E shtune, 20.04.2024, 09:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Rrëfenjë për të rritur!

E marte, 07.04.2020, 04:48 PM


PËRSËRI MBETËM ME MENTË TONA

Rrëfenjë për të rritur!

Nga Kadri Tarelli

Diku në një fshat të largët, banorët kishin rënë në hall të madh: grindeshin, ziheshin, shaheshin, rriheshin, aq sa s’i linin kusur njëri-tjetrit. Një zot e di se nga i vinte e gjithë kjo e ligë e ky mllef, mbase nga varfëria e ulur këmbë kryq në sofrat e pangopura, ndoshta nga pa dija, më pas vinte zilia, cmirra, pabesia, ligësia, xhelozia, etje, etje.

Kryeplaku, si më i mençmi i katundit, u mendua gjatë, si ta zgjidhte këtë shamata, që s’kishte fund e anë. Pas shumë netëve pa gjumë, i dha një zgjidhje që iu duk si më e mira. Thirri tellallin dhe e porositi, që të shkonte në çdo shtëpi dhe të njoftonte të gjithë burrat e fshatit, që të mblidheshin në kuvend tek oda e burrave në shtëpinë e tij, por të mos harronin të merrnin me vete mentë e veta. Tellalli si njeri i bindur, nuk e bëri fjalën dysh, vrapoi sa te njëri e sa te tjetri. Të gjithë e pritën ftohtë, por të habitur nga një ftesë e tillë, që s’ishte dëgjuar kurrë në këto anë. Veç me njërin i ngeci belaja, pasi nuk po bindej.

- Kaq më thanë, kaq po të them! Mblidhi mentë dhe eja në kuvend, mos i le në tjetër vend, borxh mos jep e mos merr, se vetes i bën qeder! – Dhe ktheu krahët, i kënaqur që e la pa fjalë mikun e tij, me këto fjalë që gjeti dhe i ujdisi kaq bukur, si një vjershëtor i thekur. Drejtoi shpinën, fërkoi mustaqet e verdha, të rralla e të egra fije xunkthi, dhe e bëri hapin të rëndë. I takonte, pasi më në fund ishte bërë ca i rëndësishëm. Po ç’e do, asnjëri nuk e ftoi të futej brenda, për një teke raki, apo një tas me dhallë. - S’ka gjë, - i thoshte vetes, - paskëtaj, do ma dinë më shumë vlerën time.

Mbrëmja erdhi shpejt dhe fshatarët një nga një e dy nga dy u nisën për tek shtëpia e kryeplakut, që ndodhej në mes të katundit. Tellalli, po ecte i shkujdesur duke tundur shkopin, që e mbante për të trembur qentë, kur dëgjoi ca zëra dhe copa bisedash, që u bënë më të qarta pas disa hapash:

-More mik i vjetër! Ç’ të jetë kjo porosi, “Mblidhni mentë dhe i merrni me vete”? Si thua ti, hë si thua?

- Ja ka futur kot tellalli, se nuk ka porosi të tillë, u përgjigj serbes tjetri, si më i ditur.

Një tjerr bisedë:

- Atë mos e thuaj ti, se a nuk më the pak më parë, që harron shpesh! Madje të pashë më këta dy sy, kur erdhe nga pazari, harrove dhe derën e shtëpisë tënde dhe, si pa dashje u fute tek komshija!

- Mirë e ke, ashtu është! Aty këtu i lemë mentë, vijnë shpejt e i hanë qentë! – Qeshi! Nuk donte ta shtynte me tej këtë bisedë, që ashtu siç nisi mund shkonte ters. Uli kokën dhe buzëqeshi, duke mërmëritur me vete: “E ku di ti mor e budallë, që dehesh me një gotë llallë, se ç’ është dashuria, zogëza dhe rakia!?”.

Burrat vinin dhe, secili sipas rregullit të odës së burrave, gjente vendin që i takonte në shilte apo nëpër postiqe të rënda dashi, apo delesh. Në qoshe pranë oxhakut, ku ishin vendosur edhe dy fenerë me vajguri, si më bukur e më butë, ishin më të moshuarit dhe më të mençurit. Këmbenin përshëndetjet e radhës, ata nxirrnin kutinë e duhanit dhe ia zgjasnin njëri-tjetrit. Disa  mbushnin çibukun, disa dridhnin cigare me letër gazete, që kush e di sa te vjetra ishin. Ndodhte kështu, pasi aso kohe nuk kishte paketa dhe cigare me filtër, siç ka sot dhe që i pinë edhe gratë, madje më shumë se burrat.

Kryeplaku, pasi i hodhi një sy dhomës së mbushur plot, si për të parë nëse mungonte kush, i bëri shenjë dy djemve që po rrinin në këmbë tek dera dhe prisnin urdhër. Kaq mjaftoi dhe shpejt e shpejt në dhomë u shtruan dy-tre tepsi me gështenja të ziera, që po lëshonin avull të ngrohtë. Burrat hanin, po fjalët sikur i kishin si me kursim. Të gjithë po mendonin ç’ hall kishte kryeplaku, që i thirri me aq ngut e tani po e vononte fjalën, sikur po provonte durimin e tyre. Hidhnin shikime te njëri-tjetri, po të gjithë ngrinin supet.

Kur gështenjat i lanë vendin tepsive të boshatisura, kryeplaku shkundi çibukun, duke goditur pëllëmbën e dorës tjetër, ngriti kokën, provoi zërin që të dilte sa më i kulluar e të dëgjohej pa vështirësi deri tek dera dhe i bëri me dije të gjithë të pranishmëve, duke thënë:

- E di që u mërzitët nga padurimi dhe mezi po prisni që t’u them, pse ju kam thirrur, aq më shumë nga porosia ime, që nuk e kini dëgjuar kurrë në dynja, në fshat jo e jo, por edhe në kasaba. Qëllimisht ai gjente ca fjalë turke, si ato që dëgjojmë nga telenovelat që jepen me orë të zgjatura nëpër TV shqiptare, për të treguar se problemi kishte peshë të madhe. Si fillim po ju pyes dhe të më thoni drejt: - I kini marrë mentë me vete? - U dëgjua një po nga të gjithë. – kështu mund të vazhdojmë dhe e trashi zërin.

- Që thoni ju o miq! Ju ftova në shtëpi, sepse ajo palo zyrë e ftohtë, është e vogël, s’na nxë te tërëve. Veç kësaj dhe shqetësimi ynë nuk është muhabet zyre. S’ka të bëjë me urdhëresa shteti e kërkesa qeverie. Që t’i biem shkurt muhabetit, në fshatin tonë, unë dhe ju, nuk po gjejmë qetësi nga llafet dhe thashethemet. Nuk e kam fjalën për gratë…! Pushoi pak, i qeshi buza, kur mendoi se ato janë më të zonja se shumë nga “Burrat”, që kapardisen këtu. E kam fjalën për gratë tona, se ato ashtu e kanë zakon dhe s’i zemërohet njeri, po ju burrave, ç’ dreqin u ka hyrë në bark, në zemër, në kokë e në tru, që shani sa mundni njëri-tjetrin, shani më shumë ata që nuk i kini përballë, shani edhe djemtë e nuset tona, që na nderojnë atje lart në kryeqytet, apo në qytete të tjerë, madje dhe kur janë bërë të dëgjuar nëpër botë. Nuk e marr vesh pse grindeni, ziheni dhe rriheni si pa gjë të keq dhe pastaj vini këtu te unë, hallin t’ua ndreq. ….. Nuk shikoni hallet tuaja, që mezi po mbani veten dhe fëmijët me bukë e me shkollë, po cimbiseni me hallet e të tjerëve, sikur ju kanë zënë derën e oborrit? Etj, etj. E ndjeu se ishte skuqur në fytyrë, ndaloi pak si për të marrë frymë, i hodhi një vështrim burrave, që po prisnin gojë hapur vazhdimin dh fundin e fjalës. E trashi zërin më shumë…..

- Kështu që, kam menduar t’i zbrazim mentë tona këtu në një sepete të madhe, t’i përziejmë mirë e mirë dhe pastaj, secili të zgjasë dorën, të mbushë qeleshen apo plisin e tij e ta verë në kokë. Besoj, mbase gjejmë qetësi, se mund të marrim nga mentë e njëri-tjetrit dhe bëhemi më të mençur, më të ditur, më të duruar e më të mësuar. U rehatua në shilten e tij dhe po priste…….

Të gjithë u çliruan nga ankthi dhe qeshën me të madhe. Hoqën qeleshet, vunë dorën në kokë, mbi tëmthat, i bënin grusht dhe e hapnin mbi sepse, sikur zbraznin një dorë me oriz, apo grurë të pa qëruar. Buzë gaz uleshin përsëri në vendin e tyre. U mbarua kjo punë si me shaka, por e qeshura nuk zgjati shumë. U vërejtën në fytyrë e s’po dinin si ta zgjidhin një hall tjetër akoma më të madh. Më i riu, si çakmak në fjalë, ngriti zërin e tha: Mirë e ke menduar kryeplak, po sikur mentë e tua, si më i mençuri nga ne, t’i marrë, bie fjala tellalli i fshatit, ti si do të bësh dhe ne si do të bëjmë? Se helbete, do mbetemi pa kryeplak!

Në odë ra qetësi, sa edhe miza po të kish do të dëgjohej tek fluturonte. Andej nga fundi i odës, sikur u dëgjuan ca të qeshura nën zë, po nuk ia vuri veshin kush. Vetëm tellalli zgjati qafën, hapi veshët dhe sytë i bëri katër: - Ç’ ishte ky llaf kaq i bukur për mua? Gati sa nuk klithi nga gëzimi. Do zoti e më vijnë mua mentë e kryeplakut! Të bëhem një herë edhe unë në krye të fshatit, pa le të bëhet kiameti pastaj!

Kryeplaku qeshi, sepse e kishte përgjigjen në majë të gjuhës. Tundi kokën dhe thinjat e bardha sikur ia shtuan më shumë autoritetin:

– Është punë që zgjidhet shpejt dhe kollaj fare. Unë nuk jam si ca pushtetarë të majmur e të krekosur, që i kanë të ndenjurat ngjitur pas karriges dhe nuk shqiten nga zyra. Edhe unë një si ju jam, po këtë gjë nuk e mbaj dot mdi shpinë. Madje hollë-hollë, ku ta gjej të lirohem nga kjo detyrë, pasi u bënë disa mandate radhazi. Kjo detyrë,- që thoni ju, - po më ha shpirtin, duke u marrë me marrëzitë që trazoni e gatuani me shumicë nëpër kokat tuaja. Le ta marrë kush të dojë, se plasa! Veç kam edhe një porosi të vogël: Përgjigje do ma sillni nesër në zyrë. Ju pres para dite, në ora nëntë, me orën e re!

Burrat u çuditën nga kjo përgjigje, por secili filloi të mendojë, si të fusë më parë dorën në sepete, që mos t’ia kalonin të tjerët. Më i zellshëm po tregohej tellalli, që ndodhej pak më larg. Kushedi i takojnë atij mentë e kryetarit, apo të dikujt që e mbajnë më të ditur e më të mençur. Kështu do ta ndreqte sado pak veten, autoritetin dhe prokopinë e shtëpisë. Se për fshatin…..?! Ëhë….! As e rruante fare toçin e kokës.

Zakoni e deshte që të mbanin radhën, domethënë mos nguteshin, pasi kishte mend për të gjithë, po secili nxitoi të fuste dorën i pari, ku dallua si më i shpejtë tellalli i fshatit. Ai e mbushi dorën e bëri grusht e futi në qeleshe dhe e vendosi shpejt në kokë, se mos i derdheshin përdhe mentë që kishte marrë. Të gjithë largoheshin në heshtje, madje harronin të thoshin “Natën e mirë”.

Të nesërmen që në mëngjes, kryetari u ndodh herët në zyrë, megjithëse ishte e diel. Ndjehej disi i lehtësuar nga një barrë e rëndë. Burrat një nga një, futeshin në zyrë, përshëndeteshin dhe qeshnin me kryetarin dhe, po kështu duke qeshur, i drejtoheshin kafenesë që ishte përballë, që mbushej plot e për plot, meqë ishte si ditë pushimi. Gati nga fundi, kur po mbaronin të gjithë, në derë u duku tellalli, i cili e vuri shkopin prapa kurrizit dhe po rrotullonte dorezën gjithë gunga, për të cilën një mijë herë kishte thënë, se do ta gdhendte e do ta lëmonte, që mos i vriste duart.

Kryetari, me fytyrë nga dritarja, lëvizte në këmbë pranë tavolinës, si për t’u ngrohur pak nga furnelë korrenti (një rezistence e vjetër, bërë me tel suste krevati, mbështetur mbi dy tulla të nxira nga koha), e ktheu kokën dhe përshëndeti:

- Mirëmëngjes, Tellall Zymbyli! Si po dukesh sot, se të shoh pak si të lodhur e të mërzitur?

- E si të jem unë i ziu, o zoti kryetar!? Kam gjithë natën pa gjumë. Vrisja mendjen e s’po i besoja vetes, se kisha marrë po mentë e mia. Unë u nguta pak, po si nuk më ranë ca nga të tuat, nga të mësonjësit, doktorit, agronomit apo veterinerit, mbas do bëhesha pak më i ditur!?

Kryetari qeshi me fjalët pa të keq të tellallit, duke i thënë: - e di që ke të drejtë? Po duke e vrarë mendjen je bërë më i ditur. Dje i ke lënë më gojë hapur burrat dhe gratë e fshatit, aq sa ta mbajnë në gojë emrin tënd.

Tellall Zymbylit i u bë qejfi nga fjalët e fundit. Doli nga zyra dhe u drejtua për nga shtëpia, pa i vënë veshin të qeshurave që vinin nga kafeneja. – “Eh, budallenjtë, do plaken e do vdesin me një palë mend!!”. – i tha vetes, dhe e shtriu hapin.

Kjo histori do të ishte harruar si shumë të tjera, të ndodhura më pas, por ai shejtan berberi i fshatit, nuk linte rast pa ua kujtuar të gjithë klientëve, kur vinin të qetheshin e të rruheshin. Ua fuste kokën mes dy duarve dhe duke i shkelur syrin nga pasqyra, i thoshte serioz: - Kam një jetë që ua mat kokën me pëllëmbë, po si nuk u rrit pak e të nxinte më shumë mend, po u mbeti po njësoj, si në rini edhe në pleqëri!? Edhe kur i përzjetë një herë e një mot të shkuar, po njësoj mbetët!

Kështu u mbyll kjo rrëfenjë, që kujtohet me të qeshura edhe sot, për të hequr merakun e atyre që na thonë e ne i dëgjojmë të ngeshëm e të çoroditur, se ngujimi nga virusi, do t’u bëjë më të mençur, më të dashur e më të sjellshëm me njëri-tjetrin.

Gjepura….??

Besoj se nuk u bezdisët!

Kadri Tarelli

Durrës më: 06, mes pranvere, 2020.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora