E shtune, 20.04.2024, 01:21 AM (GMT+1)

Mendime

Florim Zeqa: Si t'i largojmë matrapazët nga skena politike!?

E shtune, 11.04.2020, 11:46 AM


Si t'i largojmë matrapazët nga skena politike!?

Shkruan: Florim Zeqa

Zgjedhjet e fundit parlamentare të 6 tetorit të vitit të kaluar ishin rasti i fundit për kthimin e shpresave të qytetarëve për ndryshime pozitive përmes votës së lirë. Përderisa lidhja e koalicionit paszgjedhor LVV-LDK, gjegjësisht formimi i qeverisë së shpresës kishte shënuar kthimin e shpresave të qytetarëve, prishja e këtij koalicioni shënon fundin më të keq të iluzioneve për ndryshim!

Mbase zgjedhjet e fundit parlamentare ishin rasti i fundit për kthimin e shpresave të qytetarëve dhe ndryshimin e kursit qeverisës në vendin tonë.

Atëherë kur të gjithë ishin në pritje të ndëshkimit të keq-qeverisjes 12 vjeçare, të atyre që katandisen shtetin e Kosovës dhe thyen shpresat e qytetarëve, ndodhi e kundërta.

Popullit të Kosovës i ndodhi zhgënjimi i papritur dhe thyerja më e madhe shpirtërore në këto 21 vjetët e fundit nga prishja e koalicionit të shpresës.

Matrapazët politik përmes pazareve të pista, Kosovën nga një vendi i shpresës dhe i ardhmërisë e kanë kthyer në një vend ku ëndërrat shndërrohen në iluzione, ku shpresat vdesin akoma pa lindur.

Shpresat e qytetarëve u kthyen në iluzione

Deri të kjo ka ardhur, për shkak se shumica e liderëve të partive politike s'kanë asgjë të përbashkët me qytetarët e vendit, për arsye se mendjen e kanë tek bizneset e tyre, tek pasuria dhe të milionat e tyre të deponuar në bankat jashtë vendit, ndoshta edhe në "Parajsat Fiskale!

Liderët e papërgjegjshëm partiak elektoratin e tyre e përdorin vetëm si objekt përfitimi përgjatë fushatave zgjedhore, sa për t'ua grabitur besimin (votën), ndërsa më pas të gjitha pazaret i bëjnë në mes vete duke e kontrabanduar vullnetin e elektoratit nga njëra parti tek tjetra vetëm për interesat e tyre personale.

Kasta e korruptuar politike e vendit, në veçanti liderët e partive politike para opinionit publik (elektoratit) shpesh përlahen mes vete, por asnjëherë nuk mund t'i shkojnë deri në fund "konfliktit", shkaku i interesave të përbashkëta, apo thënë më qartë dhe më kjartë, shkaku i bizneseve të përbashkëta, tenderëve dhe përfitimeve nga aferat korruptive që i ndajnë me njëri-tjetrin.

Pothuajse të gjithë liderët e subjekteve tona politike janë shndërruar në uzurpatorë të shtetit dhe varrmihës së ardhmërisë së qytetarëve të këtij vendi, janë bërë sinonim i së keqes, i korrupsionit, krimit të organizuar, zhvatjes së pasurisë shoqërore (shtetërore),...duke e shndërruar Kosovën e pasur me resurse të shumta natyrore, në një vend të varfër dhe të pashpresë për të jetuar në të.

Kësaj gjendje në masë të madhe i ka kontribuar edhe pritja e gjatë e popullit, me shpresën se një ditë do të bëhet mirë, si dhe heshtja e pajustifikueshme e një pjese të elitës intelektuale.

Edhe pse jo drejtpërdrejt të kyçur në politikë, me idetë dhe vizionin e tyre, inteligjenca jonë mund të bënin, që shumë gjëra të ndryshonin më shpejtë në të mirë të vendit dhe qytetarëve.

Partitë politike, korporata fitimprurëse për politikanët e korruptuar

Klasa e kusarëve politik standard të veprimeve të tyre e kanë gënjeshtrën dhe mashtrimin e qytetarëve, vjedhjen dhe abuzimin me paratë e taksapaguesve të varfër të këtij vendi.

Përderisa partitë politike janë shndërruar në korporata fitimprurëse për liderët dhe vartësit e tyre, janë bërë edhe shkelëse dhe abuzuese te besimit të qytetarëve.

Duke u ngritur në karrierë politike dhe pasuruar nga mashtrimet dhe kauzat e rrejshme, klasa politike aktuale (pushtet dhe opozitë) modelin e abuzimit e kanë ngritur në standard të politikës ditore.

Pra, kjo klasë kusarësh politikë dinë se si të gënjehet, e mashtrohet, të blihet e mbahet elektorati për 21 vjet për mbajtjen, gjegjësiht marrjen e pushtetit.

E vetmja shpresë e vogël e  qytetarëve të dëshpruar është ngjizja e një nisme të re nga Diaspora në bashkëpunim me kapacitetet e shëndosha intelektuale të vendit, me veprimtarët dhe atdhetarët e përkushtuar ndaj Kosovës martire, për ta ç'rrënjosur në themel të keqën që ka mbërthyer vendin tonë në këto 12 vjetët e fundit.

Sa më parë ta çlirojmë Kosovën nga përbindëshat dhe matrapazët politik, nga uzurpatorët e shtetit, përkatësisht nga kusarët politik të "Cosa Nostra"-s apo mafias kosovare të shekullit 21 në të dyja nivelet e qeverisjes, aq më e afërt do të jetë dita e ndryshimeve pozitive, dita e prosperitetit dhe zhvillimit ekonomik të vendit tonë.

Çlirimi i vendit nga matrapazët dhe kusarët politik është i mundur të arrihet me vetëdijësimin e elektoratit për ndëshkim me votë, gjegjësisht me mos votimin e tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale, të rregullta apo të jashtëzakonshme kurdo që do të mbahen ato.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora