E enjte, 18.04.2024, 07:40 PM (GMT+1)

Kulturë

George Gibescu: Ndërmjet antikës dhe historisë

E hene, 20.10.2008, 07:34 PM


Mendime rumunë mbi mbi vlerat shqiptare

 

Ndërmjet antikës dhe historisë

 

Depersonalizimi nuk i përket shqiptarëve, por atyre që ua kanë trazuar historinë. Autori ka meritën se i shmanget politizimit të poezisë, duke i injoruar madje edhe lugetërit e shërbimeve të fshehta të djallit që e provokojnë, duke ardhur ndër ne si një misionar i shpirtit shqiptar që na e përkujton atë që e ka thënë Jorga para 60 vitesh: Rumunët dhe shqiptarët janë kushërinj të gjakut. Lirika e shqiptarëve të Kosovës integrohet në mënyrë harmonike në thesarin e poetëve të mëdhenj, të përjetshëm dhe të papërsëritshëm.

 

Nga George Gibescu, Bukuresht

 

Poetika e Sali Bashotës, e përkthyer me shkëlqesi në gjuhën angleze, franceze, gjermane dhe rumune, shëmbëllen me botën poetike të Luçian Blagës dhe Aleksandru Filipides, frymëzime të prekura thellë nga përjetimet e shpirtit. Autori sjell në veri të Danubit inspirime që e ndërlidhin ëndrrën me luftën dhe historinë e një populli të martirizuar për çrobërim nga kthetrat e barbarisë. Poeti kalon nëpër pyje të mëdha vetmishë, imanente apo transparente, objektive e subjektive, nga një ekzil të jashtëm në një ekzil të brendshëm, të cilit i është rekur me vetëdije.  Vargjet organizohen përreth disa termave si qenje metafizike si shpirti, ëndrra, vetmia, lufta, liria, dhembja, heshtja, koncepte të thjeshta përnga shikimi sipërfaqsor por në të vërtetë metafora të mëdha ekzistenciale. "Si zgjohen ëndrrat/ Të zëna rob me magjinë e fjalës/ Mbi qiellin tënd blu/ Si zgjohen ëndrrat/ Këndej pragut të lirisë/ Si dhe ku/ Në ditën e gjatë nga lind e perëndon/ Në natën e mbramë të barbarisë/ Zhgjëndrrat e zisë" (Ringjallja e poezisë).

                Në një hapsirë pothuajse të ankthshme, e pikturuar para dhjetë vitesh në Kosovën e përgjakur (1998-99), poezia ringjallet si arti në teror, bëhet pluhur i ndryshkur i dhembjes mbi botë, mendje hyjnore që i shndrit krejt gjallesat, duke e shoqëruar në mënyrë permanente shpirtin ilirik në një lojë të hatashme estetike, duke kaluar nga një gjeografi historike në mit, por edhe në fenomenalitetin e parashikimeve dhe shkëlqimeve, prezente te Ringjallja e poezisë: Midis portave të hekurta atdhesia ka hyrë/ Illyricum immortale as Nata Shqiptare/ Një gur i moçëm i durimit të pashkruar/ Tek zgjohet në imazhin e fitores/ Në fytyrë. (fq. 44). Pas katër vitesh (Ekzili i shpirtit, 2004), poeti shqiptar i Kosovës euro/amerikane vjen me një libër të dytë në gjuhën që e fliste edhe Mitrush Kuteli i tij: Shiu pa Ty (Bukuresht, 2008).

                Duke e eksploruar universin shpirtëror dhe lirik të këtij misionari shqiptar, kuptojmë se shpirti si konstantë permanente e gjeneralitetit njerëzor, dhe historia si robëreshë e përkohshmërisë, i japin relief ekzistencial poezisë së tij. Diskursi i tij poetik, i prekur nga tmerret e luftës, e befason shpirtin në hipostaza të ndryshme, që nga përgjakja e deri në mërgim, me një ndjenjë të prehtë të depersonalizimit. Depersonalizimi nuk i përket shqiptarëve, por atyre që ua kanë trazuar historinë. Shqetsimet  e brendshme janë të projektuara në ekranin e gjerë të historisë, me panoramën e një universi të shkrumtë, dhe me sugjestionin e ndezjes në sfërën e vetëdijes  dhe skëterrën e  frymëzimit: Zogjtë zgjohen nga arkivoli i shpirtit/ Sa shekuj vajtojnë vetveten/ Zbresin nga qielli i zi/ Fluturim i tyre i mbramë në natën betejë/ Bari i djegur i fushës ashkrumb/ Pylli i prerë drunjtë e ngjyrosur me gjak/ Po kjo nuk është ëndërr/ Frymëzim i trazuar sillet nëpër ferrin e vet/ Bota reale shkund misterin e fajit/ Nuk gëlltitet liria duke përplasur/ A kyçur derën/ As i verbër syri as i vdekur fytyra/ Zogjtë zgjohen nga arkivoli i shpirtit/ Vashat vajtojnë skeletin tim të bukur/ Po kjo nuk është ëndërr (Rekviem).

                Nga rrënqethje dhe humnera, nga gjëma dhe vdekje, ka dalë një poet i vuajtjeve kosovare, një ëndërrimtar që e ka kapluar shqetsimi në një kohë të  destrukcionit kur vdiset për çdo fjalë të shprehur, dhe kur gjarpëri bredh me njeriun për dore nëpër ferrin e arësyes. Bekim/shpëtimi vjen përmes poezisë ndërsa poeti, edhepse i shtyrë kah detrat e vetmisë, duke i shëruar zogjtë e plagosur, nuk vdes kurrë. Këto tekste të mirëseardhura ndër ne, kanë qenë të ndërmjetësuara nga zt. Baki Ymeri, ai vetë poet me rrënjë të shëndosha n[ botën e një farefisnie fisnike të mbrujtur me aftësi të mëdha invencionesh dhe ekivalencash lirike, një misionar i shqiptarizmit që ka krijuar  audicion të gjerë të gjeometrisë së faqes dhe gramatikës së poezisë.

                Duke deshifruar poezinë e zt. Bashota, kuptojmë se fati i shqiptarëve të Kosovës qenka identik me atë të rumunëve të Besarabisë dhe Luginës së Timokut, të persekutuar përgjatë historisë nga ata që i përdorën të gjitha metodat barbare për sllavizimin e tyre. Përkthyesi e ka fjalën për barbarët e Beogradit që e përgjakën Kosovën, ndërsa autori ka meritën se i shmanget politizimit të poezisë, duke i injoruar madje edhe lugetërit e shërbimeve të fshehta të djallit që e provokojnë, duke ardhur ndër ne si një misionar i shpirtit shqiptar që na e përkujton atë që e ka thënë Jorga para 60 vitesh: Rumunët dhe shqiptarët janë kushërinj të gjakut. Lirizmi i Sali Bashotës integrohet në mënyrë harmonike në zërat e poetëve të mëdhenj, të përjetshëm dhe të papërsëritshëm.

__________

* George Gibescu, i lindur më 24 tetor 1940 në rrethin e Arxheshit, absolvent i Fakultetit Filologjik pranë Universitetit të Bukureshtit, është profesor universitar, kritik dhe historian i letërsisë, eseist dhe poet, prezent në Historinë e Letërsisë Rumune të Dumitru Mikut (Bukuresht 2000), si dhe në Enciklopedinë e personaliteteve (W'ho's'wo, Bukuresht, 2002), autor i dhjetë librave të kritikës dhe historisë letrare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora