E premte, 29.03.2024, 07:14 AM (GMT)

Intervista » Entela

Entela Binjaku: Intervistë me akademikun Kopi Kyçyku

E diele, 26.04.2020, 12:58 PM


Intervistë me akademikun Kopi Kyçyku

Nga Entela Binjaku

Me Shqipërinë dhe me Rumaninë  në zemër, me një potencial të admirueshëm energjie, dijeje dhe force mendimi, i apasionuar sidomos pas gjuhëve, pas letërsisë, folklorit, gjeologjisë, muzikës, akademiku Kopi Kyçyku është ndër njerëzit që mezi ç’pret ta dëgjosh.

Mundësia për ta intervistuar këto ditë ishte një dhuratë në një kohë të vështirë, si një kujtesë për referencat e tua në jetë, një udhërrëfyes në një kaos drejtimesh.

Përveç përvojës së drejtëpërdrejtë në aktivitete ku binte në sy puna e tij e palodhur, jetëshkrimi i pasur profesional ishte dhe shtysa kryesore për këtë “takim” virtual.

Kopi Kyçyku është nderuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare për veprimtarinë shkencore-didaktike dhe për përkthime. Ai është pjesëmarrës në shumë kongrese dhe simpoziume shkencore, të organizuara në shumë vende të botës dhe ka dhënë mësim, si profesor i ftuar, në universitete të Evropës, Azisë dhe Afrikës etj.

Është autori i një numri të madh monografish ndër të cilat përmendim: “Mustafa Qemal Ataturku”, „Turqia e Pasluftës (1945-1985)”, „Kryengritja e armatosur e Ilindenit, Maqedoni (1903) „Marrëdhëniet shqiptaro-rumune gjatë shekujve”, „Arumunët e Shqipërisë në kontekst ballkanik”, “Arumunët në optikën shqiptaro-rumune”, “Historia e Shqipërisë”, „Pater - Emil Conduraqi”, „Historia e Maqedonisë”, „Ataturkizmi dhe Turqia e Mijëvjetshit të Tretë”, “Dy Evropa - një divorc intelektual?” (bashkautor Razvan Theodoresku)etj.

Ndër të tjera akademiku Kopi Kyçyku është:  Laureat i Medaljes “Mihai Eminesku”, akorduar me Dekretin e Presidentit të Republikës së Moldavisë (2012), anëtar themelues i Fondacionit Evropian “Nikolae Titulesku”, anëtar themelues dhe anëtar i Komitetit Drejtues Ndërkombëtar i Qëndrës Evropiane të Studimeve Ndëretnike dhe të Komunikimit pranë Akademisë Rumune, anëtar themelues i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës Qëndrore, anëtar titullar i Akademisë Evropiane të Arteve (Belgjikë), anëtar i Shoqatës së Ballkanistikës dhe të Sllavistikës, anëtar titullar dhe anëtar nderi i shumë akademive dhe forumeve shkencore ndërkombëtare, etj.

Ndiqeni në vijim intervistën me akademikun  Kopi Kyçykun.

Bukureshti, cili është vendi që zë ky qytet në jetën tuaj?

Kopi Kyçyku: Në zemër. Pranë Pogradecit e Tiranës.

Si e ndani kohën mes Shqipërisë dhe Rumanisë, çfarë ju mungon më shumë nga Shqipëria kur jeni në Rumani?

Kopi Kyçyku: Afërsisht përgjysëm. Kur jam në Rumani, më mungon Shqipëria. Kur jam në Shqipëri, më mungon Rumania.

Mund të na flisni pak për familjen tuaj? Ardiani, djali juaj, shkrimtar i njohur dhe ai akademik, zgjedhur rektor i një universiteti në Bukuresht. Si ju bën të ndjeheni ky fakt? Çfarë cilësisht do të veçonit tek fëmijët tuaj?

Kopi Kyçyku: Familja ime, përveç meje, ka në përbërje Marthën (bashkëshorten) dhe dy djem, Ardianin e Gentianin. Ardiani është, siç e thatë, shkrimtar dygjuhësh, akademik e rektor universiteti në Bukuresht. Gentiani - jurist. Të dy janë korrektë e të matur. Në jetë nuk më kanë shkaktuar asnjë telash, sado të vogël.

Ju keni një raport shumë të mirë me gjuhët e huaja. Si ia keni arritur t´i mësoni dhe kur ka filluar të shfaqet kjo aftësi tek ju?

Kopi Kyçyku: Falë kujtesës që nuk më ka tradhtuar asnjëherë deri tani, kam mësuar disa gjuhë të huaja. Fillimisht iu futa italishtes, qysh kur isha 12 vjeç. Rusishten e mësova në shkollë, ndërsa gjuhët e tjera në mënyrë autodidakte.

Ju jeni anëtar i Shoqatës së Përgjithshme të Inxhinierëve të Rumanisë (AGIR), mbani Urdhërin e Kavalierit të Shën Silvestrit, jeni prej më shumë se dy dekadash Akademik Nderi në Indi, zëvendëspresident i Kongresit të Botës Shpirtërore Rumune. Çfarë kuptimi kanë këto angazhime për ju?

Kopi Kyçyku: Janë si puna e llotarisë, pra duhet të kesh fat që të të bjerë numuri fitues. Thënë ndryshe, këto ndere, - që përpiqem t'i meritoj me punë e përkushtim, - mund t’u bëheshin edhe të tjerëve. Megjithatë është "llotari" që nuk mund ta heqë kushdo, por vetëm ata që e meritojnë. Ndër ta, me sa duket, jam edhe unë.

Cili është aktiviteti sot i revistës "Haemus”, bashkëthemelues i së cilës ju jeni?

Kopi Kyçyku: Revista “Haemus”, e themeluar nga Ardiani dhe unë, qysh nga 28 nëntori 1998, del në shqip e rumanisht, mesatarisht me 200 faqe çdo tre muaj. Ka edhe raste kur periodiciteti nuk respektohet për shkaqe kryekëput financiare. Në mijëra faqe që numuron deri tani, ka zhvilluar pa ndërprerje një veprimtari të gjerë e të gjithanshme për të bërë të njohura kulturën mbarëshqiptare dhe atë rumune, por edhe të popujve të tjerë. “Haemus”-i, që nuk “ngatërrohet” në politikë, njihet nga Bashkimi Evropian dhe ka një rrjet bashkëpunëtorësh të nivelit të lartë në të gjitha fushat.

Çfarë mendimi keni për arumunët e Shqipërisë? Cili është roli i kësaj pakice kombëtare në vendin tonë? Në cilën fazë ndodhen ata sot?

Kopi Kyçyku: Arumunët, trima e të mënçur, në Shqipëri, ashtu si kudo gjetiu, janë element stabiliteti, mirëkuptimi dhe mbartës të progresit të gjithanshëm. Qysh më 1991, në një letrër drejtuar Presidentit dhe ministrit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, kam kërkuar që, ashtu si pakicës greke, t’u jepej edhe arumunëve statusi i pakicës kombëtare, jo thjesht gjuhësore apo kulturore, pra edhe e drejta e përfaqësimit në Parlamentin e vendit tonë. Qysh nga viti 1998 e këtej, për arumunët kam shkruar disa libra, në shqip e në rumanisht.

Cili është sipas jush roli i komunitetit shqiptar në Bukuresht? Pse në Shqipëri dihet më pak për shqiptarët që jetojnë në zona të tjera të Rumanisë?

Kopi Kyçyku: Dikur Kolonia e Bukureshtit ishte më e fuqishmja dhe më e ngritura kulturalisht ndër simotrat e saj në Turqi, Bullgari, Egjipt, SHBA etj. Megjithëse tradicionalisht, pra edhe sot, gëzon përkrahjen e fuqishme të shtetit dhe simpatinë e popullit rumun, gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë, vetëm 520 vetë janë deklaruar shqiptarë, nga të cilët pjesa më e madhe janë “shurdhmemecë”, pra as flasin e as marrin vesh shqip, përfshi drejtuesit e organizatave anemike që kanë pasuar njëra-tjetrën nën emërtime të ndryshme dhe kanë folur në emër të etnisë shqiptare. Kjo është, mjerisht, gjendja e vërtetë, sado që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen përpjekje të dëshpëruara për ta ngjyer me llojlloj bojrash. Fatmirësisht, në Rumani tashmë ekziston një bashkësi shqiptare e të rinjve që ndjekin studimet ose punojnë këtu dhe që po përtëritin e po çojnë më tej vlerat e Kolonisë së dikurshme.

Cilat janë pasionet tuaja?

Kopi Kyçyku: Gjuhët (në krye shqipja!), letërsia, folklori, gjeologjia, muzika.

Nëse mes lexuesve tanë do të jenë edhe të rinj, çfarë mesazhi do të kishit për ta?

Kopi Kyçyku: Pavarësisht nga mosha, - të rinj apo të moshuar, - të jenë të zellshëm e të ndershëm, ta duan atmëmëdheun kudo që të ndodhen, të jenë krenarë që i përkasin e t’i gjenden pa ngurrim sa herë të ndjehet nevoja për ta dhe për familjet e tyre.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora