E enjte, 25.04.2024, 01:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Telashet e Adrianës

E marte, 21.10.2008, 07:18 PM


Suzana Kuqi
Telashet e Adrianës

Nga Suzana Kuqi

Ngjiti shkallët me nxitimin e atij që ka frikë se mos i ndërrohet mendja .Por aty, para derës, tek fiksonte butonin e ziles,hezitoi. Mendimet pro e kundër atij vendimi që kish marrë e stepën sërish. U ul në shkallë e priti që ajo kundërshti mendimesh dhe ndjenjash të fashitej.

Si e kishte hallin nëse nuk hynte atje brenda ? Mendja ju kthye prapa në kohë...

-Unë të dua , nuk e di pse nuk don të më besosh ?- i kish thënë ai atë natë të largët ndërsa e shtëngonte në krahëror. Frymëmarja e tij e rënduar dhe e ngrohtë që i prekte qafën dhe veshin, ,ato buze që e puthnin, ngado , ato pëshpërima dhe ai zë burri kish filluar të ulte pak nga pak qëndresën e saj.Megjithatë , me mundim, duke shtypur ndjesitë e ëmbla që e kishin pushtuar,u shkëput nga krahët e tij.

- Mjaft Bardhi, të lutem !-tha ajo me gjysmë zëri .

- Ti nuk më don , ndryshe nuk do të më kundërshtoje

- Lëre këtë muhabet , e kemi bërë sa herë ,të kam thënë...

- T'a kërkoj si provë e dashurisë që ke për mua.

- Për ç'provë e ke fjalën, dyshon tek mua ...-zëri i saj tradhëtonte lëndim.

- Po të më doje do të sakrifikoje. Unë dua të martohem me ty. A nuk kupton se sa të dua ?Ndërsa ti, - ai u afrua dhe e tërhoqi pas vetes, por Adriana u shkëput ,doli me nxitim nga hija e errët e pemës e mori rrugën drejt shtëpisë duke gëlltitur lotët. Nuk mund t'a bënte, ai nuk donte t'a kuptonte. Ishte rritur me idenë dhe bindjen se kur të vishte fustanin e nusërisë , do të ishte e virgjër.Refuzoi dhe në takime të tjera por natën kur Fatbardhi i tha se kish folur me nënën e tij e i kish thënë se donte të fejohej me të, ishte dorëzuar. Në një natë të errët pa hënë...

Ditët në vazhdim i kishin lënë një shije shumë të keqe. Erdhi t'a shohë i vëllai i tij, pastaj vëllai tjetër, e më pas e motra .Dyshimit se kish gabuar duke shkelur atë prag fizik që e kish bërë grua , ju shtua ndjenja e pakëndëshme se po vinin t'a shihnin e të vendosnin si për një mall që do të blinin.E ajo tashmë ndjehej mall skarco .Kjo e bëri t'a ndjente veten akoma më inferiore e nuk kish guxim t'a pyeste të dashurin e saj se kur kish vendosur të vinte në shtëpinë e saj e t'i kërkonte dorën. Fatbardhi heshtëte e takimet e tyre u bënë më të rralla.Diku , duke gëlltitur lotët prej turpit, kërkoi spjegim. Motrës së tij nuk i kish pëlqyer dhe e ëma kish shtuar edhe disa arësye të tjera të cilat i kish nxjerrë duke pyetur për familjen e kushërinjtë e saj, e nuk donte t'a pranonte si nusen e djalit.

- Sikur më the që më doje ? Më doje për vete apo për nënën ?

- Eja këtu shpirt!- Ai e kish tërhequr drejt vetes, -Eja këtu,me kohë nëna do të bindet.

Adriana e la veten në duart e tij për disa çaste.Ndjeu gishtat e tij të etur që mundoheshin t'i hapnin zinxhirin e xhinseve .E donte këtë djalë,e donte shumë, aq sa i ishte dhënë e tëra trup e shpirt...-Oh Bardhi ! Pëshpëriti ajo e tek ndjente duart e tij që e preknin në lëkurë ,mendja i shkoi tek e ëma e tij. Po bënte dashuri me djalin e asaj gruaje që nuk e donte t'i shkelte në shtëpi...por këto duar , këto buzë...i takonin tashmë asaj dhe jo nënës ...këto buzë i kishin kërkuar një sakrificë , po ai ç'sakrificë po bënte, po sikur nëna e tij ... .Befas e shtyu dhe u largua prej tij..

- Adriana !?- zëri i tij ishte një përzierje mes lutjes e qortimit.- Mos e prish këtë mbrëmje.

- Kur t'i mbushet mendja nënës tënde, eja e më kërko !- Adriana u largua pothuajse me vrap.

Kish qenë takimi i tyre i fundit , ajo kish patur të drejtë, nëna e tij nuk kish ndërruar mendje . Fatbardhi nuk ishte bërë më i gjallë , duke e lënë pre të rënkimeve e plagëve të shpirtit. E kish dashur e vazhdoi t'a donte, të qante netëve e të fshihte me kujdes sytë e fryrë në mëngjes që të mos binte në sy të nënës .E vetmja që e dinte dhe i qëndroi pranë ishte Diella, shoqja e saj që në moshën kur fillojnë kujtimet. Kish qarë edhe ajo me të dhe e kish ngushëlluar duke i thënë se Fatbardhi nuk e kish merituar një vajzë si ajo dhe se do të pendohej.Ndoshta, ndonje ditë , por ditët kalonin dhe ajo u bë e ndërgjegjëshme se nuk e donte më pendimin e tij. Nuk dinte se ç'të bënte më me të. Arriti deri në atë pikë sa Fatbardhin , jo vetëm që nuk e donte më ,por as edhe e urrente. Kish qenë një mashtrues ? Ndoshta, por këtë mendim e largonte shpejt, ishte e sigurtë që ai e kish dashur e kish vuajtur gjithsesi ...Ishte i dobët, një burre aq i dobët sa nuk kish mundur të mbronte dashurinë e tij. Maqshtrim, dobësi... tashmë aq i bënte , ai i kish humbur të gjitha vlerat para syve të saj , ishte shndërruar në një hiç dhe hiçin ... as nuk mund t'a dashurosh e as t'a urresh...Kaloi një vit e ju kthye gëzimeve të vogla të jetës. Dilte me Diellën e ndonjë shoqe tjetër, djemtë nuk i hynin më në sy. Dashuria ? Kush tha se nuk mund të jetohet pa të ? A nuk janë fshirë të gjithë burrat nga faqja e dheut ?Aq i bënte për ta. Kish dashuruar dhe e kish pësuar... E pësimi i ishte bërë mësim.Mësim... derisa u shfaq Iliri, kolegu i ri i zyrës...

-Sikur po e përmend shpesh këtë Ilirin ,- i tha me të qeshur Diella një ditë,- mos ka filluar ndonjë simpati e nuk më ke thënë gjë ?

- C'farë !? E kam thjesht koleg pune.Pastaj pas asaj... as që guxoj t'a mendoj.

- Përse jo ? Nuk ka asgjë të keqe.

- Të keqe ? Le po të marrë vesh se si jam. E dëgjova një ditë që po thonte se nderi i femrës është si fija e shkrepses, digjet vetëm një herë. Lutem Zotit të mos më shikojë me atë sy, e vlerësoj si koleg dhe shok e nuk do të doja t'a marrë vesh një gjë të tillë per mua. Do të humbja respektin e tij.

- Budallaqe !- ja preu shkurt Diella,- kjo punë rregullohet. Një shoqja e mamasë sime është mami dhe i rregullon këto punë. Jo këtë javë që kaloi, tjetrën çova Lirien, atë vajzën që banonte dy kate sipër shtëpisë sime dhe...

- Atë që u martua javën që shkoi !?

- Po , tamam atë. Dhe mori për burrë një alamet djali. Ndaj hap sytë , Ilirin apo ndonjë tjetër,po të të dalë në shteg ndonjë...

- Mjaft !- kish thënë e vendosur Adriana.-Nuk dua t'a dëgjoj këtë muhabet. Iliri është vetëm një koleg e për të tjerë as që më bjen mendja.

Por Iliri... Adriana nuk po e merrte vesh se ç'po i ndodhte . Kish qenë e kujdesëshme të mos e linte zemrën e saj të robërohej përsëri, por ai ...këtë rradhë nuk i kish trokitur në zemër por, kish trokitur në mendje.Dalëngadalë Iliri pushtoi mendimet e saj, pikat e përbashkëta në diskutimet e arësyetimet e tyre ishin të shumta.Respektonte mendimin e tij dhe e kërkonte për çdo problem pune apo çdo lloj problemi tjetër.I pëlqente mënyra e arësyetimit të tij, respektonte llogjikën dhe karakterin e fortë që i spikaste në situata të ndryshme. Pastaj atë mëngjes , kur kish kapur atë dritë në shikimin e tij, atë shkëlqim , atë dëshirë...Edhe se kish zgjatur vetëm një çast, një çast të vetëm sepse ai i kish kthyer sytë nga ana tjeter duke i fshehur...kish mjaftuar .Tanimë Iliri nuk ishte vetëm kolegu me të cilin ndante orët e punës, ishte vizitor i dëshëruar i ëndrrave të saja. Dhe ajo me ankth priste ditën që Iliri ...Si e kam hallin këtë herë, Bardhi më kish pushtuar zemrën, nuk pata mundësi t'a njihja se ç'mendje e karakter kishte, dhe as që më interesonte, e doja dhe aq, ndërsa ky...më ka pushtuar mendje e shpirt.Përse vallë Zoti nuk e kish bërë të njihej më përpara me Ilirin ? Përse? Pamundësia e relizimit të kësaj ëndrre dashurie, e bënte edhe më të bukur e më të dëshiruar.Sa fatzezë paskam qenë.Fatzezë nga një njeri që quhej Fatbardh. Tama quhej, ai nuk kish fare rëndësi për të, kish qenë ,nuk ishte më. Më mirë , Iliri të mos i hyjë këtij muhabeti, do të detyrohem t'i them... e do ta humbas edhe si shok.

Ditët rridhnin, jo kështu dukeshin, po nuk rridhnin. Ditët pengoheshin në çdo hap të mendimeve të zymta e të ndjesive të ëmbla të zemrës së saj. Fundja ,përse të mos e lejonte veten të ëndërronte, një ëndërr të vogël mund t'ja lejonte vetes, sa t'a zinte gjumi e pastaj t'a largonte në mëngjes, drita e mëngjesit është e pamëshirëshme , ajo të detyron t'i shohësh gjërat në realitet. Ajo nuk e meritonte atë djalë dhe pikë. Pikë, vizë, kryerradhë,kish qenë mendjelehtë e budallaqe, nuk u kish vënë veshin fjalëve të gjyshes e të nënës së saj , se vajzat kanë vetëm një nder e duhet t'a ruajnë si sytë e ballit.Dhe Iliri... ishte gjithnjë e më i ëmbël, çdo tingull i zërit të tij, çdo gjest , nuk bënte tjetër veç se tradhëtonte atë që ndjente derisa... Ja tha, thjeshtë me pak fjalë, e donte në jetën e tij, ditë pas dite, vit pas viti, do t'a donte e do t'a repsektonte për gjithë jetën...

-Ti nuk më njeh mua !-

- Kam një vit që të njoh.-qeshi ai.

- Nuk më njeh përpara atij viti-

- C'rëndësi ka. Të njihte Bardhi, e kam patur shok kursi ...

- Bardhi !? Për kë Bardh e ke fjalën ?

- Fatbardh Lekën.

Adrianës ju këputën gjunjët e një fije shprese ju ngjall në shpirt. Ndoshta i din të gjitha dhe i ka marrë parasysh...

- C'të ka thënë për mua ?- Ajo nuk guxonte t'a shihte në sy.

- Vetëm fjalë të mira dhe kur i thashë se ... doja të fejohesha me ty, tha se më mirë se kaq nuk mund të bëhej.Por gjithnjë nëse edhe ti don.

- Të lutem , më lër kohë të mendohem.

Kohë !?Se mos koha do t'i zgjidhte gjë. Ndoshta, mund t'a zvarriste këtë punë derisa ai të kthente mendje , ose mund t'i thosh thjesht se nuk e donte .Dhe Iliri do të largohej, do të rridhte si ujë ditëve të saj, po tamam si ujë, nuk do t'a kishte më as shok.Iliri që kish një vit që mbushte ditët e saj e disa muaj që i mbushte ëndrrat dhe zemrëm . Do të vuante njëlloj , edhe se nuk do t'a konsumonte atë dashuri që i digjte në shpirt, ajo dashuri ishte aq reale edhe se nuk kishte shkuar me të, Iliri ishte ai që e plotësonte, gjysma tjetër e saj.Atëhere përse , përse të ngurronte? Pranoi të dilte e të shoqerohej edhe pas punës, do të fillonte ngadalë, nuk do të ngutej, t'a njihte më mirë... gënjente veten. E kish njohur mjaft, aq sa nuk mund t'a konceptonte një ditë pa e parë dhe e dëshëronte...Nuk mund të jetoj më kështu, duhet tja them. Tani, nuk mund t'a mbaj pezull e t'a lë të ushqejë veten me shpresa të parelizueshme , nuk është e ndershme , jo për Ilirin..

-Vërtet ke vendosur t'ja thuash ?- shikimi i Diellës i bëri keq, imagjino si do të ishte ai i Ilirit.

- Po, dua të jem e ndershme me të .Ndërgjegja nuk...

- Ndërgjegjen lëre në shtëpi të vet, mos e ngatërro me këtë punë.Do të të dhëmbë më shumë vetja jote se sa ajo që ti e quan ndërgjegje. Do të flas me atë miken e mamasë, fundja, përse jo nëse e don atë djalë, në dashuri e në luftë lejohen të gjitha.

Adriana kish heshtur. E përse jo , nuk mund të rrezikonte të humbte Ilirin.

Minutat kalonin , edhe pse kish ardhur më herët , Adriana nuk luante nga shkalla ku ish ulur. Nuk mendonte më për të shkuarën, ajo që ish bërë, ish bërë e nuk ç'bëhej. Ajo ishte ajo që ishte, e dashuruar marrëzisht ...me Ilirin dhe jo më e virgjër.

Mendoi se ne ç'telash e kish futur veten duke dëgjuar zemrën. Kish tri rrugë për të dalë nga kjo . E para të ndërpriste çdo marrëdhenie me të pa i dhënë asnjë spjegim . Do të vuanin të dy, por do të kalonte. Kjo e çonte në një të ardhme pa Ilirin. E dyta , t'i tregonte të vërtetën , kështu përsëri do t'a humbiste, ose... mund t'ja falte ...ose... nuk do të shkëputej menjëherë, do të vahdonte të ishte i dashuri i saj ndoshta për një kohë të gjatë ,por nuk do të martohej me të. E kush do të martohej ? Dhe e treta , ishte ai buton i zi aty, ai do t'i zgjidhte të gjitha, do të martohej e do t'a gëzonte , do t'i mbetej besnike tërë jetën...Do të bënin fëmijë e do të ishin të lumtur dhe ai as që kishte për t'a marrë vesh. Ai, po ajo ? A mund t'a gënjente veten e të ngrinte familje mbi një gënjeshtër ?Mallëkoi fatin e femrës që e kishte dënuar kështu. Përse djemtë fati i justifikonte, thonin se gabimi i tyre lahej me një gotë ujë e të asaj nuk kish det që t'a lante.Më mirë të ishte mbytur në det , do të mbaronin hallet e saja.Mendoi Bardhin dhe u mundua të sillte ndërmend atë ndjenjëqë e kish çuar në atë gabim. Asgjë, as nuk mund t'a merrte inat, ishtë nje hiç i larë me një gotë ujë.Përse nuk i kish treguar Ilirit të vërtetën mbi të dhe Adrianën, do t'i kish kursyer të paktën këtë poshtërim përpara atij butonit, gjërat do të ishin ndalur aty. Por jo, ish treguar sërish i dobët, edhe për t'i thënë të vërtetën shokut të tij.Dera pas saj kërciti e po hapej. Një fytyrë gruaje u shfaq në të e më pas një vajzë e re , tiparet e bukura pa shprehje tregonin se ajo ishte dorëzuar,nuk i kish bërë dot ballë frikës së opinionit për fajin e mëkatit të saj. Kish gjetur një rrugëzgjidhje dhe aq.Kështu e donte opinioni, kështu kish bërë edhe ajo.Hapi i saj fitonte siguri në çdo shkallë që zbriste.Ishte një fije shkrepseje që mund të digjej dy herë , nëse gjërat i shkonin mirë. E pse jo edhe tre , katër , aq herë sa kërkimi i fatit të saj t'ja kërkonte.

-Keni ardhur për mua, jeni shoqja e Diellës ?- zeri i gruas ishte i ëmbël dhe i dhembshur.Fundja ishte edhe vetë grua, kish qenë edhe ajo e re ...

- Jo,isha këtu lart tek një shoqe .- Adriana zbriti shkallët pothuaj me vrap.

Shkoi drejt e tek ambulanca e lagjes , mjekja ishte shoqe e ngushtë me nënën e saj, dhe ajo e thërriste teze që prej së vogli. Mori tri ditë pushim, ja kërkoi duke i thënë se kishte një situatë të ngatërruar në punë e nuk donte të shkonte ato ditë.Mjekja nuk kundërshtoi , ishte hera e parë që ajo vajzë e dashur i kërkonte një gjë të tillë , e duke pare hutimn e zbehtësinë e saj i tha se nëse nuk ndjehej mirë t'i telefononte e do t'i jepte edhe tri ditë të tjera. Kur shkoi në shtëpi u fut në dhomën e saj e i shkroi një letër Ilirit.Nëse mund të quhej letër, ishin vetëm pesë fjalë. "Kam bërë gjitshka me Bardhin." Dhe pikë, asnjë justifikim . E futi letrën në zarf dhe ja çoi Diellës. Të lutem, i tha , kalo nesër në mëngjes nga ndermarrja ime dhe jepja.Pa mospëlqim në sytë e saj, por aq i bëri. Nëse nuk ja jep, harroje edhe emrin tim. Tri ditët kaluan si nëpër mjegull, ngatërruar në faqe libri e programe televizive, nuk donte të mendonte, kish mbyllur një kapitull,ndoshta më të bukurin,le t'i bëhej sërish mësim. Ndoshta do të trokiste në atë derë, ndoshta...por jo për Ilirin, për ndonjë që do t'a donte më pak,nëse ndonjë ditë nuk do të mund t'i rezistonte presionit të prindërve se ishte vajzë në moshë, e mosha ikte. Mori edhe tri ditë të tjera pushim mjeku. Sa më shumë të rrinte larg tij , aq më pak do t'i bënte keq shikimi i syve të tij ku nuk do te gjente respektin... dhe shkëlqimin e bukur.

U zgjua e freskët në mëngjes. Atë natë kish fjetur mirë. Asnjë ëndërr e bukur apo e shëmtuar nuk e kish trazuar gjumin e saj. Kish bërë paqe me shpirtin e saj. Iliri ishte e do të mbetej dashuria e saj kushedi edhe për sa kohë, ani se nuk do të flisnin më për këtë, deri sa ai do të shkëpuste mendjen prej saj e do të kërkonte një vajzë tjetër.Një fitë e mprehtë i përshkoi krahërorin. Jo, këtë nuk e kish menduar. Dhimbja dalëngadalë kaloi dhe ajo buzëqeshi . Kështu do t'i kalonte edhe kur të ndodhte me të vërtetë, të gjitha kalojnë.U vesh e doli për punë duke i dhënë një të puthur nënës në faqe. Sa të mirë janë sytë e saj, sa krenare që është me mua e po t'a dinte... Jo , nëna nuk do t'a gjykonte ,babai sigurisht do t'a kishte më të rëndë...por edhe ai do t'ja falte, ndërsa Iliri... nuk kish se si Iliri...Si do t'a shikonte ai, do t'ja zinte në gojë këtë fakt, apo do t'ja kursente këtë poshtërim...? I therri ne zemër tek e përfytyroi veç një koleg të ftohtë. Ka të drejtë Diella, dhe unë me sinqeritetin tim...Përse duhej t'a dinte, a nuk mund të ishin thjesht kolege e... Por Iliri ishte Iliri, meritonte vetëm sinqeritet ...Ah, më iku edhe autobusi, si gjithmonë me vonesë edhe unë, qortoi veten ajo tek pa nga larg turmën e njerëzve që hipën në autobus dhe nisjen e tij. Edhe po të vrapoj nuk do t'a kap dot.Autobusi u largua e në trotuar mbeti vetëm një njeri që momentin e fundit kish ndërruar mendje dhe e kish lënë të ikte. Ndjeu zemrën t'i rrihte me forcë . Shpejtoi hapin , fytyra e tij ishte e parruar e rrathë të zinj kish poshtë syve, por ata kishin të njëjtin shkëlqim të asaj dite kur i kish thënë ato pak fjalë...

Kush është Adriana ?

Adriana është vajza, motra gruaja , e dashura, femra.

Eshtë ajo qënie e mrekullueshme , që shpesh është quajtur grua – shtrige,sepse i nënshtrohet vetëm ligjeve te zemrës së saj . Eshtë ajo që shpesh quhet edhe bibë , sepse zemra esaj e mirë mashtrohet shpejt.Eshtë ajo që duke ndjekur feminilitetin e saj, opinioni i ngre turra drush për t'a djegur.Dhe nuk ka bërë më shumë mëkat se sa meshkujt , por ata lavdërohen e krenohen me kësi lloj mëkatesh. Nuk them kështu se dua të dënoj meshkujt, jemi të gjithë produkt i kohës dhe ambjentit .Për të mbijetuar , për t'i shpetuar djegjes, kërkojnë rrugë e mjete të ndryshme ,te justifikuara apo jo. Adriana zgjedh sinqeritetin .

Adriana ishte një vajzë, shoqe e rinisë sime. Tashmë kohët kanë filluar të ndryshojnë për Adrianat që gabojnë në zgjedhjet e tyre, për të cilat askush nuk çau kokën per tragjedinë shpirtërore të tyre, por quanin disfatë prekjen e atij praku fizik që quhet virgjëri.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora