E enjte, 28.03.2024, 12:28 PM (GMT)

Mendime

Ibrahim Kabili: Pas qeverisë Kurti, ditë të rënda për Kosovën

E merkure, 22.04.2020, 06:06 PM


Pas qeverisë Kurti, ditë të rënda për Kosovën

Nga Ibrahim Kabili

Mesa duket plani i Serbisë për ndarjen e Kosovës po funksionon sipas skenarit të mëparshëm. Pas rënjes së qeverisë Haradinaj dhe së fundmi dhe të asaj Kurti, pothuajse nuk ka më pengesa për ndalimin e kësaj gjëme që po i kurdiset dhe inskenohet Kosovës. Kjo është e trishtueshme! Kjo të bën të mendosh se filozofia e nënshtrimit dhe servilizmi politik nga "elita" politike kosovare ka patur rrënjë të thella. Ndërkohë që UÇK-ja vazhdonte luftën dhe komandantët ushtarak Haradinaj, Limaj, Veseli etj. ishin në llogoret e saj, kishte dhe politikanë  pacifistë që takoheshin me Millosheviçin. Edhe gjatë luftës së UÇK-së në Kosovë ka patur qasje të ndryshme. Shumica e mbështeti luftën por një pjesë tjetër e aftë për luftë, ju shmang asaj. Nga këto të fundit kam takuar plot në Tiranë! Unë në ato vite krijova një përceptim e ndjesi shumë të keqe për ato burra e djem të rij që silleshin vërdallë dhe nuk shkonin në front, tek forcat e armatosura të UÇK-së. Nga ana tjetër kam admiruar luftën e UÇK-se dhe luftëtarët e saj që luftuan për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Kam ndjer dhimbje në shpirt dhe trishtim të jashtëzakonshëm për qindra mijra gra, vajza, fëmijë, pleq dhe plaka kosovare që u zhvendosën nga gjenocidi dhe dhuna serbe në Shqipëri e gjetkë. Këto u pritën, u strehuan dhe u ndihmuan nga shqiptarët dhe jo vetëm. Ndjeja dhimbje deri në palcë për viktimat civile të shkaktuara nga ushtria dhe forcat paramilitare serbe  të Millosheviçit dhe bashkëpunëtorëve të tij Vuçiçi e Daçiçi. Dhimbje për vrasjet dhe varret masive. Dhimbje për masakrat e shkaktuara. Dhimbje për përdhunimet serbe në Kosovë. Dhimbje dhe solidaritet sot, për Vesmije Krasniqin dhe shoqet që kanë pasur fatin e dhimbshëm të saj. Dhimbje për mijra e mijra të arrestuar, keqtrajtuar, burgosur, internuar, masakruar nga regjimi barbar serb. Dhimbje për më shumë se 12.5 mijë viktima nga lufta e vitit 1998-99. Dhimbjet për shumë masakra të tjera... Dhimbje të tilla nuk mund të harrohen kurrë nga kombi shqiptar. Liria arrihet me gjak. Me ndërhyrjen e NATO-s, mbështetjen e SHBA-së dhe vendeve më të fuqishme të BE-së Kosova u çlirua. Kjo qe arritja më e madhe e shqiptarëve pas Shpalljes së Pavarësisë.

U organizua Rambujeja, Deltoni dhe u bënë shumë takime të tjera. Kosova bëri lëshim pas lëshimi vetëm që të arrihet pajtimi. Mirë bëri, por kundërshtari si gjithnjë dinak dhe i pa besë asgjë nuk nënshkroi! Me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve dhe veçanërisht BE-së u arritën disa marrveshje, që në këndvështrimin tim, shumica në disfavor të Kosovës. Pa pritur e pa kujtuar u kalua nga bisedimet të ashtuquajtura"teknike" në ato politike! Marrveshjet e ndërmjetësuara nga Mogherini në shumicën prej tyre qenë në disfavor të Kosovës! Menduam se diçka do "ndryshoj" pas saj. Por jo. Vjen Grenell dhe ky ndërmjetësonon dy marrveshje ekonomoke si; linja ajrore Prishtinë-Beograd dhe marrveshja për linjën hekurudhore Kosovë-Serbi. Mirë kjo në bashkëpunimin ekonomik. Lind pyetja a ndikojnë këto në arritjen e marrveshjes politike? Besoj, jo. Po përse? Sepse këto linja kanë qenë që në kohën e ish Jugosllavisë. Serbia dhe tani Kosovën e konsideron pjesë të saj! Kjo është absurde! Serbia ende nuk don ta kuptoj se e ka humbur Kosovën. Klintoni dhe Bushi bënë gjithçka për Kosovën dhe pavarësinë e saj. Kosova është shtet i krijuar para së gjithash nga SHBA-të. Situata e tanishme është më komplekse. Besoj se presidenti i SHBA-së Tramp do pranoj një marrveshje Kosovë-Serbi me njohje reciproke, një Kosovë si shtet sovran në kufijtë ekzistues. Le të shpresojmë!

Duke radhitur fatkeqësitë që ka shkaktuar regjimi serb dhe analizuar situatën politike sot, dalin disa pikëpyetje që në realitetin kosovar janë tepër shqetësuese dhe nuk kanë përgjigje:

?-Si është e mundur që në një republikë parlamentare të rrëzohet qeveria e dalë nga vota e sovranit, nga partneri i koalicionit?

?-Si është e mundur të rrëzohet një kabinet qeveritar i ndërtuar në shumicë nga intelektualë dhe profesionistë?

?-Si është e mundur të rrëzohet një qeveri që është e prerë kundër shkëmbimit të territorit dhe ndryshimit të kufijve?

?-Si është e mundur të rrëzohet një qeveri e cila në pak ditë ndërmori shumë reforma në organizimin e shtetit dhe uljen e shpenzimeve qeveritare?

?-Si mund të rrëzohet një kryeministër që ka qenë në këto vite gjithmonë opozitar dhe nuk është i korruptuar?

?-Si është e mundur që të gjitha forcat parlamentare si:LDK-ja, AAK-ja, PDK-ja, Nisma dhe grupet pakicë (jo serbe) të bëhen bashkë kundër Kurtit ?

?-Si është e mundur që Kurti të shkarkohet si kryeministër nga forcat politike parlamentare në një kohë kur në sondazhe ka mbështetjen e 80% të anketuarve?

?-Si është e mundur që në një qeveri të re të mundëshme të LDK-së, të largohet një "antiamerikan" si Kurti dhe të pranohet një "antiamerikan" tjetër si Haradinaj?

?-Përse politikanët e Kosovës kohët e fundit kanë krijuar një diskurs midis SHBA-së e BE-së, kur vendi ka nevojë për ndihmën e të dy palëve?

Natyrisht këto pyetje janë retorike dhe përgjigjet i  kanë brenda tyre. Të gjitha këto janë pazare politike që duhen ndalur për hir të Kosovës. Pjesa më e madhe e kastës së vjetër politike në Kosovë në këto 20 vite, kanë parë interesat e tyre dhe jo të Kosovës e shtetit të saj. Qeveria Kurti është e rrëzuar. Vendit i duhet një qeveri e re të cilën e presin detyra shumë të vështira. Për fat të keq kjo qeveri e LDK-së po bëhet pa VV, por në partneritet me AAK-në, Nismën dhe me listën serbska e pakicat. Me listën Beogradi kontrollon tani më jo vetëm veriun,por dhe qeverinë.

Meqenëse Kurti nuk ka dhënë dorëheqje por është rrëzuar me mocion, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja të parakohëshme. Sovrani me votë le të vendosë për mandatarin e ri... Kjo gjë ka pak gjasa të ndodhë! E deri sa të ndodhë kohë të vështira e presin Kosovën!

IBRAHIM KABILI

Tiranë më 22.04.2020



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora