Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhelal Zejneli: Albert Camus - ''Murtaja''

| E shtune, 11.04.2020, 03:20 PM |


ALBER KAMY - “MURTAJA”

Individi përballë epidemisë

Nga Xhelal Zejneli

Tri veprat e veta: romanin “I huaji” (L’Étranger, 1942), dramën “Kaligula” (Caligula, 1944) dhe esenë “Miti i Sizifit” (Le Mythe de Sisyph, 1942) Alber Kamy i sistemoi në ciklin e absurdit. Për këtë arsye e konsideronin si një nga përfaqësuesit e letërsisë ekzistencialiste me të cilën ndërlidhet tema e absurdit të jetës dhe të botës.

Duke konsideruar se shumëçka e ndan prej rrethit ekzistencialist të Sartrit (Jean-Paul Sartre, 1905-1980), sidomos pikëpamja mbi natyrën apo karakterin e njeriut, Kamy deklaroi se cikli i parë i tij është vetëm një lloj pike fillestare. Me librat e parë dëshironte të shprehë klimën e nihilizmit të kohës.

Shënimet e tij në formë ditari paralajmërojnë romanin “Murtaja” (La Peste, 1947) që synon kah vlerat pozitive. Me fjalë të tjera, pak pas paraqitjes së veprave të ciklit të absurdit, lindin veprat e ciklit të revoltës: “Murtaja”, dramat “Shtetrrethimi” (L’État de siège, 1948), “Të drejtët” (Les Justes, 1950) dhe eseja e madhe “Njeriu i revoltuar” (L’Homme révolté, 1951).

Në këtë ese Kamy kritikon totalitarizmin e djathtë por edhe atë të majtë. Qerthulli i Sartrit ishte vetëm për kritikën e totalitarizmit të djathtë. Për këtë arsye, Kamyja u prit prej tyre në tehun e shpatës. Si reagim ndaj “progresistëve” të Parisit, Kamy boton romanin “Rënia” (La Chute, 1956). Ky roman nuk i përket ciklit të revoltës, por nuk paralajmëron as ciklin e dashurisë. Në romanin “Njeriu i parë” (Le premier homme, 1994, botuar posthum nga e bija Katherine ), Kamy u kthehet hapësirave të dritës, të dashurisë dhe të lumturisë.

*   *   *

“MURTAJA” është vepër që flet për murtajën që e përlau Oranin, qytet bregdetar i Algjerit, i banuar nga algjerianë dhe francezë. Epidemia fiktive në roman shpërthen në prill të vitit 1940 dhe zgjat deri në shkurt të vitit 1941. Vepra shtron një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me natyrën e fatit dhe me situatën njerëzore. Të gjitha personazhet, që nga mjekët dhe turistët, e deri te ikanakët, mundësojnë për ta kuptuar ndikimin e murtajës ndaj popullsisë.

Punën në këtë roman, Kamy e ka filluar në prill të vitit 1941, gjë që shihet në ditarët e tij. Në mars të vitit 1942 e njofton romancierin dhe eseistin francez Andre Malronë (André Malraux, 1901-1976) se është duke shkruar roman për murtajën.

Supozohet se vepra është bazuar në epideminë e kolerës, e cila në vitin 1849 ka vrarë një përqindje të madhe të popullatës së Oranit. Para se Kamy ta shkruante romanin, qyteti ka qenë i goditur nga murtaja disa herë. Sipas raporteve të qendrave të kontrollit dhe të parandalimit të sëmundjeve, Orani është shkatërruar nga murtaja në vitet 1556 dhe 1678.  Epidemitë e mëvonshme, ajo e vitit 1921 (185 raste), e vitit 1931 (76 raste) dhe e vitit 1944 (95 raste) nuk kanë qenë në përmasat siç është paraqitur në roman. Murtaja që shpërtheu në Oran në vitin 2003 zgjati vetëm një muaj.

Ndonëse romani përcjell përparimin e virusit specifik në një qytet të caktuar dhe brenda një kornize kohore, tema e vërtetë e veprës shkon përtej kornizave të atij vendi dhe të asaj kohe.

Qëllimi i autorit është metaforik. Ai merret me çdo infektim që mund ta përlajë çdo shoqëri: që nga kolera, gripi spanjoll, sida, sarsi e deri te kovid-19. Kamy ka parë lidhjen ndërmjet infektimit fizik dhe atij psikologjik.

Kamy nuk pajtohej ta konsideronin filozof ekzistencialist. Megjithëkëtë, romanin “Murtaja” kritika letrare e ka quajtur vepër klasike filozofisë ekzistencialiste. Kamy e quante veten shkrimtar dhe jo filozof.

Toni narrativ është i ngjashëm me atë të Kafkës, posaçërisht me atë në “Proces” ku fjalitë shpesh mund të kenë domethënie të shumëfishta, ndërsa tematika theksueshëm kumbon si një alegori e ashpër e ndërgjegjes së lartë dhe e gjendjes në të cilën ndodhet njerëzimi. Kamy tregon në mënyrë të figurshme se në ç’mënyrë bota ballafaqohet me ekzistimin e absurdit, filozofi teorike kjo, për krijimin e së cilës Kamy kontribuoi me të madhe.

“Murtaja” shpesh është interpretuar si një pasqyrim alegorik të qëndresës ndaj pushtimit nazist.

*   *   *

Veprimi i “Murtajës” është i ndarë në pesë pjesë. Hero kryesor i veprës është Dr. Rije. Pasojnë ish-revolucionari Zhan Taru, gazetari Ramber, zyrtari i qytetit Gran, hohshtapleri Kotar dhe kleriku Panlu. Nëpërmjet fatit të tyre, autori synon të japë pasqyrën e çështjeve thelbësore në muzgun e vlerave humane.

Pjesa e parë: Në qytetin e Oranit, mijëra minj, në fillim pa u vënë re nga banorët, fillojnë të shfaqen dhe të ngordhin nëpër rrugë. Sakaq, njerëzve u hyn paniku. Për ndodhitë e sipërthëna nisin të shkruajnë edhe gazetat vendore. Nën trysninë e publikut, autoritetet i rreken punës për t’i grumbulluar minjtë e ngordhur, duke bërë njëherazi edhe asgjësimin e tyre me kremacion. Por, organet e pushtetit nuk qenë të vetëdijshëm se pikërisht grumbullimi i minjve të infektuar në një vendgrumbullim, do të jetë katalizator i murtajës.

Një mëngjes, personazhi kryesor, Dr. Bernar Rije para dyerve të banesës së vet vëren një mi të ngordhur. Pas ca ditësh, kujdestari i ndërtesës i cili e kishte mënjanuar miun, vdes prej etheve. Në fillim, Dr. Rije nuk dëshiron të nxjerrë ndonjë përfundim. Këshillohet me kolegun e vet, Dr. Kastelin për të supozuar bashkërisht se në qytet është shfaqur murtaja. Që të dy u drejtohen mjekëve të tjerë si dhe organeve të qytetit. Asnjëri prej tyre nuk i beson teorisë se në qytet do të shpërthejë murtaja. Nuk mund t’i besohet një supozimi të tillë për shkak të vdekjes së një personi të vetëm. Por, numri i vdekjeve sa vjen e rritet. Tani duket qartë se kemi të bëjmë me ndonjë epidemi. Ndërkohë, gruaja e Rijesë mjekohet në sanatoriumin e një qyteti tjetër, nga një sëmurje kronike që s’ka të bëjë me epideminë e përhapur.

Autoritetet, përfshi edhe prefektin, nuk duan të besojnë se gjendja është serioze. Lindin mosmarrëveshje dhe zënka rreth masave që duhen ndërmarrë. Organet kompetente  ndërmorën masa kontrolli dhe masa parandaluese. Njoftimet zyrtare të organeve të pushtetit qenë tepër optimiste, ndaj s’kishte përse të ndërmerreshin veprime emergjente. Në spital u hap një “repart special”, 80 shtretërit e të cilit u zunë për tri ditë. Duke qenë se numri i të infektuarve rritej me të shpejtë, u ndërmorën masa më drastike. Pas një pritjeje të gjatë mbërrijnë vaksinat, por me to mund të mbulohen vetëm rastet ekzistuese. Rezervat për situatat emergjente të vendit - janë shterur. Kur numri i të vdekurve brenda një dite arriti në 30, kufijtë e qytetit u mbyllën. Më në fund, autoritetet kumtojnë se ka shpërthyer epidemia e murtajës.

Pjesa e dytë: Dyert e qytetit janë të mbyllura. Udhëtimi me hekurudhë është ndaluar. Shërbimi postar është ndërprerë. Përdorimi i linjave telefonike është kufizuar vetëm për thirrjet e ngutshme. I vetmi mjet komunikimi me miqtë dhe familjen jashtë qytetit janë telegramet e shkurtra. Ndarja ndikon në veprimtaritë e ditëpërditshme të banorëve, të cilët fillojnë të ndjehen të izoluar, introvertë dhe të deprimuar. Prania e murtajës fillon të ndikojë edhe te personazhet e veprës.

Një prej personazheve, gazetari Rajmon Ramber i cili kishte ardhur në Oran me punë, sajon një plan për të ikur nga qyteti dhe për t’iu kthyer gruas së vet në Paris, pasi që autoritetet e qytetit e kishin refuzuar kërkesën e tij për vajtje. Ai miqësohet me kriminelët e nëntokës, duke besuar se ata do të mund ta nxjerrin nga qyteti i mbyllur.

Personazhi tjetër, kleriku Panlu e shfrytëzon murtajën si mundësi për ta forcuar pozitën e vet në qytet duke thënë se murtaja është shfaqur si dënim nga Zoti për mëkatet e qytetarëve. Predikimi i tij në kishë ndikon te shumë banorë që t’i kthehen fesë, gjë që në rrethana normale nuk do ta bënin. I pandërgjegjshmi Kotard e kishte shfrytëzuar situatën për t’u pasuruar. Por erdhi një çast kur ai nisi të frikësohet nga arrestimi, ndaj si akt pendimi qe i gatshëm edhe për vetëvrasje, e lëre më t’i kthehet fesë. Ndërkohë, Dr. Rije, zyrtari i qytetit, Gran dhe turisti Zhan Taru, bëjnë çmos për t’u ndihmuar qytetarëve, duke i vizituar dhe duke i mjekuar nëpër shtëpitë e tyre dhe nëpër spitale.

Pasi mëson nga Taru se ka edhe të tjerë që vuajnë për të afërmit e tyre që ndodhen jashtë qytetit, e një prej tyre është edhe Dr. Rije, Ramberi emocionohet, ndërron mendjen për ikje dhe vendos t’i bashkëngjitet treshit në luftën kundër murtajës.

Pjesa e tretë: Kah mesi i gushtit, gjendja bëhet edhe më e rëndë. Njerëzit përpiqen të ikin prej qyteti, por rojet e armatosura i ndalojnë. Në përmasa të vogla shpërthejnë dhuna dhe vjedhjet, ndërsa autoritetet reagojnë duke shpallur gjendjen ushtarake dhe duke vendosur orë policore. Varrimet kryhen shpejtas dhe pa kurrfarë ceremonie apo konsiderate ndaj familjes së të ndjerit. Banorët i vuajnë në mënyrë pasive shqetësimet në rritje të mërgimit dhe të ndarjes gjë që shkakton rrënimin e tyre emocional dhe fizik.

Pjesa e katërt: Në shtator dhe në tetor, qyteti ndodhet në mëshirën dhe pamëshirën e murtajës. Dr. Rije merr lajme nga sanatoriumi se gjendja e gruas së tij po përkeqësohet. Megjithëkëtë, ai me zemër të fortë vazhdon ta ushtrojë detyrën e vet. Në anën tjetër, Kotardit murtaja i shkon për shtati ngase, i ballafaquar me të njëjtën fatkeqësi sikur të tjerët, fillon të ndjejë se edhe ai i përket bashkësisë njerëzore dhe se është në lidhshmëri me të. Kotardi dhe Taru shkojnë për të parë operën në tre akte “Orfei dhe Euridika” (e para operë reformiste Orfeo ed Erudica) të kompozitorit dhe dirigjentit gjerman Gluk (Cristoph Willibald Gluck, 1714-1787). Aktori që e interpreton Orfeun, i infektuar nga murtaja dhe i përshkuar nga  ethet, bie në skenë.

Pas bisedimeve të gjata me rojet, më në fund Ramberit i mundësohet të ikë nga qyteti. Por ai vendos të mos largohet, duke thënë se po të ikte do t’i vinte turp nga vetvetja.

Kah fundi i tetorit Dr. Kasteli për herë të parë e provon vaksinën e vet kundër murtajës, por ajo rezulton e pasuksesshme në rastin e mjekimit të një çuni, bir i zotëri Otonit.

Ndërkohë kleriku Panlu i është bashkëngjitur grupit të vullnetarëve që luftojnë kundër murtajës. Ai mban predikimin e dytë dhe flet për vuajtjet e fëmijëve të pafajshëm, duke shtuar se ky është një sprovë që kërkon nga besimtarët: o të jenë besimtarë të mirëfilltë, o të heqin dorë nga feja. Ai e fton bashkësinë dhe e trimëron atë që të mos heqë dorë, por me të gjitha forcat të vazhdojë luftën kundër murtajës.

Disa ditë pas predikimit, sëmundja e përlanë edhe Panlunë. Simptomat e tij nuk përputhen me ato të murtajës. Megjithëkëtë, sëmundja për të ishte fatale. Ai vdes.

Taru dhe Ramberi vizitojnë një nga kampet e izolimit. Aty takojnë Otonin. Pas përfundimit të qëndrimit në karantinë, Otoni vendos të mbetet në kamp për të ndihmuar si vullnetar. Ai beson se kjo do t’ia zbusë dhimbjen nga humbja e të birit. Taru i flet Dr. Rijeut për jetën e vet dhe për t’i flakur mendimet nga epidemia, shkon në det për të bërë not. Infektohet edhe Grani, por pas një kohe e merr veten. Numri i vdekjeve fillon të shënojë rënie.

Pjesa e pestë: Kah fundi i janarit murtaja tërhiqet plotësisht, ndërsa qytetarët festojnë hapjen e paralajmëruar të dyerve të qytetit të mbyllur në karantinë. Por, Otoni nuk ia del t’i shpëtojë vdekjes nga infektimi. Kotardi i cili me punët kontrabandiste përfitonte nga epidemia, tani është i shqetësuar për përfundimin e saj. E rrok paranoj. Në ikje e sipër, e ndalin dy zyrtarë të shtetit. Edhe se epidemia kishte marrë fund, edhe Taru u infektua nga murtaja dhe pas një lufte heroike, vdiq. Dr. Rije njoftohet me telegram për vdekjen e gruas së vet.

Në shkurt qyteti hapet. Njerëzit përsëri bashkohen me të afërmit e tyre. Ramberi takon gruan e vet. Në gjendje çmendurie, Kotardi qëllon me armë ndaj njerëzve të ndërtesës ku banon, për të përfunduar pas hekurave. Grani e vazhdon punën në romanin që e kishte ndërprerë.

Narratori i kronikës e zbulon identitetin e vet, duke shprehur dëshirën për t’i paraqitur objektivisht pikëpamjet e veta lidhur me ngjarjet. Vjen në përfundim se duhet pasur besim te njerëzit dhe jo të urrehen ata.

Kjo temë e madhe e fatkeqësisë dhe e luftës, në veprën e Kamysë merr një domethënie simbolike. Romani është i angazhuar dhe tejet aktual, sidomos sot kur paranoja shoqërore, si pasojë e kanosjeve të vazhdueshme ndaj njerëzimit në formën e përhapjes së viruseve vdekjeprurëse, të shpërthimit të terrorizmit, të katastrofës bërthamore apo natyrore, ka marrë përmasa frikësuese. E keqe vjen dhe ashtu si ka ardhur, njashtu dhe ikën. Pas një kohe - në një botë si kjo – vjen një e keqe e re.

E mira e përgjithshme nuk mund të përfytyrohet jashtë fatit të individit – Kamy.

*   *   *

Kritika letrare: Zherman Bre luftën e personazheve kundër murtajës e ka karakterizuar si “jodramatike dhe të përkushtueshme”. Sipas tij, për dallim nga ideologjia “e glorifikimit të forcës” që vërehet në romanet e Andre Malrosë, personazhet e Kamysë, pa kurrfarë ideologjie dhe kundrejt sakrificave personale, vihen në veprim për të shpëtuar njerëz dhe jo për ta asgjësuar murtajën. Marina Varner vë në dukje mungesën e personazheve femra, duke shtuar se në roman nuk kemi as personazhe arabë. Ajo thotë se romani i përmban edhe pikëpamjet filozofike të Kamysë “për angazhimin”, “për mendjemprehtësinë e zemërgjerësinë”, “për heroizmin e vogël e qyqarinë  e madhe”, “për problemet e ndryshme, thellësisht humane, siç janë dashuria dhe mirësia, lumturia dhe solidariteti i ndërsjellë.” Tomas Hana dhe Xhon Lusi janë marrë temat që kanë të bëjnë me krishterimin në roman, sidomos me angazhimin e klerikut Panlu dhe të Dr. Rijesë. Lui Rosi flet shkurt për rolin e Tarusë në roman. Elvin Sterling e ka analizuar rolin e Kotardit dhe aktin përfundimtar të tij në fund të veprës.