E premte, 29.03.2024, 02:35 AM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Lutje të ftuarit në studio

E diele, 26.04.2020, 11:33 AM


Lutje të ftuarit në studio

Nga Edison Ypi

O i ftuari në studio. Hiç mos e vrit mendjen. Edhe kurgjë të mos dish, edhe kurrkushi të jesh, përderisa dikujt i vajti mendja të ftojë në studio, ti të gjitha i di, për gjithçka mundesh, hatanë mund të bësh, patjetër duhet të shkosh.

Ama disa gjëra duhet ti kesh parasysh.

Së pari se televizioni nuk është i yti. As i atij me të cilin do kuvëndosh. Madje as i pronarit. Televizioni është i publikut.

Gjatë menderbisedës, edhepse je tyç, që të dukesh sa më interesant, sa më i ditur, hidhu degë më degë, hallakate sa më tepër muhabetin.

Duart tregoji në atë mënyrë dhe mbaji në atë pozicion që gjindja që ti ka ngulur sytë dhe po të ndjek të sigurohet se duart nuk i ke të pa lara, nuk i ke të përgjakura, nuk po krruan me to ndonjërën nga vrimat, nuk i ke zgjatur diku për të vjedhur diçka.

Mos thuaj kurrë “Kjo pyetje më pëlqen”, “Kjo pyetje s’më pëlqen”, “Kjo është pyetje e mirë” etj. etj. Pyetja nuk është e jotja. Pyetja është e tjetrit tyç, atij që po të pyet, e Tul Tangulit. Tanguli mban vet përgjegjësi për pyetjen. Përgjigja është e jotja. Për përgjigjen kujdesu. Ama nëse pyetjen nuk do ta bëjë Tul Tanguli por Tub Taplasi, mendohu pak para se të përgjigjesh. Por pyetjen mos ja paragjyko. Se derrat e divanit që po të ndjekin duke gromësitur, kaq gjë e dinë, këto gjëra i kapin. Sado të thuash ti; “Hë mo se televizioni është sipërfaqsor, përtyp e flak si çumçakizi është”, gromësimtarëve nuk ua hedh dot. Janë të paisur nga Zoti me ca ndjeshmëri të pagabueshme.

Kurrë mos nis të përgjigjesh duke thënë; “Së pari do desha të….”. Së pari e së treti e së pesti shko shiti tjetërkund. Tanguli, Taplasi, Tafuti, Taqiti, apo të tjerë nuk mund të jenë më tepër të interesuar për broçkullat e tua se për përdredhjet e veta.

Për ndonjë gjë që nuk e di, thuaj nuk e di, se s’bëhet qameti.

Në fund të fundit të squtët e dinë sa budallej janë tuhafët, budallenjtë e dinë sa bosh janë të squtët. Po fole edhe për ato që nuk i di, i ke të mbyllura shtigjet e lavdisë të cilën aq shumë e do e aq tepër lodhesh.

Mos mbaj letra përpara demek sikur ke ardhur i paisur, i armatosur. Po mbajte letra përpara, teleshikuesi do të harrojë ty, do ua mbërthejë sytë letrave të tua, do i turbullohet mendja se mund ti duken letra dashurie, apo dhe më keq, letra anonime.

Mund të ndodhi që në ndonjë moment të ndjehesh ngushtë, të mos dish nga t’ja mbash. Bëj kujdes. Ata të divanit mbajnë gjithë kohën në dorë një bombë që quhet telekomandë. Po të ngecësh, ikin, të harrojnë, ndërrojnë kanal.

Po deshe të më futësh në dhe’ të gjallë thuaj, “Për mendimin tim” dhe “Të them të drejtën”. Se po the këto, del sikur deri në atë moment për ty ka folur një tjetër, dhe ti deri në atë çast ke gënjyer.

Sakën se thua “Faleminderit” në fund të bisedës. Kurrë dhe askujt. As Tafutit, as Taqitit, dhe askujt tjetër nga korifejtë e banakëve. Po falenderove, do ta bësh lesh arapi. Falendero njëri, falendero tjetri, askush nuk marri vesh cili ishte nderi, kush dhe kujt ja bëri, ç'kuptim pati pjerdhja mediatike që sapo ndodhi, pse qe e nevojshme shurra komunikative që sapo rrodhi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora