E premte, 29.03.2024, 01:27 PM (GMT)

Mendime

Ajet Nuro: Referat (pak i vonuar...) për akademinë kushtuar shokut Enver në Prishtinë

E hene, 20.10.2008, 10:23 PM


Ajet Nuro
Referat (pak i vonuar...) për akademinë kushtuar shokut Enver në Prishtinë

 

Nga Ajet Nuro

 

Shokë akademistë e komunistë,

Shoku kryetar i Parlamentit të Kosovës,

 

Të më falni që e mora vesh me vonesë mbajtjen e një akademie përkujtimore për shokun tuaj të idealeve me të cilin ju ndat kënaqësinë që ju ka shkaktuar veprimtaria tij për shkatërrimin e rracës shqiptare. E pra, më mirë vonë po ua shkruaj dhe unë një referat.

 

Duhet t’u them që në fillim se kam shumë miq shqiptarë nga Kosova. Ata më patën thënë dikur se në Prishtinë ka më shumë komunistë se në Tiranë, Skrapar e Tepelenë të marra së bashku. Ndonëse disa vrasje makabre të nacionalistëve shqiptarë dhe veprimtarëve të LDK përforconin një mendim të tillë, ndoshta ajo dëshira që një gjë e tillë të mos ishte e vërtetë, më bënin të mos ta pranoja një gjë të tillë 100%. Por, në këtë tetor të vitit 2008 ju i kujtuat gjithë popullit shqiptar se ju jeni gjallë dhe pikërisht për të turpëruar racën tonë sepse ju nuk e dini se çfarë është fjala turp.

 

Pse u mblodhët ju në Prishtinë?

 

Këto ditë në media kanë qarkulluar plot shifra që tregonin mizorinë e Enver Hoxhës. Të vrarë, të torturuar, të ndarë nga familjet, të internuar. Ju, a menduat se në këto shifra ishin jetë njerëzish të marra, të përdhunuara, të nëpërkëmbura nga Enver Hoxha. Ju me mbledhjen tuaj në Prishtinë, i rivratë, i përdhunuat, i bëtë të rijetojnë ferrin më të tmerrshëm që njerëzimi mund të ketë njohur. Por, ju kujtoni se makutëria e Hoxhës u ndal në këto shifra që sido flasin. Joooo. Shifrat nuk mund të përmbledhin ata mijra të tjerë që ishin armiq klase dhe si të tillë nuk duhet të bënin një jetë normale, nuk mund të shkonin në shkollë, nuk mund të ishin të parët kur ishin të parët, nuk duhet të flisnin kur një komunist apo soji i tyre i provokonte dhe u thoshte plaç, sepse askush nuk donte të bëhej shembulli i keq i fshatit, lagjes ao qytetit nëpër qarkoret që partia shpërndante. Shqiptarët ishin të kënaqur nëse zeusi juaj... i linte të gjallë.

 

Jam kurioz të di, ju komunistët e mbledhur në Prishtinë u mblodhët si komunistë shqiptarë të inkuadruar në Partinë Komuniste Shqiptare (ndoshta dhe në PPSh...) apo si komunistë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë? Ndoshta kjo nuk ka rëndësi, në të dy rastet ju luftoni për të varrosur shqiptarët...

 

Jam kurioz të di a i përmendët idhullit tuaj Mukjen. Një gazetare nga Zvicra na ka sugjeruar ta bëjmë E. Hoxhën hero kombëtar! Ajo bile, e quante nacionalist... Hej, Hoxha nacionalist?! A i ka lexuar kjo shqiptare veprat e Hoxhës ku ai nuk le gjë pa thënë për nacionalistët shqiptarë që ai i zhduku një e nga një aq sa ...shqiptarët u katandisën me akademistë që kujtojnë vampira...

 

Nuk e di a ishin aty në Prishtinë edhe drejtues të disa organizmave që luftojnë për bashkimin e Shqipërisë (të drejtën edhe unë i besoja deri para do kohësh...) por që duan komandant shpirtëror pikërisht shokun Hoxha. Duan ta bashkojnë Shqipërinë siç bëri Hoxha?!

 

Po për Amerikën folët ndonjë fjalë aty në akademi? Dulla (siç i thonë me dashuri shqiptarët e Shqipërisë londineze për të shprehur mirënjohjen ndaj përkëdhelive që u bënte shoku...) e kishte qejf shumë Amerikën dhe imperiallizmin amerikan. Siç e tha shoqa Nexhi në një intervistë, ajo e kishte vështirë t'ia tregonte të gjitha qoftëlargut çafarë kishte ndodhur në Shqipëri, që nga ikja e tij dhe besoj se një nga gjërat më të llahtarshme ka qenë t’i thoshte që imperializmi amerikanë nuk është armiku ynë. Nuk di ju shokët komunistë të Kosovës a e patët këtë guzim? Nejse, ju mund të shtoshit faktin që amerikanët kanë pushtuar Kosovën...

 

Ju shokë akademista, çdo gjë mund të jini, veç njerëz jo. Nga çdo anë që ta shikosh çështjen, mbledhja juaj tregon mungesën më të vogël të ndjeshmërisë njerëzore por edhe mungesë përgjegjësie. Duhet theksuar me perkujtime të tilla makabre vihet në dyshim edhe integriteti mendor i të pranishëve. Kalemxhinj të papërgjegjshëm të sërës së atyre që u mblodhën në Prishtinë, me paturpësi duan të na bëjnë historinë siç duan ata. Ata arrijnë e deri aty sa babain e qoftëlargut të na e shesin për atdhetar. As vetë i biri nuk arriti ta bëjë një gjë të tllë. Sigurisht, një harbut duhet ta ngrej lart një harbut. Por ka dhe limite.

 

Po të tjerët!?

 

Kam parë shumë në këtë botë, por ne shqiptarët jemi të veçantë. Shtypi shqiptar në vend që të ishte i pari që të denonconte figurën e urryer të Enver Hoxhës, i bënte temenara. Zaten, një komunist i Kosovës i përmendte të gjithë gazetat enveriste të Tiranës dhe të Prishtinës. Gjeni në Gjermani gazeta që të bëjnë një gjë të ngjashme. Sidoqoftë shumë intelektualë reaguan dhe ashpër bile. Por a do të mjaftojnë reagimet e këtyre intelektalëve që opinioni shqiptar të dijë të ndaj egjren nga gruri? Shoqëria shqiptare duhet të ndahet nga Enveri për t’u ndarë nga enverizmi, nga faktori që e ka lënë Shqipërinë kaq mbrapa. Do të mjaftonte veç një viktimë për ta shpallur kriminel. Po kur viktimat janë mijëra?!

Këto ditë dikush na rikujtoi se Enver Hoxha ka vrarë Liri Gegën shtatzënë. Më ka bërë përshtypje një gjë e tillë, por më shumë përshtypje më ka bërë kur e kam lexuar në një vepër të Nikita Hrushovit. Hoxha kurrë nuk e ka përmendur që sovjetikët dhe Hrushovi e kanë kritikuar ashpër për vrasjen e Gegës, sidomos për faktin që ajo ishte shtatzënë. Hoxha e kalon me një batutë të thjeshtë, ndërsa Hrushovi e analizon si një çështje parimore, bile një nga shkaqet e ngrirjes së dialogut mes dy partive dhe shteteve. Më pas Hoxha do na shitej si shpëtimtar i marksizmit. Shkaku është tek rruga staliniste e tij. Një dalje nga kjo rrugë e ekspozonte para një dhënie llogarie. Sot, ai duhej gjykuar në mos për Gegën, për fëmijën. Nuk di a i përmendi ndonjë diskutant këto arritje të shokut tuaj Enver në akademinë e Prishtinës!?

 

Gjithë jeta e Hoxhës është e mbushur me vrasje makabre. Të gjithë ishin tradhtarë veç atij (dhe akademistëve të Prishtinës...) Për një fjalë goje, të thënë apo të pathënë shqiptarët u kalbën në burgjet e Hoxhës. Nuk di a kini përmendur këto fakte në akademi. Sepse, Hoxha juaj që hiqej si engjëll, nuk bëri dallim dhe të thoshte "ki(y) është popull dhe ta falim..." Në gijotinën e tij e tij kaluan që nga ata që ishin thjesht popull, sepse thanë "as me bukë nuk po na ngopin këta (komunistët)" dhe shoku i tij i intrigave dhe krimeve Mehmet Shehu.

 

Më 20 shkurt 1991, me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës, autorët rrëzuan një mit. Ata vran Çausheskun shqiptar. Në vend të vrasjeve të të gjallëve, ata zgjodhën vrasjen e simbolit. Afro 20 vjet më mbrapa shqipatrët duhet ta denojnë atë figurë me të cilën abuzohet aq shumë. Viktimat e tij vuajnë edhe sot e kësaj dite. Sigurisht, ata nuk ndihen dhe hallet e tyre ngelen në hije edhe për faktin se shtypi shqiptar është tejet i zënë me intervistat e Nexhmijes.

Sot Europa (Nexhmija betohet se është vetëm një njeri...) po u kërkon shqiptarëve ta dënojnë Enver Hoxhën. Shqiptarët, të paktën një herë në jetën e tyre duhet ta marrin iniciativën dhe të mos gjykojnë e dënojnë Hoxhën dhe bashkëfajtorët e tij se do Europa, por se e do e mira e Shqipërisë. M’u bë qejfi këto ditë tek pashë një grup në facebook që kërkonte ta shpallin Hoxhën kriminel. Ndoshta ky është veç fillimi.

 

Për t’u rikthyer tek akademia e Prishtinës, kjo ngjarje është e paprecedent. Shqiptarët e Shqipërisë kanë marrë pjesë në dhimbjen e shqiptarëve të Kosovës në vitet e tyre të vështira të shtypjes serbe dhe kurrë nuk kanë marrë anën e agresorit. Dhe e kundërta nuk do kishte kuptim. Një pjesë e shqiptarëve të Kosovës, duke marrë anën e një krimineli u bëjnë shërbimin më të mirë antishqiptarëve. Ata mund të jenë çdo gjë (ata quhen akademikë!?!) veç shqiptar jo e jo, por dyshoj nëse mund t’i përkasin species Homo-Sapiensis.

 

Ajet Nuro, Montreal, Kanada

18 tetor 2008



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora