E premte, 29.03.2024, 09:55 AM (GMT)

Kulturë

Prend Buzhala: Nëna Tereze - ''Për Shqipërinë time''

E marte, 07.04.2020, 06:55 PM


NËNA TEREZE: “PËR SHQIPËRINË TIME”

(Lexime poetike), I

Nga Prend BUZHALA

A mund të ketë, në këtë rruzull, njeri pa prejardhje familjare dhe pa prejardhje kombëtare, apo pa qenë pjesë e një kombi dhe familjeje?

Kjo pyetje, nga pak dramatike, na e shpalos dhe një të vërtetë të madhe për Nënën Tereze: po, ajo është bijë shqiptare, e rritur deri në moshën 18-vjeçare në familjen e njohur të Kolë Bojaxhiut.

1.

Poezia "PËR SHQIPËRINË TIME" e Nënës Tereze, si dhe cikli e disa poezi që i ka shkruar shqip kushtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve, me titujt NGA LUTJET E NËNË TEREZËS PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT (poezitë "NË SHQIPËRI PËR HERË TË PARË" 1989 – 1991, "E SHKRUAR SHQIP NË DITËN E MARRJES SË ÇMIMIT “NOBEL” dhe "PO ATË DITË, GAZETARËVE", Oslo, 10.12.1979 , "NË SHKUP, DIKUR", si dhe poezitë "PËR SHQIPËRINË TIME" -mars 1997 dhe "DUA TË KTHEHEM NË SHQIPËRI" - 27 gusht 1997, pak ditë para vdekjes- përbëjnë një motiv të veçantë të këndimit të lutjeve poetike.

E pra, në universin e saj terezian planetar, ajo assesi nuk ka mundur t’i largohet vendlindjes, kombit të saj dhe Shqipërisë, ku jetonte familja e saj, aty ku ishte varri i Nënës së saj.

VATRA dhe BOTA ndërkomunikojnë natyrshëm nëpërmes veprimit terezian dhe lutjeve në formë poetike. Kudo ajo sheh dhe shqiptarin e vuajtur e krenar, kudo sheh familjen e saj (“të shohim te tjetri vetveten”, thekson më se njëherë ajo, dhe kështu këndon edhe te kjo poezi). Në fakt, kjo poezi, e shkruar në mars 1997, në kohën e ngjarjeve dramatike anarkike në Shqipëri, e botuar që në ato vite në shtypin shqiptar, e, fillimisht anglishtfolës, në libra të veçantë lexuesit shqiptar do t'i ofrohet po atë me botimet që bëri Visar Zhiti shqip.

Në librin me poezi të zgjedhura të Nënës Tereze, me titullin "Takohemi nëpër lutje" (botoi "Çabej", 1997, Tiranë), gjendet edhe kjo poezi, ndërkohë që më 1998 në Prishtinë, në përgatitje të Dr. don Lush Gjergjit botohet libri "Poezi dhe uratë" (botoi Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës), në të cilin botim një ciël i tërë mban titullin "Për Shqipërinë time". Mandej vijnë botime të shumta shqip dhe në gjuhë të huaja: POEZITË-LUTJE TË SAJ, JANË NDËR MË TË PËRKTHYERAT NË BOTË! Në të gjitha botimet në të dy botimet nuk është vënë më kot letra lapidare e kësaj Nëne të madhe: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona, në gjithë familjet tona, në gjithë botën”. Te poezia e sipërpërmendur, janë përshkrime dramatike-poetike, që ajo ia artikulon nëpërmes trajtës së saj poetike-lutjes, ku i ndiejmë ritmet e himnografisë së lashtë biblike e poetike sa edhe ato të botës së sotme; të teksteve retorike të falënderimit, të verseteve biblike, sa edhe të poezisë bashkëkohore: "E di pse s’kemi paqe tani? Kemi harruar të shohim te tjetri vetveten." (poezia “Për Shqipërinë time”)

2.

Visar Zhiti në shkrimin e tij analitik (duke u mbështetur dhe në të dhënat nga monografia e dr. dom Lush Gjergjit),, me titullin “Lutjet e rralla para vdekjes të Nënë Terezës për Shqipërinë” komenton (dhe informon): “Marrëdhëniet e Nënë Terezës me Shqipërinë nuk ka nevojë të trillohen, ato janë një realitet dhembshurie. Dhe është kënaqësi të dëshmohen dhe këtu. Vërtet ka kultura që nxjerrin personalitete të pritshëm, por ka dhe personalitete që prijnë kultura dhe krijojnë traditë, atje ku dukej se nuk ishte. Këta janë gjenitë. E tillë është dhe Nënë Tereza. Nënë Tereza e fliste shqipen, do të merrte dhe pasaportë shqiptare Nënë Tereza shqipen e kishte gjuhë familjare dhe e fliste normalisht atë. Mësimin fillor e mori në gjuhën amtare. Këndonte këngë shqip, p.sh., ato të kompozitorit tonë Lorenc Antoni, ‘Mbi kodrat mbi liqen’, por dhe lexonte poezi të Ndre Mjedës, që do të bëhej poeti i rinisë së saj të parë. Ia jepte vëllai i poetit, Lazër Mjeda, e kishte mësues dhe mik të familjes. I dëshmon biografi i saj më i mirë, don Lush Gjergji nga Kosova. Pastaj Nënë Tereza do ta vijonte shkollimin në serbo-kroatisht dhe anglishtja do të bëhej gjuha e saj e përditëshme. Por një mbesë e Nënë Terezës në Siçili tregon, se kur vinte halla, pra, Nënë Tereza, apo “kur shkonim ta takonim, ajo me babin flisnin shqip pa ndërprerje”.

3.

Fjala e moçme shqipe uratë, pos që e shenjon lutjen e besimtarit për të shprehur dëshirat dhe komunikimin me Hyjin, ka edhe domethënien e bekimit të prindit për fëmijën. Mirëpo kjo fjalë ka edhe rrezatime të tjera, të shumta, kuptimore, estetike e jetësore. Urata është e lashtë sa vetë njeriu. Për të komunikuar me Hyjin, për t’i shprehur dëshirat e bekimet, për t’i përballuar luftërat e betejat me jetën, për t’u takuar drejtpërdrejt me fuqinë e Hyjit (A.Gasparino), për të përjetuar katarzën e plotë shpirtërore, mëshirën dhe përmirësimin; për ta modeluar jetën simbas planeve të Hyjit, dhe, më në fund, për t’u gjendur përballë vetes e për t’u takuar sy më sy me veten, - a nuk arrihen këto përmes formës më të thjeshtë të poezisë, siç çshtç vetë urata? Së këndejmi, kjo thjeshtësi e uratës a nuk do të shprehej më së miri në trajtën e saj më të lartë e më të bukur, siç është poezia? Prandaj, ka pasur të drejtë shkrimtari ynë, Visar Zhiti, i cili thotë për poezinë e Nënë Terezes (1910-1997), se është formë e lutjes, e lartë artistikisht, që i drejtohet njeriut për ta bërë Zot, i kërkohet emocioni i bukur, dhimbje për të përsosur vetveten, dashuri dhe dritë për terret e brendshme, hapësirë për endjet e shpirtit, natë për t’u çlodhur përkohësisht ose për jetë”. Kurse E. M. Brunds do të nënvizonte se shqetësimi dhe lutja janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin: “Lutja ka vlerë të madhe për shqetësimet Janë shqetësimet ato që shpesh i shtyjnë njerëzit te Perëndia në lutje, ndërkohë që lutja nuk është gjë tjetër, veçse zëri i njeriut të shqetësuar.” Nëna Tereze do t’i ketë përjetuar thellësisht shqetësmet e mëdha t njerëzimit, prandaj e ka bashkuar zërin e saj të brendshëm tek Shpirti i Lutjes.

PËR SHQIPËRINË TIME

E tronditur jam,

se u trondit gjithë vendi im

i mrekullueshëm.

Më dhemb zemra për jetët e humbura.

Plagë më hapin plagët e njerëzve.

I kuptoj andrrallat

kur humbin paratë,

por unë ju përgjërohem:

mos i sillni vuajtje edhe më

njëri-tjetrit!

E di pse s’kemi paqe tani?

Kemi harruar të shohim

tek tjetri vetveten.

Që armët dhe bombat

të jenë të panevojshme,

te fqinji ynë të zbulojmë Zotin.

(Mars, 1997)

(Prend N. Buzhala, rishkrime, 1 prill 2020)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora