E hene, 01.06.2020, 01:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Hamza Halabaku: Gjallë e i varrosur

E diele, 05.04.2020, 10:55 AM


GJALLË E I VARROSUR

Nga Hamza Halabaku

Pasditja e asaj dite, kur Shpendi ishte nisur për në punë, kishte qenë e trishtueshme nga reshjet e shiut dhe bubullimat e vetëtimat e shpeshta e të forta. Mezi kishte arritur t’u ikte atyre gjëmimeve të stërzgjatura e trishtuese dhe të shkonte para makinës së vet në fabrikën e qytetit.

Nata nuk ishte plotësisht e errët, por ishte e frikshme!

Hëna sa kishte nisur të sosej atë natë të ngrohtë vere. Kishin kaluar pesëmbëdhjetë ditët e para të atij muaji, sipas njësimit të kohës me hënë.

Në orët e vona, Shpendi po kthehej, pasi kishte përfunduar turni i dytë, nga fabrika e qytetit në shtëpinë e tij. Rruga nga qyteti, ku ishte vendosur fabrika ku punonte Shpendi, në drejtim të fshatit të tij, kalonte përskaj lagjes së të vdekurve. Varret e fshatit ishin vendosur kaherë në pjesën më të ngritur të tokës, në veri të fshatit. Ishte lagjja më e ngritur e atij fshati.

Në kohën kur po kthehej Shpendi nga puna, pas orës njëzet e dy, edhe pse hënës i kishin mbetur më pak se dymbëdhjetë ditë, nata ishte e kthjellët.

Dita e kaluar kishte qenë shumë e nxehtë. Kishte qenë një ditë që të zihej fryma nga vapa.

Pas tetë orë pune para makinës, Shpendi ishte tejet i lodhur në atë kohë. Ishte edhe i mërzitur, pasi as atë ditë nuk kishte arritur t’i merrte të ardhurat e veta mujore.

Ecte me shpejtësinë e tij të zakonshme, duke menduar për hallet e tij e të familjes!

Sa më shumë që u afrohej varreve të fshatit, i bëhej se po dëgjonte një zë, që sikur i vinte nga nëntoka. Mendja i shkoi së pari tek odat e fshatit, ku, zakonisht, netëve të dimrit, shpesh flitej për shpirtra që ngrihen nga varri! Shpendi nuk frikësohej nga ndonjë shpirt i së keqes. S’i trembej as dreqit e as të birit të tij.

Tani, në mes të frikës e trimërisë, rritej edhe intensiteti i zërit, që vinte nga nëntoka, sa më shumë që ai i afrohej lagjes së të vdekurve.

Kur erdhi shumë afër, krejt afër varreve, zëri që i vinte nga nëntoka u mbulua nga lehja e qenve të fshatit dhe shumë shpendëve, që, në atë kohë të natës, ishin bërë personazhet kryesore në lagjen e varreve. Vazhdoi të ecte rrugës së vet, duke kthyer kokën herë pas here andej nga dëgjoheshin të lehurat e qenve dhe krrokëritja e do shpendëve. Nuk ishte frikacak fare, ama kur i kujtoheshin bisedat në odat e katundit gjatë netëve të gjata të dimrit, pasi me vete kishte vetëm një shkop të shkurtër në dorë, edhe vetë e pranonte se një dozë e vogël frike ia zinte mendimin.

Herë ndalej e herë vazhdonte rrugën. Kur ndalej, i dukej se qentë e fshatit dhe shpendët e asaj nate po ziheshin për, ndoshta, ndonjë copë gjahu, që dikush me pakujdesi mund ta ketë hedhur në lagjen e varreve! Pastaj, mendja i shkonte se gjatë kohës së keqe të asaj pasditeje ka mundur ta pësojë ndonjë shpend dhe tani të gjallët po zihen se cili nga ata që lehnin apo që krrokëritnin do ta ketë në pronësi, në atë natë të vonë!

Kur arriti në shtëpi, shoqja e jetës, Shpresa, në dritën e llambës së vajgurit, meqë pas asaj dite me bubullima e vetëtima nuk kishte dritë elektrike, thurte xhemperin për të birin e saj, i cili dimrin që do të vinte do të ishte student i vitit të parë të drejtësisë në kryeqytet. Asnjëherë Shpresa nuk shkonte në shtrat pa u kthyer Shpendi nga turni i dytë i punës.

- Erdhe, - i tha Shpresa Shpendit, duke u luajtur nga vendi dhe duke e hequr tjerrin nga qafa.

- Erdha, - u përgjigj Shpendi, tek i cili lehtë vërehej zbehja në fytyrë.

- Je lodhur shumë, apo... deshi të vazhdonte pyetjen Shpresa, po ai e ndërpreu.

- Jam lodhur si zakonisht, po atë që kam dëgjuar rrugës, më është dukur e tmerrshme!

- Pse, çka ashtu, si? - vazhdoi Shpresa.

- Duke ecur rrugës, tek po kaloja përskaj varreve, dëgjova diçka të tmerrshme, - vazhdoi tregimin e tij Shpendi! - Me gjasë rrufeja e ditës së sotme ka plagosur ndonjë shpend, i cili mund të ketë rënë në mes të varreve dhe i janë vërsulur qentë e fshatit. Po dëgjova edhe krrokëritje të shpendëve! Njëherë zëri m’u duk se vinte nga nëntoka, po më vonë dëgjoja vetëm lehje dhe krrokëritje ..., - vazhdoi rrëfimin e tij Shpendi.

- More Shpend, - e ndërpreu Shpresa, dhe vazhdoi:

- Sot vetëtima e ka vrarë Bardhin, Bardhin e Lumëbardhëve!

- Si, si?! - u habit Shpendi. - Unë e kam dëgjuar një zë nga nëntoka. Është e mundur që këtë ta kenë dëgjuar edhe qentë e fshatit dhe shpendët që krrokëritnin trishtueshëm. Tani nuk mund të jem i qetë! Menjëherë dua të shkoj te lumëbardhët.

Derisa Shpendi kishte arritur në shtëpinë e tij, kishte bërë bisedën me Shpresën e tij, nata tashmë kishte nisur të largohej. Kur mbërriti te vëllezërit e Bardhit, kishte filluar të agonte. I ra derës me shumë fuqi. E rënia e Shpendit u dëgjua menjëherë në atë agim vere në odën e lumëbardhëve.

Menjëherë dikush doli i veshur me pizhame dhe e hapi derën e oborrit. Shpendi e njoftoi për atë që kishte dëgjuar në lagjen e të vdekurve. Shpejt u tubuan të gjithë dhe, bashkë me Shpendin, me mjetet e nevojshme në duar ua mësynë varreve të fshatit. Kur drita tashmë po e përzinte grushtin e fundit të territ, ata ia mbërritën, me shumë vonesë, në vendin e duhur. Tani, nga aty ku ishte varrosur Bardhi, qentë gati të gjithë ishin larguar. Aty, shumë afër, kishte mbetur qeni i familjes së Bardhit dhe ndonjëri prej atyre që ishte lodhur nga përpjekjet për të treguar se diçka e tmerrshme po ndodhte nën tokë! Nga aty edhe shpendët kishin fluturuar në drurët më të afërt.

Tani, sa më shumë që dielli dukej në horizont, hija e drurëve bëhej më e qartë dhe shtrihej gjatë ndër varre.

Edhe qentë tërësisht kishin pushuar së lehuri, edhe krrokëritjet e shpendëve tashmë kishin pushuar! Ata sikur donin të thoshin se ne e bëmë punën tonë, tani vazhdoni ju.

Dikush me lopata e dikush me mjete të tjera nisën zbulimin e varrit të Bardhit, të cilin e kishin mbuluar disa orë më parë. Filluan heqjen e dheut që rëndonte mbi varr, tani, të të ndjerit. Kur arritën te dërrasat, ishte shumë më lehtë.

Pas heqjes së dërrasës së parë dhe asaj të dytë, i panë ato tërësisht të përgjakura...

Bardhi nuk kishte vdekur kur ishte varrosur. Bardhi ishte varrosur i gjallë! Ai kishte bërë përpjekje për të dalë nga ajo gropë e zezë. Po kush do ta hiqte gjithë atë dhe mbi ato dërrasa të trasha?!

Shpendi dhe lumëbardhët, që përpiqeshin ta zhvarrosnin Bardhin, panë flokët e nxjerrë në atë vend aq të ngushtë, gishtat e përgjakur të Bardhit e thonjtë të hequr nga gishtat e dorës...

- O Zot i madh! – pothuajse këlthitën gati njëzëri ata të familjes së Bardhit!

Për një çast kishin mbetur të ngrirë...

*

Pasi rrufeja kishte rënë mbi Bardhin, në oborrin e shtëpisë së tij, me shpejtësi e kishin dërguar në spitalin e kryeqytetit, - tregoi njëri nga ata me kokën ulur, shoqëruar me lotët që i pikonin në dërrasat e varrit të Bardhit.

Mjeku kishte konstatuar se Bardhi dyzetepesëvjeçar kishte ndërruar jetë atë ditë në orët e para të pasdites.

Edhe pse ishin respektuar të gjitha ritet e vdekjes, e kishin vajtuar të afërmit e familja e ngushtë, e kishin puthur, siç puthet e përqafohet kufoma, të gjithë ata, e kishin larë dhe e kishin pështjellë në qefinin e bardhë, Bardhit nuk i ishte larguar vdekja klinike!

Pasi ishte lëshuar në varr, dheu i tokës që e kishte punuar me shumë zell, ia kishte nxjerrë elektricitetin nga trupi.

Bardhi ishte përpjekur, ama nuk kishte mundur ta hiqte gjithë atë masë dheu mbi trupin e tij.

Familjarët dhe të gjithë të njohurit kishin mbetur të shastisur. Vdekja e Bardhit ishte shndërruar në legjendë.

*

Kostandini, ishte ringjallur dhe bashkë me Doruntinën kishin udhëtuar trembëdhjetë ditë rresht, derisa kishin arritur në shtëpinë e prindërve te Vranajt.

Ai ishte ngritur nga varri për ta respektuar fjalën e dhënë. I vdekur e kishte sjellë Doruntinën apo, ndoshta, Doruntinën e kishte sjellë dashuria te zonja mëmë!

Po Bardhin!?

Pse e varrosën aq shpejt në orët e para të asaj mbrëmjeje të ditës, me rrebeshe trishtuese breshri e shiu?

- Nëse, pas shkatërrimit të kësaj bote, ndodh vërtet ringjallja, si do të takohemi me Bardhin? - i kishte shkuar nëpër mend njërit, pas zhvarrosjes së Bardhit!

E një tjetër kishte menduar që, po ta kishin zënë ende të gjallë, do ta kishte pyetur:

- Si ishte nata e parë e varrit!?



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora