E premte, 19.04.2024, 04:03 PM (GMT+1)

Sport » Sporti

Sporti në Muzeumin e Komunizmit në Pragë

E hene, 07.05.2007, 04:16 PM


Besnik Dizdari
Nuk e kisha menduar se në Muzeumin e Komunizmit mu në mes të Pragës, në fund të “Vaclavské nàmésti” (“Sheshi i Vaclavskit”), pak nga e djathta, do të gjeja eksponatin e sportit të shoqërisë komuniste të Çekosllovakisë. Por siç shkruhej në botimin publicitar të këtij Muzeumi, ndoshta unikal në vendet e Lindjes Komuniste, ai paraqet “fokusimin e Komunizmit në Çekosllovaki në përgjithësi dhe në Pragë në veçanti” në gjithçka: “në jetën e përditshme, politikat, historinë, sportin, ekonominë, edukimin, artet, shtypin, militantët, ushtrinë, policinë dhe aparatin e policisë sekrete, censurën, drejtësinë dhe institucionet shtypëse e kampet shfrytëzuese të punës”.

Ky rend të bën të mendosh fort, sidomos e bën të mendojë fort një shqiptar. Në rastin e synimit tonë, vërejta se sportin, siç e shihni edhe ju, nuk e kishte të fundit, por çuditërisht të katërtin! Në mes të historisë dhe të ekonomisë! Nuk di a është e rastit apo e paramenduar kjo renditje e tij, por ajo që ka rëndësi, është se regjimi komunist e ka patur edhe sportin në qendër të vëmendjes, jo vetëm për përhapjen dhe zhvillimin e tij sipas mënyrës së vet, por edhe si mjet trullosjeje e mbajtje nën fré të shoqërisë.

Ky shkrim nuk ka qëllim të përshkruajë këtë Muzeum të Komunizmit në Pragë që ndodhet në “Na Prikope 10, 111 00 Praha 1”, mu në pallatin elegant “Savarin”, i rrethuar nga të dy anët prej restorantesh “Macdonalds” dhe nga ana tjetër prej një kazinoje, të gjitha këto jo rastësisht, por për të vënë gjithçka në kontrast me shoqërinë e re që ka ardhur pas përmbysjes së komunizmit, për të cilin “Newsweek” shkruan se “brezit të ri nuk i është treguar e plotë nga prindërit” dhe se “të rinjtë kanë nevojë t’iu kujtosh se si ka qenë jeta e mëparshme”. Unë i pashë ndërkaq të gjitha e për komunizmin çekosllovak deri nga fillimi i viteve ’50-të (se mandej, për shkak të Kongresit të 20-të të PK të BRSSS-së, e dini se është diçka tjetër) gjithçka më ngjasoi me atë çka kam përjetuar në vendin tim si gjithë shqiptarët: gjyqe, pushkatime me reaksionarë dhe me krerë të partisë, rreshtime, izolim, dyqani socialist dhe ofiçina e punës si në Shkodrën e fëmijërisë e të rinisë sime, me pllakatet e klasës punëtore dhe të rojes së kufirit me qenin në mes, me manifestimet mashtruese të 1 Majit, të gjitha të spikatuna në këtë Muzeum si ndër ne.

Dhe mandej me të veçantën e Çekosllovakisë tjetër, asaj të pushtimit sovjetik e deri te herozimi i Jan Palahit dhe te “revolucioni i kadifejtë” që qetësisht i dha Çekosllovakisë lirinë dhe përmbysjen e regjimit.

Por, e kam fjalën për sportin, të cilit në Muzeum i kishin dhënë “vendin e katërt” në renditje, mjaft lart. Pllakatesk në spartakiadat ku sundon prapë ngjashmëria me Shqipërinë time, ndonëse shpejt. Me një ndryshim: në Çekosllovaki ky stil nuk i kapërceu vitet ’60-të, në Shqipëri deri më 1991-shin!

Përmes fotove që po shoqëroj shkrimin, sidomos brezi im e kupton ngjashmërinë. Kemi qenë një kamp. Por prapë me një ndryshim: fanatizmi i shfrenuar i këtij stili sportiv shqiptar zgjati gjatë, tepër gjetë. Në Çekosllovaki jo. Mjafton vetëm ky fakt: në 45 vjet Çekosllovakia kishte pasë vetëm 232 njerëz të dënuar me vdekje!

Mua më mbetëm sytë te pllakati i Spartakiadës Kombëtare të Çeskollovakisë, shpikja më dinake sportive e Bashkimit Sovjetik qysh më 1928-tën me Spartakiadën e Moskës për të mbërritur më 1956-tën te Spartakiada e Parë e Popujve Sovjetikë. Praga çuditërisht më 1955-sën Nga të gjitha kahet që ta marrësh, i gjithi një absurd i përdorimit të Spartakus-it të Thrakës dhe të shndërrimit të tij në simbol të lëvizjes sportive të internacionalizmit proletar, për të mbërritur deri tek ajo që u quajt Spartakiada (Roza Luksemburgu, Karl Liebknecht e Clara Zetkin e kishin quajtur Spartakizëm lëvizjen e tyre revolucionare gjermane, të shndërruar në Liga e Spartakut, ajo e cila më 1918-tën qe shndërruar në Partia Komuniste Gjermane). Ne e dimë mirë ndërkaq, se si qe Spartakiada, sepse e kemi propaganduar sa kemi mujtë, sidomos ne, gazetarët e asaj kohe.

Në Republikën Çeke tash e kanë futur në Muzeumin e Komunizmit, jo për ta luftuar si diçka e keqe, por për t’i shpjeguar brezit të ri sesi forcohej sundimi komunist edhe përmes Spartakiadës. E, në Muzeumin e Komunizmit në Pragë, natyrisht që zinte pak vend edhe buja e pjesëmarrjes së Çekosllovakisë në Lojërat Olimpike, në të cilat deri më 1992-shin ajo ka fituar 110 medalje, prej të cilave 42 të arta! Nuk ishte ky lloj bilanci i çmueshëm synimi i këtij Muzeumi. Ai gjendet diku tjetër. Në këtë Muzeum, ajo që ishte “impozante”, ishte Spartakiada, paksa edhe fama e një ylli të prodhimit socialist të sportit si Emil Zatpopeku, i cili këtu më fort se kampioni olimpik i mirëfilltë, rrezatonte si një përfaqësues i “supermenit” të shoqërisë komuniste. E mandej, dihet se u flak.

M`u kujtua ndërkaq “Strahovsky Stadion” (“Stadiumi Strahov”) më i madhi stadium në Evropë për sa i përket sipërfaqes, por që edhe në tribunat e tij të zgjatura tejet, për shkak të sipërfaqes së pamatë, kanë qëndruar deri në 200.000 spektatorë, por dhe i dyti stadium në botë mbas atij “Indianapolis” në SHBA. (Kujto garat automobilistike të atjeshme). E lashë Muzeumin e Komunizmit dhe nxitova për te “Strahovsky Stadion”, për të krahasuar përdorimin e tij dhe të historisë së tij prej dy shoqërive të ndryshme. Një stadium që ka filluar të ndërtohet qysh më 1926-tën, por që sporti komunist çekosllovak i dha gjigantizmin, kur e përfundoi më 1948-tën dhe ia fali Spartakiadës, “sokolve” (“skifterëve”) të famshëm të “Ceska Obec Sokolska” (“Shoqata e Sokolve Bohem”) duke e bërë stadiumin më të madh të botës për sportet..

Më kishin thënë se e kanë lënë pasdore, por u befasova, sepse pashë që përkundrazi, e kishin marrë mirë në dorë. Diçka kuptohet edhe nga foto që po botoj në këtë shkrim, ku kam dalë si në një kujtim të veçantë të gazetarisë sime.

A mund ta merrni me mend se një stadium si ky, i cili brenda sipërfaqes së tij po brenda tribunave, ka jo një, por 8 fusha të futbollit, 6 prej të cilave me dimensione të rregullta dhe vetëm dy më të vogla?

Ky është “Strahovsky Stadion”, më gjiganti në botë. E kishin përtërirë. E kishte përtërirë ekonomia e tregut. Sparta e Pragës, klubi më i vjetër i Çekisë, themeluar qysh më 1893-shin, e kishte marrë në përdorim për shumë vjet dhe në kohë rekord e kishte shndërruar e përtërirë, kishte vendosur selinë e saj dhe brenda kësaj hapësire të pamatë përgatiste gjithë ekipet e saj, prej fëmijëve e deri te të rriturit. M`u kujtua se regjimi komunist, Spartën tashmâ 22 herë kampione të Çekosllovakisë dhe 11 herë të Republikës Çeke, e kishte riemëruar “Sokol Bratrsvi”, apo “CKD” për t’ia shuar mundësisht ngjyrat e vjetra kombëtare të një shoqërie të dikurshme kapitaliste. Nuk ia kishte arritur. Tash Sparta sundonte “Strahovsky Stadion”-nin, ku kishin shkëlqyer manifestimet supergjigante, të papame të Spartakiadës së Republikës Socialiste të Çekosllovakisë që si modele për t’u ndjekur në vitet ’50-të mbushnin edhe faqet e “Sportit popullor” të Tiranës. Edhe “Strahovsky Stadion” kishte qenë përdorur për atë çka tregonte Muzeu i Komunizmit në Pragë. Jashtë këtij funksioni totalitar të spartakiadave, ai kishte mundur të dilte vetëm më 18 gusht 1990-të, kur “Rolling Stones”-at kishin dhënë koncertin e tyre para 150.000 shikuesve në praninë e presidentit Vaclav Havel.

Ky kishte qenë fundi i “Strahovsky Stadion” dhe i Spartakiadës, që në mënyrën e saj prepotente i dha një shtytje sportit çekosllovak, por që asokohe mpiu trurin e rinisë çekosllovake. Më mirë se unë këtë e tregonte Muzeu i Komunizmit, ku sporti renditej i katërti midis gjithë atyre temave që tregonin se ç’qe Çekosllovakia komuniste dhe se si synohej të bëhej shpëlarja e trurit edhe përmes sportit.

X X X

Morali i kronikës sime të Pragës?

Vetvetiu si shqiptar, si ndjekës i hershëm i sporteve, si gazetar, madje si kryeredaktor në Shqipërinë Komuniste, për fatlumësi edhe në këtë Demokratike, futem thellë në mendime… Dhe ndonëse nuk më shkon në mend që Shqipëria patjetër të ketë një Muze të Komunizmit, ku për kah rëndësia sporti të trajtohet në vendin “e katërt” midis historisë dhe ekonomisë, kur viziton Muzeun e Komunizmit të Pragës dhe të kujtohet ajo që shkruan “Newsweek” që “brezit të ri nuk i është treguar historia e plotë nga prindërit” dhe se “të rinjtë kanë nevojë t’iu kujtosh se si ka qenë jeta e mëparshme”, atëherë, vetvetiu pyes: Çka di brezi i ri për sportin e Shqipërisë Komuniste, që është e vetmja në Evropë që ka pushkatuar kampionë të famshëm, ka burgosur, ka internuar dhe torturuar rekordmenë të mëdhenj të saj, ka luftuar me biografitë e kampionëve të saj në mënyrat më kriminale?

Më mbeti në mendje tash së fundi diku në një takim, kur pasi paraqita një fakt historik, papritmas një funksionar i sporti komunist, i cili gabimisht kujton se i ka ardhë prapë dita, guxoi të thoshte “mos ta politizojmë sportin”. Nuk u habita. Unë vetëm habitem se si pasi këta ish-funksionarë edhe sot guxojnë e shfaqen në tribunat e nderit të stadiumeve shqiptare, dikush kujtohet për t’i vënë në krye të vendit e madje t’i “zgjedhë” deri dhe në Komitete Ekzekutive Federatash. E pra, në kohën e tyre, janë marrë gjithë ditën edhe me ato çka thamë më sipër. Ai po, ishte një politizim dinak, ambicioz deri në paturpësi

Nuk ka, bie fjala, politizim më të madh se sa kur përmes librave të botuar, është vërtetuar se Italia Fashiste ka organizuar tri kampionate kombëtare të futbollit në Shqipëri, por ti hesht e nuk dëshiron t’i njohësh ata, vetëm ngaqë kanë qenë “të fashizmit”, ndonëse për hir të së vërtetës historike, ato kampionate kanë qenë të të rinjve shqiptarë: qofshin komunistë, partizanë, dëshmorë, ballistë, legalistë, zogistë, antikomunistë, në fund të fundit djem të Shqipërisë. Nuk ka politizim më të skajshëm sesa ai i rastit të Gjirokastrës, që rikthen emrin e “Luftëtarit” duke hequr “Shqiponjën” themeluese. Apo që Shqipëria Demokratike ka klube sportive e skuadra tipike të punës “ndërtimtare” mashtruese të regjimit komunist si Naftëtari apo Çlirimi, sepse Partizani e Dinamo përbëjnë një temë të shterruar prej nesh. Nuk ma merr mendja ndërkaq, se do të jetë ende në qarkullim në Akademinë e Lartë të Kulturës Fizike si tekst mësimor “Historia e edukimit fizik dhe sporti”. Dhe jo thjesht ngaqë kapitulli XII, i cili i kushtohet sportit të regjimit, titullohet politikisht me djallëzi “Konsolidimi mbi baza metodike e shkencore i edukimit fizik e sporteve gjatë gjysmës së dytë të she. XX”, por sepse pasqyron në mënyrën më të përciptë e më të dyshimtë të mundshme të vërtetat e këtij zhvillimi. Duke luajtur kështu një rol të rëndësishëm të këtij mospasqyrimi, si dhe të rolit frenues që luajnë sot, jo pak funksionarë apo mbrojtës të gjithçkasë po regresive, politike e frenuese të regjimit që shkoi.

Historia botërore, njeh raste të pashembullta të politizimit të sporteve. Dhe dihet se dy kanë qenë regjimet më tipike që i kanë politizuar sportet më fort se askush: regjimi nazisto-fashist dhe ai komunist. Kujtoni vetëm Olimpiadën e Berlinit dhe manifestimet fizkulturale të Hitlerit. Kujtoni vetëm paradat fizkulturale që organizonte Musolini e deri te balilat në Shqipëri. Kujtoni manifestimet e Spartakiadave tona Kombëtare dhe portretet e gjigante të Lenin-Stalinit në stadiumet e Bashkimit Sovjetik. Mbi të gjitha, kujtoni luftën e klasave edhe në sportin shqiptar, që shoi jetën sportive dhe familjare të kushedi sa sportistëve. Kujtoni ju lutem. Por dihet se këtu punohet për të mos kujtuar, për të harruar. Jo pa qëllim. Por për të shpëtuar “ata”, të cilët edhe sporti shqiptar nuk i pati të pakët. Nga ata që guxojnë e krekosen edhe sot në tribunat e nderit të stadiumeve shqiptare – apologjetë të rrezikshëm të harresës ose të kujtimit përzgjedhës vetëm të punëve të tyre të fasadës. Dhe gjithmonë duke fshehur punët që bënin me pasion fanatik mbrapa kuintave.

Nuk besoj se gabohemi: është çasti i duhur tashmâ që sporti i sotëm shqiptar, që ka do kohë që flen i kalamendun, të rishikojë gjithë organizimin e deritashëm, që po vërteton pamjaftueshmërinë e tij, për shumë shkaqe, por jo pak edhe për forcimin e nostalgjive të sportit të regjimit të kaluar, jo në sukseset e tij të mirëfillta sportive që nuk kanë qenë të pakta dhe që duhen të respektohen fort, por në mostregimin e të vërtetave të plota të tij dhe të rolit të të tij si shpëlarës i trurit dhe të mbajtjes nën fré të rinisë.

Mu për këtë edhe në Shqipëri, nëse ngrihet një Muzeum i Komunizmit, do të duhej që të ngrihej ngjitur me të, ose si pjesë e tij, edhe eksponati tronditës i sportit të komunizmit në Shqipëri. Kur të bëhet kjo, atëherë me siguri tribunat e nderit të stadiumeve shqiptare dhe forumet drejtuese të federatave sportive të Shqipërisë Demokratike do të pastrohen e do të mbajnë në poltronat e tyre të pastra pikërisht Njerëzit e Nderit. Dhe brezit të ri do t’i tregohet historia e plotë. Në mënyrë që të realizohet ajo që lexohet në fletën publicitare të Muzeumit të Komunizmit në Pragë përmes shkrimit të “Newsweek”: “Të rinjtë kanë nevojë t’iu kujtosh se si ka qenë jeta e mëparshme”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora