E premte, 19.04.2024, 04:49 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Sula

E diele, 03.05.2020, 07:27 PM


Sula

Nga Edison Ypi

Në kafenenë e një lavazhi buzë autostradës, ulur, vetëm, kafe, cigare, rrathë tymi, muri përballë. Kështu e njoha Sulën e rreptë me sytë me shkëndija. Sula është trembëdhjetë vjeç. Sula ka zbritur nga Kuksi. Sula nuk kishte lindur në dhjetor të nëntëdhjetës. Sula ka bërë pesë klasë shkollë. Sula është fukara. Sula është fëmijë i gjashtë. Sula ka baba të verbuar nga një shpërthim në minierë. Sula është ngjizur nga baba i verbër. Sula është bir i pasionit të errësirës. Sula ka vëllezër e motra shumë, asnjë në punë. Sula, babai i Sulës, nëna e Sulës, vëllezërit e Sulës, motrat e Sulës, kanë ndërtuar një barrakë të vogël buzë autostradës. Sula nuk di ç’bëhet në qytet, nëpër shkolla, nëpër libra, nëpër disko, nëpër gazeta, nëpër televizora. S’e ha meraku Sulën për të tilla. Ka halle Sula. Sula nuk rri kot. Sula punon gjithë ditën. Sula nuk e njeh lodhjen. Sula mban gjallë jetën duke vrarë vdekjen. Sula u bën bunkerëve atë që bombat nuk ua bëjnë dot; u heq hekurin. Me hekurin e bunkerave të vdekjes Sula fiton 1 euro në ditë. Sula punon, fiton, jeton, mendon, ëndërron, në një kilometër autostradë. Ç’nuk i shohin sytë e ç’nuk i dëgjojnë veshët vogëlushit të mprehtë, fukarait, punëtorit të palodhur Sulë. Ja banditi me makinë tek po vjen me dyqind në orë. Dje një makinë shtypi dikend duke kapërxyer murin e autostradës. Tre qen shqyen makinat në atë kilometrin e autostradës ku Sula mbijeton. Tre ditë ndenjën mishrat e shqyer të qenve mbi asfalt derisa i shplau shiu. Sula sheh me çudi si një plakë që e ka shtëpinë andej dhe kullotat këndej autostradës po mëson lopët të kalojnë mbikalimin. Sula tmerrohet kur sheh një hallexhi që ka hipur mbi murin ndarës të autostradës me një frigorifer dhe po pret një rast fatlum për t’u hedhur matanë pa përfunduar nën rrotat e ndonjë Benzi. Sula e di çfarë bëhet brenda hoteleve aty pranë, por Sula nuk bëzan, Sula nuk flet. Sula vetëm shikon, vetëm dëgjon, vetëm punon, vetëm vrenjtet, vetëm mendon. Sula i sheh dhe i njeh të gjithë fluturimthi; familjarin që vete në plazh, mafjozin me makinë të shtrenjtë, italianin a gjermanin që nguten për në aeroport, kosovarin nga targa, fillestarin që e nget makinën me dredha. Nga të gjitha këto Sula edhe zbavitet, por më tepër kalitet, rritet. Kur po çarmatoste një bunker vdekjeje për t’i marrë hekurin, Sulën e preku një nga ato makinat e shpejta. E preku dhe iku. Prej disa ditësh Sula po rri në shtëpi. Njërin vesh e ka të zënë me pambuk. Njërin sy pothuajse të mbyllur. Tjetrin sy të ënjtur. Buza i ka ikur pak mënjanë. Por nuk epet, nuk ligshtohet Sula. Sula nuk është ngordhalaq. Sula nuk është qaraman. Sula veç trimërohet, veç burrërohet. Horra, morra, hajduta, kodosha, minj burokrata, pis analista, bosh opinionista, budallenj ministra, shtazë deputeta, ruhuni nga Sula. Mos thoni nuk e dinim kur tua çajë fytin. Biçak të mprehtë Sulë. Hajt, fillo Sulë. Hiqe pambukun nga veshi, dhe sokëlli'. Hape syrin e mbyllur, dhe shkrepëti. Drejto buzën, dhe buçit. Nuk ka burrë me të ndalë ty Sulë. Nuk ka mur që nuk shemb ti Sulë. Nuk ka beton që nuk shkatërron ti Sulë. Nuk ka mal që nuk sheshon ti Sulë. Nuk ka të zezë që nuk e zbardh ti Sulë. Zoti të ndihmoftë Sulë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora