E enjte, 25.04.2024, 04:32 PM (GMT+1)

Mendime

Berat Buzhala: Dita e Lirisë së Shtypit sipas kutit të Haki Abazit

E diele, 03.05.2020, 09:20 PM


Dita e Lirisë së Shtypit sipas kutit të Haki Abazit

Zëvendëskryeministri i Kosovës sot ua uroi ditën e Lirisë së Shtypit mediave të vërteta, mirëpo jo, sic tha ai, edhe pseudo dhe kuazi gazetarëve. Problemi me Haki Abazin është se ai e ka keqkuptuar se cfarë është Liria.

Nga Berat Buzhala

Nëse nuk gaboj, të premtën, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës– tash edhe i vetmi – Haki Abazi, me një status prej vetëm dy rreshtash e dha diagnozën e plotë se cila është fatkeqësia e vendeve në tranzicion. Mijëra studiues të shkencave shoqërore po rropatën me shekuj të tërë, duke hedhur në letër miliona fjalë, duke mbajtur miliona ligjërata, për të zbuluar këtë të vërtetë që Hakiu e definoi me 15 fjalë.

“Gurthyesit dhe yellow pressi janë fatkeqësi e vendeve në tranzicion. Të parët prishin ekosistemin natyror e të dytët ekosistemin mendor”, tha zëvendëskryeministri në statusin e tij. Krejt cfarë mungonte aty ishte që të thuhej se fatkeqësia do të ishte edhe më e plotë nëse personat që merren me media e kanë emrin Berat.

I njëjti, pra Hakiu, sot kur është dita e Lirisë së Shtypit, pasiqë i uroi gazetarët e vërtetë, ai gjithashtu uroi që të ketë sa më pak pseudo gazetarë dhe kuazi gazetarë, e të këtë sa më shumë gazetarë të vërtetë. Kur ai flet për gazetarë të vërtetë ai sigurisht mendon në gazetarë që i japin llogari atij ose qeverisë. Ose kushedi cfarë ka në mendje ai. Nuk është problem që Hakiu shkruan kështu, problem është që ai ndoshta edhe mendon kështu. Ka rrezik që në këtë pikë është i sinqertë.

Në fakt nuk është vetëm Hakiu që bën këtë gabim, duke treguar se cilat lloje të mediave bëjnë e cilat nuk bëjnë. Bota është e mbushur me demgagogë të tjerë, shumë më të rrezikshëm dhe me të mencur se sa Hakiu, që kur flasin për mediat dhe lirinë e tyre bien në këtë grackë, duke i klasifikuar mediat dhe gazetarët në ata që janë të mirë dhe në ata që janë të këqinj, në atë që janë fatkeqësi e shoqërive në tranzicion dhe në ata që janë bekim i këtyre shoqërive, në armiq të popullit dhe në aleat të popullit. Hakiu është i fundit, më i parëndësishmi, i kësaj lige të politikanëve. Kjo është një ligë e vecantë.

Nëse në të kaluarën, disa dekada më parë, kishte qeveritarë që jepnin urdhër që të ndiqeshin penalisht ‘kuazi gazetarët’ dhe ‘pseudo gazetarët’, sot ka ndryshuar ky trend. Meqë arrestimi, ose vrasja e gazetarëve, shkakton shumë pluhur dhe është vështirë të tejkalohet – e pamë cfarë ndodhi me Kashogin e Ëashington Postit – politikanët e llojit të Hakiut, por me të mencur ku e ku – kanë ndryshuar taktika. Ata thjesht i dehumanizojnë gazetarët, i shpallin njerëz të këqinj, njerëz që shpifin, që punojnë për shërbime sekrete të shteteve të huaja, e mbi të gjithë njerëz që e pengojnë qeverinë që ta luftojë krimin dhe korrupsionin, që nuk e mbulojnë si duhet punën e tyre, që kanë tendenca dhe që janë të anshëm.

Mirëpo, kjo sjellje e kësaj kaste politikanësh nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e shtypit. Kush janë këta njerëz që mendojnë se kanë monopol mbi definimin e lirisë? Saktësisht duke i pasur manipuluesit e defincioneve të lirisë në mendje, Mahatma Gandhi, kishte thënë: “Nuk ia vlenë ta kemi atë liri që nuk e ka brenda vetës edhe lirinë për të bërë gabime.”

Ky defincion vlenë për të gjithë liritë. Liria e mediave nuk mund të kufizohet. Ato janë të lira. Pikë. Janë të lira edhe për të raportuar gabimisht, e edhe për të shpifur.

Sa më e gjërë dhe më e sigurtë që është demokracia aq më plurale dhe me më shumë nuanca janë raportimet. Në anën tjetër sa më e shtypur është një shoqëri aq më i ngushtë është defincioni i lirisë. Madje i vetmi autoritet për ta interpretuar lirinë është kryeministri, presidenti, ose diktatori. Ai vendosë se cka quajmë liri e cka nuk quajmë, cka quajmë gazetari të mirë e cka quajmë gazetari të keqe.

Hajde ta krahasojmë gazetarinë në Britani të Madhe dhe gazetarinë në Kore të Veriut, për të parë se ku ka më shumë shpifje dhe ku ka më shumë, sic do të thoshte Haki Abazi, shtyp të verdhë.

Në emër të gazetarisë së vërtetë, asaj serioze, që nuk shpifë, në Kore të Veriut dinastia Kim është kujdesur që t’i mbyllë të gjithë gazetat dhe televizionet, duke i toleruar vetëm ato shtetëroret, ato që raportojnë në mënyrë serioze. Në Kore të Veriut kjo dinati është kujdesur që gjyqet – nëse ka gjyqe – të mos kenë fare punë me padi dhe gjykime për shkrimet dhe mediat. Ata e kanë thjeshtësuar të gjithë procesin. Një gazetë dhe një televizion.

Në anën tjetër në Britani të Madhe, në vendin ku ka lindur liria e shtypit, mediat cdo ditë shpifin, raportojnë gabueshëm, shkojnë në gjykata, përballën me paditë, pa u frikësuar se ‘Haki Abazi’ i tyre do t’i kualifikojë ato si fatkeqësia e shoqërisë. Para disa javësh një këshilltar i Boris Johnsonit (Cummings) bëri përpjekje që ta bëjë një gjë të tillë, duke i ndaluar gazetarët e mediave që e kritikojnë qeverinë që të merrnin pjesë në një takim të kryeministrit me gazetarët. Pa u menduar dy herë atë takim e bojkotuan edhe mediat që konsiderohen të afërta me kryeministrin. Të nesërmen në Daily Mail, gazetë e konsideruar proqeveritare, u publikua një editorial në të cilën goditej rëndë Johnson për tendencën për t’i ndarë mediat.

“T’ua mohosh gazetarëve të drejtën për të marrë pjesë në konferencë për media është cenzurë flagrante, për të cilën gjë Boris Johnson do të duhej të turpërohej”, ishte titulli në Daily Mail.

Metoda të këtilla, të klasifikimit dhe kualifikimit të gazetarëve, në të mirë dhe në të këqinj, përdorin autokratë dhe diktatorë të ndryshëm nëpër botë. Në Rusi, Hungari, Turqi, Iran, Serbi, Shqipëri, e në shumë vende të tjera të botës, janë politikanët ata që i filtrojnë mediat, që vendosin se cilat bën të publikohen e cilat jo. Kurse në vende si Gjermania, Italia, Britania e Madhe, këtë e vendosë lexuesi, e jo zëvendëskryeministri, e jo kryeministri. Fatkeqësisht edhe në vendin tonë jemi duke e parë një trend negativ. Qeveria e Kurtit dhe vetë Kurti gjatë gjithë kësaj kohe ka vendosur që t’i zgjedhë mediat dhe gazetarët të cilëve u jep intervista, e cilëve jo. Nëse jo vetë Kurti, njerëzit e afërt të tij nuk kanë hezituar që t’i ndajnë mediat në media të mira dhe në media të këqija. Këto sinjale kanë qënë të mjaftueshme që militantët partiakë të shfrenohen me vandalizëm në rrjete sociale, duke e ataktuar secilin gazetarë që guxon ta shikojë shtrembër Kurtin, duke nisur fushata ndaj mediave të caktuara dhe mbështetur disa të tjera që ata i konsiderojnë miqësore.

Pas këtij shkrimi unë jam i përgatitur edhe për një fushatë të Haki Abazit, për të cilin, kur kishte hyrë në Vetëvendosje unë i pata zgjedhur disa fjalë të mira. Mirëpo hapësira e madhe mediale dhe pozita e lartë shtetërore e ka tronditur atë.

Marrë nga www.gazetaexpress.com



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora