E premte, 19.04.2024, 05:40 AM (GMT+1)

Mendime

Enver Bytyçi: Eshtë koha për reflektim dhe jo për vetëlavdërim

E diele, 05.04.2020, 11:55 AM


Eshtë koha për reflektim dhe jo për vetëlavdërim

Nga Enver Bytyçi

Një sondazh i publikuar sot ka fiksuar si rezultat fitoren absolute të Lëvizjes Vetëvendosje prej 52 për qind, nëse zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë do të mbaheshin tani. Nuk dua të ndalem në interpretime të tjera, sepse më mjafton kjo që të shpreh drohnë që kur një subjekt politik mbërrin kuota të tilla pëlqyeshmërie të ndikojë për ngritjen kultit të individit te lideri përkatës.

Albin Kurti krijoi një qeveri të shpresës në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Por pas 50 ditësh përmes një mocioni votëbesimi, aleatja e saj, pra LDK, e rrëzoi nga qeverisja. Ai vazhdon të drejtojë një qeveri në detyrë, por jo të besuar në parlament. Rrëzimi i qeverisë Kurti ishte pa dyshim një kurth i disa liderëve të pavotuar si individë, por me ndikim dhe fuqi politike të mjaftueshme për të diktuar për një kohë të caktuar rrjedhat politike në Kosovë.

Megjithatë i kam parë si aktin politik të seancës parlamentare dhe zhvillimet para e pas saj edhe në anën tjetër të medaljes. Të gjithë pajtohemi se presidenti i vendit, në krye të një garnizoni politik të dështuar, përdori në kohë Covidi-19 mjete në dukje legale, për të rrëzuar një qeveri legjitime, e cila filloi ta sfidojë atë, para së gjithash në aspektin e luftës kundër korrupsionit 13 vjeçar të asaj që quhet “Epoka e Hashim Thaçit”. Kurti po e rrezikonte në themel karrierën politike të një njeriu të fuqishëm në projektet e tij anti-Kosovë. Për këtë pjesë kam shkruar.

Por kam thënë gjithashtu se edhe kryeministri Kurti nuk mundi të shndërrohet nga opozitar në shtetar. Eskili shkruante këtu e 2400 vite më parë se ‘Kur e drejta tejkalohet, kthehet në të kundërtën e saj’! Albin Kurti ka të drejtë të realizojë programin dhe premtimet elektorale të Vetëvendosjes gjatë qeverisjes që ushtron. Por sjellja, dialogu, përulësia, modestia, urtësia, maturia, përpjekja për të gjet mjetet adekuate për të arritur qëllimin, nuk janë pjesë programore. Këto janë e duhet të jenë pjesë e karakterit, përgjegjësisë dhe formimit të njeriut, në rastin konkret të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti. Aq më tepër kur kundërshtari i tij politik është një tigër i plagosur dhe i sprovuar në intriga, marifete, marrëzi, hajni, krijimin e grupazheve etj. Aq më tepër kur rivali i tij politik, presidenti i vendit, ka sunduar edhe si kryeministër, edhe si president.

Albin Kurti nuk duhet të ngrejë shpatullat pas këtij sondazhi. Sepse përballë tij ka një divizion politikanësh të korruptuar. Nëse vemë re, në Lidhjen Demokratike të gjithë ata që kanë punuar si ministra, kryetarë komunash, apo poste të tjera të larta janë bashkëpunues me Hashim Thaçin. Kur ndodh kjo në LDK, duhet ditur se në partitë e tjera ky fenomen është akoma më i përhapur. Ndoshta tentakulat e kësaj marrëdhënieje bazuar në bashkëpunim në krimin e korrupsionit shkon deri te ndonjë bashkëpunëtor i vetë Kurtit në VV!

Por anketimi dëshmon se zoti Kurti ka mbështetjen e qytetarëve! Ky është një sukses i jashtëzakonshëm. Megjithatë ai duhet të ketë parasysh se mbështetjen e qeverisë Kurti e japin edhe votuesit e Vjosa Osmanit dhe disa ministrave të Lidhjes Demokratike. Kjo do të thotë se anketimi duhet parë me shumë objektivitet. Pavarësisht kësaj është e sigurt se kuotat e mbështetjes së qytetarëve të Kosovës për qeverinë Kurti janë të larta, më të larta se për shumë qeveri të mëparshme. Dhe mos harrojmë edhe njëherë, janë kuota mbështetje për qeverinë “Kurti”, jo domosdoshmërisht për Lëvizjen Vetëvendosje”!

Kjo analizë reale duhet të shërbejë që zoti Kurti të mos kalojë në eufori, njëlloj euforie, e cila e dëmtoi disi gjatë 50 ditëve në qeverisje. Euforia çon në mendjemadhësi. Dhe mendjemadhësia ndëshkohet po aq sa edhe korrupsioni nga ana e qytetarëve. Prandaj është koha për reflektim, në vend se për vetëlavdërim!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora