E merkure, 24.04.2024, 03:04 AM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Kisha, shteti dhe ''pandemia'' sociale

E marte, 05.05.2020, 01:56 PM


KISHA, SHTETI DHE “PANDEMIA” SOCIALE

NGA NDUE DEDAJ

Nga nëntori i vitit të kaluar, kur ra tërmeti dhe më pas, në mars të këtij viti, kur u shfaq pandemia Covid 19, kemi parë një vërshim bamirësish dhe ndihmash drejt të njerëzve në nevojë. Me çanta në duar kanë trokitur në dyert e banorëve në fshatra dhe rrethina qytetesh nëpunës dhe zyrtarë vendorë. Po kështu kanë shpërndarë ndihma shoqata dhe individë të ndryshëm. Kjo nuk ka ndodhur më parë në këto përmasa dhe në thelb duhet parë si diçka pozitive. Duket sikur ka një demokratizim dhe “decentralizim” të bamirësisë, që deri në këto kohë ka qenë më së shumti ekskluzivitet i organizmave fetare, veçanërisht i Karitasit Shqiptar, atyre dioqezane, si dhe organizatave humanitare të ngjashme, vendase apo të huaja, që veprojnë në Shqipëri. Ama, mendojmë se shfaqja nuk duhet të shkojë deri aty sa të shihen me qese në dorë dhe kryebashkiakë, deputetë apo ministra.

Shtrohet pyetja a është kështu e insitucionalizuar bamirësia, solidariteti i nevojshëm me njerëzit në zgrip të jetesës? Nuk e gjykojmë ne, nëse është kjo më e mira, ama jo të gjithë mund të jenë me statusin e bamirësit. Shteti ka rol thelbësor në rritjen e mirëqenies së popullatës, luftën kundër varfërisë, trajtimin e problematikave sociale, por jo si bamirës. Bamirësia është ndjesi e dhunti shpirtërore, kurse përkujdesja shtetërore ndaj njerëzve në vështirësi ekonomike, shëndetësore, arsimore etj. është nevojë dhe përgjegjësi ligjore.

Duke marrë shkas nga deklarata e ipeshkvinjve të Kishës Katolike në vendin tonë, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme, zhvilluar pak kohë më parë, në Shkodër, nisur nga situata e pandemisë, po cekim ndonjë problem që ka të bëjë me atë që në mënyrë të figurshme do ta quanim “pandemia” sociale.

E para, vetëm veprimtarët e kishës nuk i kemi parë të japin ndihma para kamerave, çka tregon se ata e kanë bamirësinë pjesë organike të veprimtarisë së tyre dhe se ajo mund të shtohet në raste fatkeqësish, por nuk rresht asnjëherë. Ajo që bën kisha është si një dorë e padukshme, që zgjatet drejt teje dhe të ndihmon, por nuk të ekspozon ty nevojëtarin, më fytyrë e me zë, aq më tepër me lot në sy. Jemi në dijeni të plot rasteve në Dioqezën e Rrëshenit, se si ndihmohen nevojëtarët, të moshuar të mbetur vetëm, fëmijë familjesh të divorcuara, të sëmurë kronikë pa ndihma ekonomike të mjaftueshme etj. Dikujt i blihen rregullisht ilaçet, dikujt karroca për të lëvizur në qytet, dikujt i rregullohet çatia e shtëpisë, dikujt i paguhet bursa etj. Kjo është përditshmëria e kishës, ditari i saj i “pashkruar” e i pafilmuar. Të vjetrit tanë dikur thoshin “Ta rritët Zoti nderën”!

E dyta, ka qenë disi e habitshme “gara” e hallkave shtetërore për shpërndarjen e qeseve me ndihma, duke u raportuar gjer nga kreu i qeverisë se këtë javë u shpërndanë kaq ndihma e këtë tjetrën kaq. Duke mos i hequr asnjë presje përkushtimit të punonjësve shtetrorë në terren, për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve nevojëtarë mbyllur në karantinë, sidomos të moshuarve, përkundrazi duke i falenderuar fort që kanë rrezikuar shëndetin e tyre, nuk mund të mos thuash se varfëria nuk luftohet me fushata, sa herë ndodhin fatkeqësi, por me strategji kombëtare për ta nxjerrë nga varfëria pjesën e margjinalizuar të shoqërisë. Për më tepër, ipeshkvinjtë vërejnë me shqetësim se “Pandemia ka thelluar më shumë varfërinë e familjeve tashmë të varfra e ka krijuar varfëri të reja në pragun e mbijetesës. Kjo punë nuk bëhet nëpërmjet portaleve e as me bamirësi, por me një program të qartë solidariteti për familjet më në nevojë. E kjo është punë e qeverisë, e cila duhet të kujdeset për qytetarët e saj që jetojnë në kushte më të rënduara ekonomiko-shoqërore”.

Është e qartë se nuk mund të kenë të njëjtën qasje në luftën kundër varfërisë, si organet shtetërore, si ato joqeveritare. Zyrat e shtetit kanë përgjegjësinë ligjore për t’i shërbyer komunitetit jo me qese ndihmash, por me projekte zhvillimi që shkojnë përtej një emergjence. Dhe ka pasur të tilla nisma me vlerë, si projekti i para disa viteve i qeverisë për ndërtimin e një numëri të konsiderueshëm banesash sociale për familjet e komunitetit rom e egjiptian në të gjithë vendin.

E treta, mbledhja e ipeshkvinjve në Shkodër u ndal dhe të shendeti mendor, apo ana psiko-shpirtërore e njerëzve, siç parapëlqejnë ta quajnë ata. Njerëzit, pas pandemisë, nuk kanë nevojë vetëm për ndihma materiale, por dhe shëndetësore e ekonomike. Ajo çfarë ndodhi tregoi se na duhet një realitet i ri spitalor e epidemiologjik jo vetëm në Tiranë, shumë më efiçent dhe jo ku të mungojnë si deri para pandemisë gjer maskat e dorëzat mbrojtëse për personelin dhe të sëmurët. Nga ana tjetër, biznesi i vogël, jetik për një mase të madhe njerëzish, është goditur rëndë nga mbyllja e veprimtarisë për tre muaj. Këtu do të duhej dora lehtësuese e shtetit, “bamirësia” e tij, se si ta ringrë dhe njehërë këtë veprimtari, ashtu si turizmin etj. Kjo nuk bëhet me burokraci, por me masa të drejtpërdrejta favorizuese. Aq më pak me fuqizimin e oligarkëve përmes tenderavë të majmë qeveritarë.

Institucionet qeveritare dhe joqeveritare kanë role të ndryshme në luftën kundër “pandemisë” sociale, tjetër funksion ka shteti dhe tjetër Kisha Katolike dhe komunitetet e tjera fetare. Thënë ndryshe, njeriu në nevojë, shoqatave apo institucioneve të fesë iu drejtohet për bamirësi, kurse zyrave të shtetit, të cilave iu paguan taksat rregullisht, ua mësynë derën për banesë, punësim dhe jo për mbijetesë përmes ndihmave humanitare. Përndryshe, nëse të parave iu thotë faleminderit për bujarinë e treguar ndaj tij, të dytave u kërkon llogari në emër të ligjit dhe të votës që iu ka dhënë pushtetarëve për ta qeverisur, e kur kjo nuk kryhet si duhet, ai proteston për ta përmirësuar apo ndryshuar qeverisjen.

Qeverisja ndaj komunitetit nuk është mëshirë kristiane, por detyrë kushtetuese.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora