E marte, 19.03.2024, 06:35 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: At Gjergj Fishta, njeriu që ka frymëzuar Heroin e Kombit, Agim Ramadani

E hene, 04.05.2020, 09:09 AM


AT GJERGJ FISHTA, NJERIU QË KA FRYMËZUAR HEROIN E KOMBIT, AGIM RAMADANI

Nga Frank Shkreli

3 Maji shënoi ditëlindjen e Heroit Kombëtar, Agim Ramadani.  I lindur me 3 Maj, 1963, ai sot do mbushte 57 vjeç.  Çdo vit kjo ditë është shënuar me manifestime tradicionale kulturore në sheshin e lirisë në fshatin Zheger të Gjilanit, aty ku edhe ka lindur heroi. Shënohej kjo ditë në vendlindjen e tij dhe jo vetëm në vendëlindjen e tij por edhe në Mirditë, nga ku thuhet se ai dhe familja e tij kanë origjinën – për të nderuar dhe kujtuar veprën e tij heroike për çlirimin e trojeve shqiptare.  Siç duket, për arsye të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, sivjet nuk u mbajt ndonjë manifestim për të shënuar ditëlindjen në vemdlindjen e tij ku kishte kryer edhe shkollën fillore, të mesme.  Pasi kreu shkollën e mesme, Agim Ramadani vazhdoi mësimet në Akademinë Ushtarake në Zagreb, ku siguroi përvojë ushtarake, të cilën e përdori me mjeshtri më vonë, në luftën për çlirimin e Kosovës, anë e mbanë zonës së Rrafshit të Dukagjinit.

Nga biografia e tij lexojmë gjithashtu se ai kishte dezertuar nga ushtria ish-jugosllave dhe me familje është larguar për në Zvicër ku kishte gjetur strehim.  Por, ndonëse e kishte rregulluar jetën në Zvicër me statusin e emigrantit, në vitin 1998 atij nuk i rrihej dhe iu përgjigj thirrjes së Atdheut duke u bashkuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, megjithëse iu desh të linte pas bashkshorten Shukrijen me tre fëmijë.

Perëndia i kishte falur atij talente edhe për për art, letërsi, humor e aktrim.  Por mbi të gjitha, Agim Ramadani është njohur në luftë si një strateg i dalluar ushtarak, shumë i dashur dhe i pëlqyer nga ushtarët e tij, me të cilët, historia do shënojë se ai së bashku me bashkëluftarët e vet, thyen kufirin shqiptaro-shqiptar.  Shokët e tij kanë thënë se Agim Ramadani ishte njeriu i parë që hoqi, me duart e veta, piramidën kufitare në Kosharë, midis Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë.  Fatkeqësisht për të, për familjen e tij, për Kosovën dhe për mbarë shqiptarinë, pas aktit heroik të thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, Heroi i Kombit Shqiptar, Agim Ramadani ra heroikisht në luftën për çlirimin e trojeve shqiptare – për të mos vdekur kurrë – si njëri prej heronjve më të njohur të historisë moderne të Kombit shqiptar.

Sot me 3 Maj, 2020, bashkshortja Shukrije e kujtoi të dashurin e saj dhe Heroin e Kombit, në 57-vjetorin e lindjes së tij me një deklaratë të fortë dashurie e kujtese, por dhe mjaft kritike ndaj gjëndjes aktuale në Kosovë, duke thënë se ideali i dëshmorëve si Agim Ramadani, është shkelur dhe harruar.  Në një shpërthim emocional por plot të arsyeshëm, që siç duket i referohet bisedimeve rreth mundësisë së ndryshimit të kufijve -- si pjesë e të ashtuquajturit dialog midis Kosovës dhe Serbisë – Zonja Shukrije Ramadani, kujton ditëlindjen e të dashurit të saj në një postim në faqen fejsbuk duke thënë se,  “Erëra të forta po fryjnë kufijve tanë me shpresën se mund të ju lëvizin, shtyjnë më anash për ca hektarë, ose të ju përvetësojnë, e me emrin tuaj të na bindin se kjo ishte edhe ëndrra juaj”, shënon ndër të tjera Shukrije Ramadani në postimin dedikuar bashkshortit të saj, aq prekës sa që meriton të botohet i tërë: “Për ditëlindjen tënde -- si ta uroj ditëlindjen shpirti im?!  Në lulen e rinisë me gjakun tënd lave ëndërrat tua për Shqipërinë e Bashkuar.

Shumë gjëra u bënë ndryshe që 21 vite të mungesës sate!  Erëra të forta po fryjnë kufijve tanë me shpresën se mund të ju lëvizin, shtyjnë ma anash për ca hektarë, ose të ju përvetësojnë e me emrin tuaj të na bindin se kjo ishte edhe ëndrra e juaj.  Po harrojnë se gjaku i derdhur ecë lirshëm damarëve të tokës së lashtë pellazge e cila nuk falet aq lehtë, se frymon dhembje, krenari e trimëri!  Ti prekësh ata damarë, e prek shpirtin e epokave të qëndresës.  Ndoshta më mirë që na u mbyllën rrugët kah ju, e.lulet u vyshkën në duar, se do të habiteshe me pamjen e përçudnuar të botës njerëzore që do të vizitonin”.  “Njerëz pa fytyra, veç me sy.  Kishin ardhur aq shumë sy e ua kishim prishur qetësinë.  Ti ke ditur t’i lexosh sytë e njerëzve, të zbulosh të fshehtat e tyre e thikat pas shpine, që t’i ruanin.  Po tash janë shumuar thikat shpirti jem, në çdo anë secili therë secilin, e fshehet pas maskave të liderëve.  Ideali u shkel e u harru, si të zhdukurit e luftës.  Ëndrrat e bukura u shëmtuan e po shndërrohen në makthe të humburish që se gjejnë rrugën e dritës.  Asesi s’po e gjejmë kush është Diogjeni, kujt t’ia besojmë shpirtin kur dreqërit me rroba engjëjsh po vishen e mbi kokat tona daullet e patriotizmit i rrahin në emër të dheut e atdheut.  Çdo herë jam lutur t’i çelësh sytë e të shikosh lirinë që me gjak e lave, sot shpresoj që nuk na sheh e na dëgjon! Pusho i qetë shpirti im, se t’i vetëm ditëlindje ke! Pusho, me bindjen se ngjyrat e lirisë janë ashtu siç i ëndërrove e pikturove me dashurinë e përjetshme” përfundon bashkshortja e Agim Ramadanit kujtimin e saj në këtë ditëindje të dashurit të saj të renë heroikisht për çlirimin e Kosovës.

Siç thashë më lartë, viteve të kaluara janë gjetur mënyra për të shënuar denjësisht ditëlindjen e Heroit të Kombit, Agim Ramadani, përfshir mitingje kulturore madje edhe në Mirditë, nga ku thuhet se rrjedhë familja e Agim Ramadanit dhe në vendlinjen e tij në Zheger të Gjilanit janë mbajtur rregullisht manifestime tradicionale në kujtim të këtij heroi.  Përveç kujtimeve në mënyrë unikale, një manifestim i tillë tradicional kulturor është mbajtur dy vjet më parë, më 3 maj, 2018 në sheshin e lirisë të fshatit Zheger të Gjilanit, në përvjetorin e lindjes së legjendarit Agim Ramadani e ku morën pjesë Ansambli Mirdita “Mjeshtër i Madh” dhe artisti i Kombit Reshat Arbana, të ardhur nga Shqipëria: https://www.youtube.com/watch?v=X1XipE-3fSc

Ishte me atë rast, që bashkshortja e legjendarit Agim Ramadani, Zonja Shukrije Ramadani me mirënjohje të thellë, para mijëra vetave pjesëmarrës në atë manifestim, falënderoi organizatorin e tij manifetsimi, Besnik Pacin nga Mirëdita, duke iu drejtuar me këto fjalë: “I dashuri vëlla, kënaqësinë që na ofrove sot duke na nderuar me grupin e mrekulluellueshëm nga Mirdita dhe me të Madhin Reshat Arbana, është e papërshkrueshme.  Pak është të them faleminderit, por nuk mund të mos them që sot prania e mirditorëve më dha ndjenjen e Bashkimit Kombëtar.   Më ofroi ëndërrën e realizuar të Agimit.  Ne ishim bashkë sot dhe bashkë përkujtuam Agimin tonë.  A nuk është kjo liria për të cilën u flijua Agimi ynë.  Ai sot festoi bashkë me ne, në sheshin e lirisë. Qofshi me jetë të gjatë e të lumtur e këndofshi për lumturinë dhe dashurinë e gjeneratave të reja”, është shprehur ajo me përmallim. Ndërsa, njëkohësisht, në përshëndetjen e saj drejtuar artistit të madh Reshat Arbana, ajo do të fliste për lidhjen e bashkshortit të saj -- legjendarit, Heroit të Kombit, Agim Ramadani -- me zërin e interpretimit të vargjeve të Fishtës së Madhe nga artisti i Madh i Kombit, Reshat Arbanës.  Ajo zbuloi, me atë rast, dashurinë e bashkshortit të saj për poezitë e Fishtës duke thënë se para se të nisej për në betejën e fundit, Agim Ramadani, sipas saj, kishte marrë me vete kasetën me poezinë e At Gjergj Fishtës, recituar me zërin e Reshat Arbanës.“Deshta me ju lanë një kujtim, kur e pashë të Madhin Reshat Arbana kur erdhi.  Agimi kur u nis për në luftë, nga gjithçka që mori me vete, ishte një kasetë në të cilën kishte të regjistruara me zërin e Reshat Arbanës, poezitë e Fishtës së Madh.  Kur e pyeta pse po e merr, ai më tha, shiqo.  Ky është zëri i Atdheut, zëri që na ndihmon, na jep shpresë na jep fuqi, që të vazhdojmë luftën ashtu siç duem, deri në çlirimin e plotë të Atdheut..Me atë zë (të Fishtës) ai u dha zemër ushtarëve të tij në betejat më të forta që u zhvilluan në luftën çlirimtare të Atdheut tonë.  Dhe sot kur e shoh para nesh Reshat Arbanën, u them të drejtën se u emocionova pa masë” u ka thënë të pranishmve Shukrije Ramadani, se si bashkshorti i saj dhe Heroi i Kombit, Agim Ramadani, mbushej me frymëzim nga vargjet e At Gjergj Fishtës.

Sa doemthenës ky kujtim i Shukrije Ramadanit, që e ndanë me të gjithë ne -- respektin që kishte bashkshorti i sa Agim Ramadani për Poetin Kombëtar, At Gjergj Fishtës, i cili, siç shkruan At Danijel Gjeçaj, “qau me lotë gjaku kur padrejtësitë e të mëdhejve dhe dhuna e të fortëve ndau prej trupit të Atdheut, Kosovë e Çamëri, Hot e Grudë, Plavë e Guci”.

Mjerisht. At Gjergj Fishta, gjithnjë, “ashtë i mbuluem me mëni tradhëtie në Atdhe”, ka shkrua Gjeçaj.  Duke lexuar fjalët e Shukrije Ramadanit, “Çdo herë jam lutur t’i çelësh sytë e të shikosh lirinë që me gjak e lave, sot shpresoj që nuk na sheh e na dëgjon”, në kujtimin sot të bashkshortit të saj, mu kujtua një shkrim i At Daniel Gjeçajt për Fishtën e Madh: “Perse, sakt Fishta, po të çonte kryet prej vorri, kish me na mallkue dhe me namë mal të thatë kish gjaku i Deshmorve, që krah për krah ranë flije që Bashkimin kombëtar me e ruejt.. se prej fjalorit të shqipes, Bashkimin duen me e shlye dhe në lojë vemë burrat që për ‘të veprojnë...”. Ndërkohë që sipas Shukrije Ramadanit sot, “Ëndrrat e bukura u shëmtuan e po shndërrohen në makthe të humburish që se gjejnë rrugën e dritës”.

Në 57-vjetorin e lindjes së Heroit Kombëtar, vet Agim Ramadani do t’i ankohej Perendisë me fjalët e frymëzuesi të tij, Poetit Kombëtar At Gjergj Fishtës:

“O Perendi, a ndjeve?

Tradhtarët na lanë pa Atdhe

E ti rrin e gjuen me rrufe,

Lisat nepër male, kot” (Gjergj Fishta)



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora