E premte, 29.03.2024, 11:26 AM (GMT)

Kulturë

Sinan Gashi: Nexhmie Zaimi dhe romani i saj “Daughter of the Eagle’’

E merkure, 29.04.2020, 02:17 PM


NEXHMIE ZAIMI DHE ROMANI I SAJ

“DAUGHTER OF THE EAGLE”

Nga Sinan GASHI

Nexhmie Zaimi shkroi në anglisht romanin “Daughter of the Eagle: Autobiography of an Albanian Girl” (“Bija e shqipes: Autobio - grafia e një vajze shqiptare”), i botuar së pari në New York në vitin 1937, kurse nga interesimi i madh i lexuesve, ai ribotohet pas disa muajsh po të atij viti, ndërsa pati edhe një botim të tretë në vijim, përkatësisht më 1938, nga shtëpia botuese “Ives Washburn.INC”, ndërsa që shqip e përkthej Enida Rusi, botuar më 2007 nga “Plejad” në Tiranë.

Ajo është një autore që koherisht radhitet ndër krijuesit shqiptarë të viteve ’30. Edhe pse ky roman është shkruar e botuar në gjuhën angleze, dhe madje është mbështetur kryekreje në autobiografinë e autores, për çudi, ai ruan edhe në vijimësi vlerat estetike, madje edhe ato të aktualitetit të pasqyrimit të një rrugëtimi në transformim të shoqërisë shqiptare, të vonuar në hap me kohën, sa edhe bën një paraqitje të denjë, madje duke zgjuar interes të jashtëzakonshëm, për shqiptarët dhe jetën e tyre me ngjyrime të kushtëzuara orientale të jetës shoqërore dhe familjare.

Pasqyrim i një realiteti të hidhur brenda dymbëdhjetë kapitujsh

Kjo vepër është e ndarë në dymbëdhjetë kapituj, që njëkohësisht janë edhe me tituj që, në të vërtetë, lehtësojnë deri diku edhe paradijen se çfarë do të ndodhë brenda tyre, duke qenë se ruajtja e vazhdimësisë së rrëfimit është aty-aty, dhe pasqyrimi rrëfimtar është më tensionin emocional të njëjtë.

Nexhmie Zaimi me familjarët e saj dhe me ata që i behën pjesë gjatë rrugëtimit të saj në atë copë jetë, sa ishte në Shqipëri, janë në fakt personazhet e romanit, nga të cilët ajo nuk ka vështirësi që t’i përshkruaj me fantazinë e një krijueseje, ngase ata janë të pranishëm, realë dhe veprojnë konkretisht brenda jetës së saj.

Ajo çka është e ndryshme nga realiteti i asaj jetë – autorja ‘seleksionon’ materien e mjaftueshme, duke  synuar ta ruaj nervin dedikues, e cila, në mos edhe vetëm më një reflektim akti, dëshmon mjaft për ato që ndodhin. Ose për atë formë jete, e cila së fundi, është e destinuar që të shkapërderdhet, të zbehet deri në zhdukje, duke ia lëshuar vendin frymëmarrjes së re, ani pse me plot ngrysje manifestohet ky ndryshim dialektik i ecjen përpara, në kahe të civilizimit njerëzor.

Pasqyrimi i jetës rurale e pastaj edhe asaj urbane, me specifikat e tyre, janë mënyra përjetimi dhe reflektimi të një shpirti të njomë, e cila për asnjë çast nuk është në gjendje që t’i dorëzohet atyre formave bajate, tepër formale dhe të vrazhda të një primitivizmi oriental familjar, për çka edhe problemet që ndodhin, dhe madje reflektojnë në rrethin familjar, ngjasojnë me skandalozitet, e cila formë kërkon sakrifica të mëdha për të manifestuar synimin e ndryshimit.

Ngase autorja, pas atij ngadhënjimi, që manifestohet vetëm në ikjen në ndërrim të ambientit jetësor, nga largësia mund t’i sheh edhe më mirë dhe, madje herë-herë edhe me mallëngjim, atë jetë të rinisë së saj të brishtë. Mu për këtë, jo vetëm që nuk i ngurron, por edhe e përshkruan qartas, që nga Amerika e largët, biografinë emocionale të një kohe të lënë pas, në kohë edhe në hapësirë.

“Dhe unë sërish i ndërpreva mendimet e saj të trazuara me dërdëllisjen time.

‘Mana, harrove ta largosh Hanon sot. Do të qëndrojë në shtëpi ajo kur të vij Gani Efendiu?’

‘Lipsu tutje; m’u hiq sysh, Nexhmie’, tha nëna e nxehur.

‘Por, Mana, nuk mund ta shoh unë kunatin tim kur të vijë?’

‘Jo, është turp që vajzat të jenë të pranishme, kur vijnë miq burra. Dhe ti e di këtë. Tash ik, Nexhmo, dhe qëndro tutje.”

Pos zakoneve, autorja paraqet edhe klasat shoqërore: babain e saj  që kishte një pasuri të dukshme për kohën, sa për të bërë jetë të lumtur, ngase “Midis gjashtë zyrtarëve të zgjedhur nga qeveria e Shqiptare për të drejtuar industrinë e kripës, në atë kohë e zotëruar nga vendi im, ishte edhe im atë, Mustafa Zaimi nga Libohova.”

Në vijimësinë e rrëfimit realist të një jetë, Zaimi sa përshkruan mënyrën e jetës së brendshme familjare, aq edhe ndonjë insert nga ajo e jashtmja, e përjetimeve të saj me mocanikët, sa i duken fillimisht interesante, ngase ishin  njohuri të para e një të reje për kodet patriarkale të fejesave, martesave, veshjeve, sjelljeve në suaza të caktuara, respektit të domosdoshmërisë, shpesh sa për të thënë, e edhe deri te ndryshimet fshat-qytet, që ishin në distanca diametralisht të kundërta, ngase atje hetohej filli i një risie  në manifestimet njerëzore, që në të vërtetë ishin paralajmërimet e një civilizimi modern që kishte tendencë në rritje. Nexhmia e letërsisë dhe e jetës njëkohësisht, i sheh, i ndien, i prek që të dy format e jetës, të cilat vetëm sa e forcojnë bindjen e saj për ndryshim, edhe me kokëfortësinë që s’i shkonte trupit të saj të ndjeshëm femëror, por që nuk dinte mënyrë tjetër për thyerje të atyre kodeve të vrazhdëta.

Përmendja e fakteve historike – bindje dhe dëshirë paraqitjeje

Në raste në roman ajo ndërthur fragmente që në të vërtetë janë veç histori kombëtare, me data e fakte, të cilat zihen në gojë të dikujt ose në kujtesë, që autorja i përmend më një dëshirë. Kjo ose vërtet është vetëm një ikje e çasteve nga monotonia përshkruese, edhe përjetuese, e një jete të tillë ose, duke qenë se romani prezantohej para një populli tjetër, me gjithçka të ndryshme nga atdheu i saj i largët tashti, sikur ka dëshirë të jep shkëndija se kush është ajo, fati i kombit të saj, dhe gjithë vonesat-pengesat e pranishme të lirisë së të tjerëve, nisur nga individualja.

“Pas luftërave të vazhdueshme dhe gjakderdhjes dhe katër qind e pesëdhjetë vjetësh mjerimi nën Sulltanët Turq, Shqipëria ishte çliruar nga Turqia në 1912. Por nuk kishte kaluar as pesë vjet nga e ashtuquajtura paqe, kur një tjetër komb i fuqishëm, këtë herë fqinj, po përpiqej të bënte për vete tokën tonë. Sapo kishte përfunduar Lufta e Parë Botërore kur Italia filloi të nisë për në Shqipëri gjithnjë e më shumë familje, ushtarë dhe zyrtarë të arsimuar, ‘skllevër’ dhe inxhinierë.”

Ose, pasi përshkruan fragmente luftërash, të cilat i kishte regjistruar të freskëta truri i fëmijës, sërish dalin konstatime që kanë bazë të faturës historike, “Sepse Shqiptarët kanë qenë popull luftëtar që në kohën kur fiset e para të Arianëve u shtynë drejtë Evropës në kërkim të një strehe. Ata i ndërtuan shtëpitë përgjatë brigjeve të Adriatikut, duke ndërtuar në majat e maleve dhe mbi shkëmbinjtë e thatë, ku nuk rritej gjë tjetër përveç shpresës. Nga shqiponja madhështore, e cila ende e bën folenë e saj atje në majat më të larta, për të mbrojtur të vegjlit, këta njerëz primitivë e quajtën veten ‘Shqipëtarë’ – ‘Bij të Shqiponjes’ dhe shkëmbinjtë e tyre ‘Shqipëri ose Tokë e Shqipes.”

Edhe pse këto janë veçse çaste kur ndërlidhet diçka me ato konstatime, sepse lumi i ngjarjes ecën tutje, tek fatet e familjarëve të saj, përmes së cilëve del sheshazi i gjithë ndërtimi intim e social i një shoqërie shqiptare e viteve’30, ato hepojnë duke u bërë kushti një ndërprerje të lezetshme, që manifestohet me një thyerje të njëtrajtshmërisë rrëfimore, e cila edhe kur pasqyrohet përmes  dialogeve, të nxjerr te i njëjti përfundim.

Autorja, cila është ajo?

Edhe pse autorja e romanit nuk fsheh nga jeta dhe përjetimet e saj dhe të farefisit asgjë për të kohë sa e përthekon romani, sërish duhet thënë diçka më zyrtarisht për të.

Nexhmie Zaimi (1914-2004) është nga Libohova, ku e kishte kaluar fëmijërinë, ndërsa rininë edhe në Tiranë. Vazhdimisht kishte kundërshtuar dhe s’i kishte pranuar mënyrat e jetës patriarkale-orientale. Pasi kishte kryer shkollimin e mesëm, pas një proteste familjare, kishte migruar në SHBA, më 1937. Atje kishte mbaruar studimet në “Wellsley College” dhe “Columbia University”, duke u bërë pastaj gazetare e “Zërit të Amerikës”, CNN-nit, “Evropës së Lirë”, madje duke u lartësuar në ”Office of Strategic Services”. Me mundësitë e saja kishte ndihmuar komunitetin shqiptar në New York dhe New Yersi. Pas Luftës së Dytë Botërore shkoi në Itali, ku kishte punuar aktivisht me refugjatë, ku i kishte ndihmuar mjaft edhe shqiptarët e migruar atje Për disa kohë kishte qëndruar në Kalabri, ku kishte studiuar dialektin dhe historinë e tyre. Për punën e saj me përkushtim ishte nderuar me shumë çmime, si “Ameican Legion”, ”Comandatoressa della Coronna d’Italia” si dhe “Medaljen e mirënjohjes” nga presidenti amerikan Franklin D. Roosevelt.

Jetën e mbylli në Santa Barbara, SHBA.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora