E premte, 29.03.2024, 11:56 AM (GMT)

Kulturë

Faruk Tasholli: Afaristë shqiptarë në Gjermani - Parathënie

E hene, 20.10.2008, 07:45 PM


Faruk Tasholli
Faruk Tasholli
Kush është Faruk Tasholli?

Faruk Tasholli u lind në Gadime të Rrafshit të Kosovës më 1958. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Ferizaj. Fakultetin Filologjik, Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe e përfundoi në Prishtinë, ku ndoqi edhe studimet pasuniversitare. Krahas studimeve, që nga viti 1980 ishte gazetar dhe për disa vite me radhë redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën e studentëve "Bota e re" të Prishtinës.Nga viti 1988 kaloi në Redaksinë e Programit Kulturor të Radio Prishtinës, ku punoi deri më 5 korrik 1990, ditën kur forcat policore serbe mbyllën Radiotelevizionin e Prishtinës në gjuhën shqipe. Pastaj bashkëpunoi me gazetat e përkohshme në Kosovë si, "Fjala", "Zëri" e "Kosovarja", kurse më 1994 emigroi në Gjermani. Prej atje vazhdoi bashkëpunimin me Programin satelitor të Radiotelevizionit Shqiptar në Tiranë, pastaj u angazhua në organet e shtypit shqiptar në emigracion si "Ora" , "Bota sot" dhe "Fakti", duke vazhduar të punojë një kohë edhe në Radion shtetërore gjermane "Deutsche Welle", programi në gjuhën shqipe në Këln.
Deri tash ka botuar librat e poezisë për fëmijë "Mos u rrit pa mua" (1978), Ferizaj, "Rosat mësojnë patinazh" (1990) si dhe për të rritur "Drita të largëta" (1984) dhe "Tjerr fusharaku" (1988) në Ndërmarrjen Botuese "Rilindja", Prishtinë. Gjithashtu, ka shkruar vargjet për qindra këngë, shumica e të cilave janë bërë hite në njëzet vitet e fundit.
Aktualisht jeton në Ahen të Gjermanisë.

FARUK TASHOLLI
AFARISTË SHQIPTARË NË GJERMANI

Biblioteka
PUBLICISTIKË

Redaktor
SABIT JAHA

Koordinator i botimit
ABEDIN GASHI

Realizimi kompjuterik
BASHKIM ZABËRGJA

FARUK TASHOLLI

AFARISTË SHQIPTARË NË GJERMANI

2008

P a r a t h ë n i e

PËR LIBRIN E JETËS DHE INICIATIVËN E MREKULLUESHME

Nga Daut DEMAKU

Në traditën tonë kulturore dhe kombëtare – dokumentariteti – nuk ka pasur ndonjë vlerë. Kjo, si të thuash, për shkakun jetësor: nuk kemi pasur kohë as mundësi të mendojmë për gjërat qenësore që lidheshin me jetën, me ekzistencën fizike, nuk e dinim a po na err nata dhe a po na gdhin dita, prandaj edhe nuk kemi pasur mundësi të mendojmë për vlerat e larta të një mijë e një veprimeve të tjera që i bëjnë njerëzit në botën e civilizuar. Në kuadër të kësaj jete (“si lepuri nëpër qen”), nuk janë të pakta mungesat tona. E tash, në rrethana krejtësisht të reja, në një realitet të ri politik e kombëtar, mund të mendojmë dhe mund të veprojmë shumë më ndryshe dhe në mënyrë shumë më përmbajtësore dhe më domethënëse.
 Libri i Faruk Tashollit “Afaristë shqiptarë në Gjermani” për mua ishte një lajm, një shenjë se në rrugën e rritës sonë kulturore e kombëtare - po ndodh diçka e mirë, siç thashë: përmbajtësore dhe domethënëse.
  Për njerëzit që bashkëjetojnë me dhimbjet dhe vuajtjet e popullit të vet në rrugën e gjatë e të mundimshme për krijimin e ndërtimin e KOMBIT ME PRESTIGJ, ky libër është lajm i mrekullueshëm, është iniciativë mahnitëse që dhuron gëzime konkrete. Pse?
 Përvojat e kombeve të tjera, që e kanë ndërtuar deri në perfeksion, rrugën e bërjës së kombit të suksesshëm, flasin
qartë e saktë: derisa nuk ndërtohet bashkëpunimi i vërtetë i aristokracisë ekonomike dhe aristokracisë kulturore – dy shtyllat kryesore që e bëjnë kombin të jetë i suksesshëm – nuk mund të ketë rritë e zhvillim normal dhe funksional të asnjë vendi, të asnjë populli dhe të asnjë shteti.
 Sa herë flas për përvojat e të tjerëve, gjithnjë kam parasysh hebrenjtë, populli më i organizuar dhe më i vetëdijshëm në planetin TOKË. Për këtë popull që nuk janë as dhjetë milionë banorë në tërë botën nuk dua të flas më shumë përveç këtyre të dhënave: E para: mbi 50 për qind e nobelistëve vijnë nga dhjetë milionë banorët e këtij populli, kurse 50 përqindshin tjetër e përbëjnë të gjashtë miliardë banorët e tjerë të botës. E dyta: emrat më të mëdhenj në botë nga lëmi i shkencës, ekonomisë dhe kulturës vijnë pikërisht nga ky popull. Tre: sot pjesëtarët e këtij populli komandojnë kapitalin e botës. (Me humor thuhet: kur lëviz një gisht i hebreut  të organizuar në Amerikë – tronditen të gjitha brezat e bankat në botë!)
 E qysh e arritën këtë mrekulli hebrenjtë?  Përgjegjja është aq e thjeshtë sa gjason me një përrallë për fëmijë, por një PËRRALLË-FARË, që ka domethënien dhe vlerën e miliona jetëve.
 Në kohën e rrezikut të madh kombëtar për hebrenjtë, atëherë kur i hodhën në det dhe nuk kishin asnjë copë tokë për varre – atëherë paria e tyre e bëri betimin: u betuan në qiell e tokë, në Zot, në flamur e në komb se të gjithë pjesëtarët e këtij kombi tërë jetën do të punojnë për VIKTORINË. Dhe, ky betim do të përcillet me vendosmëri – brez pas brezi. E ç’është viktoria? Viktoria (shqip: fitorja) janë dy gishtat e ngritur në formën e gërmës “V”, që me aq dashuri i ngrisnim edhe ne në fillim të viteve nëntëdhjetë. Kjo germë formohej prej dy vijave: vija e parë: DITURIA dhe vija e dytë: PASURIA. Paria hebraike e dinte se kur bashkohen dituria dhe pasuria – nuk ka më fuqi në botë që mund ta pengojë rrugën e realizimit të qëllimeve politike, ekonomike dhe kombëtare.
 U tha, u bë. Dhe sot e kësaj dite viktoria është yll prijetar i këtij kombi me prestigj të lartë në gjithë botën e civilizuar.
 Prandaj edhe thashë në fillim se pa bashkëpunimin e thellë e të sinqertë të aristokracisë kulturore dhe ekonomike – nuk mund të arrihet asgjë. Këtë nuk e them unë, e thotë përvoja e atyre që vërtet dinë dhe kanë ditur ta kalojnë e ndërtojnë me shumë sukses rrugën e ndërtimit të kombit.
 Në këtë aspekt, prandaj, këtë libër e shoh si FARË e vogël, që po hidhet në tokë të plleshme dhe prej saj, nesër e më vonë, do të bëhet një bjeshkë e madhe dhe krenare.
 Momenti tjetër, që më shkakton kënaqësi të madhe e që lidhet me këtë libër, është ky: në përvojen time mbi njëzetëvjeçare të studimit të literaturës inspirative, kam nënvizuar disa momente, prej të cilave për këtë rast po i ndaj dy.
E para: shkolla e VUAJTJES është shkolla më e fuqishme në botë, sepse vuajtja njëherë të jep mësimin, pastaj provimin. Të gjitha familjet e mëdha europiane, që nuk i kanë lejuar fëmijët të hyjnë në vuajtje, madje as të hanë e të vishen vetë, që të gjitha kanë prodhuar debillë, njerëz të paaftë për jetë. Fëmijët e tyre, në momentin e parë kur janë përballë me ndonjë pengesë, aty për aty janë dorëzuar dhe kanë hequr dorë nga përpjekjet.
 Në këtë kontekst: kush janë afaristët shqiptarë në vendet evropiane? Ata janë njerëz që me shumë sukses e kanë përfunduar shkollën e vuajtjes, prandaj, atyre iu takon ardhmëria. Kur t’i lexosh me vëmendje rrëfimet e tyre, kur t’i analizosh fillimet dhe vështirësitë e fillimeve, tek secili do ta takosh vuajtjen dhe vetëm vuajtjen. Të gjithë, si një, kanë hapur rrugën e jetës me përpjekje mbinjerëzore, me punë të madhe, me vendosmëri të paparë dhe, natyrisht, suksesin e kanë pasur të garantuar. Suksesi i kësaj rruge është i ëmbël dhe ta fisnikëron  shijen.
 Nga ky kënd duhet parë edhe përvojën e të tjerëve: mbi njëzet qytete të botës arabe mbajnë emrat: Jetim Filani, Jetim Fisteku, sepse jetimët, duke qenë përjetues realë të vuajtjes, kanë arritur të ndërtojnë jetën e suksesshme dhe kanë bërë edhe qytete të tëra.
 E shihni, prandaj, sa e madhe dhe domethënëse është iniciativa për bërjen e këtij libri të mrekullueshëm.
 E dyta: e kam një kujtim timin, familjar, që më duhet ta them me këtë rast: stërgjyshi im, kur i mbushi të tetëdhjetat, i thonë djemtë: mos puno më, mjaft ke punuar, rri në kullë dhe prit mysafirë. Plaku pajtohet me një kusht: të ma  lavroni bahçen e kullës, sepse mysafirët nuk rrinë ditë të tëra me mua, e unë mërzitem pa punë. Djemtë e dëgjojnë. Bahçja e kullës ishte e vogël, as pesë ari vend. E lavrojnë djemtë, e plehëron plaku dhe e mbjell duhan. Me punë, plehërim, ujitje e kujdes, duhani, thonë, bëhej dy metra. E përpunonte ngadalë e me kujdes dhe, një Kurtaj i katundit tim, vinte shpesh dhe e merrte nga një okë duhan të grirë. Kështu një kohë të gjatë, dhe një ditë, ai burrë i Kurtajve i thotë: - Mixha Arif, u banë 48 okë duhan, nëse m’i jep edhe dy okë – po t’i jap Logjet e Abrisë.
Stërgjyshi im i thotë: jo, bre bir, nëse m’i jep Logjet po t’i jap edhe 52 okë duhan. Dhe kështu edhe ndodh… Logje quheshin livadhet në mes të dy Abriave, toka më e mirë që edhe në verën më të thatë – ta shtrembëron hambarin.
Dhe kështu, nga puna e një plaku tetëdhjetëvjeçar, unë brezi i katërt e kam një arë të mirë në ato logje…Dhe pikërisht ajo tokë na ka mbajtur që të mos i nënshtrohemi kurrë pushtetit.
Pse e thashë këtë tregim të vogël? Një: që nga puna e vogël lindin rezultate të mëdha dhe dy: nuk e di çka do të jepja sot po ta kisha VETËM NJË FOTOGRAFI të atij stërgjyshi të mirë, që me punën e ndershme, në moshë gati të perënduar, me dorën e punëtorit të urtë, na la trashëgimi (tash gati 15 familjeve) një burim të të ardhurave të pastërta.
 Emrat që prezantohen në këtë libër, duhet të shoqërohen me fotografi, me të dhëna jetësore, që i kishte sistemuar autori në mënyrë të mrekullueshme, por në asnjë mënyrë kjo punë të MOS NDALET. Imagjinoni nipat e stërnipat e të prezantuarve me këtë libër në dorë. E ka krenari dhe investim më të mirë dhe më domethënës.
 Pasi të regjistrohet autorësia (që të mos e ndotin me përpjekje të njëjta ata që nuk dinë të bëjnë libër dhe përpiqen të përfitojnë nga idetë e huaja) e inkurajoj autorin që të bëjë disa libra të këtillë, jo vetëm për një shtet, dhe, në fund, të gjithë këta libra të bashkohen në një libër të madh ku do të jenë të radhitur – me abece – të gjithë të suksesshmit e gjuhës sonë.
 Kjo do të jetë edhe një dëshmi, një pasqyrë dhe një dokument se Kosova gjithnjë prodhon njerëz të suksesshëm. Dhe, në përmbyllje do të them këtë: njerëzit e suksesshëm janë shkollë e vërtetë prej të cilëve MËSOJNË SHUMË DHE MËSOJNË MIRË të gjithë brezat. Këta njerëz e kemi për detyrë t’i ngrisim sa më lart, sepse: ata i përngjajnë diellit, sa më lart të ngriten, aq më shumë dritë e ngrohtësi dhurojnë. Sot kjo punë duket e vogël, por nga fara rriten lisat e lartë.
 Uroj që ky fillim i mbarë të ketë edhe rezultate të pastërta.

Shënim i Redaksisë:

Në ditët ardhshme, do të publikojmë librin e plotë të shkrimtarit Faruk Tasholli, me dëshirën tonë dhe të vetë autorit, te cilin e falenderojme për kontributin dhe veprimtarinë në informimin e lexuesit dhe opinionit të gjerë, mbi kulturën dhe letërsinë shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora