Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhemal Ahmeti: Paraziti, krimbi dhe liria

| E diele, 03.05.2020, 07:24 PM |


PARAZITI, KRIMBI DHE LIRIA

Nga Xhemal Ahmeti

Mentaliteti i formuar në pranga përqesh atë madhështinë e njeriut për të cilën fliste Benjamin Franklin kur «de hominis dignitate»-n e Mirandolas e përkthente me mosshkeljen e krimbit dhe moszvarritjen baltës rreth këmbëve të perandorit. Robi i stërvitur vetëm me një formë ekzistence këndon më me dëshirë gabimisht refrenin sartrian: «njeriu është i dënuar që të jetë i lirë» se sa ta interpretojë atë ashtu siç u mendua. Ai pëlqen leksemën «dënim» aty brenda. Ndyshe nuk i këndon dot zëlartë, duke qarë e u përjargë kredot tjera të paraardhësit të Jean -Paul-it, i cili besonte se «njeriu [qenka] lindur i lirë, por ja që gjithandej gjendet në pranga» (Jean-Jacques Rousseau). Kështu, ngase, sërish sipas filozofit që depononte foshnjat e sapolindura të tij internateve të botës (Rousseau), njeriu s’paska nevojë të kërkojë «ferrin në përtejshmëri, ngase ai gjendet këndej», në këtë jetë, në aortën e së Keqes. E ç’paska më të tmerrshme e më demoniake se t’i hedhësh fëmijët e tu kontajnerëve kolektivë vetëm për t’i ikur përgjegjësisë? Liria dhe përgjegjësia. Pikërisht për këtë arsye citohet postulati i Sartre përherë gabimisht nga mendësia e parazituar. Ngase vetëm cituar shtrembur ai eliminon, maskon ai kushtin determinantë të lirisë individuale: Përgjegjësinë! «Dënimi» i Sartre-t nuk shkon bashkë me filizofinë e dandit Rousseau që për tu fshehur nga kospeciet ecte i veshur si beduin qytezave helvetike. Ekzistencialisti gjysmëqorr i shekullit 20 lirinë e njeriut reflektonte si «bërthamën përcaktuese të ekzistencës së tij». Domethënë: «mund të jesh njeri [me dignitas] vetëm si i lirë» ndryshe jo. Tmerr ngase kjo donë të thotë se realizimin e tij si „subjekt“, punësimin e tij, sistemimin social të hallave, tezeve të tija, rritjen, edukimin dhe ngritjen e fëmijëve të tij nuk ia bën partia, lideri, shteti, xhamia apo kisha dot, porse [edhe| ai vetë duhet t’i bëjë ato. Po prangat? Cilat? Ato që s'të lënë të pish makiato ditenatë? Çka? Ikë ore gojëhiobik - bërtet mendjeskllavi. Hedh Mirandolën dhe Sartren nga kujtesa dhe ulërin militançe e si i çmendur rrugëve «rroftë tirani, rroftë perandori, rroftë mbreti, shkele krimbin, më mirë vdekje se liri».

Besoj se me këtë udhëtim të shkurtër citateve, kohëve e mentaliteteve të kemi portretuar deri në ndonjë shkallë «karakterin e militantit» dje, sot dhe nesër, atij që më mirë pranon vdekjen rrugëve këmbëve të liderit se sa t’i përvesh krahët për ta ndërtuar lirinë e tij. Liria pa marrë përgjegjësi nuk bëhet. E këtë mentaliteti i stërvitur me shekuj nënpranga nuk dëshiron ta kuptoj dot.

__________

POETI SI PROFITER LUFTE

E keni dëgjuar atë konstatimin: «poezitë më të bukura lindin në kohë dramash, luftërash...». Nëse kjo qëndron, atëherë shumica e poetëve të realizuar nuk kërkuakan «të bukurën», por qenkan profiter luftërash [njerëzore]. Është edhe kjo njëra ndër arsyet pse jemi kaq magnetik ndaj së keqes e e kaq indiferent ndaj së bukurës, pozitives?

__________

IDENTITETI SI STATUJË

Përfaqësimi i një kulture, shteti, vendi nuk do të thotë të jesh vetëm shenja statike që markon ekzistencën e tij. Prezentimi pa një projekt [sidomos personal - në kuptimin institucional] që bën çdo çast të gjallë e operativ atë që përfaqëson është analogon i mumieve egjiptase. Besoj kjo të jetë substanca e dështimit të diplomacive dhe kulturës shqiptare jashtë gardheve të tyre.