E premte, 29.03.2024, 02:14 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Tri gabimet intelektuale të Blerim Rekës

E shtune, 02.05.2020, 04:01 PM


Tri gabimet intelektuale të Blerim Rekës

Nga Blerim Latifi

E lexova një koment të Blerim Rekës mbi vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese. Në pak paragrafë, që përmban teksti i tij, doktori shkupjan i drejtësisë bën tri gabime esenciale intelektuale.

Gabimi i parë: Kushtetuta nuk është roman, thotë Reka. Teza e tij, qartësisht, ka konotacion pezhorativ për letërsinë. Demek, sipas logjikës së tij, interpretimi letrar është çështje joserioze, ndërsa interpretimi i kushtetutës është shkencë precize. Ky mendim diletant nuk thotë asgjë për letërsinë, por thotë shumë për autorin e tij. Një intelektual që flet në mënyrë të tillë për letërsinë, s'bën gjë tjetër veçse na tregon se ka defekte serioze në formimin e tij kulturor.

Gabimi i dytë: Gjykata kushtetuese nuk e interpreton atë që ka dashur të thotë autori i kushtetutës, por vetëm atë çka thotë teksti në letër i kushtetutës, thotë Reka. Si jurist Reka do duhej të dinte se që nga Monteskjeja dhe Etërit Themelues të Kushtetutës së SHBA-s, bëhet dallimi midis letrës së ligjeve dhe shpirtit të ligjeve. Interpretimi literal i tekstit të kushtetutës nuk është i gjithë interpretimi i saj. Ai bëhet i plotë kur bëhet edhe interpretimi i frymës(shpirtit) së kushtetutës, e me këtë term duhet kuptuar qëllimet dhe vlerat politike për të cilat është shkruar kushtetuta. Pra, intepretimi i kushtetutës nuk është kurrë puro teknik. Vendimi i djeshëm i Gjykatës kushtetuese për pezullimin e dekretit të presidentit, duket qartë se respekton këto dy dimensione të intepretimit kushtetues. Ligji i Gjykatës Kushtetuese, në nenin 27 të tij, thotë se kjo gjykatë vendos masa të përkohshme pezullimi "ndaj një çështjeje që është objekt i procedurës, nëse këto masa janë të nevojshme për të evituar rreziqe ose dëme të pariparueshme, ose nëse marrja e këtyre masave të përkohshme është në interes publik". Rrezikimi i interesit publik nuk mund të përcaktohet vetëm me letrën e kushtetutës. Është i nevojshëm edhe shpirti i saj. Siguria e popullit është ligji më i lartë i shtetit dhe intepretimi i kushtetutës i bindet këtij parimi.

Gabimi i tretë: Reka na fton që për të kuptuar argumentin e tij duhet që të lexojmë Hans Kelsenin, të cilin Reka e quan "baba i konstitucionalizmit". Po ta bënte këtë gabim një student drejtësie i vitit të parë, do të arsyetohej disi, por kur e bën një doktor i jurisprudencës, vërtet duhet të na vij keq për të. Kelseni është jurist i vonë dhe kushdo që ka lexuar ndonjë tekst serioz në fushën e filozofisë të së drejtës, e merr vesh se konstitucionalizmi në mendimin juridik perëndimor fillon me Platonin dhe Aristotelin. Platoni në veprën e tij "Ligjet" shkruan se begatia e shoqërisë njerëzore mund të jetësohet vetëm atëherë ligjet janë mbi të gjithë. Ai e definonte rendin kushtetues si një rend ku ligji është padron i pushtetit dhe pushteti shërbëtor i tij. Pas Platonit, Aristoteli, në librin "Politika", thotë decidivisht se sundimi i ligji është më i pëlqyeshmi se sundimi i individëve. Në ato që Aristoteli i quan "regjime të drejta politike", ai e konsideron "Politenë" apo rendin kushtetues, si formën më të avancuar të këtyre regjimeve. Në epokën moderne është Xhon Loku, filozofi anglez, ai që vuri themelet e konstitucionalizmit liberal, në veprën e tij "Traktati i dytë mbi qeverinë civile", më shumë se dy shekuj para Kelsenit. Vetë Kelseni hyri në jurisprudencë përmes filozofisë politike, problemi themelor i të cilës, nga Platoni tek John Rawls, është problemi i drejtësisë. Punimi i disertacionit i Kelsenit ishte një studim mbi filozofinë politike të Dante Aligierit, poetit të madh të Mesjetës, i cili teoritizonte për shtetin sekular të ndarë nga religjioni. "Teoria e pastër e ligjit" e Kelsenit është zhvilluar nën ndikimin e "normativizmit të pastër" të Imanuel Kantit. Ligji suprem, thotë Kanti, është një normë universale e pastër, në kuptimin se vendoset nga arsyeja e pa ndikuar nga interesat e ndryshme. Carl Schmitt, rivali teorik i Kelsenit, e thotë diku se "kur juristët fillojnë me mendu, bëhen filozofë". Blerim Reka duhet të filloj që të mendoj.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora