Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Denis Dyrnjaja: Një “Imam Babaxhan” që po bën hatanë!

| E hene, 04.05.2020, 10:41 AM |


Një “Imam Babaxhan” që po bën hatanë!

Nga Denis Dyrnjaja

Loja publike me fatkeqësinë dhe pamundësinë e të varfërve, është loja më spekulative në mos më e ndyrë shpirtërore dhe njerëzore.

Një imam po bën një fushatë që në dukje mbart bamirësinë. Herë pas here bëhen publike donacione për blerje shtëpish apo akordime pensionesh për familje të varfëra që janë asgjë në raport me miliona euro donacione që shqiptarët zemërbardhë dhurojnë për bashkëatdhetarët e pamundur.

Këto raste bëhen publike që përmes tyre njerëzit që dhurojnë kontribute të vazhdojnë të kontribuojnë pa ditur se çfarë bëhet me paratë e bamirësisë së tyre.

Dhe ajo që kërcet dhe tregon realitetin e maskuar është se imami bamirës një ditë të bukur na u bë edhe pronar i madh, se bleu një spital privat.

Në rutinën e informacioneve të ditës më ra në sy edhe një lajm ku imami bamirës ndërsa bën qokën e radhës publike të bamirësisë e fton një grua, që ishte në kushte varfërie, të shkonte në spitalin privat dhe sqaronte se atje vizitat janë me pagesë, por ka dhe raste që mund të bëhen falas.

Ajo që më bëri më shumë përshtypje në këtë histori, është fakti sesi një imam shndërrohet në pronar spitali, pa patur vetë lekë por përmes donacioneve të shqiptarëve.

Pra pyetja që lind natyrshëm është: A do dhuronin paratë e tyre njerëzit që të bënin pronar dikë?

Praktikisht ka diçka që nuk shkon. Ose aksionerë të këtij spitali duhet të jenë donatorët të cilët kanë dhuruar me zemër paratë e tyre për bamirësi, ose spitali që është blerë me paratë e tyre nga një fondacion bamirës duhet të ofrojë shërbime falas.

Ndryshe i bie që ky imami po na del super tregtar dhe menaxher me paratë e të tjerëve, pra një xhongler tipik si ata që kemi parë shpesh me mashtrime formash piramidale apo skema fajdesh, thjeshtë ky ka fatin të ketë ombrellë besimin ndaj të cilit njerëzit shfaqen të përulur.

Pra ky “Imam Babaxhan” me paratë e të tjerëve, po bën edhe famë edhe pasuri.

Jam i sigurt që familjet në nevojë që kanë përfituar janë kundër kësaj që them, madje mund të marr edhe mallkimin e tyre, por jam jam i bindur se në këtë aferë me sfond bamirësie janë më shumë ata që janë mashtruar.

Koha do ta tregojë nëse prokuroria do të hetojë!

tpz.al