E shtune, 28.01.2023, 08:18 PM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Ruhu nga Xhaxhiu

E premte, 01.05.2020, 09:30 AM


Ruhu nga Xhaxhiu

Nga Edison Ypi

E ashtuquajtura intervistë televizive që përsëritet pafund natë e ditë në të gjitha studiot televizive është katandisur për të qarë. Ka gjithçka. Pyetës, të pyetur, llomotitje, filmime, drita, ngjyra, dekore, sigla. Por mungon kryesori. Ai për të cilin televizioni ekziston. Ai pa të cilin televizioni vdes. Mungon shikuesi, ndjekësi, i interesuari. Mungon ai i cili sapo ja ka hedhur sytë spirrës verbale së quajtur "intervistë" ka ndërruar me vrap kanal. Ose, në mungesë të ndonjë kanali tjetër me kakë rrjedhëse më pak kutërbuese, preferon teknologjinë e para një shekulli, atë të fillimeve të Çaplinit, pra figurës i ka hequr zërin, televizorin e ka heshtur, dhe po merret me diçka shumë më të dobishme se televizioni, edukimin e gruas dhe kalamajve përmes rrahjes.

I vetmi që klishenë kriminale të televizionit mburracak e ka sfiduar, i vetmi që shtegun e daljes nga bataku labirintik i televizionit me të ftuar dhe pa publik e ka gjetur, është Xhaxhiu.

Je politikan, studjues, shkrimtar, poet, valltar, instrumentist, dhe Xhaxhiu të ka ftuar në studio për një intervistë.

Ruaju, bëj kujdes, ji vigjilent.

Xhaxhiu të punon qindin, Xhaxhiu të heq tabanin, Xhaxhiu ta luan tepelekun.

Xhaxhiu të bën diçka që Xherxhnski, Gëbelsi, Koçi Xoxja, ajka e ekspertëve hitlerianë gestapoistë të monitorimit dhe manipulimit të opinionit, SS-ët më të thekur të kampeve të çfarrosjes dhe krematoriumeve, të gjithë ministrat e propagandës të të gjitha diktaturave, përfshi ata kubanezë dhe koreano-veriore, bashkë me prokurorët, gjykatësit, hetuesit, operativët, të mbledhur të gjithë bashkë kokë më kokë nuk do ta bënin dot.

Pa të thënë asnjë fjalë, vetëm duke të parë në mënyrë psikanalitike në sy, Xhaxhiu t'i ka përcaktuar të gjitha; tepricën e uthit në stomak, qëndrueshmërinë e kockave, numurin e syzeve, sasinë e dyllin në vesh, përqindjen e kolesterolit, çrregullimet mendore, masën e budallallëkut, gradën e kalbëzimit të trurit. Fill pas kësaj Xhaxhiu kalon në fazën tjetër. Ta gjen dhe ta thotë çfarë cilësimesh të ekzaltojnë më tepër; "gjigand", "gjenial", "madhështor", "fenomenal", "legjendë", apo "korife". Edhepse gjithmonë e ke ditur çfarë kollosi je, hutohesh paksa nga njëri, disa, apo batareja e superlativave të mësipërme. Por e merr veten shpejt. Kupton se përderisa ato cilësime nuk po t'i bën dokushdo por Xhaxhiu dora vetë, ti ato atribute i ke, ata tituj i meriton. Shtylla kurrizore të dridhet, truri të nxehet, mishi të fërgëllon, gjaku të zjen, sytë të shkrepëtijnë, veshët të oshëtijnë, ke rënë në jerm, në delir, në trans, po provon një orgazëm pa penetrim që s'e kishe provuar kurrë më parë. Dhe nis e ndizesh e derdhesh e lagesh e bëhesh qull në një lumë të pandërprerë budallallëqesh që i sjell në studio si sjell lumi kërcunjtë nga malet. E ç'rëndësi ka se atypëraty ti s'kupton asgjë. E kujt i plasi se vetëm pas nja tre muajsh ti nis e dyshon se Xhaxhiu të talli.

Tallja pra tallja, tallja është ajo që praktikon Xhaxhiu që të ftuarit t'ja zbrazi barkun dhe zorrët t'ja bëjë kukurrec.

Tablonë madhështore me të ftuarin prezent që vazhdon të dërdëllisë duke mos kuptuar se Xhaxhiu po e tall, ndërkohë që publiku edhepse është larg talljen e Xhaxhiut e kupton dhe e aprovon të tërën dhe qesh, këtë mpleksje gjeniale të kohë-hapësirës i vetmi në botë që ka inteligjencën, imagjinatën, energjinë, aftësinë, talentin, guximin, ta ideojë dhe zbatojë është Xhaxhiu.

I talluri aty, tallja tek publiku, kjo ndarje e hatashme, kjo çvendosje e përbindëshme, ky delokalizim i talljes i realizuar prej Xhaxhiut me gjakftohtësinë e një vrasësi, vendosmërinë e një kasapi dhe precizionin e një kompjuteri, është një metodë paksa e egër. Por aspak për faj të Xhaxhiut. Për faj të budallenjve që bredhin studio më studio të cilëve Xhaxhiu u demaskon shejtanbudallallëkun për t'i dhënë rolin dhe rëndësinë e duhur publikut.

Përdorimi me nikoqirllëk i budallallëkut të kallaballëkut, pra i lëndës së parë që gjindet pa asnjë mundim në sasira të pafundme dhe me kosto zero sidomos ndër shqiptarë, në kushtet e pamundësisë për të zgjedhur ndonjërën nga rrugët e shumta të Zotit, e kombinuar kjo me kalimin për vetëm pak çaste nëpër një rrugicë të djallit, është një gjetje fantastike merita e së cilës i takon Xhaxhiut.

Ta pranosh ftesën e Xhaxhiut është të shkosh me këmbët e tua në thertore, në murin e pushkatimit, në gijotinë, pa urdhër arresti, pa vendim gjyqi, pa kapuç sipër kokës, pa xhelat, pa trung.

Ruhu nga Xhaxhiu.

Xhaxhiu të kafshon si fik, të qëron si mollë, të thyen si arrë, të shtrydh si limon.

Si ja ka arritur Xhaxhiu që talljen ta shndrrojë në mjet vdekjeprurës më efikas se përqafimi i ariut, puthja e ujkut, pickimi i gjarpërit, këtë askush nuk e di. Ndoshta ngaqë Xhaxhiu zotësinë për të tallur 1 budalla në funksion të ruajtjes së shëndetit psiqik të gjithë të tjerëve e ka ngritur në Art.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora