E shtune, 20.04.2024, 08:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Mëdyshjet

E premte, 01.05.2020, 01:31 PM


M Ë D Y SH J E T

Nga Mehmetali Rexhepi

Ishin ngazëlluese për Zefin kur shihte t`i kishin zënë vend rreshtat e ndjenjave të ti në ndonjë  kënd gazete a reviste. Ai ritëm rinor bulëzonte  për t`i çelur ngjyra ëndjes.... Cila sykaltër, syzezë ose sylarushe do t`ua hidhte sytë atyre rreshtave të zemrës gurgulluese? Athua do t`ua hedh fare shikimet ndonjëra sish dhe të identifikohej me vargjet? Kush mund të ishte ajo loçkë anonime? Çfarë emri do të kishte, si do të dukej?... Cilën aromë që nuk e ka maji do t`ia shtonte ajo? Kapërcimet mbi peshore sysh  dhe pasqyrash kishin peshën dhe dukjen më të shpeshtuar... A do të ishte i denjë për një zemër po aq të etur sikurse kjo e tija? Vlimet i mbante të fshehura, vaj halli për kumbimet e zemrës... Rinorja e Zefit i fshihte  ato ndrydhje  impulsesh, sikur të ishin tabu të shkruara, shpërfillja e të cilave e përjashtonte vetvetiu, e ndiqte nga rendi i faqebardhëve. Përmasa  e llavës së epshit do ta përulte, diku do t`i zbrazej në rastin e parë... Zbrazja e rastit të parë s`mund të ishte e përzgjedhur, mund të ishte e pistë dhe t`i shkruhej e zeza në ballë!

- Merre me mend si do të më shikonin fshatarët e mi?! -Shfaqte turpin drejtë të cilit mund të binte Zefi.

Atë llavë epshi që dendësohej dita-ditës fare lehtë e cyste për ta shpërthyer një xixë e vockël e fijes së kashtës, një gacë shikimi, një buzëqeshje enigmatike, një prekje e butë dore, një gjoks i fryrë ose tundja e dy flegrave vithesh rrumbullake të bel-hollës. Në vistrën e parakëve nuk ishin  zënë  në gojë faqezinjtë e nderit...

Zefin e kishte mpirë epshi përderisa netët e gjata të gjumit, ia shndërronin  epshin në qindra trajta  të joshjes... Derisa erupsioni tërhiqej    shtresime të ftohta, botës tij avulluese i fryu një vrushkull i ftohtë, si një lloj spërkatje akullnajore dhe, mbi termometrin e temperaturës i solli esëllti:

- O Zot frenoje me Dorën Tënde të Madhërishme këtë vërshim, këtë dramë të paautorizuar, se nuk e di ku do të më katranoset kjo fytyrë imja!?

Zefit, jo një herë, i kishin dëftuar bëma baritore, si ajo për filanin, se pikërisht ai filani ia paskësh marrë virgjërinë  pelës... Kënaqësia ishte përjetuar për secilin në mënyrën e vet: me pasthirrma dhe hingëllima!

* * *

Bastuni u bë këmba e tretë  e  Zefit.  Deri te gjetja e udhës  së esëllt ai kishte luhatjet  e tija të ndjenjave. Jo një herë zhytej në ndodhi bëmash  të forta  prej të cilave nuk shkëputej  lehtë. I kthjelluar kur i pushuan dhimbjet, u thellua në bëmën e incestit:

- Kënaqësia është e verbër- tha dhe priti t`ia tumirte dikush.

E thoshte sikur të ishte vetë aktori i kësaj verbërie... I verbërisë së zbrazjes  në një vrimë prej muskujsh dhe tuli...Tundi kokën dhe u kredh diku, dikur në shelgjishtet e livadheve të qytetit... Pas ëndrrave me motive cullake donte ta kishte  te shtrati Motin... Për një çast iu kujtua ndalesa dhe gjoba e qarkullimit jashtë orarit. Vijonin masa të shmangies nga fryma e lëngshme dhe tejet infektuese mes njerëzish afër burimit të virusit “Corona” Kishte marr qetësuesit e radhës. Ndonjë herë kur e përfillte veta e qasjes tjetër të ngjarjeve, gjësendeve, dukurive, i dilte për ballë si një korrektues i durueshëm, si qatip i fshirjes së shkarravinave për tjetër rishkrim të kohës...

Dukuria e incestit, që tashti nuk i shqitej  si trajtë etike, me gjymtyrë të shkalluara, me tela në zemër, e trembi plotësisht... Mos kishte pasur një ndodhi të tillë në lozën e vazhdës tij? Kush e di?... Ai assesi t`i largohej asaj mynxyre, sikur të ishte në hullinë e saj? Kjo iu kishte bërë jo temë, porse njëra nga krye-temat tej virusit zhbirues “Covid 19”!Tema përkatëse e brente pashpjegueshëm... Ai thuajse ishte njëjtësuar  me të! Dashnorja e dikurshme  i dilte herë motër, herë dashnore?! Disa herë ishte matur, por në kujtesë hynte e dilte gjithçka tjetër, kur i zhdavaritej mjegullnaja e kllapisë, mëtonte  t`i drejtohej vetës, arkivuesit dhe korrektuesit tij:

- Hë, si thua ti, Korrektues?

- A mos  je identifikuar edhe ti me gjëmën e incestit  të dikurshëm se ishim të rinj  dhe të verbër atëherë?!

Derisa  të mos  i avullohej mjegulla e kllapisë, Korrektuesi  nuk  e vendoste  dialogun  e mirëfilltë me Zefin.

* * *

Zefi  tërë jetën mbeti ithtar i çiltërisë.  Ditët e frymëmarrjes i numëronte  deri te çasti i frymë-dhënies. Copëza leximesh që nga antikiteti i riktheheshin  si fiksime, si pleksje me  të ndodhurat  e lashta dhe të sotme, ku domosdo  diku Ai e shihte vetën si njëri nga personazhet... Vetminë e porositur të tetëdhjetave ia solli gjëma e virusit djallëzor... Si duket dija dhe djallëzia janë pajtuar për gjëmën e heshtur, pa krisma armësh...

Atëbotë mëdyshje, tash mëdyshje për pastërtinë e lamtumirës...

Atëbotë i ishte vënë kushti qeveritar:

- Zef, ti largohesh që të  izolohesh nga ndikimi infektues i të rinjve me viruset e ideve tua!..

Gjilan, prill 2020



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora