E shtune, 20.04.2024, 10:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Faruk Tasholli: Afaristë shqiptarë në Gjermani - Blerim Helshani

E enjte, 23.10.2008, 06:03 PM


Blerim Helshani
FARUK TASHOLLI
AFARISTË SHQIPTARË NË GJERMANI

BLERIM HELSHANI

Rrugëve të qytetit Ahen, pastaj periferive, e sidomos  atje ku zjen puna, mund ta shihni një burrë të ri, plot energji e entuziazëm, por që  prapa vetes mban një ndërmarrje të ndërtimit akustik, si i thonë, dorë finale në ndërtimtari. Ky është Blerim Helshani nga Mitrovica, që në Gjermani ka ardhur vite më parë, ndërsa tash është integruar në këtë shtet, duke u pavarësuar në çdo aspekt social e ekonomik. Mjeshtëria e tij bie në sy kudo, madje për të mirë, pasi çdo ditë e më tepër i vijnë ofertat e punës. Ai në Gjermani ka ardhur fare i ri, madje në moshë të mitur, duke u strehuar së pari te motra, e pastaj ngadalë duke dalë në rrugë të vet, duke i gjetur shtigjet e jetës. I lindur në vitin 1976 në Mitrovicë, si rrëfen, në fillim të viteve nëntëdhjetë, të gjitha tregimet në rrethin e tij familjar e shoqëror bëheshion për Gjermaninë, për jetën këtu, për mundësinë e fitimit dhe të prosperimit, për kushtet e mira jetësore, por edhe për argëtimin e rinisë.
“U bëra merak, - thotë Blerimi, - o të vij këtu, o nuk ka ndryshe. Dhe në vitin 1991, nëna bëhej gati të vinte këndej, ta vizitonte motrën që e kisha këtu. Bëra përpjekje dhe babai më ndihmoi që ta nxjerr pasaportën, për të ma plotësuar dëshirën që të dal jashtë vendit, ta vizitoj Gjermaninë. Aso kohe nuk kishte nevojë për vizë. Erdha me nënën dhe këtu u ndesha me një vend krejt ndryshe nga Mitrovica, nga Kosova. Qyteti ishte plot me drita që nuk fikeshin kurrë, lëvizjet e veturave gjithfarëshe nga më të mirat, pishinat e bukura, gjelbërim e freski e të tjera, më joshën që ta zgjas ndejën këtu. Nëna u kthye prapë në Kosovë, ndërsa unë ndejta te motra ime. Kisha të kryer vetëm shkollën fillore, ndërsa nja tre muaj kisha bërë që e kisha nisur shkollën e mesme teknike, por e ndërpreva. Vazhdova të rrija këtu. Por duke ndejtur te motra, ngadalë fillova ta zgjeroj rrethin shoqëror, duke gjetur shokë shqiptarë, fëmijë të punëtorëve të vjetër. E keqja ishte se ata nuk shkonin në shkollë, pasi e kishin kryer shkollimin fillor të obligueshëm dhe, edhe unë iu bashkangjita atyre, në lojë, në ndeja, në argëtim. Kisha shokë nga Tetova, nga Podujeva e vise të tjera të Kosovës. Ata nuk shkonin në shkollë dhe thashë më vete, pse të shkoj edhe unë?! Po ashtu, duke menduar se shpejt do të kthehesha, nuk hyra në ndonjë shkollë. Disa muaj, pastaj një vit dhe, kalimi në vitin tjetër, gradualisht mbeta në Gjermani. Aq më tepër kur situata në Kosovë filloi të përkeqësohej shumë. Në ndërkohë në Gjermani erdhi edhe vëllai im që ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë. Ai kërkoi azil politik dhe u sistemua në periferi të Ahenit, në qytezën Simerat. Më thirri edhe mua t’i bashkangjitesha, por mua nuk më rrihej në periferi, ose isha mësuar të rrija te motra, pra në familjen e saj. Më shumë më pëlqente jeta e qytetit. Aq më tepër, kur erdhi vëllai, mendoja që një ditë unë të kthehem te prindërit. Ne ishim dy vëllezër dhe shtatë motra. Prindërit tash në Mitrovicë kishin mbetur pa djem. Por edhe ne mërziteshim shumë. Unë nga dita në ditë prisja momentin ta merrja vendimin për të shkuar në Kosovë, por në ndërkohë po mësohesha me këtë vend, dhe u ndala. Sa isha në moshë të mitur, shëtisja me shokët, kaloja një jetë të lirë dhe pa brenga të mëdha. Por, dikur e pashë se nuk shkon kështu, se iu erdhi fundi shëtive të kota, se u degjeneruan ndejat në rreth të mbyllur. Vetë jeta ime kërkonte një ndryshim. Dhe ai ndryshim do të mbërrihej vetëm me punë. Fillova të punoja nga pak, së pari në ndërtimtari, duke fshirë pikat e ndërtimit, duke mësuar ngapak mjeshtëri e kështu me radhë. Mund të them në fillim se disa kolegë pune gjermanë, na thoshin mos u ngutni të mësoheni shpejt, se, ju të ardhurit na e merrni pastaj punën. Por mua nuk më interesonte asgjë tjetër, pos punës. Më interesonte çdo detaj i ndërtimtarisë, pasi si fëmijë, herë pas here kisha përcjellë punën e babait, i cili po ashtu ishte ndërtimtar. Por në Gjermani puna ndërtimore ishte krejt ndryshe, pajisje të mira, material i mirë dhe, natyrisht, mundësia më e lehtë për të punuar. Jo vetëm që fitoja, por puna më krijonte kënaqësi dhe, nga dita në ditë mësoja diçka të re, diçka më të përsosur. Punoja por nuk kisha të zgjidhur çështjen e qëndrimit në Gjermani. Në ndërkohë u njoha me një vajzë që kishte prindërit nga Jezerci i Ferizajt, me të cilën kaluam shpejt në dayshuri dhe u martuam. Kjo është bashkëshortja ime Selvetja, me të cilën kemi dy fëmijë, djalin dhjetëvjeçar Ensin dhe vajzën katërvjeçare Ailina. Jetojmë në periferi të Ahenit, rrëzë Maleve të Ajfelit, në qytezën Simerat. Babai i Selvetes, Hasim Ramadani, ishte më herët në Gjermani, pra në Ahen dhe ajo, po ashtu kishte ardhur këtu në një kohë afërsisht të njëjtë me mua, duke u bashkuar familjarisht me babain. 
 Në fund të viteve nëntëdhjetë, punoja pa ndërpre, madje pa zgjedhur punë e më së shumti, rregullimin e banesave nga brenda, duke përdorur gjipsin dhe rigjipsin, pastaj okiporin e materiale të tjera të  enterierit. Gati të gjitha fitimet ua dërgoja prindërve, pasi në Kosovë, jeta vazhdimisht po vështirësohej, ndërsa situata sa vinte dhe rëndohej. Pas ca kohe, më vdiq babai dhe unë këtë vdekje e përjetova rëndë. Punoja në një firmë të madhe, por kur shkova për vdekjen e babait në Kosovë, u mërzita shumë, pasi babain njëkohësisht e kisha si shok dhe udhërrëfyes në jetë. M’u duk se mbeta më pa kurrfarë mbështetjeje. Kështu edhe pse më kishte vdekur babai, disi si duke e kërkuar hijen e tij, nja katër herë për një kohë të shkurtër shkova dhe u ktheva në Kosovë. Mungesat në punë e bënë të veten. Edhe pse në punë kisha kaluar mirë, kuptohet sjelljet e mia të arsyeshme, por jo edhe të pëlqyeshme nga punëdhënësi, bënë që të dal nga puna dhe të kaloj në asistencë, në kërkim të një pune të re. Por që të gjeja punë nuk e kisha vështirë. Tashmë kisha bërë përvojë të gjatë, kisha mësuar shumë dhe njihja njerëz, qoftë shqiptarë apo gjermanë që kur të doja mund të më gjenin punë. Në ndërkohë më lindi ideja që të themeloja firmë të pavarur ndërtimore. Por kisha frikë si mund t’ia dal në krye. Kisha blerë shtëpi dhe kisha hyrë në obligime bankare. Për blerjen e shtëpisë, ndikim të madh kishte sidomos vëllai im, i cili më thoshtë të ngjitem atje te malet, ta lë qytetin. Eja më thoshte se po bëre pak ditë në periferi, më nuk kthehesh në qytet. Dhe vërtet ndodhi kështu. Bisedoja edhe me babain sa ishte gjallë. Ai më kurajonte të blija shtëpi. Gjatë bisedave i thosha babait se po bleva shtëpi, atëherë nuk mund të ju ndihmoj juve, e ai përditë e më shumë më nxiste, ani që unë isha mbajtës i tyre. Sepse, me vëllain isha marrë vesh që unë t’i ndihmoj prindërit, pasi ai kishte fëmijë dhe më shumë obligime rreth familjes së vet. Kështu edhe e bleva shtëpinë në Gjermani. Ishte një ndërtesë ende e papërfunduar, e një çifti që ishin ndarë. Pasi unë vetë isha mjeshtër i enterierit, e punova nga brenda dhe tash kam një hapësirë banimi prej 150 metrash katrorë me gjashtë ari oborr. Por për firmën, e kisha vështirë të vendosja. Me kë bisedoja, nga shqiptarët, ma bënin llugë, pasi nuk ishin mësuar të kishin firma, pos të punonin nëpër firma të ndryshme, duke e respektuar vetëm orarin e punës, pa e lodhur mendjen më shumë. Duke menduar kështu në një periudhë tremujore sa isha i papunë, u inkuadrova në një firmë si moler dhe aty, fillova të bisedoja me punëdhënësin se si mund ta paraqes firmën e pavarur. Më në fund e bëra këtë hap vendimtar dhe punët filluan të më shkojnë mirë. Punoj kryesisht vetë, por herë pas herë e kam edhe një ndihmës, ku veprimtaria ime shtrihet në rregullimin e enterierit, të keramikës dhe sidomos në ndërtimin e oxhaqeve, apo kaminave, pra pjesën e tyre brenda salloneve. Kur jemi te kaminat, vazhdimisht bëj dekorime të ndryshme, sa asnjëri kamin nuk i ngjan tjetrit. Në këtë mënyrë edhe pronarët ndjehen të kënaqur, pasi gjermanët, secili kanë dëshirë të kenë veçantitë e ambientit të tyre jetësor, pa e kopjuar njëri-tjetrin.”
Blerim Helshani është i lidhur me Kosovën, ani që tashmë pjesën më të mirë të jetës e ka kaluar në Gjermani. Atij iu kanë rralluar shokët e fëmijërisë, ose si thotë, kanë ikur të gjithë nga Mitrovica. Janë shpërndarë nëpër botë. Me ta nuk takohet fare, pasi kur shkon ky në Mitrovicë, ata kthehen dhe lidhjet e moçme janë këputur. Kryesisht në Kosovë shkon në rrethin familjar, te dy motrat që jetojnë atje, te nipërit dhe te shtëpia prindore. Ai i kishte shtatë motra dhe tash i ka gjashtë. Njëra i ka vdekur gjatë luftës, rrugës për në Shqipëri, në atë dëbimin e madh të vitit 1999. Motra e tij nuk ka munduar ta mbijetojë atë tmerr, atë rrugë të rëndë, ku kanë klithur fëmijët, ku kanë shpërthyer në vaj nënat, ku janë ndarë nga rreshti i dëbimit burrat. Ka vdekur. Po ashtu edhe njëri nga nipërit, Sabedin Prekazi, ka rënë heroikisht në Galicë, në kuadër të forcave të UÇK-së, duke luftuar ushtrinë serbe. Tash katër nga motrat e tij jetojnë jashtë, dy në Gjermani e dy të tjera në Suedi. Por Blerimin e bren një merak brenda në shpirt. Si nuk ka mundur ta jetojë kohën e rinisë në Kosovë. Ai dëshiron që një ditë dijen e fituar këtu ta materializojë edhe atje, madje me më shumë dëshirë se këtu.
Blerimi punon ag e terr. Ai racionalisht e shfrytëzon kohën, e shfrytëzon dijen dhe forcën e tij. Fillimet e firmës së vet i ka të mira dhe gradualisht pretendon ta zgjerojë veprimtarinë e bashkë me të edhe  firmën. Bashkëpunon edhe me shumë firma të tjera, e më së shumti me ato shqiptare. Një ditë jo të largët, kur flitet për sukseset e afaristëve shqiptarë në Gjermani, me siguri që listës së sukseseve shqiptare në botën e jashtme do t’i shtohet edhe ky emër: Blerim Helshani.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora