E marte, 16.04.2024, 11:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Sali Frangu: Besimi eshte fuqi - Do t`ia dalim!

E enjte, 09.04.2020, 11:08 AM


BESIMI ESHTE FUQI: -DO T`IA DALIM!

Nga Sali Frangu, Tirane

Ditë të vështira po kalojmë. Po ditë më të mira paskëtaj vijnë. Kjo mortje që ka mbërthyer për fyti të gjithë globin po na lodh. Por ne nuk dorëzohemi para këtij përbindëshi të padukshëm, të cilin e vizatova për ju te nderuar lexues. Thonë se ky zog a gjitar, a ç'dreqin është, është babai i këtij përbindëshi. Unë e vizatova ashtu si më erdhi në mendje: - i zi si nata që e ushqen e i lagësht si shpellat e pabesisë. E vizatova të bardhë se dua ta fus në bardhësine e shpirtit të njerëzimit, dua ta fus në bluzat e bardha të mjekëve dhe në ëndrrat e bardha të fëmijëve.

Po e shoqëroj me këtë vjershë që mbase e tremb sado pak.

Besimi eshte fuqi; -Do t`ia dalim!

KY PËRBINDËSH

...!

Gjergj Elez Ali, epik dhe i ri do të bëhem,/

Dragoin e padukshëm ne duel do ta mund,

Do ngre dolli pa fund e paq do të dehem,/

Tharmin e jetës, krenarisht ta çoj gjithkund./

...!

Këtë mëngjes u ngrita me sy të buavitur,/

Me ankth e me makth të madh në zemër,/

Me velin e gëzimit tërësisht të grisur,/

Me një potret pa formë dhe pa emër./

Ai më erdhi në shtratin tim të ngrohtë./

Befas më ndali frymën dhe zemrën më ndali./

Gjithë lëngun e jetës më thithi aq ftohtë,/

Për dreq edhe shikimin krejt më ndali./

Me gjuhën e zjarrtë gjithë jargë më mbuloi./

Më dogji e më zhuriti gjer në asht./

Ky dragua kinez, dreqi e di prej ç'soji,/

Me një kurorë, koronë të madhe mbi rrasht./

Lart në qiejt e ligësisë, që me moçale ngjasojnë,/

Mes reshë të zeza, ngarkuar me të keqen,/

Që shiun e helmët mbi toke lëshojnë,/

Atë shi të helmët, që na lagu edhe ndërgjegjen./

Shihja së lartmi jetën e brishtë si përpëlitej,/

Shtretërish të rëndë, të vrazhdë, hijerëndë./

Ushtrinë e Hipokratit që orë e çast përpiqej,/

Këtë mortajë në grackën e jetës të zërë./

Ku mundi, pa mëshirë, përbindëshi më kafshoi,/

E plagë të thella mbi trupin e ligësht më hapi./

Me kokën hepuar, në ballkon më lëshoi,/

I kënaqur se jetën time dreqit ja fali./

Hej Ti fllad i ngrohtë aromë-trëndafiltë,/

Ti biri i pranverës së gjallë e të blertë,/

Me mer me vehte dhe mua në këtë ditë,/

Të iki larg, shumë larg, nga ky terr i beftë./

Si një puhizë të ëmbël dhe ledhatuese,/

Më ço ngadalë ashtu krejt pa u ndjerë,/

Ku lulet e kumbullës bulojnë kundërmuese,/

Se ëmbëlsisht dua ti ledhatoj e tu marr erë./

Më ço në spital tek ata me bluzë të bardhë./

Ti puth në ballë e djersën t'ua fshij,/

Tu çoj haber se pranvera paska ardhë,/

E tok me ta përqafuar edhe unë të djersij./

Më ço tek gjyshi që lëngon pa kthim,/

Të ndez një dritë në sytë e tij të venitur./

Ta rrok e ta ngjesh fort pas krahërorit tim,/

Ashtu siç ai dikur kur isha ende pa rritur./

Më ço tek ai fëmija që vetmisht po vuan./

Që endet fatkeq në ëndrra paditurie,/

Rrethuar prej lodrash e me to nuk luan./

Syve kaltëroshë tu çoj pak dritë lumturie./

Merrmë të lutem, më ço ku të duash./

Vetëm tek ky ballkon mos më lerë,/

Të cfilitem e të tretem plagësh ligështuar,/

Dua të ngrihem, qesh e këndoj dhe një herë./

...!

Gjergj Elez Ali, epik dhe i ri do të bëhem,/

Dragoin e padukshëm ne duel do ta mund,

Do ngre dolli pa fund e paq do të dehem,/

Tharmin e jetës, krenarisht ta çoj gjithkund./

-Per ZemraShqiptare, nga Tirana,  Prill 2020-



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora