E enjte, 18.04.2024, 11:33 PM (GMT+1)

Mendime

Ferid Selimi: Decentralizimi i pushtetit në baza etnike sfidë për Kosovën

E marte, 21.10.2008, 05:56 PM


T: DECENTRALIZIMI I PUSHTETIT NË BAZA ETNIKE SFIDË PËR KOSOVËN

 

Shkruan: Ferid Selimi, MSc

 

Nt: Decentralizimi si proces është funksional, kur mënyra e ndërtimit të tij do të ishte i pranueshëm e i përshtatshëm për shoqërinë si dhe të mos jetë i ndarë në vija etnike. Çdo përpjekje tjetër që do të thoshte ndarje në baza etnike do të ishte i imponuar politikisht dhe do të humbiste kuptimin që në të vërtetë ka. Ajo që po tentohet të bëhet në Kosovë, (bazuar në Dokumentin e Ahtisarit) është një Decentralizim politiko-etnik; territorial dhe i pjesshëm.

 

Qeverisja, në terminologjinë gjuhësore dhe politiko-juridike ka të bëjë me drejtimin e  veprimtarive politike administrative të një shteti, duke ushtruar pushtetin ekzekutiv e urdhërdhënës. Me këtë,  nënkuptohet që Qeverisja ka të bëjë me të gjitha format e administrimit ose thënë ndryshe drejtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me ushtrimin e pushtetit urdhërdhënës dhe ekzekutues. Ndërkaq, Qeverisja Territoriale paraqet një proces shumë të përbërë e që shprehet në më shumë funksione mbi bazën e dy parimeve: Centralizimit dhe Decentralizimit të Pushtetit. Kur këto dy nocione zbërthehen do të qartësohet që në rastin e parë, kemi të bëjmë me grumbullimin e pushtetit në një Qendër (në maje të piramidës) ku urdhrat dhe vendimet merren dhe jepen nga lart, do të thotë nga Qendra. Decentralizimi, në anën tjetër është e kundërta e Centralizimit e që ka të bëjë me dobësimin e ndikimit të Qendrës në pjesët e saj.

Qeverisja Vendore merret me drejtimin dhe menaxhimin e të gjitha veprimtarive që janë në kompetencë të njësive të Qeverisjes Vendore, përkatësisht Komunave e që nuk janë të rezervuara për ndonjë pushtet tjetër. Në hierarkinë e urdhrave, Qeverisja Vendore, gjendet poshtë Pushtetit Qendror në mënyrë vertikale, meqë, Qeverisja Vendore është një institucion që veprimtarinë e vet politike, ekonomike, zhvillimore dhe shërbyese e shtrinë në një zonë të përcaktuar territorialisht të një vendi. Funksioni i saj ka të bëjë me të gjitha veprimtaritë që kanë të bëjnë me interesin e përgjithshëm të banorëve lokal. Andaj, Komuna, kuptohet dhe cilësohet si njësi themelore territoriale e administrimit lokal të një vendi.

Roli i Qeverisjes Vendore në sistemin politik të një shteti, duhet parë në radhë të parë në marrëdhëniet që ka me qeverinë e atij shteti. Kjo Qeverisje ka për qëllim që të jetë një faktor i rëndësishëm dhe bazë mbi të cilën organizohen shërbimet për të plotësuar nevojat lokale. Si e tillë, Qeverisja Vendore mendohet të jetë në një partneritet me instancat më të larta demokratike të një shteti. Kjo do të thotë që ajo, duhet të ketë marrëdhënie të mira dhe veprimtaria e saj duhet të jetë në kuadër të ligjeve që dalin nga Pushteti Qendror siç janë Kushtetuta, Ligji për Qeverisje Vendore etj. Nga pikëpamja administrative, ajo duhet parë si diçka racionale, pasi siguron kryerjen e efektshme të shërbimeve publike, aty ku ato janë të nevojshme nën drejtimin e Qeverisjes Qendrore.

Nisur nga fakti që reformat  në Qeverisje Vendore janë nga detyrat kryesore kushtuar transformimit të një shteti, koncepti i reformave duhet pranuar dhe parë si Demokratizim dhe Decentralizim i Pushtetit dhe administratës shtetërore, duke i dhënë më shumë përgjegjësi Qeverisjes Vendore në kryerjen e punëve që i takojnë, përmirësimit të shërbimeve publike, (përfshirë këtu kualitetin e shërbimeve të ofruara qytetarëve si dhe interesimin e qytetarëve për të marrë pjesë në çështjet publike) që kanë të bëjnë me Interesin e Përgjithshëm të qytetarëve në procesin e administrimit.

Principet kryesore prej nga duhet nisur Decentralizimi janë: Demokratizimi dhe Decentralizimi i administratës; Autonomia e Qeverisjes Vendore nga Qeveria; Aktivitetet e pavarura brenda ligjit; Zhvillimi i Komunës dhe pronës private; Përpilimi i buxhetit  të pavarur të  Komunës dhe Zgjedhja e metodave të udhëheqjes.

Kjo lë të kuptohet që Decentralizimi jo vetën që ka mënyrën e zbatimit të detyrave, por edhe vendosjen për ato. Kur marrim parasysh këto fakte do të shohim që Decentralizimi i ka anët pozitive dhe ato negative. Anët pozitive, apo përparësitë e këtij lloji të Qeverisjes janë të shumta e unë do t’i përmend disa më kryesoret:

E para: Bëhet shpërndarja e përgjegjësive në shumë shkallë;

E dyta: Qytetari është më afër shërbimit;

E treta: Rruga e komunikimit në raport Pushtet- qytetar, bëhet më e shkurtër;

E katërta: Përshtaten kushtet dhe rrethanat e caktuara në një mjedis të caktuar; dhe

E pesta: Identifikimi i parregullsive është më i lehtë dhe përgjegjësia është individuale.

Sa u përket mangësive, nëpërmjet Decentralizimit, paraqiten:

Nën një: Mungesa e kujdesit për interes më të gjerë;

Nën dy: Theksohet interesi i pjesshëm; dhe

Nën tre: Nuk funksionon sa duhet kontrolli.

Decentralizimi si proces është funksional, kur mënyra e ndërtimit të tij do të ishte i pranueshëm e i përshtatshëm për shoqërinë si dhe të mos jetë i ndarë në vija etnike. Çdo përpjekje tjetër që do të thoshte ndarje në baza etnike do të ishte i imponuar politikisht dhe do të humbiste kuptimin që në të vërtetë ka. Ajo që po tentohet të bëhet në Kosovë, (bazuar në Dokumentin e Ahtisarit) është një Decentralizim politiko-etnik; territorial dhe i pjesshëm. Kur konstatoj këtë, kam parasysh këto elemente:

Së pari: Decentralizimi nuk përfshinë të gjitha Komunat në Kosovë, por aty bëhet fjalë vetëm për ato rajone ku jetojnë pakica serbe. (Mitrovicë, Graçanicë, Novo-Brdo, Partesh, Shtrpce, Leposaviq e Zubin Potok). Në të gjitha këto Komuna ose vendbanime që po mëtojnë të bëhen Komuna me shumicë serbe në Kosovë, si me Dokumentin Gjithëpërfshirës të Ahtisarit, ashtu edhe me Ligjin për Qeverisje Lokale të Kosovës, u është dhënë e drejta e shkollimit të lartë dhe shëndetit dytësor. Kjo do të ishte krejt në rregull, kur këto kompetenca do t’u ishin dhënë edhe Komunave tjera me shumicë shqiptare. Andaj me të drejtë mund të konstatohet që ky lloj Decentralizimi është eksperimenti i parë në Botë që hap shtigje për ndarje në baza etnike dhe i pjesshëm.

Së dyti: Decentralizimi në Kosovë, po legalizon enklavat me shumicë serbe e me të edhe lidhjen e tyre  horizontale, jo vetëm mes vete, por edhe me Qeverinë e Republikës së Serbisë.

Së treti: Kosova dhe Pushteti Qendror i saj (që është i pjesshëm), nuk mund të kontrollojnë punën dhe veprimtaritë e këtyre Komunave ngase, jo vetëm që legalizojnë lidhjen horizontale me një shtet fqinj, por edhe  lejojnë financimin, (kanë të drejtën e asistencës financiare) nga Serbia.

Kur ato financohen nga Serbia, me çfarë të drejte mund të kërkojë Qeveria e Kosovës që këto Komuna të veprojnë në bazë të Ligjit për Qeverisje Lokale të Republikës së Kosovës.

Bazuar në këto që potencova dhe konstatova, lirisht mund të nxirret një përfundim që Kosova dhe Institucionet e saj (edhe pse tani e pavarur) ende nuk e ka të centralizuar tërë pushtetin. Ende Pushteti është i ndarë në tri vija horizontale: Qeveria e Kosovës, UNMIK dhe EULEX. Derisa të mos bëhet së pari Centralizimi i Pushtetit në një Qendër, (në këtë rast në duar të Qeverisë së Kosovës) vështirë që do të mund të mbijetojë një Decentralizim i tillë politiko-etnik që shumicës shqiptare u imponohet nga burrështetas a qeveri të shteteve mike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora