E shtune, 20.04.2024, 12:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Klajd Kapinova: Vuajtja, një udhëtim i ngadalshëm drejt varrezave...

E enjte, 23.10.2008, 06:55 PM


Klajd Kapinova
Vuajtja, një udhëtim i ngadalshëm drejt varrezave...
 
(Refleksione mbi librin "Rregjimi i hienave" të autorit Kolec Pikolinit)

Nga Klajd Kapinova, New York

-Shqiptaro-amerikani Kolec Pikolini rrëfen historinë e ikjes nga burgu-

Po sikur autori i librit “Rregjimi i hienave” Kolec Pikolini të ishte pushkatuar pas dënimit kapital dhënë në pretencën e gjyqit farsë, a do të binin në dorë të lexuesit kujtimet e gdhendur thellë në kujtesën e shkruesit!?
Familja e tij u përshkua nga keqtrajtimi. Vëllau Paloka u masakrua nën tingujt e këngëve dhe valleve partizane, që kishin ardhur si “triumfator” nga Jugu i Shqipërisë. Me një urretje të thellë për banorët e qytetit ata menjëherë vranë 8 martirë para Bashkisë së Shkodrës. Por dufi i tyre nuk soset me kaq. Fyerjet vijuan para turmës komuniste që gëzohej, këndonte e hedhte valle para kufomave... O Zot çfarë po ndodhte kështu!? Historia është një mësuese e mirë, por njerëzit që abuzojnë janë nxënës të këqinj.
E për fat të mirë autori mbijetoi, për të dëshmuar, fakte dhune të tërmetit komunist, që hienat i ngrinë buzëqeshjen në buzë...

Drejtësia është burimi i përbashkët i virtyteve

Nëpër faqet e librit të pranishëm “Rregjimi i hienave” kushdo e kupton se Pikolini, ka pasur parasysh Aristotelin e madh grek, i cili ka thënë: “E dua Platonin, por më shumë dua të vërtetën.”
Pse autori nuk i botoi kujtimet më 1990, kur Shqipëria e lodhur filloi të hapë dyert e shkatërruara? Pas bisedave me autorin, mësova, se ai kishte pëlqyer qetësinë e njerëzve, që ngjarjet e së kaluarës të mos i përjetojnë emocionalisht pa paragjykime.
Ai mendon që kujtimet të jenë pronë e bashkëvuajtësve. Ai përpiqet të japë një pasqyrë të zhvillimit të ngjarjeve 1938-1952, kur bën realitet planin e ikjes nga burgu. Vërtetë është një hark kohor i shkurtër, por ngjarjet që përfshihen në libër janë të ngjeshura me dramacitet.
Këtu nuk kemi të bëjmë me trillime artistike apo kompozicion vlerash narrative, por histori të përjetuara.
Në mbarështrimin e problematikës, ai përfill çdo ngjarje që i ka ndodhur nga përsonazhet publikë ose jo të qytetit. Duke kaluar episode të shpeshta, fare lehtë lexuesi mund të dallojë njerëzit të ndarë në dy anë të kundërta: antikomunistë e anasjelltas, të shoqëruara me fakte, dialogje origjinale për Shkodrën, qytet e katundet që iu desh të kalonte, me shteg e pashteg, duke pasur kokën në rrezik nga asgjësimi fizik, pasi ndiqej këmba-këmbës. Hapësirë e rëndësi në kujtime Pikolini i ka dhënë klerit katolik në Shkodër e Shqipëri në ruajtjen e qëndresës së popullit shqiptar gjatë historisë e në vitet e zeza të diktaturës.
Autori, sapo u arratis, me të mbërritur në Jugosllavi nisi të hedhë kujtimet në letër, duke krijuar kështu bllokun e shënimeve, një pjesë prej të cilave kujton ai nuk mundën të mbijetonin.
Ato janë përshkrime për njerëzit, që jeta i mundësoi të kishte kontakte në rrethana të ndryshme, fshatrave e fshatarëve, maleve e kodrave, shkurreve e anës lumenjve, që iu desht të kalonte çdo ditë për të shkuar drejt “tokës së premtuar” (Jugosllavi) që shpesh do ta zhgënjente.
Biografi tregon haptas për jetën e tij, ku, frika e ankthi ishin bashkëudhëtarë gjatë ecejakjeve, se mund të zbulohej nga Sigurimi. Dhe nëse ndodhte arrestimi, jeta e tij përfundonte përballë togës së zezë të ekzekutimit, që nuk e ndërronte "me mishin e dashit".
Pikolini bënte një jetë endacaku plot vuajtje. Shpesh iu desht që ditën të bënte gjumë letargjik i mbuluar vetë me mjetet rrethanore, për të mos rënë në dyshim e zbulim nga njerëzit përreth. Ai hapte strofën me këmesen e vogël që kishte me vete, dhe ngrysej pa futur asgjë në gojë.
Ai nisë të flasë për familjen, kur vendosën në Shkodër për herë të parë. Kujton me radhë fëmijërinë e lumtur, duke vlerësuar virtytet më të dobishme edukative të shkollës private. Me freski e përkujton vizitën e parë në Podgoricë, atmosferën festive që ndiente, këngën që kishin kënduar kushtuar trimit të bjeshkëve Dedë Gjo Lulit...
Nga leximi i pjesëve ngjarjet, marrin një drejtim real dhe zbardhën pas shumë viteve në libër. Autori risjellë situatën e qytetit pas ardhjes së italianëve: “Karabinieria e Kuestura ishin të rreptë. Policia e fshehtë u shihte rrallë. Unë ditën shkoja në shkollën profesionale dhe në mbrëmje punoja në kinema. Më vonë u bëra operator dhe aty u njoha pothuajse me të gjithë shkodranët që vinin në kinema, sepse ishte i vetmi dëfrim për qytetarin...”
Jo larg vëmendjes nuk ka mbetur në analizën e ngjarjeve politike botërore, ku përplaseshin dy rryma politike e ushtarake: boshti fashist Romë-Berlin-Tokio dhe forcat e rezistences antifashiste brenda e jashtë vendit.
Në familjen Pikolini mësojmë se kanë qenë strehuar dy familje çifute, duke sqaruar lexuesin e bashkëqytetarët me çdo detaj që ka domethënien e vet. Ebrejt, për t’i shpëtuar përndjekjeve nga gjermanët, kanë gjetur tek Pikolinët bujarinë shqiptare, besën, fisnikërinë e mikëpritjes shkodrane, deri sa çifutët vendosen që të largohen në një shtet tjetër. Autori shkruan: "Kaloi një kohë dhe u dha lajmi se dy civila e një ushtar gjerman janë gjetur të ekzekutuar diku jashtë qytetit. Gjermanët nuk dinin se në shtëpi ishin të strehuar dy familje çifute. Për këtë ishin në dijeni vetëm tregtari Tefë Pogu e familja Jani (komshiu)”.
Autori trajton vitin 1945:"... mortaja bolshevike e përcjellur prej një të ftohtit të fortë, filloi një ofensivë me qëllimin e nënshtrimit të maleve të Veriut të Atdheut të Lekëve, që Turku e sllavët asnjëherë nuk munden që t’i nënshtronin."
Kelmendi i Norës dhe Malësia bëhen personazh interesant në libër. Ata ndër shekuj kanë luftuar kundër pushtuesit turk, sllav dhe tani përballeshin me një armik tjetër, që mbante veshjet e armët angleze, por kishte gjuhë e gjak shqiptari.
U vranë me e pa gjyq, trimi i maleve, atdhetari i flaktë Prekë Cali, i cili u pre në besë nga komunistët. 14 vetë u pushkatuan në varrezat katolike të Rrmajit me "poetin e ëmbëlsisë" dom Ndre Zadejën.
Duke iu kthyer më për së afërmi librit, vërejmë se aty ka përpjekje nga autori, për të nxjerrë sa më mirë në dritë figurat e fyer nga diktatura.
Për herë të parë mësojnë një sekret të rëndësishëm të familjes Pikolini, ku, nëna e tij, në acar dimri tërheq mes dhembjes kufomen e të birit që ishte braktisur nga ekzekutorët dhe se njeriu roje që e ndiqte skenën ishte autori i kujtimeve.
Luftëtarët krijuan lidhje të ngushta, në Mirditë, Dukagjin, Pukë, Malësi e Lumë. Luftëtarët e lirisë "ishin në lëvizje me aksione të vazhdueshme", shkruan Pikolini.
Ai ndalet në elementët që i shërbyen me fanatizëm sistemit, duke i analizuar portretin e gjithsecilit, jo me fjalë të përgjithshme, por me veprime konkrete gjatë kohës që vuante në burg.
Natyrshëm jepet çasti i arrestimit... Torturat që në ditën e parë ishin të vështira e ushtroheshin rregullisht. Ai kujton gjyqet e zhvilluar pak kohë më parë ndaj qytetarëve të ndershëm të qytetit.
Në kinema "Rozafat", ku, kishte punuar, filluan seritë pambarim të gjyqeve farse. Autori shkruan: "...Seancat vazhduan me atmosferen e terrorit në sallë... Një rast kur salla ishte duke u zbrazur, në momentin e daljes at Gjon Shllaku, me zë të ulët na tha: “Kjofshi bekue se s’na keni lanë gojen me na u tha dhe na keni shërbye... Në shesh, grumbuj njerëzish, prindër dhe familjet e tyre donin t’i jepnin zemër të lidhurve dorë për dorë, të rrethuar me roje të shumta. Ata priteshin nga një turmë rrugaqësh, duke brohoritur e kënduar disa këngë “ala partizanshe”.
Këtu shfaqen të përjetuara torturat, të cilat autori është përpjekur t’i rishfaqë me korrektësi e detaje në kohën që vuante dënimin. Çdo akuzë ishte shtim i torturave që pa kursim rëndonin trupin e dobësuar. Krypa në gojë, lidhja e duarve, varja në çengela për shumë orë, grushtat e shqelmat, nuk e mposhtën. Ai nuk trathëtoi shokët e vet të idealeve antikomuniste. Edhe atëherë kur gjaku e pështyma i ishin trashur nga torturat dhe nuk kontrollonte vetën apo i sillnin dëshmitarë të rremë me plot provokime, asnjëherë nuk harroi se cilët kriminela kishte përballë dhe për inat të tyre mbijetoi. Në burgje ai ka qëndruar e biseduar me njerëz të ndryshëm, duke njohur nga afër karakterin, burrërinë, gjakëftohtësinë, besën, sinqeritetin, miqësinë e tyre.
Edhe pse priste që të pushkatohej (u rrëfy tek prifti), ka patur në mendje një ide fikse, që të largohej me çdo kusht burgut.
Ishte 21 gusht 1952, kur Koleci me bashkëvuajtësin Gjovalinin ishin përgatitur përmes një plani të detajuar të iknin prej burgut të ofiçinës...
Koleci me dy gra të familjes së tij, hynë në qytetin e Shkodrës i veshur me rrobat e gruas. E rëndë ishte situata në popull, pasi frika kishte depërtuar thellë mes banorëve të qytetit. Ai njeri, familje që kapet duke strehuar “diversantë” (luftëtarë lirie), të ikur nga burgjet denohej ose syrgjynosej me internime pambarim.
Ankthi, frika, ferrat, shkurret me plot rreziqe, të lehurat e qenjve, lëvizjet e ushtarëve të Sigurimit, vështirësuan rrugën drejt Mal të Zi. Humbja e Gjovalinit gjatë ndjekjeve (pritë), ritakimi, humbja përsëri, janë pjesë të dhimbshme.
A nuk ngjasojnë ngjarjet me ikjet e skllevërve në kohën e Spartakut, për të shpëtuar nga masakrimi i gladiatorëve të Romën?!
Libri “Regjimi i hienave” me autor Kolec Pikolinin, është botuar nën kujdesin e Shtëpisë Botuese “Camaj-Pipa”. Autori në Florida, po punon për të nxjerrë në dritë vëllimin e dytë.

klajdkapinova@yahoo.com



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora