Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Kozeta Zylo: Gjyshja që iku lart me zërin e ëmbël të mbesës

| E merkure, 15.04.2020, 03:39 PM |


Gjyshja që iku lart me zërin e ëmbël të mbesës

Tregim nga Keze Kozeta Zylo

Vetmia përpirëse e detyruar sjellë një mori kujtimesh ose telefonata herë-herë të pazakonta që mund të mos i presësh kurrë në trurin tënd si i koduar me Covidin 19-të aq të mallkuar në gjithë botën.  Në këtë vetmi shkrimtari ka penën dhe librin si mikun më të afërt.

Duke rufitur kafenë e mëngjesit që çuditërisht më pëlqen ta shijojë vetëm nën lajmët e krisura pandemike, bie një zile që zakonisht tingujt e saj në se dëgjohen natën ose dhe në mëngjes herët, më sjellin drithërima për ta kapur telefonin…

E marr në dorë celularin dhe një zë i dobët paksa i ngjirur më duket se më vjen nga një planet tjetër, por që më afrohet aq shumë sa një hap zogu nëpër telin e ballkonit tim… 

-Alo mike, jam Arba, por më tha mami t’ju them se Drita është shumë e sëmurë, është në “Intensive Care” me tubin e frymëmarrjes…Ajo donte t’ju lajmëroja përpara se t’ja vendosnin… 

Unë vazhdoja ta dëgjoja dhe asnjë fjalë nuk nxirrja nga goja, zëri im ishte mpiksur si pikë gjaku tek dredhëzat e avullit të kafesë që dukej sikur ngrihej një skulpturë njeriu lidhur ndër zinxhira nga satanai i padukshëm… 

-Alo më dëgjon më thoshte Arba dhe vazhdonte me zërin e saj valëngjethës…

-Po doemos të dëgjoj zemër Arba, iu përgjigja dhe gjeta forcën për t’i dhënë kurajo se fundja për atë kurajo më kishte marrë, për të lehtësuar sadopak shpirtin e saj të hidhëruar si helmi i vdekjes.  Më vjen shumë shumë keq i thashë, por mendo pozitiv se ajo do të bëhet mirë dhe shumë shpejt do ta marrë vehten, mendo që shumë njerëz kanë shpëtuar më shumë se kanë ikur.

-Unë ndihem keq dëgjohej zëri i shqetësuar i Arbës se nuk më lenë të shkoj atje, ne spital, ajo po e përjeton vetëm, vetëm pa asnjë tek koka, kurrë s’mund ta mendoja se do ta lija mamin vetëm në ditët e saj më të vështira…. 

A e beson se vajza ime Rozafa gjithmonë i thoshte: “Nëna, kur të plakesh ti, unë do të shërbej, psh: do të mas temperaturën, tensionin, frymëmarrjen dhe vinte mjetet e doktorit mbi kraharorin e saj të bardhë, aparatin lojë që ajo ia kishte blerë dhuratë për Vitin e Ri.  Zot sa kënaqej dhe rinohej kur luanin së bashku! 

Unë e dëgjoja Arbën me një tronditje të pazakontë.  Ajo kuptonte ndonjë shkëputje të përgjigjeve të mia dhe më tha: - “Ju lutem bëni kujdes për vehten tuaj se kjo flamë të ngjitet si magnet në lekurë dhe personi që e merr se kupton kurrë ashtu si dhe ai që e transemton”. 

-Po Rozafa e di e pyeta vazhdova unë? 

-Po. I tregova, ishja e detyruar, sepse ajo fliste në telefon me gjyshen disa herë në ditë në “facetime”.  Sa kënaqej kur Rozafa i tregonte ndonjë fragment në shqip nga ditari i saj brenda karantinës, por sidomos kur i shkruante në fund të fragmentit:  “Gjyshja ime e dashur, unë lutem që të takohemi sa më parë dhe i vizantonte pëllëmbën e vogël me pesë gishtat e saj dhe brenda dorës vinte: Të dua shumë të  shoqëruar anash me një vizatim zemre të  kuqe!

Para se të  të postoja vidion e Rozafës për emisionin tuaj: “Përshëndetje nga karantina, New York” Rozafa mori aprovimin e gjyshes për ta sjellë pranë jush dhe gëzimi i saj ishte i papërshkrueshëm. 

Se mendonte kurrë se ajo do të përfundonte me një temperaturë shumë të lartë dhe bllokim frymëmarrje.

-Oh të lutem më fal, më fal që po e ndërpres se po më telefonojnë nga spitali…  Zëri i saj u ndërpre siç ndërpritet dëgjimi i një zëri nga një tornedo, furtunë e zezë që përfshin ç’gjen përpara.

Shqetësimi rritet në maksimum kur je në telefon, sepse gërshëra e pandemisë e pret dhunshëm në mes.  Ndihmës infermierja kishte qëlluar shqiptare dhe para se t’i fusnin tubin e frymëmarrjes ajo i kishte thënë që dua të flas me bijën time. 

Nga kërkesat shumë të pakta të saj në atë lodhje sfilitëse ishin që të dëgjonte zërin e Rozafës, intepretimin e këngës në vidio për emisionin “Përshëndetje nga karantina, New York” që midis te tjerash dëgjohej: 

I ëmbël zëri gjyshes,

Kur ngjarjen ma tregon,

E lehtë dorë e saja,

Mbi krye m'ledhaton.

Por…gjyshja iku në vetminë gëlltitëse, ajo fluturoi lart si një pulëbardhë me pendët e hapura si tastierë ku nëpër ajri vazhdon të dëgjohet melodia e një kanarine të bukur që e donte pafund gjyshen e saj.

(dita e 31-të e izoluar brenda mureve nga Lufta pandemike botërore)

15 Prill, 2020

Staten Island, New York

Ps: Për të ruajtur privatësinë, emrat nuk janë real