E premte, 19.04.2024, 01:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Flora Durmishi: Intervistë me prof. dr. Drita Halimi-Statovci

E enjte, 23.10.2008, 07:02 PM


Drita Statovci dhe Flora Durmishi
VESHJA KOMBETARE SHQIPTARE PO ZBEHET

 

Intervistë me prof. dr. Drita Halimi-Statovci- studiuese dhe njëherit udhëheqëse e Departamentit të Etnologjisë në Universitetin e Prishtinës.

 

Profesoreshë e nisim këtë bisedë me preokupimin tuaj, si studiuese, sa i përket veshjes së traditës.

 

Prof.dr.Drita Halimi-Statovci:

Shikuar nga aspekti profesional, themi se veshja e mirëfilltë popullore nuk bënë më jetë të përditshme aktive, atë çfarë e kishte, fjala vjen, deri në gjysmën e parë të shekullit XX dhe gjithnjë vjen duke u zbehur. Por, shikuar në aspektin e modernitetit sot, në aspektin e rrjedhave globaliste, që kanë përfshirë tërë jetën, jo vetëm te ne, por fare natyrshëm në tërë botën, atëherë do ta kishim një përgjigje pakë më ndryshe. Mund të themi se veshja popullore, megjithatë, në një mënyrë e vazhdon rrugën e vet dhe jetesën e vet. Natyrisht nuk përfillen kriteret çfarë do t’i shtronte profesionisti i mirëfilltë, etnologu apo studiuesi i antropologjisë kulturore, por megjithatë ajo jeton.

 

Ju dilni shumë shpesh në terren, edhe vetë si studiuese por edhe me studentë, a mund të na thoni se ku po ruhet më shumë veshja popullore, në cilat rajone?

   

Prof.dr.Drita Halimi-Statovci:

Nga ajo që sot shohim, në terrenin tonë, veçanërisht këtu në Kosovë, gjejmë të ruajtura më shumë veshje në pjesën e tërësisë së madhe etno-gjeografike që quhet Rrafshi i Dukagjinit dhe më pakë të ruajtura, pra fjala është për veshje të mirëfillta popullore, në pjesën që quhet Rrafshi i Kosovës. Por kjo nuk do të thotë që në të dyjat nuk vazhdon të kultivohet ndjenja që të kihet një veshje popullore, një veshje e traditës. Por natyrisht, tani në këto veshje dimensionohet diçka fare tjetër nga ajo që është në jetën dhe traditën e mirëfilltë, në atë që vërtetë ishte kulturë popullore dhe ishte veshje popullore. Sot nuk mund të kërkohen elementet e mirëfillta të lashtësisë, por megjithatë duhet të pranojmë se edhe sot shfaqet një origjinalitet më vete. Kjo për arsye se ka përpjekje, ka pretendime dhe ka dëshira që megjithatë të realizohet diçka që është popullore, është traditë, por tanimë tejkalohet emërtimi popullor dhe konverton në kombëtar. Tanimë tejkalohet përkatësia krahinore në aspektin etnogjeografik, dhe veshja e cilës do krahinë etnografike konceptohet, projektohet dhe mbahet e konsumohet thjesht si veshje  kombëtare.

 

Qëlloj ndonjëherë në ndonjë dasmë, për hulumtime studimi, ose për arsye familjare, dhe shoh që vajza nga Llapi (kupto nusja) mban  veshjen popullore të trevave shqiptare të Malit të Zi, (aty ku martohet pra), dhe kjo është sa simpatike aq edhe atraktive. Në këndvështrimin e etnologut kjo dukuri pasqyron një nga mënyrat, rrugët se si ruhet sot veshja popullore.

 

Por nëse i kthehemi pyetjes suaj se a mund të ruhen veshjet e mirëfillta popullore në përditshmërinë tonë, më duket se është e tepërt që në kohën e sotme të kërkohet të ruhet diçka që dikur ishte në jetën aktive, diçka që sot është jashtë kohës.

 

Megjithatë nga ajo origjinalja çka më shumë është ruajtur?

 

Prof.dr.Drita Halimi-Statovci:

Ruajtja duhet t’i gjejë rrugët e veta. Studiuesit, konzervatorët, institucionet muzeale janë ato që duhet të kujdesen që veshjet, me që po bisedojmë për veshjet popullore, që është vetëm një pjesë e trashëgimisë, të ruhen dhe të përjetësohen në mënyrën profesionale, shkencore. Kjo nënkupton studimet, kjo nënkupton koleksionet muzeale, kjo nënkupton ekspozitat e përhershme, ose të përkohshme që mund të jenë edhe lëvizëse, të shkojnë nga vendi në vend dhe t’i shohin nxënësit, studentët, qytetarët... Kështu do të ndihmohej në të kuptuarit e drejtë për atë se çfarë është pasuri kulturore, çfarë është trashëgimi dhe si të trajtohet e të ruhet kjo begati që e krijoi vetë njeriu.

 

Profesoreshë, ju thatë duhet, po sa po angazhohen institucionet përkatëse që kjo vërtetë të ndodh? A ruhen nëpër muze këto veshje dhe sa të vjetra janë?

 

Prof.dr.Drita Halimi-Statovci:

E vërteta është se ruhen dhe ka veshje në koleksionet e ndryshme muzeale, por jo ndoshta në masë sa do të duhej. Jam e shtrënguar të them, duhej. Në radhë të parë vjen Muzeu i Prishtinës, por natyrisht ka edhe muze të tjera si Muzeu i Mitrovicës ai i Prizrenit, Pejës, Gjakovës ose gjenden edhe në ndonjë muze në qendrat më të vogla. Por kjo është pakë, është prezantim i pamjaftueshëm  për gjithë atë trashëgimi që e posedojmë.

 

E përmendët ekspozitën lëvizëse , ide që po më pëlqen. A ka ndodhur ndonjë ekspozitë e tillë?

 

Drita Halimi-Statovci:

Ekspozita lëvizëse nuk ka pasur te ne. Një diçka e tillë do të bënte jehonë për vetëdijësimin dhe kultivimin e asaj se çfarë është traditë, për trajtimin pozitiv të saj. Ka veshje, përveç atyre që janë në ekspozita muzeale institucionale, që rrojnë, ruhen dhe përdoren në mënyra të ndryshme jashtinstitucionale. Ka raste kur veshja ekspozohet në ekspozita ad hoc, që bëhen lidhur me ndonjë projekt që realizohet për ndonjë qëllimi tjetër jashtë fushës së trashëgimisë kulturore, por në një moment ka një sektor të caktuar, të themi, që i kushtohet etnokulturës. Aty gjejmë jo vetëm veshjet por edhe elemente të tjera të kulturës, por edhe këto janë shumë të pakta, nuk janë të shtrira gjithkund njësoj. Fjala vjen, Anamorava që mban në vete tri njësi-komuna administrative nuk ka asnjë muze.

 

Në Llap dhe në Anamoravë veshja popullore, e grave, u ruajt vetëm deri në Luftën e Dytë Botërore. Pse ka ndodhë kjo? A është ruajtur të paktën në muze ndonjë veshje e këtyre anëve?

 

Prof.dr.Drita Halimi-Statovci:

Eh, kjo është një çështje më vete sepse ne kemi shumë krahina gjeo-etnografike që nuk e kanë ruajtur veshjen e mirëfilltë popullore si Anamorava e Llapi, që përmendët ju, Anadrinia, Rrafshi i Kosovës e shumë të tjera. Në këto hapësira sot nuk mund të gjinden veshje në jetën aktive, në përditshmëri. Por ky realitet neve si studiues dhe as institucionet përkatëse, nuk na liron nga obligimi që të mos mundohemi, të mos bëjmë fare asnjë lëvizje në këtë drejtim, të mos interesohemi ta njohim, por edhe ta prezantojmë traditën tonë.

 

 Këto veshjet që janë ruajtur në muze, a mund te përdoren për ndonjë rast, aktivitet?

 

Prof.dr.Drita Halimi-Statovci:

Nga praktikat që më ka rënë të njoh, këto veshje, dalin vetëm për qëllime të caktuara. Dalin për ndonjë ekspozitë jashtë vendit, ku prezantohet kultura jonë. Por nuk është mirë që të dalin, fjala vjen, në shërbim të shoqatave kulturore-artistike, sepse ato mund të dëmtohen, të zhvleftësohen... Për këto raste nevojitet riprodhimi i veshjeve, ndërsa këto të mirëfilltat nevojiten për studime shkencore. Studimi e ka rolin dhe rëndësinë e vet, ndërsa përdorimi i përditshëm i veshjeve popullore, në kohën e sotme, te të cilat veshje mund të tolerohen edhe shmangie të ndryshme nga origjinaliteti, shfaqet si i lejueshëm, madje nuk mund të kontrollohet. Në veshjen e mirëfilltë popullore, vepron kontrolli shoqëror i mjedisit. Në veshjet sot nuk mund të kërkosh që të veprojë diçka e tillë, diçka që është jashtë kohës. Megjithatë edhe në kohën sot diçka vepron, funksionon vetëkontrolli.

 

Riprodhimi i veshjeve thatë se po bëhet mirëpo a po ruhen tiparet e kostumit origjinal? Unë kam përshtypjen që kostumet popullore po ç’natyralizohen?

 

Prof.dr.Drita Halimi-Statovci:

Me rastin e riprodhimit, shmangiet nga origjinaliteti janë të nduar nduarta. Janë ato që ndoshta, në aspektin profesional, e dëmtojnë imazhin e veshjes së mirëfilltë popullore. Janë edhe të tilla, që ndoshta i japin një imazh të bashkëkohores, që në të vërtetë, në jetën e sotme, përsëri nuk mund t’u shmangemi elementeve të tilla. Janë të pakontrollueshme, nuk mund të ndalen. Por natyrisht janë në një shërbim tjetër, nga ai që është studimor, dhe gjithmonë kur kemi qëllime studimore atëherë duhet t’i përmbahemi të mirëfilltës, origjinales dhe asaj që vërtetë është popullore dhe që është autoktone, që është punuar nga vetë bartësi e jo, fjala vjen, për qëllime tregu. Sepse kur punohet për qëllime tregu e për biznes si shprehen sot, atëherë çështja veshje popullore merr ngjyrime fare të tjera nga ajo që trajtohet si kulturë popullore.

 

Profesoreshë, janë femrat ato që e ruajnë por edhe e përdorin më shumë veshjen popullore!

 

Prof.dr.Drita Halimi-Statovci:

Po, shumë mirë e keni vërejtur. Pakë a shumë një gjendje e këtillë mbizotëron edhe në kulturat e tjera dhe jo vetëm në kulturën shqiptare.

 

Pse ndodh kjo?

 

Prof.dr.Drita Halimi-Statovci:

Ndoshta kjo ndodh pse femra është  emocionalisht më tepër e lidhur me trashëgiminë kulturore të kësaj natyre; dikur femra e punonte veshjen për vete dhe për anëtarët e familjes; ndoshta kjo ndodh pse femra është më pakë në lëvizje, më pakë jashtë shtëpisë, më pakë ka kontakte me botën e jashtme. Natyrisht e gjithë kjo, që e diskutojmë, i përket kohës së kaluar dhe jo shekullit në të cilin jetojmë. Sot janë rrethana e kushte krejt të tjera, por mund të jenë këto si shpjegime  më kryesore, duke shtuar se dashuria, por edhe nostalgjia për veshjet e lashta gjithnjë është më e fortë te femra . Por dëshiroj të theksoj se edhe në realitetin e sotëm, në pranimin dhe kultivimin e risive, sërish femra është më moderne se mashkulli. Femra është promotor i krejt asaj që ecë përpara. Profesionistët dhe analistët e kohës do të pajtoheshin se femra është ajo që lëviz gjërat.

 

Thuhet se njerëzit komunikojnë me veshje dhe që secili e prezanton veten me gjuhën e rrobave që i bart!

 

Prof.dr.Drita Halimi-Statovci:

Po, kjo është fuqia e veshjes, fuqia e kulturës materiale në kuptimin më të gjerë, që ndoshta elementet tjera nuk e kanë. Dhe kjo për çudi ndodh jo vetëm për veshjen popullore, që sot na pëlqen ta quajmë veshje kombëtare, por ndodh edhe në veshjen moderne. Veshja komunikon për statusin e bartësit. Veshja komunikon për rastin për të cilin destinohet. Veshja komunikon për festë ose për mort e kështu me radhë. Pse themi kështu? Mund të veçoj se, fjala vjen, në veshjet martesore elementet rinore, elementet lirike e të haresë janë më të shprehurat, dhe kjo në kulturën shqiptare po se po, por ndodh edhe në kulturat tjera. Këtu është një ligj universal sepse rinia është mosha për të cilën mundohet e tërë bota që ta shohë dhe ta bëjë më të mirën, qoftë kjo për meshkuj ose për femra. Po ta shohim kostumin tonë popullor, për meshkuj ose për femra, do ta shohim se më i miri për nga kualiteti, më i bukuri në kompozimin e ngjyrave, më i pasuri në aksesorë e gjëra të tjera vërtetë është veshja martesore, prandaj kjo kështu komunikon, flet e tregon për rini. Natyrisht laiku mund ta ketë të vështirë ta bëjë dallimin, por megjithatë është fare mirë e lexueshme se  në kulturën shqiptare thjeshtësia mbizotëron në veshjet për fëmijë, djem e vajza të reja  deri në martesë. Nga martesa, përkatësisht veshja për dhëndrin e për nusen vjen më e pasur, dhe, përsëri në pleqëri mbizotërojnë  ngjyrat më të mbyllura, kualiteti ndoshta jo i dorës së parë. Këto janë drejtpërdrejtë elemente që komunikojnë për statusin e bartësit, të ashtuquajturin status të gjendjes civile, shoqërore. Fare qartë dhe në mënyrë të prerë, veshja popullore përcakton statusin  i martuar ose i,e pa martuar. Këto janë madje të dallueshme edhe për laikun.  

 

Profesoreshë unë kam përshtypjen se stilistët e sotëm nuk po i shfrytëzojnë aq sa do të duhej motivet nga veshja e traditës? A e keni vërejtur ju këtë? Do duhej të ishte inspirim apo jo?

 

Prof.dr.Drita Halimi-Statovci:

Po do të duhej të ishte inspirim dhe kjo do të duhej të ishte vërejtje dhe sugjerim njëkohësisht për ata që do të duhej të zbatonin gjëra të tilla. Te piktorët unë e vërej që kjo pasuri shfrytëzohet me të madhe ndërsa në raste të tjera, te modelistët, te prodhimet, fjala vjen, serike, nuk ka arrirë të shfrytëzohet sa duhet. Në anën tjetër ne kemi, të them lirshëm modelistë, që e përdorin shumë mirë veshjen popullore, fjala vjen për emra të njohur të kulturës, si në muzikën tonë, në artin tonë, edhe në fusha të tjera dhe me sukses e prezantojnë para botës dhe para publikut elementin e veshjes popullore që tanimë merr konotacion të veshjes kombëtare. Unë do ta kujtoj këtu, fjala vjen, këngëtaren tonë kolosale, Nexhmije Pagarusha, do ta përmend këtu sopranon, Inva Mula ose edhe raste të tjera.

 

Ka pasur reagime shumë të mira dhe interesante nga të huajt për veshjen tonë kombëtare!

 

Prof.dr.Drita Halimi-Statovci:

Qëndrimet, vizionet, perceptimet e të huajve i hasim edhe në literaturë. Përshtypja e parë e të huajve thotë se veshjet shqiptare janë shumë të pasura, të bukura dhe me elemente arkaike. Dhe kjo qëndron. Fjala vjen, nëse duam ta potencojmë arkaizmin do ta përmendim xhubletën shqiptare , nëse duam të përmendim veshje të bukura, veshje të themi përrallore, do të përmendim, fjala vjen, veshjet e Malësisë së Tetovës, nëse duam të përmendim veshje që kanë shumë lirizëm në vete atëherë përmendim veshjen e Drenicës, të Medvegjes, ose të Hasit, nëse duam ta potencojmë elementin grafik, në veshje, atëherë përmendim veshjen e Rrafshit të Dukagjinit ku spikatë, në vend të parë, ngjyra bardh-zi dhe grafika e përkryer e krahasueshme me artin modern.

 

A ka keqinterpretime ose keqkuptime ne aspektin e veshjes?

 

Prof.dr.Drita Halimi-Statovci:

Tani e shtruat një problematikë që do përgjigje më të thellë e më të gjerë. Do të parafrazoj ca gjëra. Mund të ndodhin keqinterpretime, madje me ose pa vetëdije. Ndodhë të përdoret veshja popullore për aspekte të shpjegimeve jo reale, por këto janë raste të rralla. Veshja popullore  përdoret më tepër në aspektin pozitiv sepse vetë veshja është pozitive, është pasuri, është traditë, është diçka që dëshmon se je dikush që ke një kulturë, ke një vend tëndin, një traditë, se je rrënjës etj. Prandaj për mua keqkuptimet janë fare periferike ndaj asaj që janë realitete pozitive që i ofron vet veshja. Sido që të përdoret, imazhet dhe efektet pozitive që krijon veshja popullore janë të forta, të qëndrueshme, janë reale. Veshja popullore krijon dialogun kulturor më fuqishëm se sa çdo paraqitje tjetër. Siç e dimë, dialogu është përherë i nevojshëm dhe i preferuar.

 

Profesoreshë, ju udhëhiqni Departamentin e Etnologjisë, për të cilin kohëve të fundit ka zëra që thonë se duhet të mbyllet... si thoni ju?

 

Prof.dr.Drita Halimi-Statovci:

Të rrënohet është shumë lehtë, por unë pëlqej ndërtimin. Zëra të tillë arsyetojnë mbylljen e këtij Departamenti për shkak të mungesës së kuadrove të profilit përkatës, ndërsa unë mendoj se mu për këtë arsye duhet ta vazhdojmë ndërtimin-ngritjen e kuadrit të profilit të etnologut, ose të antropologut kulturor, si përdoret në kuptimin më të gjerë. Nuk e pëlqej të vajtojmë vazhdimisht se nuk kemi kuadro. E kemi detyrë ta krijojmë kuadrin që na mungon. Për kulturën shqiptare, pra për trojet shqiptare është rast i vetëm që kemi këtë Departament të Etnologjisë pikërisht në Prishtinë. Nuk e ka Tirana, ose ndonjë qendër tjetër, prandaj do të ishte e natyrshme ta ndihmojmë zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë në këtë Departament dhe jo të na shkojë mendja për mbyllje. Studimet etnologjike-antropologjike janë të domosdoshme për kulturën përgjithësisht, dhe posaçërisht për ne në Kosovë. Në Evropë dhe më gjerë, etnologët punojnë dhe japin kontributin e vet edukativ, hulumtues e shkencor, në institucione edukative-arsimore nga fillorja deri në universitet, në institucione hulumtuese, në institucione shëndetësore, në arkiva, në institucione qeveritare, në gazetari kulturore, në menaxhimin dhe prezantimin e trashëgimisë kulturore, në promovimin e turizmit fshatar, në kompanitë kompjuterike, në zyra të çështjeve të globalizimeve e të tjera, ndërsa ne në Kosovë nuk i kemi të studiuara, sa duhet, gjërat më elementare që kanë të bëjnë me kulturën dhe mënyrën e jetës humane-njerëzore. Programet tona studimore përfshijnë lëndë e module pikërisht për fusha që i numërova më lartë, dhe pretendojmë të jemi të krahasueshëm me cilëndo qendër evropiane. Deri tani Departamenti i Etnologjisë ka dhënë mjaft kuadro të shkallës bachelor (BA), ndërsa nga fundi i këtij viti do të na gëzojnë masterët e parë të këtij Departamenti. Mendoj se shoqëria dhe institucionet tona do t’u japin hapësirë kuadrove të etnologjisë në mënyrë që t’i gëzojmë rezultatet e punës së tyre. Jam e vetëdijshme se kemi fare pak kuadro, por jam shumë e bindur se jemi afër që të kemi mjaft kuadro dhe ta plotësojmë mungesën e kahmotshme të profilit të etnologut. Prandaj, jam për ndërtim, dhe dëshiroj të besoj se edhe institucionet gjegjëse janë për ngritje të këtij kuadri dhe do ta mbështesin mbarëvajtjen e Departamentit të Etnologjisë të Universitetit të Prishtinës.

 

                                                                                   

Intervistoi

Flora Durmishi



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora