E marte, 19.03.2024, 07:45 AM (GMT)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Dita e Librit

E enjte, 23.04.2020, 02:02 PM


Dita e Librit

Nga Ndue Ukaj

Në këto ditë izolimi, libri mund të çajë muret që na rrethojnë, frikën që na mbërthen, pasigurinë që na trazon. Ndaj, të mbështjellmi me shenjtërinë e librit dhe të ushqehemi nga shujta e begatshme e tij, sepse kjo shujtë mund të bëjë jetën më të bukur, dhe njëherësh, lexuesit mund t' i edukojë që t’i përballojnë më lehtë tërmetet shpirtërore.

Këto ditë karantine, bota është mbyllë e trishtuar dhe trembet nga një virus i padukshëm që njerëzimin e ka mërzitë pafund. Dhe të gjithë dukemi sikur në një anije që lundron në dallgë të rrezikshme. Ka rrëmujë informacionesh dhe dezinformacionesh dhe pak kush mund të gjejë prehje, për shkak të pyetjeve dhe të pikëpyetje të shumta, për shkak të virusit dhe të pasojave që do t’i sjellë ai njerëzimit, rendit të ri global, ekonomisë dhe më e rëndësishmja, vetë lirisë si koncept ekzistencial njerëzor.

Por është një botë e madhe, paralele, që përherë na thërret dhe na ofron mundësi të reja, për t’i thyer muret e izolimit. Dhe kjo është bota magjike e librit letrar. Sepse, siç thoshte Franc Kafka i madh, "një libër duhet të jetë sëpata për detin e ngrirë brenda nesh."

Ky det i ngrirë i izolimit, frikës, dhimbjes, mund të thyet përmes udhëtimeve imagjinare në botën e madhe të librit letrar, ku të vërtetat janë të amshueshme, sepse janë të lidhura me ato temat esenciale dhe ekzistenciale të njerëzimit.

Të dërmuar nga mbyllja, frika, mërzia, në librat e letërsisë mund ta kuptojmë ç’ rëndësie ka liria, ajo liria e njëmend, të cilën, askund s’mund ta gjejmë më mirë se në libra të mirë dhe të bukur. Librat e mirë dhe të bukur, kanë fuqi t’iu japin lexuesve krah, të ëndërrojnë, të kënaqen, të gjykojnë, të vlerësojnë...

Po, libri i mirë letrar, lexuesin e mbërthen nën “kthetrat” e ëmbla të bukurisë së gjuhës dhe të imagjinatës, ku ai mahnitet, dehet, gëzohet, vuan, udhëton nëpër kohë e hapësirë, qytete e vende, ballafaqohet me doke e zakone, tiranë të egër e dashuri përvëluese për jetën dhe lirinë.

Ndaj, me të drejtë, Hermann Hesse thoshte se librat janë shpikja ma e vlefshme e njeriut, kurse një erudit i madh si H. L. Borgesi fliste për lumturinë e librit, për parajsën si një bibliotekë, ku jetojnë shpirtrat e shenjtë dhe veprat e tyre madhështore.

Sot - është Dita e Librit. Është ditë kur duhet t’i kujtojmë me pietet dhe falënderime, të gjitha ata shkrimtarë që shkruan vepra të mëdha estetike dhe na ushqyen mendjen e shpirtin me rrëfime madhështore.

Ekziston një republikë letrare, që shtrihet përtej caqeve, kufijve dhe rrethanave politike. Ajo çan muret e izolimit dhe të pushteteve politike. Ajo republikë është e përhershme dhe e shtrinë pushtetin mbi krejt njerëzimin. Mbi gjitha fuqitë. Sepse, ajo republikë është e lidhur me amshueshmërinë e fjalës.

Prandaj sot dhe çdo ditë, duhet t'i falënderojmë pjesëtarët e përhershëm të kësaj republike magjike. Kolosët e mëdhenj, nga Homeri, Virgjili, Alighieri, Shakespeare, Goethe, Dostoevsky, Tolstoy, Kafka, Marquezi, Borgesi, Hemingway, Baudelair, Neruda, Szymborksa, Sabato, Tranströmeri, Kundera, Kadare, dhe plot emra të tjerë...

Po ashtu, në këtë ditë të veçantë të shenjtërisë së librit, duhet të kujtojmë librin e shkruar në gjuhën e bukur shqipe. Gjon Buzukun, themeluesin e kulturës dhe shkrimit shqip. Njeriun që shkroi për dashni ndaj popullit dhe gjuhës. Pastaj çetën e madhe të profetëve letrarë shqiptarë, Bogdanin, De Rada, Frashërin, Mjedën, Fishtën, Konicën, Kutelin, Koliqin, Camajn, Reshpjen, Shkrelin, Pashkun, Kadarenë, Rugovën dhe të gjithë dishepujt e gjallë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora