E marte, 19.03.2024, 09:03 AM (GMT)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Liria e shprehjes është vlerë sublime

E diele, 03.05.2020, 06:15 PM


Ndue Ukaj:

Mediumet fisnike, kanë mundësi të krijojnë mjedis të qetë dhe fisnik

Nëse duam ta kërkojmë përsenë e kaosit tonë shoqëror, social dhe politik, deshëm ose jo, përgjigjja na shpie kah përgjegjësia që kanë njerëzit që shkruajnë dhe mediumet që transmetojnë mendime e ide.

...

Liria e shprehjes është vlerë sublime, rrjedhimisht ekzistenciale, dhe si të tillë duhet ta ruajmë.

Më pëlqen në këtë ditë me rëndësi për lirinë e shprehjes të citoj Albert Camu-n, këtë shkrimtar jashtëzakonisht të ditur dhe dritëdhënës:

“Liria pa kufi është e kundërta e lirisë. Vetëm tiranët mund të ushtrojnë lirinë pa limite; dhe për shembull, Hitleri ishte relativisht një njeri i lirë, i vetmi në të gjithë perandorinë e tij. Por nëse duam të ushtrojmë një liri të vërtetë, nuk mund të ushtrohet vetëm në interes të individit që e ushtron. Liria ka patur gjithmonë si kufi, lirinë e të tjerëve.”

Ky përkufizim i bukur, për mua, vlen edhe për lirinë e shprehjes.

...

Me siguri, ne një shoqëri të shëndoshë, ku liria e shprehjes kuptohet drejt dhe nuk abuzohet me të, aty nuk bëhen model shoqëror autoritetet e rreme, që çaraveshen e nuk dinë çka duan e çka thonë. Aty nuk mbillet terror e nuk kultivohen mendime shterpe.

Për më tepër, në një mjedis social, kulturor e politik, ku liria e shprehjes kuptohet drejt, aty nuk defilojnë nëpër media gjithfarë marrinash e intrigash.

...

Shoqëria jonë e dërmuar, ka nevojë për një këndellje shpirtërore, për një ripërtëritje, dhe për këtë, kontribut të jashtëzakonshëm mund të japin mediumet fisnike dhe të përgjegjshme, që udhëhiqet nga parime etike e profesionale dhe jo nga instinkte e impulse të çoroditura.

Shoqëria jonë lëngon për shkak të përhapjes së murtajë e gjuhës, të intrigave dhe të mashtrimit. E kjo amulli, ka krijuar terren fantastik për profetë të rremë, liderë të pjerdhur, karagjozë e mediokër, dhe ka tkurrë hapësirën për vlera të njëmenda, fisnike e humane.

Shoqëria jonë - jo vetëm so - por për çdo ditë duhet të kujtojë lutjen e madhe dhe të vlefshme të Faik Konicës:

"Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s'kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por dhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!"

Sepse kjo lutje ka fuqi katharsisi, dhe duke e marrë si model udhërrëfyes, atdheut, të tashmes dhe të ardhmes së tij, i bëjmë shërbimin më të mirë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora