E enjte, 28.03.2024, 12:18 PM (GMT)

Kulturë

Skënder Hoxha: Hasan Hasani - Tek uji i zi

E diele, 03.05.2020, 12:10 PM


“TEK UJI I ZI” – PËRMBLEDHJE POETIKE ME VLERA TË VEÇANTA

(Rilexim i qëllimshëm)

Nga Mr. SKËNDER R. HOXHA

Ciklin e përmbledhjeve me poezi për të rritur, të botuara gjatë viteve 2009 – 2020, Hasan Hasani e nis me librin “Tek uji i zi”. Botoi Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2009.

Përmbledhja me poezi “Tek uji i zi” e Hasan Hasanit përbëhet nga dhjetë qerthuj apo cikle, ku secili prej emërtimeve të tyre fillon me fjalët Vargje për... e që janë:  “Vargje për Muzën e Dushkajës”; “Vargje për njerëzit e lirisë”; “Vargje për gjuhën e gurit”; “Vargje për vitet e ikura në pakthim”; “Vargje për nënën që iku papritur”; “Vargje për miqtë e këngës”; “Vargje për bukurinë e jetës”; “Vargje për mllefin dhe trishtimin”; “Vargje për Hyrijen”; “Vargje për ditët e bardha me petk të zi”.

Nga ky prezantim hyrës, vërehet se fjala vargje eshte fjalë nistore e secilit titull të qerthujve.

Vargjet autobiografike dhe fuqia e gjuhës poetike

Ky vëllim poetik niset me poezinë “Autoportret” , ku përmes këtyre pesë strofave katërshe poeti ka treguar se që nga fëmijëria kush ishte atëherë, çfarë ka bërë deri në vitet e pleqërisë dhe kush është tash, në vitet e gjashtëdhjeta të jetës, kur edhe kishte shkruar këtë poezi. Qëllimin e kësaj poezie – autoportret e përmbledhin secili nga vargjet e para të këtyre pesë strofave që po i citojmë më poshtë:

Fëmijë shekulli që iku, i veshur me zhgun të zi,

(...)

Misër miha n’ara, mblodha n’livadhe sanë,

(...)

Shkrova vjersha, tregime, emri shpesh n’gazeta,

(...)

Shkela në t’gjashtëdhjetaj, thinjat n’kokë inxhi,

(...)

Deshe s’deshe pleqëria erdh, e bardha pleqëri,”

Poeti Hasani sikur e bën të kohshme frymën e autobiografisë letrare. Tek vargjet autobiografike shpërfaqet edhe modeli, e modeli  është vetë jeta e poetit dhe narracioni poetik është vetë gjuha e poetit. Mbi këto vargje autobiografike që kanë edhe ndërtime kronologjike në ndërmjettekst, kuptohen rrjedhat e  një jete të poetit, por, mund të thuhet se me këtë i thur vetes një permendore poetike. Janë vargje që me anë të fjalës dhe fuqisë së saj shtjellojnë poetizimin ...

Kur i referohemi përkufizimeve (sipas përkufizimeve të studiuesit frëng Filip Lezhenit për autobiografitë se ato janë një “Tregim retrospektiv që një person real e bën nga ekzistenca personale duke vënë theksin në jetën e vet individuale e posaërisht në historinë e personalitetit 1, apo (...) që të rrëfejë jetën e vet, të ekspozojë mendimet e veta, apo t’i shpallë sentimentet e veta2. – që lexuesi do t’i lexojë e kuptojë ato si elemente të identitetit të autorit (poetit), të artikuluara me fuqinë e gjuhës poetike...1, 2)

Mitika dhe Dushkaja

Ndërsa në fillim të qerthullit të parë, “Vargje për muzën e Dushkajës” janë të vendosura dy poezi të cilat, gjithashtu, janë krejtësisht të lidhura me raportin muza – autori – Dushkaja: “T’falem ty o muzë që rri atje lart/ N’fronin e perëndive në Sukë të Cërmjanit,” (poezia “Muza e Dushkajës”, f. 11). Në këtë poezi autori e krahason Sukën e Cërmjanit dhe Zabelin e Gojanit me Malin Olimp, atje ku rrinin perënditë.

Suka e Cërmjanit e Zabeli i Gojanit realisht nuk mund të krahasohen me Malin Olimp, atje ku ishte froni i perëndive, por për krahinën e Dushkajës dhe Jabllanicën, si vendlinje e poetit, ruhen legjenda të moçme për to dhe në këtë mënyrë mitet i kanë dhënë formë dhe përmbajtje të qartë realitetit, ekzistimin e të cilit njerëzit e kanë pranuar intuitivisht, ndaj edhe janë bërë si tempuj frymëzues për poetin, sepse miti është e vërtetë e pakohë dhe e gjithëkohshme. Poeti do edhe ta tematizojë frymëzimin në kohë dhe hapësirë edhe pse nuk korrespondojnë me ndonjë qenësi reale, por, sublimon përkimet. Në këtë kontekst, në poezinë “Dushkaja është emri dhe mbiemri im”, poeti thotë: “Pesëdhjetë vjet u bënë që po këndoj për ty Dushkajë”, si dhe: “Dushkaja ishte, është e do mbetet emri e mbiemri im!” (f. 12.). Se poeti Hasan Hasani frymëzimet kryesore dhe motivet i ka ngushtësisht të lidhura  me vendlindjen e tij, me Jabllanicën dhe Dushkajën, e kanë thënë edhe studiues e shkrimtarë që u morën me poezinë e këtij poeti. Të përmendim këtu pjesë të një mendimi që e kishte thënë Riza Greiçevci: “Motivi i vendlindjes (Dushkajës) mish e thua është aq i lidhur me secilën qelizë e ind e damar frymëzimesh të poetit” (kupto Hasan Hasani – v.j.) (...).

Andaj, nuk do të ishte e tepërt që Hasanin ta quajmë Muza e Dushkajës.” 3)

Edhe ky libër poetik i poetit Hasani, pas shumë e shumë të tjerësh, është i ndërtuar nga motive e frymëzime nga Dushkaja dhe Jabllanica, vendlindja e tij.

I përkëdhelur nga vargjet e Martinit, Azemit e Dinit

Që nga cikli i parë, të këtij frymëzimi janë poezitë e përmendura më sipër, si dhe ato në vijim “Fshati i lindjes”, “Kavalli i Avdyl Alisë”, “Peng e mall” : ”Pesëdhjetë vjet larg teje, as i harruar as i përzënë,/ Udhëkryqet e jetës i vogël mora n’sy, unë bir i odës,/ Kënga e qyqes n’Zabel t’Gojanit m’përcolli si hënë -/ Me kavallin e Avdyl Alisë e Kablushkuqen e Dodës!” (f. 15), e për ta përmbyllur këtë cikël me poezinë “Përsëri për Dushkajën”: “Trupi n’Prishtinë e shpirti në Dushkajë!” (...) “Ngado që shkoj më ndjek gjurma jote emblemë” (...), “Vargu i Martinit, Azemit e Dinit  m’përkëdhel!” (f. 21)), ku edhe këtu përsërit  se Martini, Azemi, Dini , janë të adhuruarit dhe frymëzuesit e poetit, por: “Dushkajën gunë në shpinë që kurrë s’e hjek!”, (po aty). Ndaj, do thënë se as gjuha poetike e Hasanit, kjo që është, nuk do të ishte po të mos ishin ata dhe gjuha poetike e tyre. Kjo më duket se është e tejdukshme dhe e qartë. Shto këtu edhe pushtetin e botëkuptimit racional, kur fjala përveç që ka kuptimin e vet si fjalë, ka dhe kuptimin figurativ, ndaj, kuptimi i poezisë tingëllon edhe kontekstual. Ka momente jetëshkrimi, copëza jete të tij, ku gjejmë simbole, apostrofa, krahasime, ndërsa në këtë fazë të krijieve poetike ka përdorur shumë edhe “krasis-in” – shkrirjen që zëvendësohet me apostrofin, por,  gjithsesi begatojnë edhe semantikën e kësaj poezie.

Njerëzit e lirisë dhe njerëzit e vendlindjes së poetit

Në qerthullin e dytë “Vargje për njerëzit e lirisë”, poeti Hasani u përkushtohet disa emrave të cilët i konsideron si njerëz të lirisë, ndërsa në fillim ka vënë poezinë “Pavarësia” në të cilën vargëzimet numërojnë emra që vunë gurëthemele, kohë pas kohe, deri te ardhja e Pavarësisë së vonuar për të cilën u derdh shumë gjak, dhe tash poeti thotë: “Dhamë shumë gjak për ty Kosovë oj zonjë e rëndë/Historinë e shkruam me ngjyrë gjaku radhë-radhë,/Ujitëm tokën tënde Kosovë pëllëmbë për pëllëmbë/ Që t’arrijmë këtu ku arritëm  ne sot – faqebardhë!” (Poezia Pavarësia, f. 25).

Janë të renditura këtu poezi të kësaj fryme, të pavarësisë dhe njerëzve të lirisë, si: “Letër Hilmi Haradinajt në Ditën e Pavarësisë”, “Monolog me Ramushin”, “Telefonatë nga Haga Ditën e Flamurit- Lahi brahimajt” , “Te varri i Besnik Lajçit”, “Homazhe në ditën e lavdisë – Sadri Zenelit”, si dhe poezia “Tahir Sinanit” me të cilën mbyllet ky cikël.Në këto poezi, edhe pse më tepër janë portretizime, lartësohen atdheu e liria si vlera supreme deri te situatat intonuese.

Në qerthullin poetik në vijim që mban titullin “Vargje për gjuhën e gurit” lexuesit i afrohen një tufë poezish që shprehin kujtime, impresione dhe momente nga e kaluara e poetit në raport me miqtë, vendet e ndryshme, brez shkollarësh, etj. Të përmendim këtu disa tituj dhe disa vargje nga ky qerthull: “Dyzet vjet latova fjalën, strofën, vargun, rimën”, (poezia “Arti i fjalës”, f. 46). Pasojnë poezitë përkushtimore: “Në Rugovë pas dyzet vjetësh”, “Takim pas dyzet vjetësh – Gjeneratës sime të normalistëve në dyzetvjetorin e diplomimit”, ku poeti shpreh edhe nostalgjinë për këtë takim: “U kthyem sot këtu ku para dyzet vjetësh u ndamë/ Atëbotë njomakë në fytyrë,” (f. 49).  Ndërsa kujtimet për bashkëfshatarët e tij i artikulon në poezitë: “Islam Syla e Tahir Syla, “Këmbëkryq të kulla”, e nuk harron të vargëzojë edhe për plisin e gjyshit: “Plisin e gjyshit e gjeta n’dollap prej guri/ N’murin e shtëpisë, të fshehur nën hatull,” , f. 53). Në poezinë e fundit të këtij cikli “Lojë zjarresh”, poeti nxjerr vargje autobiografike, rrënjet e lidhjet e tij përshpirtërore me të parët e tij dhe me vendlindjen: “N’rrënjë fjalësh e vargjesh gjej frymëzimin e muzën/ Unë, stërnip Përkolajsh t’lashtë zbritur nga Mirdita,”, (f. 55).

Kur poeti kishte mbushur 60 vjet moshë, i vije frymëzimi për të shprehur në retrospektivë të kaluarën dhe nostalgjinë për stërgjyshërit dhe vendlindjen, shkruan poezinë me titull “Gjashtëdhjetë”, poezi kjo që i prin qerthullit “Vargje për vitet e ikura në pakthim”:

Qenkan shumë e qenkan pak

Hyr n’këtë derë e dil n’atë derë; (f. 59),

(...)

apo: “Lash Shqiponjën, lash Dushkajën”, atje ku i kishin mbetur varret e gjyshërve dhe stërgjyshërve:

T’gjysh-stërgjyshit mbetën varret/

N’Kodër t’Madhe lart mbi sh’pi; (Po aty). Në këtë qerthull janë sistemuar edhe poezitë që poeti ua ka kushtuar njerëzve të fshatit të tij, si: “Baca Bajram e baca Mehmet”, “Sahit Arifi e Mal Shabani”, “Njëjtësuar me librin – Rexhep Hajdarit”, e ndonjë tjetër..., e qerthulli përfundon me një poezi , gjithashtu autobiografike , me titull “Dyzet”, të cilën poeti ia kushton dyzet vjetëve krijimtari letrare:

Dyzet vjet vargje, dyzet vjet rima,

Thelluar n’mendime, ide dhe fjalë,”  (...), (f. 70)

Apo: “Me epitete, metafora gjithë fytafyt,(po aty)

Gdhenda vargun me daltën e urtisë,” , rrugë kjo që nuk ka qenë e lehtë për poetin, të cilën e thotë në strofën e fundit të kësaj poezie:

E vështirë që kjo rrugë vargënimi/

Nëpër ujëra t’turbullta , nëpër tymra,” (po aty).

Malli dhe kujtimet për nënën

Në qerthullin “Vargje për nënën që iku papritur”, përmes vargjeve të njëmbëdhjetë këngëve, të njëmbëdhjetë pamjeve poetike, poeti shpreh hidhërimin, mallin, kujtimet e nostalgjinë për nënën, që nga momenti kur ajo jep frymën e fundit: “Jam dëshmitar kur po ndaheshe nga e fundit frymë/ Këtu në Breg të Diellit, e martja e fundit n’Qershor, “(kënga 1., f.73).Nënën duhej varrosur në vendlindje të birit të saj (poetit), në Shqiponjë. Këtë udhëtim të fundit poeti e përshkruan: “Udhëtimin  e fundit e bëmë bashkëpër n’Shqiponjë/ Atje ku kalove motet e gjata, argatëve u bëre bukën,/Udhëtojmë të heshtur si thëllëza diku n’beronjë –“ (...), si dhe, kur arrijnë në Shqiponjë: “N’vallen e burrave hymë n’oborr, zemrën guri bënim/ Me shtrëngim dore u kryeshëndoshëm me miq e dajë,” (kënga 2. f. 74). Për momentin kur e varrosin nënën në Kodër të Madhe,vjen ndarja, që ishte e rëndë dhe e dhimbshme: “Të lash Nanë të lash në Kodër  t’Madhe vetëm të lash./ Më fal, këtu ke edhe Babën që të prit për njëzet vjet.”,. Po ashtu, kthimin për në Prishtinë, pa nënën, poeti e ndjen thellësisht: “Unë po kthehem për n’Prishtinë, i heshtur gur i zi” (...), ku ai udhëtim ishte tepër i gjatë: “Njëqind vjet zgjati ky rrugëtim, ky kthim i vetmuar/ Pa përkëdheljen tënde sot, për mua gjithherë shtytje,” (kënga 3., f. 75). Por, nata e parë pa nënën ishte e rëndë: “Sonte e pata natën e rëndë, plumb në shpirt e në zemër,/ Fryma jote s’dëgjohej më në dhomë, ëndërr, trishtim,” (këng 4., f. 76). Kurse, pas një kohe, poeti sikur një fëmijë, shpresonte se do t’i kthehej nëna,  vargëzon: “ Muajt po ikin e unë si fëmijë ende po të pres/ Ende mendoj se ti Nanë te dajët n’vizitë ke shkuar,” , (kënga 5., f. 77). Me kalimin e kohës kujtimi e malli për nënën nuk shuhen: “Ike Nanë... Ike lartësive t’dhembjes shumë larg!/ Po mua kurrsesi sytë s’po m’teren mbytyr në tym”, (kënga 6., f.78). Këtë dhembje e ndjejnë edhe mbesat e vogla Olta e Lisa. Edhe pse vetëm pesë vjeçare, Olta një ditë kishte marrë vajin dhe kur e pyesin se pse qan, ajo kishte shpërthyer me: “M’ka marrë malli për gjyshen! Pse ajo s’po vjen!”, (kënga 7., f. 79). Kështusoji, kujtimet e rrëfimet për nënën në këtë poemë janë në lidhje organike, ku vargjet natyrshëm përligjin shprehjen e dhembjes dedikuar nënës.

Në kujtesën e poetit kthehet koha e kaluar kur ai ishte nxënës në Gjakovë e student në Prishtinë dhe nëna e përcillte: “Kur m’përcillje për Gjakovë a Prishtinë, m’përcillje/ Zemra m’ligshtohej mallit e kthehesha në fëmijë,” , (kënga 8., f. 80). E, datat festive gjithmonë janë më prekëse  dhe sjellin mallëngjim kur mungon anëtari i familjes, në këtë rast nëna e poetit pa të cilën, në këtë natë të Vitit të ri, ai ndjehet jetim: “Për çudi, sonte për herë të parë n’jetë u ndjeva jetim/ Pa babë e nanë... Në tavolinën tënde ta damë hisen!” , (kënga 11., f. 83). Këto kujtimi për nënën shprehin nostalgjinë, mallin dhe patetka e vargut.

Togfjalëshat: “Ike Nanë”, “Po po Nanë”, e ndonjë tjetër, janë forma lakonike me të cilat poeti i dedikohet nënës , tashmë të ikur në amshim.

Nga poezi përkushtimore për miqtë e tij të letërsisë e të arteve është ndërtuar qethulli i gjashtë i këtij libri “Vargje për miqtë e këngës”, ku poeti u ka kënduar: Nazmi Rrahmanit, Lili Tafajt, Adem Istrefit, Xhevat Sylës, Xhavit Aliçkajt, Jonuz Fetahajt, Demë Topallit, N. L., Demush R. Avdimetajt, apo piktorit, Demushit të Avdimetajve, siç kishte thënë vetë poeti, etj., me përplot epitete e metafora, emra njerëzish e vendesh që ndërlidhen me të bëmat, biografitë e bibliografitë e tyre, si miq të profesionit, punës e vokacionit, poezisë nëpër kohë, dhe të përditshmërisë.

Dialogu poetik dhe anafora në vargje

Nga qerthulli në qerthull të këtij libri, Hasani vargëzon me stilin e njëjtë, vargun e gjatë 13 e 14- rrokësh, të rimuar. Në këtë qerthull, tek poezia kushtuar shkrimtarit Nazmi Rrahmani, me titull “Mora duhmën e dheut”, Hasani ka përdorur edhe anaforën si figurë stilistike, ku togfjalëshi: “E t’thashë:”, është përsëritur në fillim të të katër vargjeve të strofës së fundit, (f. 87), si dhe tek poezia “Gjuha e gurit”, (f. 92), kushtuar shkrimtarit Xhevat Syla, vargu i parë i strofës së parë: “Nuk di, ma vodhe apo ta vodha këtë varg“, përsëritet prapë si varg i parë i strofës së katërt të kësaj poezie, (po aty).  Anafora si figurë stilistike është përdorur në titujt e të gjithë qerthujve të librit ku është përsëritur fjala vargje. Fjalë apo edhe vargje të përsëritura, përveç te përmbledhja “Tek uji i zi”, ndeshim edhe në libra të tjerë poetik të këtij poeti, përsëritje kjo që është funksionale. sEdhe në poezinë për të rritur të Hasan Hasanit hasim në tekste apo paratekste poetike në formë të dialogut: Më tha – i thashë, shih te poezia kushtuar Nazmi Rrahmanit, në stilin: “E t’thashë..., E t’thashë...”, (f. 87).

Ndërsa, në poezinë “Monolog me bustin e pianistes” (f. 90), gjejmë monologun poetik që ishte zhvilluar në imagjinatën e poetit me bustin e mbretëreshës së pianos, Lili Tafaj: (...) “Monologu me ty Lili s’ka fund sonte kur shkruaj” (...)  dhe: “Dua që vargu im, Lili, ta ketë fuqinë e shpirtit tënd” (po aty).Apo edhe te poezia “Në Kaninë te varri i Nerminit”, (f.88).  Rruga jetësore ka të mirat dhe të ligat e saj. Ka pengesat e sfidat që dalin përpara, por që huhen kapërcyer. Këtë ndjenjë poeti Hasani e shpreh në poezinë kushtuar mikut të tij poet, Demë Topallit, me titull “Kohë e neveritshme”, ku thotë: “T’pathyeshëm rendëm bashkë ndër kohë të liga/ Me libra e vjersha nën sqetull nëpër redaksi,” por: “Krenarë që jetës kurrën e kurerës s’i bëmë lak - ”, (f. 95). Në  përfundim të këtij qerthulli, me pasion na duket e shkruar poezia “Unë këndova për lisat, ti për blirët këndove” që i dedikohet piktorit Demush R. Avdimetaj:

U rritëm bashkë nën hijen e Bjeshkës së moçmuar

Unë në penë e vargje dehur, ti me ngjyra e brushë,

Këndova për trima e lisa, engjëjt n’gur gurëzuar,

Ti pikturove Rozafën, blirët e shenjtë në fushë!”, (f. 97).

“Vargje për bukurinë e jetës” titullohet qerthulli i radhës i këtij libri, ku janë sistemuar disa poezi motivesh të ndryshme të cilat vijëzojnë nuanca të bukurisë së jetës. Jeta është dramë e drama art, kurse arti ka bukurinë e vet. Këtë bukuri e sjellin poezitë për kujtime nga jeta e kaluar dhe e tashmja, momente  që lënë gjurmë e që mbesin në vargje. Ato mbesin në poezitë: “Ujëvara e shpirtit”, “Tek Ura e Madhe”, “Nipa e mbesa”, “Olta e Lisa”, “SMS-at”, e ndonjë tjetër: “M’kanë rrethuar nipa, m’kanë rrethuar mbesa/ Duke më kthyer edhe mua sot në një fëmijë,”, (f. 103), apo: “Bukurinë e jetës ma sjellin dhuratë  në bebëza/ Këto miturake që ende n’gjashtat s’kanë shkelur,”(f. 104), e kah fundi i këtij qerthulli, në poezinë “Tek Uji i zi”, poeti përshkruan dhe mediton, duke spikatur edhe kujtimet për Emirën e dikurshme: “Në fund gryke, tek Uji i Zi, qëndroj dhe dremis/ Këtu dikur Emira lau duart e bardha shpesh,/ Faculetën e kujtimeve vargu kryeneç e gris - / Ajo tutje e heshtur, sikur m’shikon e buzëqesh!”., (f. 109).

Mllefi dhe trishtimi si motive

Mllefi dhe trishtimi si ndjenja e përjetime të poetit janë edhe përjetime të popullt të tij. Të përshkuara me tonet e shkaktuara nga mllefi dhe trishtuimi, Hasan Hasani ka shkruaj disa poezi të cilat i gjejmë brenda qethullit poetik ”Vargje për mllefin dhe trishtimin”. Mllefi dhe trishtimi i poetit janë motive që kanë rrënjët nga koha e të qenit nën okupim, lufta e vitit 1999 dhe pasojat e saj, martirizimet, liria, Pavarësia, etj., që u bënë frymëzime për qasje poetike, nga të cilat po shkëpusim ndonjë varg: “Një e nëntë e nëntë e nëntë/ Bëjnë baras: luftë e luftë e gjak;/ Të harrohet kurrë mos rëntë –“ (Poezia Viti 1999, f. 114), apo edhe: “Një e nëntë e nëntë e nëntë/ Bëjnë baras: liri, liri, liri; (f. 115). E, për orët e pritjes së Pavarësisë, në poezinë “Orët e shkurtit” poeti shkruan: “Njëqind vjet prita orët e shkurtit t’vijnë një të diel/ Për t’arritur pikërisht t’dielën, datë shtatëmbëdhjetë,”, (f. 117). Ndërkaq, në dy vargjet e fundit të strofës së dytë të poezisë “Testament”, Hasani thotë: ”U mundova t’u jepja gjak nga vargjet – jetë/ I trishtuar dënimit, vajin n’buzë melankolik.”, për të lënë edhe porosinë në fund të kësaj poezie:

Në pllakën e varrit t’m’i shkruajnë dy rreshta

Pasqyrë historie të një jete plot me trauma,

Dushkajës i këndova me gjuhë guri n’vreshta

N’brigje jete pa mëshirë përplasur nga furtuna!” (f. 123).

Një ndjenjë sentimentale e ruajtur në parzëm që nga rinia e poetit bëhet motiv i një tufe poezish të cilat poeti Hasani i prezenton në qerthullin “Vargje për Hyrijen” të këtij libri. Këto emocione zgjohen te poeti me rastin e 40-Vjetorit të maturimit të brezit të tyne, për çka në poezinë “Vargje të verdha fletësh”, thotë” “U bashkuan këtë pasdite n’oborrin e shkollës/ Pas dyzet vjetësh. S’ngjanim si dikur në kokrra të mollës – “, (f. 127). Mirëpo, një zbrazëti shpirtërore te poeti krijohet kur në atë përvjetor kishte munguar Hyrija, vajza e preferuar e tij:

N’këtë kremte mendova. I bëra vërtet dyzet

Për çudi, Hyrije s’të pashë,

Një drithërimë m’ngjethi, jeta e padrejtë di t’jetë

N’heshtje t’thellë rashë.”, (po aty). Ndërsa, në poezinë me titull  “Ngrykemi dhe largohemi pakëz”, poeti shfaq habinë për mosprezencën e Hyrijes në atë përvjetor të dyzettë të maturimit, kur të gjithë ngryken me njëri-tjetrin, por Hyrija mungon:

Ç’të ka ndodhur Hyrije? Pse sonte askund s’të pashë

Largësi vitesh t’pakuptimta n’këtë kremte më solli!”, (f. 128).

Dashuria që mbeti vetëm si simpati e vuajtje

Ajo farë dashurie e mbyllur, e ngërthyer në shpirtin e poetit, e papublikuar dhe e mbetur vetëm si dëshirë, vetëm arti poetik e bën të pranueshme, arti poetik e ndriçon të vërtetën për anët e errta dhe për mosrealizimin e saj. Këtë e thotë shumë herë vetë poeti në vargjet e tij: “Për dyzet vjet, s’e di, u takuam dy apo tri – katër herë/ Frymëzimi im i parë, me ngjyrën e kaltër ndër sy,”, (poezia “Gjeografia e shpirtit”, f. 129), që duhet të lexohet edhe si një reprodukim vizual i së kaluarës, me imazhet lirike dhe për kënaqësi shpirtërore, si një katarsis aristotelian: “Zjarr e dashuri lëshuan rrënjë n’qytetin ngjyrë gjaku/ N’shkollë, n’oborr, n’rrugën për Qarshi t’Vogël,/ Oh, atë që thoshin shikimet, s’e thotë fjala as vargu”, (po aty). Për Hyrijen poeti nuk kursen fjalët dhe epitetet më të zgjedhura për ta krahasuar e stilizuar atë. Në poezinë me titull “Zanë Mali flokëgjatë”, në fillim të secilit varg është togfjalëshi – anaforë  “Hyrije do të thotë”, që u prin tetë vargjeve sa ka kjo poezi dhe të preferuarën e tij e stolis me epitetet më të bukura, ashtu si në përralla, ku sipas poetit, “Hyrije do të thotë: Sirenë, E Bukura e Dheut, Hënë, Diell, Zanë Mali, Ylber, Yll, etj.“, ku ndodh edhe mrekullimi poetik:

Hyrije do të thotë Sirenë më e bukura e ujërave,

Hyrije do të thotë E Bukura e Dheut mbi tokë,

Hyrije do të thotë Hënë n’krahët e fluturave,

Hyrije do të thotë Diell mbi Diej drite në bokë,” (f. 131). Por, kur kanë kaluar shumë e shumë vjet, poeti mbetët të meditoje e të kujtojë të shkuarën e pakthyeshme: “Të përcillja n’rrugë, pasditeve në qytet / Pa ditur ti gjë, n’mua vlonte zjarri,/ Ikën vite e stinë, unë prita dyzet vjet/ Tash i thinjur gjysh, buza dridhet s’qari.”, (poezia “Bisedonim gjatë e nuk thoshim asgjë”, f. 132). Vargje  me të cilat vizatohet ndjenja e poetit për vajzën e preferuar.

Megjithatë, edhe pse çdo gjë kishte përfunduar, çdo mmundësi tjetër ishte shpresë e përmbytur, poeti shpreh edhe dëshirën e tij të fundit: “Dëshira ime e fundit s’është t’ik pa lamtumirë/ As pa përshëndetje që e prita plot dyzet dimra,” (f. 134). Por edhe: “Më fal Hyrije që për pesëdhjetë vjet zemrën s’ta hapa/ E të them se vuajtja m’përcoll n’heshtje natë e ditë,”, (poezia”Më fal”, f. 136).

Në përfundim të këtij qerthulli është poezia “Kënga e fundit për Hyrijen”, ku në dy vargjet e para poeti thotë: “Po meditoj edhe sonte për kushedi për të satën herë/Për zemrat e ndryra që shikonin vuajtueshëm,” dhe në fund, poezia mbyllet me vargjet:

Oh, le të mbesin këto ofshe kujtimi për dashurinë

Që kurrë njëri-tjetrit s’ia zbuluam për dyzet vjet!”, (f. 137). Vargje lirike si figuracione estetike që shfaqin edhe bukurinë e heshtjes, por që nuk lënë të kuptojë lexuesi se çka ka qenë intima e asaj dashurie: moskuptimi apo ndonjë rrethanë tjetër e kohës?...

Nuk është kjo një poezi e kohës rinore të poetit, që do të ishte edhe përkushtim koherent, por është poezi e një moshe të pjekur të tij. Morfologjia e kësaj poezie erotike është histori dromcash të një dashurie të shfletuar pas shumë vjetësh, e nëpër vargje të saj shihet edhe figuracioni i bukurisë së heshtjes dhe i dashurisë së paarritshme!

Ndonëse dashuria është si vlerë ideale, mendoj se simpatia e pashprehur kurrë në mënyrë verbale, pothuaj memece, e poetit Hasan për Hyrijen, bëhet e pranueshme si rrëfim, bëhet e pranueshme si shqiptim poetik e, mbase, si revoltë e pakënaqësive të jetës, përkitazi me kohën e dy të rinjve (?) Prosedeu ka të gjitha konturat e një përshkrimi konceptual të dashurisë për Hyrijen që e kishte pushtuar zemrën e poetit.

Poezi e revoltës dhe e zhgënjimit

Në fund të librit poetik “Tek uji i zi” i Hasan Hasanit lexuesit gjejnë qerthullin “Vargje për ditët e bardha me petk të zi”. Poezitë e këtij qerthulli janë vargje që iu referohen kohës dhe njerëzve tanë. Nga vetë titulli i qerthullit kuptojmë se ditët e bardha në liri, dikush i ka mveshur me ngjyrë të zezë. Këto poezi u referohen pakënaqësive të poetit ndaj realitetit të krijuar të pasluftës. Shumica e tyre shfaqin shkallën e trishtimit, zhgënjimit, revoltës, po edhe të protestës së poetit. Në këto rrethana të krijuara, atij: “Asgjë s’m’ë bën përshtypje i humbur nga trishtimi”, (poezia “Kot”, f. 141). Poeti është edhe shpirtthyer: “S’e di, kthehem n’mesditë apo mbrëmje shpirtthyer”, apo: “S’i duhem askujt, me veten më shumë i zhgënjyer”, (po aty). Nuk janë këto thyerje shpirtërore të poetit për shkak se kishte kaluar të gjashtëdhjetat e moshës,4

por janë sintetizim i përceptimeve, tundimeve e paradokseve të cilal më së miri i nuhat, i sheh dhe i prek poeti! Ai bën një  komunikim më të vrullshëm me ata që kontribuan për të fituar luftën, por që katandisën vendin në mënyrën më të keqe: “Po! Lirinë e fituam, por e humbëm kafshatën e gojës/ N’mileniumin e ri që shumë e ëndërruam ndër shekuj”, (poezia “Jetë qeni”, f.142) dhe kësaj i kundërpërgjigjet me:

N’këtë blasfemi gjithnjë e më e tmerrshme bëhet lufta

Mes pushtetit të parasë dhe tingëllimës së ëndërruar,

Vetëvrasjet s’ishin natyrë jona – pullazeve zbret futa

Mes atyre që ngrejnë dhe lypsarëve n’pluhur muruar!”, (po aty). Hasani, në vargjet e këtij qerthulli ndriçoi  tiparet e vërteta që i karakterizonin “luftëtarët” me karakter të ulët të këtij tipi. Në këto vargje kulmon e vërteta poetike, pa abstrakcion, e konkretizuar deri në ironizim. Kjo revoltë,  ky zhgënjim i poetit ka edhe interpretimin dhe porosinë për brezat lexues se sa kanë jehonë të keqe argumentet e këqija dhe sa duhet të jetë e vogël, apo mos të jëtë fare, lakmia karshi çështjeve madhore! Është kjo rinjohja me “ata” dhe ridefinimi i pasojave si transformim i identitetit brenda horizonteve të poezisë dhe fuqisë së vizionit poetik. Ndaj, si një mendim të figuruar, poeti e shfaq në vargun anaforë që u prin të katër strofave të poezisë

“Varrosëm veten”, f. 143: “Çdo ditë e më shumë u binda n’këto gjashtë dekada” (f. 143). Ky varg, në thellësinë figurative të tij, nënkupton edhe ravijëzimin e kontrasteve në këtë hapësirë tragjike.

Është ky zëri i protestës, zhgënjimi, skepticizmi, revolta dhe poeti pesimist: “Kur arrin kulmin mllefi, shemb para vetes ço gjë” (...). “Durimi ka fund, kur me gjoks muri nuk shtyhet” (... ) “Hesht kënga e muza nga acari e arsyeja nuk flet!”, (poezia “Vdekje më e rëndë se vdekja”, f.147).

Derisa për njerëzit e luftës poeti kishte kënduar për ta, deri te groteska e himnizimi poetik i veprës së tyre, i kishte quajtur edhe njerëzit e lirisë, dhe se: “T’gjithë betoheshin n’kokën tënde kur ishe i njomë” (poezia, Gacë nën shpuzë, f. 148), mirëpo: “Kush e mori me mend se paske qenë gacë nën shpuzë!, (po aty). E në kohë të pasluftës jemi të një moment gati i pazakontë i lëkundjes ekstreme të besimit të poetit, për çka të njëjtëve u thotë:S’e meritoni t’shkruaj vargje për ju bukëpërmbysës”, (poezia “Vargjet heshtojnë”, f. 150), kur besimi dhe uratat kthehen në blasfemi, siç e pamë edhe nga vargjet e cituara më sipër. Në vend që ideja artistike e poetit të përqendrohej në faktet e reja të njerëzve tëluftës, të cilët do të orientoheshin në rindërtimin e vendit, ata bëbë të kundërtën: vodhën fonde e vlera të tjera nga më të ndryshmet, për xhepat e tyre!

Te poezia “Gjithësia përbëhet nga grimca atomi”, “Liria është një mijë herë më e shtrenjtë se varfëria”..., por që i kundërpërgjigjet me vargun tjetër të pokësaj poezie: “Por ç’kuptim ka liria kur s’e ke një cent në xhep (aty, f. 145, si dhe poezitë “Vdekje më e rëndë se vdekja”, “Ëndërr e keqe”, “Shall i zi”, e ndonjë tjetër, në të cilat shprehet mllefi i poetit Hasan Hasani, si zë poetik kundër të keqes që mbiu në kohë lirie!... Fundja, ky mllef e kjo protestë janë mënyrë e shprehjes së ndërgjegjes intelektuale, me vargje që artikulojnë qenësinë e së keqes në këtë kohë.

Pra, sidomos në këtë qerthull, poeti tregon se si këto ditë të bardha në liri, i vunë petk të zi, e shëmtuan, ata që dikur i kishte quajtur figurativisht “njerëz të lirisë” , në poezitë e  “Vargje për ditë të bardha me petk të zi”, këta, janë ata që harruan idealet patriotike, bënë absurditet dhe krijuan situata paradoksale  që mezi i pranon poezia si shqiptim poetik i kësaj shëmtie!?

Poezia e Hasanit shpreh të vërteta të pakundërshtueshme për ata që u pasuruan në mënyrë të pandërgjegjshme!

Sintagma “Erdhi një ëndërr” me të cilën fillojnë të katër strofat e poezisë “Ëndërr e keqe”, (f.147), është paratekst që paralajmëron zezonat që kishte përjetuar populli shqiptar nëpër kohë: “...vjeshta e shpirtit”, “Njëqind vjet përbuzur”, etj. (po aty), ku këtë paratekst e stimulon teksti vijues, nga vargu në varg dhe nuk destrukton modelin e vargut karakteristik të këtij poeti, por krijon unitet e estetikë të vargjeve, i metaforizon ato. Ana semantike e këtyre poezive,  si përceptim i fenomeneve, sikur na kthen tek një thënie e Gjergj Fishtës: “A janë t’zott shqyptarët me u majtë shtet n’veti?”

Përfundim

Kur kemi për objekt vështrimi përmbledhjen “Tek uji i zi” do të them se kjo është një thesar poetik dhe, pas vlerësimit tim, është kryevepër e poezisë së këtij poeti.

Observimet poetike të Hasanit përfshijnë një spekter tematik e motivor, ku rikthen vargun e gjatë të rimuar, shquhet ekskluziviteti tematik, shqiptimi i drejtpërdrejtë, konceptimi poetik dhe stilizimet e figurave. Motivet e secilit qerthull janë të ndërlidhura dhe derivojnë me interpretime racionale të artit poetik dhe pushtojnë harkun e interesimeve të shtresave të ndryshme lexuesish.

Në një shkrim të saj për librin poetik “Tek uji i zi” i Hasan Hasanit, shkrimtarja Shahbaze Vishaj, kishte thënë: “Kur t’i hidhet një shikim në retrospektivë gjithë poezisë së tij për të rritur që botoi ky autor, (kupto: Hasan Hasani – v.i.), motiveve që trajtoi, vargut dhe gjuhës që përdori, metaforave dhe figurave tjera stilistike, problemeve shoqërore me të cilat u ballafaqua në jetë, atëherë pa kurrfarë droje mund të pohojmë se vëllimi poetik “Tek uji i zi” është një sintezë poetike dyzetvjeçare.5

Në këtë libër është e tejdukshme edhe dashuria e mistershme dhe e pashpresë.  Fjala merr funksione evokuese dhe shenjëzon vlera estetike, mirëpo teksti poetik mbetet si një tekst për dashuri pa dashnore, ku nuk arrihet as bukuria ideale e vargut, por mbetet si një betejë imagjinative.

Në këtë vëllim poetik shquhet ideja që shprehet me të folurit poetik, ku përimtohen edhe ndjenjat dhe del edhe shumësia e mesazheve si proces kreativ.

___________

1, 2) Shih, cituar sipas: Sabri Hamiti, Vetëdija letrare, Rilindja, Prishtinë, 1989, f.324.

3) Kosova sot, 28. 06. 2009, Prishtinë).

4) Shih, të gjitha poezitë e këtij qerthulli mbajnë datën e viteve 2008 dhe 2009

5) Skënder R. Hoxha, Muza e Dushkajës (Qasje nga autorë shqiptarë krijimtarisë letrare pesëdhjetëvjeçare të Hasan Hasanit), Faik Konica, Prishtinë, 2017, f. 369.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora