E enjte, 28.03.2024, 01:34 PM (GMT)

Mendime

Enver Bytyçi: Europa humb besimin te Thaçi, Vuçiq, Rama dhe Isa Mustafa!

E marte, 05.05.2020, 03:51 PM


Europa humb besimin te Thaçi, Vuçiq, Rama dhe Isa Mustafa!

Nga Enver Bytyçi

Studiuesi i njohur serb, Dushan Janjiq, është shprehur se BE prej një kohe të gjatë nuk ka më besim te presidenti i vendit të tij, Aleksandër Vuçiq. Madje ai shkon më tej, duke e krahasuar politikën e sotme të Beogradit me situatën që krijoi politika e Milosheviçit, kur përmend faktin se edhe për Milosheviçin Perendimi e humbi besimin disa vite pas ardhjes së tij në pushtet. Ndërsa diplomati amerikan, Hoper, shkruan se Vuçiq më mirë merret vesh me Hashim Thaçin sesa me Angela Merkel. Ndërkohë Isa Mustafa prej dy muajsh shihet si delja e zezë e liderëve të Partive Popullore Europiane, sepse ai tashmë është njësuar në aksionin e tij politik me Hashim Thaçin, Aleksandër Vuçiq dhe Edi Ramën.

Të katër këta, Vuçiq, Thaçi, Rama dhe Mustafa, po i kundërvihen Europës në projektin për ndarjen e Kosovës. Sepse ndryshimi i kufijve midis Serbisë dhe Kosovës shkakton konflikt në Europë dhe pasojat e këtij konflikti do t’i vuante Bashkimi Europian. Nëse do të duhet që projekti evropian i integrimit të realizohej me sukses, atëherë asnjë zgjidhje e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë me rregullim kufijsh, apo shkëmbim territoresh nuk e ndihmon këtë projekt. Përkundrazi ndarja e Kosovës rrezikon interesat evropiane në Ballkan.

Ndaj dhe duhet thënë se të katër protagonistët e mësipërm nuk dinë ose nuk duan të bëjnë llogari në interesat strategjike të Perendimit, por bëjnë llogarinë e Serbisë së Madhe e të Rusisë së Madhe. Retorika e sharjeve dhe fyerjeve për Brukselin, Berlinin, Parisin etj nga ana e Vuçiq, Thaçit dhe Ramës është antieuropianizëm i mirëfilltë.

Ndërkhohë javën e kaluar 16 deputetë dhe eurodeputetë nga Gjermania, Austria, Zvicra dhe Sllovenia u janë drejtuar institucioneve të Kosovës me një lutje që të mos nxitohen në arritjen e një marrëveshjeje midis Prishtinës e Beogradit, të dëmshme për Kosovën dhe rajonin. Natyrshëm këta i druhen një precedenti, që do ta destabilizojë gjithë Ballkanin. Kjo sepse aktorë të tjerë ndërkombëtarë, para së gjithash Moska, janë të interesuar që të ndezin një konflikt të ri në rajonin tonë, me qëllim që t’i japin një goditje të pariparueshme Bashkimit Europian dhe projektit të integrimit të Ballkanit Perendimor në këtë Union.

Në fakt agresioni serb në Kosovë, për grabitjen e territoreve të saj, ka ekzistuar gjithmonë, është kështu një realitet historik dhe aktual. E veçanta e këtyre kohëve lidhet me atë se edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe grupi pro Thaçit në këtë parti i janë bashkuar lëvizjeve të tilla destruktive. Rrëzimi i qeverisë Kurti, nëse nuk do të kishte në sfond realizimin e këtij projekti, nuk do të ishte problem evropian, aq më pak problem i aleatëve të LDK-së, Partive Popullore Europiane, union në të cilin bën pjesë edhe partia e Isa Mustafës.

Shqetësimi është shprehur hapur në atë reagim të 16 deputetëve evropianë nga Gjermania, Austria, Zvicra dhe Sllovenia. Kjo nuk le dilemë e hapësirë për debate. Po pse duhej që Lidhja Demokratike të vinte në konflikt me grupimin më të madh politik evropian, anëtare e të cilit ajo është? Praktikisht Isa Mustafa nuk kishte asnjë arsye për t’i nervozuar kaq shumë partnerët e partisë së tij në Bruksel e Berlin. Kjo sepse përfaqësues të CDU/CSU gjermane ia bënë atij fushatën elektorale të vitit të kaluar dhe e nxorën me faqe të bardhë në rezultatin zgjedhor! Isa Mustafa u ka borxh partnerëve evropianë për mbështetjen e vazhdueshme që ata i kanë dhënë historikisht Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nuk ka asnjë aksion politik të rëndësishëm të LDK-së, në të cilin të mos ndjehet mbështetja e partnerëve të partive konservatore në Europë.

Por aksioni i fundit i zotit Mustafa ishte antieuropian, për pasojë pro-rus dhe pro-serb. Ndaj kanë reaguar 16 deputetët evropianë. Por jo vetëm këta, kanë reaguar grupi parlamentar konservator i Parlamentit Europian e drejtues të lartë të Unionit Konservator të Partive Popullore Europiane. Po ashtu personalitete të shumta të Europës, kryesisht përmes ambasadorëve në Prishtinë, por edhe drejtpërdrejt.Kjo do të thotë se iniciativat evropiane e sidomos ato të Angela Merkel për aksione politike në mbrojtje të kufijve të Kosovës u dëmtuan me pabesi nga Isa Mustafa, i rrethuar nga disa mjeranë politikë, që mendojnë me stomak dhe jo me tru!

Të gjithë këta antiperendimorë dhe antieuropianë, Vuçiq, Thaçi, Rama dhe Mustafa nuk kanë kuptuar një gjë: Se çdo marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit bëhet null, nëse nuk ka mbështetjen dhe firmën e Bashkimit Europian, përkatësisht Brukselit, Berlinit, Parisit, Vjenës dhe kryeqyteteve të tjera të shteteve demokratike në Europë. Ndaj Hoper thoshte para dy ditësh se “Grenelli i ka në dispozicion majin dhe qershorin, për ta bindur BE-në që ta përshtasë qëndrimin e vet përkitazi me mënyrën e të menduarit të Vuçiqit dhe Thaçit. Po qe se i dërguari i posaçëm i SHBA-së nuk arrin ta bindë BE-në për marrëveshjen tashmë të arritur, do të marrë fund mundësia për t’i dhënë fund konfrontimit midis Serbisë dhe Kosovës”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora