E hene, 01.06.2020, 02:06 PM (GMT+1)

Komente

Pjetër Përpalaj: Na iku Sokol Meshi

E marte, 07.04.2020, 06:14 PM


NA IKU DHE SOKOL MESHI, NJERI I MIRË, I PUNËS SË MADHE, QË SHFAQEJ HERO...

Nga Pjetër META PËRPALAJ

Një lajm i papritur dhe i hidhur, që më preku thellë në shpirt sot, kur mësova lajmin e vdekjes të mikut e shokut tim, mikut të dashur të të gjithë nikaj-merturasve, mikut të të gjithë Tropojës që e kanë njohur, burrit më të njohur të Nikaj-Merturit prej një shekulli, e në shenjë si një Bajrak i gjallë, dallueshëm prej të tjerëve. Pinjoll i njërës prej dyerve më në zë i truallit të Deli Meshit, Sokol Met Meshi i fshatit Lekbibaj të fisit të Nikajve, të rrethit të Tropojës.

Ky lajm, ishte i hidhur dy fish sot për shokët e Sokolit, e veçanërisht për Fredin, djalin e Sokolit, shoku më i mirë i babait të tij, për vajzat e Sokolit, duke u ndarë prej nesh, në një kohë, kur asnjë prej nesh nuk mund ta përcjellim Sokolin tonë. O zot, sa i padrejtë u tregove që na e more Sokolin sot, kur ne, shokët dhe miqt të nuk mundemi me i dhënë lamtumirën e fundit! Pse u tregove kaq i padrejtë o Zot, kur Sokol Metës nuk po munden që t’ia kthejnë vizitën e tij në këtë lamtumirë të fundit, qindra e mijëra raste vdekjesh në rrethin e Tropojës e në të gjithë Shqipërinë, ku ai kishte parë gjatë dekadave.

Nuk gjej fjalë për të shkruar më shumë për Sokolin, pasi mendja ime është mpirë nga kjo vdekje e rëndë, por po iu postoj jetëshkrimin e këtij burri, që është pjesë e librit tim në proces mbi Nilaj- Merturin.

Ngushëllimet më të sinqerta djalit të Sokolit Fredit, vajzave, nipave e mbesave!

Pushofsh në paqe miku im i paharruar Sokol Meta!

SOKOL MET MESHI “MJESHTËR I MADH”

Sokol Met Meshi, lindi në fshatin Lekbibaj të fisit të Nikajve, më 25 tetor 1931. Mësimet e para i mori në Internatin “Kosova”, në Krumë të Hasit në Vitet 1937-42. Në vitin 1948-49, në shkollën Teknike të Ndërtimit në Durrës, në vitin 1957-59, ka mbaruar shkollën e Ndërtimit në Tiranë. Me vendim të Ministrisë së Ndërtimit nr 1638 ⁄1, datë 13.3.1968, i jepet titulli “Asistent Inxhinier” dhe me vendim të po kësaj Ministrie i jepet licenca për projektim e zbatim në ndërtim veprash hidroteknike dhe infrastrukturë rrugore.

Sokol Met Meshi i Nikaj-Merturit është burri me popullaritetin më të madh në rrethin e Tropojës. Ai ka një njohje të thellë në qytet e në fshat, në lagje e në ҫdo shtëpi tropojane. Dhe këtë popullaritet e ka shtrirë kaq gjerësisht, për të cilin fliten veҫ fjalë të mira e vlerësuese me shumë respekt, të cilat ai i fitoi me punë dhe sjellje prej burri me taban e me shumë karakter.

Sokol Meta nuk e ka njohur kurrë fjalën që burri nuk e ka nxjerrë nga goja, por gjithkujt dhe me cilindo burrë a grua, fëmijë a të rritur apo të rinj qofshin, u fliste ëmbël e me shumë njerzillëk, e nëse dikush (dhe ishin shumë), kishte nevojë për ndihmë, qoftë edhe materiale, Sokoli me ҫdo kusht ia zgjidhte domosdo. Për këtë burrë nuk mjaftojnë qindra faqe të shkruara, po të merren në konsideratë vlerat njerëzore që ai ka lënë në Tropojë kudo ka shkuar. Jo rastësisht Sokoli kishte këto tipare kaq pozitive. Ai është pasardhës i një familjeje me emër që 6 breza më parë, është i shtëpisë së Deli Meshit, dhe djali i Met Sokolit, i cili renditet ndër burrat e përmendur shumë për zgjuarsi, urtësi dhe bujari të Nikaj-Merturit e më gjerë.

Sokoli e filloi punën që në moshën 15-vjeҫare (1946). Shkon vullnetar në aksionin e parë të ndërtimit të rrugës Kukës-Peshkopi, aksion me të cilin ai kujton edhe vullnetarët e tjerë nga Nikaj-Merturi, Fran Lulushin nga Curraj Epër, Mus Tahirin nga B’tosha, Col Lulashin nga Curraj Epër e Gjelosh Kolën nga Perajt. Një vit pas 1947, ai shkon vullnetar në hekurudhën Durrës-Peqin. Në moshën 16 vjeçare dekorohet me “Medalje Pune”. Në këtë aksion është njohur edhe me tri heroinat e Mirditës, të cilat i ka pasur në brigadë.

Në vitin 1949, Sokoli fillon karrierën e punës. Emërohet teknik zbatimi në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë. Në vitin 1950, emërohet teknik (kryepunëtor) në hekurudhën Durrës-Tiranë dhe shef i mirëmbajtjes së saj. Në vitin 1952-1955, shkon ushtar e më pas nënoficer në ushtri, në repartin 3700 Tiranë.

Në vitin 1955-1957, emërohet teknik ndërtimi në kantierin e ndërtimit në B. Curri. gjatë vitit 1957-59, ai ka vazhduar Teknikumin e ndërtimit në Tiranë. Në vitin 1959-1968, ka qenë përgjegjës i investimeve për ujitjen e bonifikimin në Komitetin Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Tropojë.

Në vitin 1968-71 emërohet Drejtor i Ndërmarrjes së Ndërtimit të rrethit të Tropojës. Në vitin 1971, emërohet Drejtor i Drejtorisë dhe Sistemimeve të rrethit të Tropojës. Në vitin 1988-91, emërohet Drejtor i Ndërmarrjes së Ujërave e Bonifikimit të rrethit të Tropojës. Në vitin 1991, del në pension. Por Sokoli nuk heq dorë nga puna, jo për interesa ekonomike, por ai nuk e koncepton dot jetën pa punë. Ai u angazhua me firmat private, duke patur besim të plotë mbi aftësitë e tij profesionale, korrektësinë dhe kujdesin në punë. Ai punoi si As ⁄ zbatimi në vitin 1994-1996, në firmën “Dos Biberaj”, në vitin 1996-2000, në firmën “Mecina” dhe në firmën “Shqiponja”, 2000-2011, vit kur ai mbushi plot 80 vjeҫ, u largua nga puna me dëshirën e tij, duke mbetur tepër aktiv dhe i angazhuar me shkrime e lexime, me takime me shokë, miq në shëtitje të ndryshme. Emri dhe kontributi i Sokol Metës është i lidhur pazgjidhshmërisht me infrastrukturën ujitëse e bonifikimet e ndryshme dhe të ndërtimit të rrugëve. Ai vetë punoi me funksionet drejtuese në Komitet e Ndërmarje, por me talentin e tij ai piketoi rrugë, kanale, vepra bonifikimi e vaditje, projektoi shkolla, ҫerdhe e kopshte, magazine e shtëpi private, pra ai nuk “pushonte” as ditë e as natë. Kohën më të madhe e kalonte fshatrave e kantiereve ku punohej. Ai ishte si mysafir në shtëpinë e vet. Në rrethin e Tropojës e më gjerë janë qindra vepra të studiuara, të projektuara e të zbatuara nga As ⁄ Ing Sokol Meta (Meshi).

Në fushën e projektimit e zbatimit të veprave hidroteknike

Në vitin 1956-57, kanali vaditës Begaj, 40 km (8km shkëmb), me kapacitet vaditës 1000ha. Në vitin 1960, studimi (bashkautor) i skemës së ujitjes dhe bonifikimit të Tropojës për 10 vjet. Në vitin 1963, hartues e zbatues për rikonstruksionin e kanalit të Karriqes.

Viti 1964, studim e projektim për ujitje e bonifikim të fushës së Pacit, për 300ha e tre rezervuarë me aftësi ujitëse 290ha.

Në vitin 1966, studim dhe projektim për ujitje e bonifikim të fushës së Tplanit, për 600 ha, 20 km kanal e 1 rezervuar për 600 ha e 5 stacione elektropompash.

Në vitin 1967 studime e projektime për ujitje e bonifikim i fushës së Zogajve, për 250 ha, 10km kanal dhe 1 rezervuar për 500 ha.

Në vitin 1970 studim e projektim për ujitjen e fushës së Degës, për 250 ha, 7 km kanal dhe 1 rezervuar për 250 ha kapacitet.

Gjatë viteve 1973-1990, përveç këtyre, Sokoli ka kryer edhe studime për ndërtimin e 11 rezervuarëve vaditës në të gjithë rrethin, ngritjen e 19 stacioneve elektropompash dhe ndërtimin e 7 kanaleve vaditëse të rinj e rikonstruksionin e 5 kanaleve ekzistuese.

Ndërtimi i këtyre veprave që nga viti 1947 e deri në 90-ën, bëri të mundur futjen nën ujë të 8200ha toke në të gjithë rrethin e Tropojës, nga 800ha që ishin deri në vitin 1945. Për krijimin e këtij rrethi gjigand vaditës, si arterie të stërmëdha për të ujitur cep më cep tokat, veçojmë studimin e guximshëm të Sokol Metës dhe zbatimin e dy linjave të ujit. Së pari hapjen e 8 km shkëmb, për kanalin e Begajve, kur minatorët vareshin me litar nga lart poshtë, deri tek piketa në mes të shkëmbit, për të bërë vrimat e minave, vetëm me barominë e ҫekiҫ e më pas për t’i mbushur e ndezur ato.

Së dyti, studimi, projektimi e zbatimi i ndërtimit të kanalit Këlcyrë-Lezhë, duke instaluar me sifon ulje e ngritjeje 2900m tuba ҫeliku 600.

Si rezultat i kësaj pune, fshatarësia e rrethit të Tropojës në vitin 1982, prodhoi 86.000 kg drithëra buke, duke siguruar për gjithë vitin nevojat e bukës për 40.000 banorë.

Në fushën e studimit, projektimit e zbatimit të infrastrukturës së rrugëve:

Në vitin 1945, as Tropoja e as fshatrat rreth saj nuk kishin rrugë makine. Kurse në vitin 1991, me përjashtim të Currajve të Epër e Brisës, të gjitha fshatrat lidheshin me rrugë makine. Të gjitha ato studimet, projektimet dhe zbatimet për ndërtimin e rrugëve në rrethin e Tropojës i ka bërë dora dhe mendja e As ⁄ ing Sokol Metës.

Citojmë: 1955-56, rruga Sopot-Tropojë, 1967 B.Curri-Qafë e Kolҫit-Lekbibaj (33 km), 1969 Gri-Tpla, 12 km e më pas në të gjitha fshatrat e rrethit të Tropojës, deri edhe në lagje. Sokoli bëri edhe studimin e rrugës për në Curraj Epër, për në Lumë të Goshit e Doberdol dhe rrugën Salcë-Brisë. Si përfundim Sokol Meta përmbyll 60 vite punë studimore, projektuese dhe zbatuese, ndërtuese e drejtuese. Për këtë ai është vlerësuar e nderuar me dekorata, urdhra e medalje si një vazhdimësi e pandërprerë meritash për punë të dobishme në shërbim të shoqërisë. Në vitin 1947 “Medalje Pune”, 1954 “Medalje e 10-vjetorit të Ushtrisë”, në vitin 1958 “Urdhër Pune”, në vitin 1981 “Urdhër me rastin e 40-vjetorit të PPSH”, Në vitin 1989 “Urdhër i Flamurit të Kuq të Punës”, në vitin 2011 “Qytetar Nderi i Qytetit B. Curri”, në vitin 2015 “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”.

Në vitin 2017 Presidenti i Republikës i akordon titullin “MJESHTËR I MADH”

Sokol Meta si njeri me shumë vlera, i cili la pas brezave gjurmë të një njeriu shembullor dhe i punës, u bë objekt i shumë shkrimeve e përshkrimeve që nga monografia e autorit Zef Doda, me titull “Sokol Meshi, Njeriu i Punës” e më pas Ali Lushaj, Mehmet Doҫi e Ibrahim Kadria. Zef Doda në librin e tij shkruan: “Sokol Meshi është njeriu tipik që mund të thuhet se ka shumë jetë brenda një jete. Duhet të ndjesh kënaqësi për sukseset e tij të punës, që pastaj të shfaqet hero me tërë madhështinë e dukurive të saj.”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora