Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kozeta Zylo: Bisedë me Dr. Evelina Sulaj Skënderi nga fronti i Luftës në Itali

| E diele, 12.04.2020, 07:04 PM |


Bisedë me Dr. Evelina Sulaj Skënderi nga fronti i Luftës në Itali

Trageti i Barit me trupat e bashkatdhetarëve tanë që humbën jetën në këtë pandemi është një tragjedi më vehte që i shtohet dhimbjes për gjithë viktimat e kësaj katastrofe. Thuhet se vetëm në Bresha, qyteti simbol i katastrofës së Italisë së Veriut, kanë humbur jetën 300 shqiptarë. Sot nuk ka të dhëna të sakta zyrtare për shqiptarët që kanë humbur jetën në Itali.

Dr.Sulaj Skënderi po jetojmë    kohën e Luftës, një luftë e tmerrshme përballë një armiku të padukshëm, cila është detyra juaj si mjeke në këtë kohë dhe ku shërbeni konkretisht?

Jetojmë në një situatë të paparë prej 100 vjetësh, shumë pak njerëz të sotëm e kanë jetuar pandeminë spanjolle të 1918-es. Unë jam specializuar në Nefrologji, por punoj si angjolloge në spitale private dhe poliambulator privat në Rimini, Itali.

Si e shikoni gjendjen shëndetesore nga coronavirusi të popullit italian nëpër spitale dhe cilat janë disa nga sfidat që mjekët kanë përpara?

Sot në Itali situata është drejt stabilizimit. Mjekësia ka përpara një sfidë të veshtirë dhe urgjente : të zbulojnë mjekim specifik dhe vaksinën për coronavirusin; gjithashtu mjekesia duhet të përgatitet të përballojë mirë epidemi të tjera, që sigurisht mund të ketë në të ardhmen, pasojë e agresivitetit të njeriut ndaj nënës natyrë.

Në opinionin e gjerë publik duket se ky virus vdekjeprurës e ka gjetur administratën italiane komplet të papërgatitur cili është opinioni juaj?

Është e vërtetë që administrata italiane u gjend e papërgatitur per të përballuar këtê epidemi. Italia nënvleftësoi epideminë orientale dhe nuk kishte një plan të vërtetë emergjence. Kështu që qytetarët u gjendën jo të informuar në mënyrë korrekte, personeli mjekësor u gjend i painformuar profesionalisht për të përballuar situatën dhe spitalet u gjendën pa mjete mbrojtëse.  Këto sollën pasojat që të gjithë i dini.

Si e keni pritur këtë pandemi globale në vehten tuaj si njeri, si mjeke dhe më konkretisht në familje?

Unë personalisht që në rastin e parë në Itali kam këshilluar familjarët e mi dhe të afërmit edhe në Shqipëri të reduktojnë kontaktet sociale. Kina sot ka raporte shumë te ngushta me gjithë boten, prandaj dihej që virusi do pushtonte botën. Në spitalet ku punoj unë sherbimi im është mbyllur për momentin. Unë vete në spital për të kryer vetëm konsultat dhe vizitat urgjente.

Italia u bë shtet i frikshëm, ngase pati numrin më të lartë të vdekjeve pas Wahan në Kinë pse ndodhi kjo në një vend aq të civilizuar si Italia?

Italia falë sistemit shëndetësor falas për të gjithë, falë kujdesit për moshën e tretë ka një popullsi me numur të madh të moshuarish. Mungesa e masave përgatitore për të përballuar epideminë transformoi  spitalet në vatra infektimi. Mos te harrojmë se ishte vendi i parë europian që u godit nga epidemia dhe mungesa e eksperiencës në keto raste është fondamentale. Në Jugun e Italisë, ku epidemia filloi me vonë, vdekshmëria është shumë më e ulët se në Veri.

Cilat janë disa nga këshillat tuaja si mjeke dhe a mendoni se do të zhduket së shpejti kjo epidemi globale që po merr me shpejtësi jetë njerëzish?

Coronavirusi duke qënë virus i ri nuk është i njohur, nuk ka akoma një mjekim specifik, nuk ka një vaksinë, nuk ka mjete të mjaftueshme për diagnostikimin e personave të infektuar, por pa shënja ( mbi 50% e të infektuarve ) që jane burim infektimi per të gjithë njerëzit me të cilët janë në kontakt. Për këto arsye mjeti me i mirë per t’u mbrojtur, për momentin, është distancimi fizik dhe respektimi i normave të higjienës, kontakti me mjekun e familjes i personave të kontaminuar, solidarizimi me njerëzit që kanë më pak mundësi të përballojne izolimin. Përderisa nuk kemi nje vaksinë për virusin nuk mund të parashikohet fundi i saj, por vetëm reduktimi.

Konkretisht sot gjithë lajmet dhanë nisjen e tragetit nga Bari i Italisë me trupa të vdekur shqiptare, si e përjetuat këtë situatë dhe e dini numrin e saktë?

Trageti i Barit me trupat e bashkatdhetarëve tanë që humbën jetën në këtë pandemi është një tragjedi më vehte që i shtohet dhimbjes për gjithë viktimat e kësaj katastrofe. Thuhet se vetëm në Bresha, qyteti simbol i katastrofës së Italisë së Veriut, kanë humbur jetën 300 shqiptarë. Sot nuk ka të dhëna të sakta zyrtare për shqiptarët që kanë humbur jetën në Itali.

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë në kohën pandemike parë me syrin tuaj si shqiptare, por dhe si mjeke?

Shteti shqiptar mori  masa kurajoze dhe në kohën e duhur dhe për këtë arsye pati një kurbë infektimi jo shumë të lartë, sidomos duke marrë parasysh raportet familjare dhe sociale shumë të ngushta që karakterizojnë popullin tonë. Shpresoj që njerëzit të kenë akoma durim për të evituar një krizë të dytë infektimesh.

Cila është fëmijëria juaj, origjina dhe çfarë do të kujtoni me shumë prej saj?

Unë kam lindur në Tepelenë, një qytet i vogël në Jug, ku të gjithë njiheshim. Babai im Myftar Skënderi dhe nëna ime Kajaçja kanë lindur e janë rritur në Salari. Mendoj se kam patur prindër te jashtëzakonshem që mundën në ato vite të dërgojnë në universitet 5 nga 6 fëmijet e tyre, dhe  ju jam shumë mirenjohëse për sakrificën e tyre të pashembullt.  Jam e lidhur fort shpirtërisht jo vetëm me Tepelenën ku jetova derisa vajta në universitet, por edhe me Salarinë, vendlindjen e prindërve të mi. Në kohën tonë, në qytetin tonë shoqeria ishte i vetmi argëtim i vërtetë, prandaj ruaj kujtime shumë te bukura por dhe jam në kontakt gati me të gjithë shoqërinë time të femijërise. Nuk harroj të djelat në Ujin e Ftohtë ku mblidhej gjithe qyteti me gatimet nga shtëpia, afersinë e njerëzve në raste vështirësie, nuk harroj shijet dhe aromën e Salarisë kur vija në verë. Ka ardhur koha e nostalgjisë së thellë, sidomos mbas humbjes së babait tim.

Mendoni se një ditë do të ktheheni në Shqipëri për të ofruar përvojën tuaj si mjeke e specializuar e ardhur nga shteti italian me një mjekësi të zhvilluar?

Unë u riktheva në Itali, ku kisha vazhduar një pjesë të specializimit 1995-96, në 1997 me idenë për të ndenjur pak kohë, sa të qetësohej situata në Shqipëri.  E mbajta opsionin e kthimit të vlefshëm për shumë vjet. Sot Shqiperia po ecën përpara dhe shërbimi shëndetësor po modernizohet pa harruar që vendi ynë ka patur historikisht mjekë të aftë. Për momentin nuk medoj që mund të kthehem. Në familje flasim shqip në shtëpi dhe çdo verë i kam çuar fëmijet me pushime në Shqipëri për të shijuar natyrën e vendit tonë e gjithë të afërmit. Shqipëria do eci përpara sepse i ka të gjitha kapacitetet.

Ju faleminderit Dr.Sulaj për bisedën dhe paçi shëndet!

Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare

10 Prill, 2020

New York