E enjte, 25.04.2024, 06:16 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Grua për mua

E enjte, 16.04.2020, 11:03 AM


Grua për mua

Nga Edison Ypi

Dua grua të lartë. Por jo sa Nëmërçka që e hedh shurrën sa Vjosa dhe pordhën sa tundet Gjirokastra dhe Labëria. Më mjafton sa Sonila Meço. Ku kam shkallë për tu ngjitur. Por s'kam gomone ta hedh Drinin.

Dua grua të sofistikuar si Zhaku që të më pëshpërisi në vesh fjalë të bukura me liqer, nosit, Lasgush. Mirpo Zhaku ka ikur larg. Në vendin e vrasësve të lindur, në Gjermani.

Dua grua që të ketë hiret e Anjeza Majës a të paktën të Monica Belluccit. Por kam frikë se Anjezën po e putha vdes nga lumturia.

Dua grua që të jetë Femër sa Juliette Binoche. Ka të tilla. Por janë të çartallosura. Të ikin në 1 të natës dhe të vinë në 5 të mëngjezit.

Dua grua që t'i ketë flokët si të Catherine Zeta-Jones, sytë si të Angelina Jolie, buzët si të Claudia Lynx. Edhe mund ta gjej. Halli se nuk e di në cilin katund të Gramshit kullot lopën.

Dua grua që të kem qef t'ja dëgjoj zërin. Si Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha, Billie Holiday, Joan Baez, Ornella Vanoni. Por dua ti dëgjoj njërapastjetrës. Nuk i marr dot për grua të pesta.

Dua grua që të ketë zotnillikun e Nicole Kidman. Ah, kaq humanizëm nuk di si ta përdor me tërë këtë halabakizëm rrethepërqark.

Dua grua të ëmbël si Brigitte Bardot por kam frikë se duke e lëpirë sëmurem nga diabeti.

Dua grua hutonjëse, turbullonjëse, marramendëse, si Elisabet Taylor. Ka të tilla. Problemi është se po ti afrohem më zë korenti, po ta prek më bie damllaja.

Dua grua të brishtë, të hajthme, elegante, fine, të tillë që kur të jetë nudo të duket më e ngjeshur se kur të jetë e veshur, pra si Audrey Hepburn. Halli se të tilla ka vetëm nëpër filma.

Dua grua që karakterin të mos ja vizatojë në fytyrë parukjerja por ta ketë të brendshëm, të thellë. Vështirë të gjesh femër të tillë. Ekziston vetëm Bruna Qeva të cilës karakterin jashtë e brenda ja ka gdhendur Perëndia. Mirpo Bruna është e martuar, dhe tjetër si Bruna s'ka.

Dua grua ta ketë fiksim përndjekjen, internimet, burgosjet, torturat, vuajtjet e priftërinjve nëpër burgjet e kurvit, pra dua grua si Keda Kaceli. Mirpo tironcja Keda s'kthehet nga Italia.

Dua grua me forma joshëse. Por jo si të Bleona Qerretit. Edhe sikur të kem 20 vjet pa parë pridh me sy.

Dua grua të talentuar dhe eksentrike si Moza Ahmeti. Ku është zhdukur Moza ?

Dua grua me forma të mermerta si shtatore antike, si Grida Duma. Shtatoreve u janë thyer gjymtyrët.

Dua grua acqua e sapone dhe superinteligjente si kolonjarja Anika Taçi. E kotë. Si Anika s'ka të dytë.

Dua grua që politikën me biznesin t'i lidhi më mirë se Berlusconi, pra dua grua si Keti Bazhdari. Jam vonë për këtë kombinacion.

Dua grua këshilluese, ndihmëse, bashkëpuntore, besnike, si Helena Kadareja. Ah, shpresat janë zero.

Dua grua që të dijë të shkruaj si Desada Metaj. Eh, para më dalin ca budallaqe.

Dua grua erudite, të qytetëruar, të butë, të flasi rrjedhshëm, të komunikojë ëmbël, si Ermira Mehmeti. Ermira Mehmeti është kometë që kalon vetëm një herë dhe arratiset në qiellin e zi.

Dua grua ekzotike mesdhetare si Sophia Loren ose Gina Lollobrigita. Ka të tilla që kanë lindur në Përmet, Zadrimë, Mirditë, Shkodër, Tropojë, Gjirokastër, por kanë ikur në Itali, Greqi, Belgjikë, Francë, Angli.

Dua grua si Sheherazade. Të më rrëfejë çdo natë nga një përrallë. Të mos dal kurrë nga ëndërra.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora