E premte, 19.04.2024, 09:14 PM (GMT+1)

Speciale

Jahja Drançolli: Dedikimet artistike të Viktor Karpaçit dhe Cikli i Arbërve në vitet 1502-1504/8, Venedik!

E shtune, 11.04.2020, 01:46 PM


Të gjithë besimtarëve të krishterë, Me Sh’net Pashkët:

Dedikimet artistike të Viktor Karpaçit (Vittore Carpaccio) dhe Cikli i Arbërve në vitet 1502-1504/8, Venedik!

Nga Jahja Drançolli

Pa dyshim, njëri ndër burrat më të mëdhenj të Shkollës së Arbërve në Venedik qe Viktor Karpaçi, një piktor me origjinë arbërore, i cili sipas talentit të tij të rrallë, u ngritë në piramidën e piktorëve më të njohur të Renesansës. Lindi midis viteve 1455-1465 dhe vdiq në fund të vitit 1525 apo në fillim të vitit 1526. Ajo që tërheqë më tepër vëmendjen është ajo se, Viktor Karpaçi qe bashkëkohës dhe bashkëpuntor i afërt me artistët e mëdhenjë të artit të Renesansës italiane Gentile Bellini (1429-1507) dhe Giovanni Bellini (1430-1516). I pari medohet se ka punuar drejtpërdrejt skicat e portretit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, kur Fatosi ynë qe në Itali. Karpaçi e konsideronte Gentile Bellini-n edhe si mësuesin e vet të nderuar.

Opusi i Viktor Karpaçit është shumë i pasur, ai përfshinte më se 100 tablo. Nga ky opus janë ruajtur vetëm gjashtë tablo, të cilat i punoi gjatë viteve 1502-1504/8 për Shkollën e Arbërve. I punoi këto në kohën kur ishte në kulmin e pjekurisë së tij si artist. Dy piktura, nga Cikli i Arbërve, me rastin e pushtimit të Republikës së Venedikut nga austriakët, u dërguan sipas urdhrit të princit austriak Meternikut më 1838 në Vjenë. Është fjala këtu për tablon Vdekja e Mërisë dhe tablon Festa e Mërisë. Ndërkaq tablo të tjera nga Cikli i Arbërve mbetën në Itali, por jo përherë, meqë dy prej tyre ruhen në Karlsruhe dhe Lisbon.

Për Ciklin e Arbërve Karapaçi nuk zotëronte ndonjë burim të drejtpërdrejtë vizuel. Dihet mirëfilli se ai për shkaqe të njohura ishte larg nga atdheu i tij i robëruar nga osmanët. Përkundrazi, gjenialiteti i tij diti të krijonte vepra origjinale dhe të pavarura nga çfarëdo shkolle. Padyshim se natyra ishte mjeshtri i tij kryesor. Të shumta janë pikturat, tablotë me përpjestime të mëdha ku gërshetoheshin temat midis arkitektit të antikitetit të Atdheut të tij madhështor dhe Atdheut të dytë, Venedikut, me arkitekturën e tij fanstastike, me procesionet e tij pompoze e me veshje të pasura senatorësh. Në zjarrin që kishte kapluar pallatin dukal në Venedik janë asgjësuar pothuaj shumë copë që prezentonin festa ceremoniale dhe piktura të mjeshtërve të ndryshëm, që do të mund të na ofronin shpjegime se cilët mjeshtër të tjerë kanë ndikuar në te dhe për zhvillimin e artit të Karpaçit. Për fat të mirë janë ruajtur në shkollën e Shën Gjon Ungjillorit disa kampionë kryesorë, si, për shembull Gentile Bellini, të cilët, nëse kanë ndonjë ngjashmëri në trajtimin e subjekteve, janë bukur larg për të treguar talentin e gjallë të tregimtarit Karpaçi. Së këtejmi, me plot gojën mund të shtrohet pyetja se përveç ciklit të jetës së Mërisë Zojës së Arbërve, a ka pasur cikle të tjera kushtuar jetës së Zojës së Virgjër nga artistët e tjerë që vepronin në Venedik? Pikërisht kjo temë u realizua në terrësi në ciklin e arbërve, përkatësisht i tërë ky cikël është paraqitur në pjesën e majtë të lokaleve të Shkollës së Arbërve. Aty janë pikturuar këto piktura: “Nascita della Vergine” (“Lindja e Virgjëreshës”), “Presentazione di Maria Vergine al Tempio” (“Paraqitja e Virgjëreshës Mari në Tempull”), “Madonna con il Bambino tra i Santi Caterina e Gerolamo” (“Zoja Mëri me fëmijën midis Shenjtorëve Katarina dhe Jeronimi”), “Sposalizio di Maria Virgine” (“Kurorizimi i Mërisë Virgjër”), “L’ Annunciazione” (“Festa e Mërisë së Virgjër”), “La Visitazione” (“Vizita e Zojës Maria Elezabeta”), dhe “La morte della Virgine” (“Vdekja e Mërisë së Virgjër”).

Piktura “Lindja e Mërisë së Virgjër” (format 126 x 129 cm), e cila sot ruhet në galerinë Accademia Carrara në Bergamo, është kryevepra e tij. Kjo është një pikë e referimit kronologjik. Është konstruktuar nga Nunciati në Ca d`Oro, mbi të cilën lexojmë: “IN TEMPO DE ZUAN DE NIGOLO ZIMADOR E SOI COMPAGNI MCCCCCIIII”. Mbi autografinë e pikturave kritika është shprehur përherë duke treguar bashkëpunimin apo ndihmën evidente dhe kualitative me pikturat e ciklit të Shën Gjergjit të dalmatëve. Pas largimit të Napoleonit nga Venediku, kjo pikturë në vitin 1811 bartet në Pinakotekën e Brerës në Milano (Brera di Milano); prej koleksionit Lechi në Brescia më pastaj bartet në Lochia de Bergamo, e që më në fund arrinë në selinë aktuale, përkatësisht në Accademia Carrara në Bergamo. Pjesa e brendshme e pikturës, e thjeshtë dhe nga jeta e përditshme, përbëhet nga një varg dhomash në drejtim të portës së fundit. Piktura ka trajtim gjeometrik, por vërehen edhe natyra të vdekura. Vepra “Annunciazione” (“Festa e Mërisë së Virgjër”), është si të thuash, kuadri kryesor i ciklit, si rezulton nga interpretimi e përshkrimi i studiuesit Mengardi. Paraqitja e vdekjes së Mërisë së Virgjër: në të majt të korit të engjëjve janë portretet e donatorëve, të gastaldit Gjon Nikollë Zimadorit, të famullitarit Ndre Pjetrit, te një Skrivani, e një shoku tjetër arbër. Këte temë, Karpaçi e paraqiti edhe një herë në veprën Vdekja e Mërisë së Virgjër mbi dërrasë të drurit të gjerë 14 cm, e lartë gati dyfish, e cila ruhet në batisterinë e Shën Mërisë të Vados në Ferrara, e më vonë në muzeun e këtij qyteti. Kuadri është tejet i përsosur e me ngjyrë të shndritshme. Në një kartelë është shkruar: “Victor Carpathius Venetus MDVIII”. Kompozicioni i kësaj pikture pothuaj është i ngjashëm me atë të ciklit të arbërve. Vetëm se mungojnë kori e engjëjve dhe portretet e donatorëve. Po ashtu, ndryshon shumë në figura, në arkitekturë e në peisazh. Duke vërejtur me kujdes këte kuadër mund të konstatohet se, në tablon e ciklit të arbërve, sikur provon kritiku i artit Edwards, Karpaçi ka pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë, piktorë nga Shkolla e Arbërve.

“Paraqitja e Virgjëreshës Mari në Tempull”, sikurse edhe vepra kushtuar “Lindjes së Mërisë së Virgjër” qe transferuar në vitin 1808 nga selia ëmë në pinakotekën e Brerës, ku ruhet edhe sot. Në një pjesë të pikturës shihet kulla me orë në Sheshin e Bujarëve në Padova. Episodi i fëmijës që mban një drenushë, i kthyer për të folur, tërësisht i habitur nga ngjarja kryesore, sikur konstatonte Sandra Caporali, sugjerohet lidhmëria “Il cantico dei Cantici” (“Kënga e këngëvet”) ku drenusha, sipas interpretimit të Bernardo Chiaravalle, është simbol i Zanës së Virgjër. Dhjetë shkallët e tempullit (e jo 15 sipas legjendës së artë), ndoshta do të jetë një aluzion për dhjetë urdhëresat.

Piktura Zoja Mëri me fëmij midis shenjtorëve Katarina e Jeronimi e punuar në teknikën vaj në pëlhurë, në madhësi 66,5 X 85,5 cm, për një kohë është mbajtur se është punim i të birit të Viktor Karpaçit, Benedikt Karapaçit. Mirëpo, studiuesit G.Ludwig - P. Molmenti me plotë të drejtë kanë konstatuar se është fjala për veprën e t`et. Kritika ka provuar se, vepra në fjalë është pikturuar para vitit 1507. Nëse studiohen me kujdes veprat e artistit Giovanni Bellini, njërit ndër piktorët më të njohur të Renesansës, bashkëkohës i Viktor Karpaçit e të piktorëve të tjerë të kohës, shihet se, veprat rinore të tyre janë ndikuar nga ligjërimi i ndonjë mjeshtri apo shkolle, për çka mbetën të pavarur në pjekuri, të dobët në pleqëri për shkak të dekadencës natyrore. Përkundrazi, te Karpaçi nuk vërehet një gjë e këtillë; që në fillim të karrierës së tij shohim në të mjeshtrinë e përsosur, e që në vazhdim, në moshë 30-vjeçare, vlerat artistike, origjinaliteti i stilit të tij, mbahet gjithnjë në nivel të lartë.

Nga gjithë ajo që u tha më sipër mund të konstatojmë se, në krijimtarinë e pasur artistike të V. Karpaçit vërehen tema fetare dhe jofetare, gjë që ishte karakteristike edhe për piktorët e tjerë të kohës. Por arti i piktorit Karpaçi, pavarësisht nga tematika, është njerëzor dhe i mrekullueshëm. Ai është i fillimeve të shekullit të artë në pikturë. Në këte aspekt, emri tij përmendet me nderim të veçantë në të gjitha botimet e historisë së artit të Renesansës, në enciklopedi të artit dhe enciklopedi të përgjithshme. Tablo të tij, ndërkaq, janë riprodhuar si modele të artit të përparuar realist të Renesansës.

Ilustrimi: “Presentazione di Maria Vergine al Tempio” (“Paraqitja e Virgjëreshës Mari në Tempull”)!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora