Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Kriza e njeriut me identitet të humbur

| E shtune, 25.04.2020, 12:22 PM |


Ndue Ukaj:

Kriza e njeriut me identitet të humbur shkakton çarje e çaraveshje të madhe shpirtërore. Ja çka shkruan shkrimtari Erich Maria Remarque për sojin e këtij njeriu: "Kur është i tredhur, njeriu nuk i takon më asnjë kombi. Ai bëhet kozmopolit".

Kjo historia jonë e mohimit lidhet me çekuilibrat identitar dhe relativizmin e kollajtë të gjithçkasë. Njeriu bëhet mohues i historisë, figurave themelore kulturore e identitare, përqurret pas çdo letre ku fabrikohen gjysmë të vërteta, flet për të gjitha temat e mundshme, me retorikë të egër dhe boshe, duke konstruktuar argumente ideologjike...

Prandaj, e kam thënë dhe vazhdoj të mendoj se kriza e jonë më serioze, nuk është e natyrës politike, por para së gjithash është identitare. Kjo krizë i shkakton edhe krizat politike, mosbesimin, mosdurimin, manitë, pazotësinë për t' u bashkuar rreth të mirës së përbashkët.

Kjo krizë e ka molepsë dhe e ka ligështuar moralisht njeriun tonë, e ka zvetënuar dhe ka tkurrë besimin e tij, aftësitë për të gjykuar drejt dhe për të dashur vetveten përpara se t' i dojë të tjerët.

Po, kriza jonë, i ngjan krizës së njeriut me identitet të humbur, që e tundin edhe stuhitë ma të lehta. Ai zgjohet si nacionalist, paraqitet modern e perëndimor, ditën e bën si kozmopolit, natën si oriental...

Ky soj njeriu lehtësisht përbuz dhe mohon Kastriotin, shpërfill kulturën autoktone, vuajtjet e shqiptarëve nën sundimin osman, justifikon sundimin barbar, shpreh dashuri për armiqtë e dikurshëm. Dhe pastaj, rrëfimi bashkëkohor nënkuptohet: SHBA- të janë si Perandoria Osmane...e gjepura të tilla.