E enjte, 28.03.2024, 11:38 AM (GMT)

Mendime

Florim Zeqa: Një flamur t'Kosovës për Car Lazarin!

E marte, 05.05.2020, 11:13 AM


Një flamur t'Kosovës për Car Lazarin!

Shkruan: Florim Zeqa

Ditë më parë duke biseduar me një kolegë timin rreth marrëveshjes me Serbinë, ndër të tjera më tha këto fjalë; "Po tutna mos jena hi në gjynah pak me ta që kena shkrue", duke aluduar në klasën aktuale politike"!

Pa frikë, ja ktheva unë. Nëse për asgjë tjetër, politikanët tonë mëkatet i bartin për mos transparencë të veprimeve përgjatë dialogut me Serbinë dhe për pasurim të skajshëm kundrejt një popullate të varfër. Ne i kemi komentuar dhe analizuar veprimet e politikanëve tonë për aq sa ata i kanë bërë transparente marrëveshjet me Serbinë në Bruksel.

Hashim Thaçi barjaktari, Albin Kurti vjen i mbrami

Nga dëshira për të marrë primatin e çdo gjëje për Kosovën, Thaçit i mbeti bajraku në dorë, anipse punët i ka kryer dikush tjetër (ndërkombëtarët).

Tani, jo Albini, por askush tjetër nuk mund ta pengoj legalizimin e ndarjes së Veriut të Kosovës vetëm me fjalë pa veprime konkrete, të projektuar 21 vite më parë.

Asnjëri nga politikanët kosovarë, përfshirë edhe Albin Kurtin nuk kanë arsye të "rrahin gjoks" dhe as t'na shesin patriotizëm, për shkak se pjesa veriore e  Kosovës nuk është e ndarë nga dje, para 6 tetorit, por është e ndarë plotë 21 vjetë më parë me vendosjen e forcave ruso-francese të KFOR-it mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë.

Ku ishin "trimat e xha Sulos" që nuk u organizuan për çlirimin e pjesës veriore të vendit nga bandat kriminale serbe, siq po organizohen në mbrojtje të pushtetit të kryeministrit të shkarkuar në mënyrë legjitime në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Trimërinë që po e provojmë ndaj njëri-tjetrit, sikur ta kishim demonstruar kundër pushtuesve serb të pjesës veriore, do ta kishim kthyer jo vetëm Luginën e Preshevës, me të cilën po abuzohet për konsum të politikës ditore, por do ta kishim kthyer edhe Nishin.

Sovraniteti i shtetit përfundon të Ura Ibrit në Mitrovicë

Problemi është se patriotizmi ynë fillon dhe mbaron tek Ura e lumit Ibër në Mitrovicë. Nuk po kemi forcë t'i kthejmë as tokat e grabitura nga Manastiri i Deçanit, e lërë më të bëjmë diçka më shumë.

Të paktën ish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi (tani president i vendit), e kishte provuar me 26 korrik të vitit 2011, që ta shtrijë sovranitetin edhe në veri të vendit.

Mirepo, para përmbushjes së misionit, gjegjësisht vënies nën kontroll të pikave doganore në veri, policët e ROSU-se u sulmuan nga serbët e pjesës veriore në Bërnjakë, mes fshatrave Varage dhe Zupç, me ç'rast nga të shtënat e snajperistëve serbë u vra polici Enver Zyberi.

Megjithatë, sovranitet të plotë shteti ynë në veri të Kosovës nuk ka as sot pas 9 viteve. Gjithçka e arritur atje ka ndodhur si rezultat i negociatave me Serbinë në Bruksel, shtet ky që kontrollon rreth 25 % të territorit të Kosovës.

Edhe pse nuk u arritë qëllimi i mirë i Hashim Thaçit, të paktën për disa orë na bëri të ndjehemi krenarë me kryeministrin e vendit tonë.

Deri më tani, kush më pak, e kush tjetër më shumë, të gjithë liderët e partive serioze politike i provuam në qeverisjen qendrore.

Ardhja e Albin Kurtit në krye të ekzekutivit kishte ngjallur shpresat e shumicës së qytetarëve për ndryshime pozitive, për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, për VETTING në sistemin e drejtësisë si edhe për shtrirje të sovranitetit në Veri dhe në brendi të vendit (nëpër enklavat serbe).

Albin Kurti len shumë për të dëshiruar...

Përveq shkarkimeve në qeveri dhe borde të ndërmarrjeve publike, për këtë kohë të shkurtër të qeverisjes, nuk ndodhi as përpjekja më e vogël e Albin Kurtit për kthimin e tokave të uzurpuara nga Manastiri i Deçanit dhe të shtrirjes së sovranitetit në Veri të vendit.

Në vend të shtrirjes së sovranitetit të shtetit në tërë territorin e vendit, nën qeverisjen e Albin Kurtit ndodhi ajo që nuk e kemi pritur, ndodhi ri-shtrirja e Serbisë në Kosovë përmes heqjes së Taksës 100 %, futjes së qindra "mantilbardhëve" dhe 1000 testeve për "Covid-19"!

Futja e kamionëve nga Serbia me portrete gjigante të Putinit dhe Karagjiqit dhe shkuarja e tyre deri në qytetin e Pejës pa u penguar nga askush, e shënon kulmin e dështimit të shtetit në parandalimin e një provokimi sa të rënd, po aq edhe paradoksal!

Përderisa në të kaluarën, kur LVV-ja ishte parti opozitare jashtë kuvendit, kamionët me mallra nga Serbia rrokulliseshin me të hyrë në territorin e Kosovës, sot me Albinin kryeministër po hyjnë lirshëm dhe të zbukuruar!

Kjo do të ishte normale për pushtetarët e deritanishëm, por jo edhe për Albin Kurtin e premtimeve për "bashkim kombëtar" dhe ndryshime pozitive.

Është e dhimbshme, që një lider nacionalist të kthehet në lider super të moderuar dhe të nënshtruar nga Serbia!

Po të mos ishte kështu,  pasi u futën kamionët e zbukuruar me portrete nga Serbia, të nesërmën Albin Kurti do duhej ta testonte reciprocitetin me dërgimin e kamionëve nga Kosova në drejtim të Serbisë me portetet e Adem Jasharit dhe Ibrahim Rugovës.

Mund të gjenden mijëra arsyetime për këto lëshime të 'Qeverisë Kurti", por nuk mund të arsyetohet më asgjë hezitimi për të depërtuar në Veri të vendit, qoftë edhe në mënyrë simbolike me vendosjen e flamujve të Kosovës përkrah flamujve serb ose të paktën, për nder të 4 vjetorit të vendosjes së shtatores së mbretit serb, me ja vënë në dorë Car Lazarit një flamur t'Kosovës, për t'i treguar se jemi bërë shtet apo t'ia vendosin peshkopit serb Sava Janjiq një flamur në derë të Manastirit, për t'ia kujtuar se ndodhet në Kosovë e jo në Serbi!

Assesi nuk bën të largohet nga pushteti Albin Kurti pa lënë gjurmë dhe pa na bërë krenarë që e kishim kryeministër. Në të kundërtën, nuk kemi pse ta mbajmë gjatë në mend qeverisjen e tij, përpos, si qeveria më e shkurtër në historinë e re të Kosovës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora