë por vërtetë ia futën kot atëherë dhe përgjithmonë... ata që më dënuan.

GM: Kinematografia shqiptare, jeton, na ishte njëherë, apo s'ka jetuar ndonjëherë?

FN: Kinematografia ishte dhe shumë e fortë në një kohë kur çensura nuk lejonte broçkulla dhe të djegte në turrë drush nëse shpërdoroje pelicolen e filmit duke nxjerrë një film skarco, kështu që cilësisht të gjithë ishin pothuajse të arrirë por tematika e tyre shpesh ose në shumicën e rasteve ishte për të dëshiruar... Sot kuptohen veshtirësitë që ka dhe pengesat ekonomike për t'u realizuar sepse autorët duan edhe të marrin ndonjë tepricë buxheti dhe të nxjerrin cilësi, kur këto nuk bëhen kurrë me sukses sëbashku, o njëra o tjetra.

GM: Aktorët e preferuar, shqiptarë dhe të huaj...

FN: Ndrek Luca, Zef Jubani, Tinka Kurti, Sandër Prosi, Kadri Roshi, Rikard Ljarja, Tano Banushi, Maria Kraja etj.

Ndërsa nga të huajt Charlie Chaplin, Toto, Alberto Sordi, Robert De Niro, Marlon Brando, Al Pacino etj.

GM: Si për çdo shqiptar që largohet nga vendi, vitet e para kanë qenë të vështira. Sidomos për shumë artistë ka qenë pothuajse e pamundur të qëndronin brenda fushës së tyre me largimin nga vendi. Po ju, keni ndeshur vështirësi me largimin tuaj në Itali?

FN: Kam dalë si refugjat, dhe jo si kontigjent për studim pasuniversitar si shumë që dërguan në monizëm dhe nuk e mbaruan kurrë, por mbaruan çdo ditë dietat (200$ dita dietë),  jo shumë por një vit. Punë të rëndomta për më se 9 muaj si gjithë shqiptarët refugjatë. Askush nuk e lë vendin për të gjetur shpellën e piratëve nëse është mirë ekonomikisht dhe i sigurtë. Kurrë nuk desha të jetoja në Itali por fati më lidhi sepse më skaduan vizat që kisha për Zvicër dhe Austri, të më kapnin në ish-Jugosllavi përfundoja në kampin famëkeq të Beogradit që me familje kuptohet se çfarë fundi do kisha.

GM: Keni jetuar edhe në Amerikë... si artist...

FN: Që nga 1996 në Kaliforni i ftuar për një CD me këngë Gospel, dhe vazhdoj të jetoj atje më shumë vitet e fundit. Sukseset ua thashë më lart, dështimet me siguri do tua tregoj në të ardhmen nëse ndodhin. Në Shqipëri përfundimisht është e veshtirë të rritësh fëmijë të urtë sepse sapo të rritet do bjerë pre e Ujkut, dhe nëse rrit Ujk, sapo te rritet do ta vrasin, asgjë nuk ka më siguri për femijët në vendin tim, unë do kisha jetuar edhe 100 vjet këtu por kur vjen puna fëmijët nuk kanë të ardhme këtu. Tashti jetoj në Florida dhe NY.

GM: Por duket se ''askund nuk gjete si Arbërinë''...

FN: Është toka që zgodhi Zoti njeriun që ia dha shëmbëlltyrën si të tijën, është vendi  që Zoti përzgodhi faraonët, është gjuha më e lashtë e racës së bardhë, është vendi më i shtypur në Europë, është vendi ku bota varet prej nesh, sepse në malin e Tomorrit... të sistemit tonë Diellor. Është vendi prej nga këndoi Homeri, ku shqip i themi Troje, ku mbreti i saj i thërriste vedit Prijam, gjuha e jonë quhet gjuha e perëndive, vendi ku rritet Ulliri, Fiku, Limoni, Ftoi, Rrushi. Asnjë vend i botës nuk i ka gjithë këto fruta që rriten në mënyrë  natyrale. Vendi më i vogël në botë me kilometra katror, me aq shumë kështjella lashtësie, vendi ku ka deti alpet vetëm 22 km larg. Ku ngjala  përshkon oqeanin Atlantik dhe tërë detin Mesdhe, përshkon detin Jon dhe hyn përmes detit Adriatik në lumin Buna për të lëshuar vezët sëbashku me Qefullin, ku afër malit Tarabosh është një liqen me emrin “Labeati” (ia la me be i jati), ku Uj ka vetem dy shkronja (Un dhe ai dmth Zoti) dhe në gjuhët e gjithë botës janë këto dy zanore brenda fjalës uj në gjuhët e tyre. Atëherë më thoni ku do gjeja si Arbërinë?

GM: Mendoni se fjala ''Burrneshë'' është fyese për femrën? Mendoni se ka ardhur koha që të mos përdoret më...

FN: Stoicizmi ynë shekullor Gruan e ka nderuar më shumë se burrin,  edhe vetë Kanuni  e ka nderu aq shumë sa që me vend i drejtohej-“a je burrneshë?” Sepse gratë vërtetë kanë sjellë e mbajtë gjallë jetën në Shqipëri... le të mos e përdorin ata që përdhosin gjininë femërore, sepse ata e kanë një arsye që është feja... ndërsa unë do ta nderoj përjetë nanën e kujtdo në botë, motrat, vajzat dhe gruan time. Të tjerët i vraftë zoti kur i mbysin me gurë e plumba. 'Burrnesha' e lartëson Gruan por nuk e ul burrin. Burrneshat kanë pritë vetë femijën e tyre, si kafsha ia ka pre kërthizën, vetë e ka rritë dhe e ka përcjellë në luftë, dhe e ka shty mortin (nëse i ka qellu) për nesër mos me ia prishë dasmën e gëzimin, kush e ka sot... nesër morti, Rexha i dekun ngrazh te kalit, çou Rexho çou djalo.... Burrneshë më shumë nana e Rexhos se fakiri qe ia mshani mushka me shtjelm kresë e ja hapi kafkën.

GM: Historia, por edhe aktualiteti, duket sikur na mëson se shqiptarët janë populli më pak i preferuar në Ballkan e Evropë. Apo nuk është e vërtetë?

FN: Liria e tepërt sjellë edhe fluturimin pa krahë, sapo ndeshën në kapitalizëm zogjtë e larguar nga kafazi monist kuptohet që donin të arrinin gjithshka në kohë sa ma të shkurtë, kështu që me refugjatët u perzien edhe ish sigurimsa që nuk lanë gjë pa bërë.

Që të nxinin faqen e refugjatëve të markës shqiptare, aq sa shpesh edhe shqiptarët e Kosovës kur  kapeshin me gjëra negative pohonin se ishin shqiptarë  nga Shqipëria dhe anasjelltas. Duke qënë çdo ditë në faqe të parë të mediave për krime nga më të ndryshmet, doemos edhe ne që ishim normal do na barazonin me kriminelë. Sot p.sh. ne Itali mafia udhëheqëse është ajo Albanese, e gjithkund në Europë. A e keni pa filmin 'Taken 1'  e 'Taken 2'? Çfarë thotë për shqiptarët ose filmin 'Run all night', sapo fillon filmi dalin dy personazhe nga një derë dhe një njëri me sy të zgurdulluar thotë : Albanians oh God i hate Albanians...

GM: Cili nga popujt e pushtuar mendon se kishte më shumë pasoja nga Perandoria Osmane?

FN: Tërë popujt që janë fshirë nga harta... përpak edhe ne u fshimë ose jemi 80% të fshirë deri më tash. Kthehet aktori, Artist i Popullit, Reshat Arbana nga Algjeria, dhe më thotë  “si nuk na pushtoi Franca sikur edhe 50 vite, por na pushtoi Turkia 500 vite. Ndërsa në Turqi më kanë thënë oficeret që na shoqëronin, Shqipëria na ka lënë mbrapa se kanë qenë pothuajse ministra e kryeministra Arnaut, prandaj edhe sot jena aq të prapambetur.

GM: A mendoni se politika turke abuzon me fenë për të na tërhequr (të paktën jo zvarrë si në shekujt e pushtimit) drejt lindjes apo drejt një pjese të botës të cilës nuk i përkasim?

FN: Normal që ëndërra dhe plani i xhonturqve ishte pas falimentimit të perandorisë , të ruheshin lidhjet dhe çdo ditë të forcoheshin deri sa një ditë të kthehej Baba, dhe t'i mblidhte si dikur... Ne jemi krijuesit e Europës, Pellazgët, pra na takon të respektojmë lindjen vetem se andej lind Dielli, perëndia e pellazgëvet, ndërsa jetën t'ia besojmë zhvillimit perëndimor, dmth ne i takojmë perëndimit.

GM: Dy shtete shqiptare ne Europë. Histori e mbyllur...?

FN: Europa e shkrime në shumë shtete shqiptare, e dy shtete që flasin shqip dhe që bota pretendon se nuk janë as 55% shqiptarë.  Tani ka dalë një makineri që kontrollon ADN dhe 25 breza të tregon përpikmërisht se çfarë gjaku je ose të tregon a je shqiptar puro apo je i përzim me mongol.

Kosova nuk kthehet më prej nga erdhi, ashtu siç nuk po din me ardhë prej ku e shkulën dikur.

GM: Ne kishim diktaturën me të egër në Europë. Eshtë kjo arsyeja që Shqipëria është ndër vendet më të varfëra dhe të korruptuara në Europë? Mendon se kanë dhënë maksimimin politikanët tanë?

FN: Kanë dhanë maksimumin me ba gjithshka për vehte si askund në botë... beso se janë më të pasur politikanët shqiptarë se politikanet në Francë e gjithkund në EU. Perstrojka më e fuqishme u zbatue në Shqipëri. Sa që sot nuk ka asnjë parti që nuk e krijoi R. Alia.

GM: Ardhja e demokracisë solli emigrimin masiv. Afërsisht një e treta e shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës kanë emigruar. Nje pjesë e madhe e tyre nuk do të kthehen me në dheun mëmë...

FN: Dhe bajnë mirë nese nuk kthehen, jeta nuk është eterniti, dmth pambarim, ata ingranohen kudo në botë dhe e kishin të veshtirë apo shumë të veshtirë, tashmë janë të integruar, nëse provojnë me u ingranu këtu provojnë 10 fishin e vuajtjeve që kaluan në integrimin e parë në botë...

GM: Akuzohen shkrimtarët e poetët se nuk kanë bërë aq sa duhej per t'iu kundërvënë diktaturës. Nderkohë disa pena të shquara jetonin ne botën përëndimore, por nuk ishin denoncues të flaktë të asaj që ndodhte në Shqipëri. Diçka për të shtuar...?

FN: Kishim poetë dhe shkrimtarë që guxuan, por u varën, u pushkatuan dhe u burgosën dhe të tjerët mbyllen gojën përjetë dhe u pajtuan dhe i sherbyen si mundën sistemit, dmth bukës së gojës dhe jetës së femijëve të tyre.

GM: Mendoni se politika e ndonjë shteti në Europë ka në gjak urrejtje dhe jo dashuri dhe do përballemi me konflikte të reja në të ardhmen?

FN: Gjithmonë nuk i druaj, por janë përfektë për krime një popull që quhet Serbi, ata çdo 30 vjet e bëjnë një hata. Na vrau Zoti me dorën e tij, qysh se na vuri Serbinë kojshi.

GM: Një mesazh për kolegët këngëtarë...

FN: Mundohuni me e marr vesh sapo të hapni gojën se prej nga vini, çfarë do thoni dhe ku e thoni atë që debutoni.

GM: Mesazhi yt për lexuesit e  Zemra Shqiptare anekënd botës do të ishte...

FN: Zemra Shqiptare është mirë kur rreh një me atë që po heq minutat e fundit të jetës së tij, ZSH rreh mirë kur përlotet me prindin që i ka fëmijët disa ditë pa ngrënë e pa u ngrohë, ZSH është zemër kur dëgjon Gruan që thërret ndihmë kur një burrë vë dorë mbi të...

ZSH është zemër kur shkon ndër varrezat e bijve të rënë dhe vendosë lule,  ZSH rreh unison me fëmijët që shiten për organet e  brendëshme, ZSH është zemër e zbehtë kur sheh një vajzë shqiptare  në semafor, Zemra Shqiptare është e lënduar atëherë kur dikush don të vrasë fëmijën e palindur. ZSH është e fortë atëherë kur e njeh vdekjen si me lind kur atdheu thërret  për ndihmë... ZSH është e bekuar kur Zoti yt është edhe Zoti im... ZSH është e rreptë atëherë kur feja ime dhe feja yte kacafytën për me nda Zotin tonë që është një.