E premte, 29.03.2024, 12:46 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Kolec Traboini: Tre shkaqe për të shkuar në "Kërthizë të Shqipërisë"

E hene, 20.10.2008, 07:17 PM


Tre shkaqe për të shkuar në "Kërthizë të Shqipërisë"

Mbresa udhetimi

Nga Kolec Traboini

Në një mbasdite tiranase tetori, marr një telefonatë prej kolegut tim gazetar Dilaver Baxhaku, që më fton për një kafe në "Manhaten" në qendër të Tiranës. Deri ne këtë telefonate nuk e dija se paskësh edhe Manhaten edhe ne Tirane. Kisha ca punë nëpër duar, po si t'ja prishja kolegut, aq më tepër kur me thotë se sapo ka mbërritur nga Amerika poetja Iliriana Sulkuqi, kryeredaktorja e revistës "Pelegrin", ku botojnë krijuesit, shkrimtarët e poetët mërgimtarë.
U gjenda në "Manhatenin" tiranas e aty takoj për herë të parë
poeten e njohur elbasanase që me Dilaverin e lidh një miqësi e vjetër edhe për faktin se janë të dy nga një qytet. Fjala solli fjalën e më pyesin se sa kohë kisha që nuk kisha shkuar në Elbasan. Të paktën mbi njëzet vjet, u thashë,... që nga koha kur isha në Kinostudio e xhiroja filma dokumentarë. E pra, ma kthyen miqt e mi të tryezës, do të kisha rast të vizitoja këtë qytet ku shumëçka ka ndryshuar, përveç tymrave të metalurgjikut "Korum" që e terrorizojnë këtë qytet "në kërthizë të Shqipërisë" edhe sot e kësaj dite. Tymrat mbeten po tymra. Shkurt fjala, u gjenda i ftuar nga dy elbasanas. Iliriana më tha se kish një festim familjar për nënën e saj e një shkodran në këtë gëzim do të ishte një kënaqësi për nënën e saj. Dilaveri më kujtoi se në Elbasan zhvillohej Festivali Ndërkombëtar i Teatrove, dhe unë mund të isha i pranishëm në shfaqjen e qytetit tim të dashur, Shkodrës.

Ndërsa po bisedonim, u paraqita shkakun e tretë, por që për mua, sa i përket rendit, do të mund të radhitej i pari. Jetoj në Boston dhe jam dëshmitar se si u sfidua vepra e Fan Nolit duke shkelur ne Kishën Katedrale të Shën Gjergjit, uzurpatori i Kishës Autoqefale, greku Janullatos , ndaj dua ta takoj e ti përcjell një mesazh mirënjohje At Nikolla Markut, i cili në Kishën e Shën Marisë në Elbasan, qëndron i papërkulur përballë kësaj sfide dhe ruan të pastër idealin nolian për Kishën Kombëtare Orthodokse Shqiptare. Miqtë e mi më mirëkuptuan dhe më thanë se me kënaqësi do të organizojmë takimin, madje do të jemi edhe ne në atë takim sepse e respektojmë At Markun, jo vetëm si një fetar i pastër, por edhe si një atdhetar i flaktë dhe shtuan se, aty tek kisha pranë mureve të kalasë gjithnjë valëvitet Flamuri ynë kombëtar.

U ndjeva mirë dhe të nesërmen, bashkë me miqtë e mi, morëm rrugën për Elbasan, pasi drekuam tek restorantin Mai Tai. Ishte një mjedis vërtetë fantastik në mes të peizazhit të kodrave të Tiranës, ku ato ditë qe zhvilluar edhe një prej shfaqjeve të miseve nga gjithë bota. Një kompleks krejt modern, me një zgjidhje arkitektonike origjinale, me pishinë, sallë koncertesh, hotel, por e papritura për mua ishte se këtë ansambël e kish ngritur bashkë me një grup miqsh të vet djali i poetes Iliriana, Briken Fejzullahu pas mjaft vitesh studimesh e punës si emigrant në Itali.

Një qytet ku urtia shfaqet si virtyt

Nëna e poetes, zonja Arfa Sulkuqi, nga fisi shumë i njohur i Kazazëve të Elbasanit, një grua e moshuar, dashamirëse, me sy të qeshur prej të cilëve buronte një dritë mirësie, na mblodhi në një drekë ku unë dhe kolegu im gazetar u gjendem në mes të pjesëtarëve të familjes. Aq i ngrohtë që mjedisi dhe aq e përzemërt qe pritja, sa na u duk sikur të ishin ndër njerëz të njohur e miq të vjetër.
Elbasanasit kanë një natyrë e temperament për tu patur zili. Janë të shtruar, të qetë dhe burojnë mirësi. I kisha vëne re këto cilësi nëpër vite ardhje për punët e filmit, sepse dikur Elbasani ishte në qendër të vëmendjes së medias, anipse të cungueme të asaj kohe.
U fol për shumë gjëra në atë drekë të gëzuar në mes të urimeve për jetë të gjatë e të gëzuar, e në mes të tjerave për këtë qytet që ka nisur një jetë të re, është ripërtrirë. Ne ishim vetë dëshmitarë të ndryshimeve që janë bërë. Nuk është fjala për pallate të larta e të bukura me një arkitekture moderne,që nuk mungonin, por më tepër për përkujdesjet që tregohen për të zbuluar e ruajtur vlerat arkeologjike dhe për të ripertrirë traditat arkitekturore të ndërtimit.

Gjatë një gërmimi në qytet, tek hapeshin themelet për një pallat të ri, u gjenden gjurmë të rrënojave të vjetra. Ato ishin në thellësi të pjesës së brendshme të kalasë, në qendër të qytetit. E këto objekte arkologjike, si bazamente kolonash, objekte qeramike, shkrime në gur, i detyruan projektuesit elbasanas ti ndryshonin planet e fillestare. U hoqën dhera të shumta e dolën më në pah muret e kalasë, që tashmë thuajse është e plotë dhe është bërë pjesa më e bukur e qytetit, pranë saj një shëtitore ku lëvizin vetëm qytetarët por jo automjetet. Shëtitorja pranë mureve të kalasë ishte vërtetë një zgjidhje fort e bukur. Tek bisedon me intelektuale të Elbasanit, ve re se mosngutjen për ta betonuar qytetin, siç është bërë, ta zëmë në Tiranë, shpreh urtinë a atyre që kanë qenë a janë drejtues të pushtetit në Elbasan.
Nuk e di se kujt i përket në kahje politike kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdinit, por konstatova se kudo shprehen fjalë të mira për kryetarin. E ata me të cilët bisedoja ishin si njerëz të thjeshtë të popullit por edhe intelektualë të njohur.
Madje çfarë më habiti është edhe respekti që kishin poetët e Elbasanit për kryetarin e Bashkisë. Drejtuesi e organizatori i Klub Hajkut Shqiptar, poeti Milanov Kallupi na ftoi në zyrën seli të shkrimtarëve elbasanas. Të them të drejtën ngrita supet, sepse di që në Shqipëri nuk ka ndonjë kthine ku të mblidhen shkrimtarët dhe artistët. Ta zëmë në Tiranë, për të takuar ndonjë ish koleg të filmit më duhet të rri me orë të tëra para një kafeje ekspres tek lokali "Aleanca", në krah të Galerisë së Arteve. Mirëpo në Elbasan ndodhka ndryshe, e kjo në saj të kujdesit që ka treguar kryetari i bashkisë për t'i ndihmuar poetet e këtij qyteti. Një veprim vërtetë për t'u admiruar. Në cilin qytet të Shqipërisë ndodh kështu? Të paktën në Tiranë e Shkodër kurrsesi..

Me bashëkshkodranët e mi në teatrin "Skampa"

Në Elbasan pata kënaqësinë të gjendem në shfaqjen e trupës teatrale të Teatrit "Migjeni" të Shkodrës sime. Në kuadrin e Festivalit Ndërkombëtar të teatrove, ku kishin ardhur edhe nga Italia, Maqedonia e Mali i Zi, ata u paraqitën me metaforën skenike "Putargat e thata" të Stefan Çapalikut, me aktorë; të mirënjohurin e skenës e të filmit Bep Shiroka, aktoren impresionante Paskualina Shllaku, Zef Shiroka dhe Erka Karaulli. Ishte një shfaqje që më la mbresë dhe më ringjalli "epokën" krizës totale e degradimit të njeriut, që mjerisht e për fat të keq të këtij tranzicioni e ushtrimi të pushtetit shkel e shko, gjen rezonancë edhe sot e kësaj dite, e jo vetëm në Shkodër, por edhe anë e mbanë Shqipërisë.
Mbas shfaqjes u gjenda në dhomat e aktorëve për t'i uruar bashkshkodranët e mi, të cilët edhe i njihja personalisht, por dhjetëra vite pa u parë kishin sjellë shumë ndryshime. Me Bep Shirokën njihesha nga koha kur ai vinte shpesh për xhirime filmi në Kinostudio, Paskualina Shllakun e njihja jo vetëm si aktore shumë e mirë por edhe pse ajo është e shoqja e aktorit Bruno Shllaku. Me Shllakët më lidh shumëçka. Poetin Primo Shllaku e kam patur shok shkolle ashtu si dhe Paulin Selimin. Por edhe artistin e regjisorin madh, babain e tyre, Lec Shllaku fatlumturisht e kam patur mësues letërsie dhe pasionin letrar ja dedikoj edhe atij. Aty në dhomat e aktorëve erdhi për të uruar artistët shkodrane edhe i mirënjohuri Luftar Paja. U krijua një mjedis fort mbresëlënës dhe kolegu ynë gazetar Dilaver Baxhaku nuk i qëndroi tundimit për të bërë ca fotografi me digjitalin e tij.

Pranë mureve të lashta të Shën Marisë së Kalasë

Poeti Milanov Kallupi u tregua i gatshëm të na lidhte me At Nikolla Markun.

E kam timin- tha ndërsa pinim kafe në një lokal të qytetit të Elbasanit. I ra një numuri telefoni e pasi mbaroi bisedën u kthye nga ne. Mbaroi dhe kjo punë. Atë Nikolla ka kënaqësi t'ju takojë. Më pas poeti elbasanas na kujtoj se At Nikolla i përket një rrethi familjar që ka nxjerrë mjaft artistë, si të thuash krijimtarinë e artin e kanë në gen gjithë fisi Marku i Elbasanit.
Me kolegët Iliriana dhe Dilaver morëm rrugën rrëze mureve të kalasë duke kaluar nëpër ca rrugica të kalldrëmta. Ishte një buzëmbrëmje me një puhizë ere e me dukej se po udhëtoja nëpër kthinat e imagjinuara të historisë. Sikur më vinin zërat e malësorëve në gjah, me pasthirrma të largëta, siç i ka shkruar aq bukur babai i madh i Gjuhës shqipe, Kristoforidhi.
At Nikolla na priti plot përzemërsi në oborrin e Kishës. Sapo hymë në oborrin e vogël më ranë në sy disa trarë të vendosur në krahun e majtë, çfarë tregonte se këtu po bëheshin ca punime. Në të djathtë shfaqeshin muret e Kishës, e cila që në vështrimin e parë të impresiononte me vjetërsinë e saj. Në fasadë dy qenie mitologjike prej guri. Një kishë shumëshekullore. Mbase e ngritur dhe ringritur, tempull pas tempulli, madje është mendimi se akoma më herët, në zanafillën e saj,do të ketë qenë një tempull, akoma më thellë në lashtësi.
Biseda me At Nikollën nisi në oborrin e Kishës. Na rrëfen se kjo kishë e vjetër në këto trajta që është sot, daton nga viti 1566. Kjo vërtetë që një e papritur për ne, sepse dimë që pushtuesit otomanë kanë qenë të egër, mirëpo pa u mbushur një shekull pushtim kishin lejuar ngritjen e një kishe brenda qytetit kala. Kjo tregonte tolerance fetare. Përballë kishës ishte një ndërtesë, e vjetër edhe kjo por e mbajtur. Kjo, thotë At Nikolla, është Mësonjëtorja e parë shqipe e Elbasanit. At Nikolla nuk puqet kurrsesi me atë mendim absurd që mësonjëtorja e parë shqipe është ajo e Korçës, kurrsesi, sepse kjo e Elbasanit shënon vitin e krijimit në 1736. Pse duhet të tregohemi kaq mospërfillës dhe sakatues të historisë sonë?! Kjo mësonjëtore që ka ardhur përmes shekullit deri tek hapja e Normales së Elbasanit, jo vetëm që ka vetë histori, por ka qenë laike, kanë mësuar fëmijët e familjeve të krishtera, por edhe ato të myslimanëve, të esnafëve dhe tregtarëve të qytetit. Këtu është kultivuar toleranca dhe dashuria në mes të shqiptarëve pa dallim feje. Kjo ka qenë shkolla ku ka dhënë mësim Kostandin Kristoforidhi, njeriu ndër më të kulturuarit e kohës së vet, gjuhëtar i madh. At Nikolla na thotë se Kristoforidhi ishte edhe psallt i kësaj kishe të moçme, madje atje ruhet edhe vendi ku ai ka qëndruar. Kjo Mësojtore u kthye më vonë në shkollë ushtrimore për mësuesit e rinj që do të dilnin nga Normalja e Elbasanit. Këshilli i Kishës së Shën Marisë ka ndërmarrë nismën për ta bere shkolle për fëmijët me te meta fizike me emrin " Zërat e jetës" sepse emrin e Kristoforidhit e ka tashmë një shkollë tjetër.
Kthehemi me fytyrë nga muret e kishës së moçme. Ka nisur të bjerë muzgu por busti i vënë në piedestal në ballë të saj dallohet mirë. I afrohemi. Është busti i Konstandin Kristoforidhit. Një drithërimë na përshkon trupin kur Atë Nikolla na thotë se këtu pushojnë eshtrat e gjuhëtarit të madh. E varrosen këtu e jo në varreza, sepse Kristoforidhi kishte krijuar figurën e një personaliteti të madh dhe e donin të gjithë. Në të gjallë e në të vdekur e nderuan si një tribun i shqiptarizmës.
Faktin që jetoja e vija nga Bostoni, e nxiti At Markun të tregonte për vizitën që dikur kishte bërë në Amerikë. Pastaj ishte e natyrshme të flitej edhe për atë vizitë turpi, kur në Kishën e Fan Nolit kish shkelur këmba e uzurpatorit të Kishës Autoqefale Shqiptare, Janullatosit të Greqisë, i mirëpritur ky për interesa të ngushta nga vëllezërit fetare Liolin. Shumëkush nga besimtarët thonë që ti ruajmë, të mos t'i kritikojmë,... e si të mos i kritikojmë, e si të mos flasim? Është e dyta herë që po shklasin idealin atdhetar të Fan Nolit të madh. Së pari kur Kishën Shqiptare të Amerikës ja bashkëngjitën Kishës Ruso-Amerikane e së dyti tani kur janë bërë një qëllim e një bukëshkale me Janullatosin e Greqisë. Kur shqiptarët e besimtarët ngrenë zërin për këtë përdhosje që i bëhet Kishës Orthodokse Shqiptare, At Arturi lëshon thirrjen groteske, që më shumë i përngjet batutave të një aktori komik se sa një fetari të përkushtuar. Mos u merrni me këto punë, o shqiptare, thotë ky mik për kokë i Janullatosit dhe i Kishës Ruse, por "hani fasule".
E pyesim At Nikollën se si ndjehet përballë sulmeve që i bëjnë, herë me gjyqe e herë me dredhi e dinakëri ofertash. Nuk më lodhin gjyqet gjegjet At Nikolla. Nuk ma bën syri terr nga këto dinakë që duan të venë dorë në Kishën e Shen Marisë që ndjek udhën e Fan Nolit. Nuk ma tronditin besimin tim në këtë ideal fanolian, sa fetar aq kombëtar, asnjë lloj oferte lakmitare, por këta uzurpatorë antishqiptarë i kanë duart e gjata. Kur e shohin se nuk ja dalin dot ballë për ballë me darovitjet e tyre qëllim mbrapshta, përdorin disa forma të tjera. Mund të them se Kisha e Shën Marisë ndodhet para një bllokimi ekonomik. Këtë mënyrë po e përdorin me qëllim për ta asfiksuar. Tërë familja ime ndodhet nën këtë presion të jashtëzakonshëm. Qëllimi i tyre është që të mbetemi edhe pa kafshatën e gojës e t'u dorëzohemi grekëve. Kjo është një luftë fort e ligë. Kjo është një dinakëri fort e madhe. Grekrit po arrijnë të ndikojnë edhe tek segmentet e shtetit, tek nëpunës të cilët nuk e kanë për gjë të më pushojnë nga puna edhe pjesëtarët e familjes.
E megjithë këtë lufte, sa e dukshme aq e padukshme, At Nikolla me karakterin e tij të fortë arrin ta përballojë.
Hedhim sytë lart tek kumbanorja ku At Nikolla ka vënë Flamurin Shqiptar. Kjo është një sfidë që i tërbon uzurpatorët e Kishës Autoqefale Shqiptare. Ndoshta as gjumi nuk i zë nga dëshira e egër ta shohin atë flamur të zbritur, të shqyer e përbaltur.
At Nikolla na thotë se në këtë Kishë të vjetër sa vetë muret e kalasë, vinë jo vetëm besimtarë orthodoks, por edhe të besimeve të tjera, sepse ata qëndresën e At Nikollës e shohin edhe si qëndresën e tyre, me Atë Nikollën i bashkon atdhedashuria. Kur kemi festa fetare, thotë At Nikolla, ta zëmë Pashkët, ju them të pranishëmve në meshe të ndahen, në njërin krah besimtarët e feve të tjera, të cilëve së pari u servir vezët e kuqe. Ju shpreh mirënjohjen sepse ata vërtetë na e forcojnë besimin në qëllimin tonë kombëtar, toleranca e tyre buron nga atdhedashuria që kanë. Ne të gjithë jemi shqiptarë e vëllezër, ne të gjithë duhet të jemi të bashkuar në qëllimet kombëtare.
Tek e dëgjon të flasë me aq pathos për atdhedashurinë, At Nikoila me përngjan aq shumë me fetarët e mëdhenj, ndër të cilët të paharruarin Papa Kristo Negovani, i cili duhej shpallur shenjtori i Kishës Orthodokse Shqiptare, po kush ta bëjë këtë, uzurpatori grek apo puthadorët e tij shqiptarë, bukëshkalët e atdheut.
Më vjen ndërmend edhe një fakt domethënës. At Nikolla ka iniciuar që një rruge në Elbasan t'i vihet emri i studiuesit e veprimtarit arvanitas Aristidh Kolia, e kjo na e shton admirimin për këtë prift, të cilit nën rrobën fetare i rreth një zemër e madhe, shqiponjë shqiptare.

At Nikolla në mes të mrekullisë onufriane

Kalojmë përmes kolonave, në të djathtë të kishës dhe gjendemi pranë altarit. Është e pamundur të mos emocionohesh kur ndodhesh përpara një ikonostasi kaq të madh ku është derdhur një mjeshtri e pashoqe. Vende vende punuar me ar. Kurrë nuk kam parë një ikonostas aq madhështor si nga përmasat por dhe mjeshtëria e punimit, që vjen mrekullisht nga mesjeta. Por për pak e nuk do të kishte ardhur në kohën tonë. Në ato vite të errta kur u mbyllen institucionet e kultit dhe feja u ndalua, u gjenden ca njerëz me tru të shpëlarë e të indoktrinuar që i vunë zjarrin këtij ikonostasi, ndër më të çmuarit në Shqipëri dhe mbarë Ballkanin, mirëpo fatmirësisht ish ndërhyrja e ish kuadri të asaj kohe, që urdhëroi shuarjen menjëhershme të flakëve. Ende duken gjurmët e barbarisë, por falë Zotit, kjo perlë e krenari e artit kishtar shqiptar shpëtoi.
Kubeja në qëndër të altarit ka ca afreska të vjetra të cilat thuaj janë prishur nga lagështira. Këto dy dekada tranzicion, ku shumë kush nga kacidhjar na u gjend misionar, kjo kohe pra, nuk kishte para për të bërë punime mbrojtëse të afreskave që i kanë krijuar mjeshtrit më të mëdhenj të artit kishtar, si Onufri, David Selenicasi a të tjerë ikonografë që njihen a nuk njihen.
Për këto afreska qindravjeçare, me çfarë pashë në atë lagështire gërryese( turpi i Institutit të Monumenteve të Kulturës) është tepër vonë. Janë të dënuara me vdekje prej shtetarësh e burokratësh financiare që nuk kanë kurrfarë vlere njerëzore e kurrqysh dinjitet. Ky është një prej krimeve të shumta që janë bërë e vazhdojnë të bëhen në këtë vend e për të cilat nuk e vret ndërgjegjja askënd.
Atë Nikolla afrohet pranë altarit për të na treguar disa ikona. Përqëndrohet tek njëra e thotë "Ja e kuqja e papërsëritëshme për të cilën më pyetet!"
Onufri. Për një çast me duket se koha ngrin. Seç të jep një stepje qëndrimi përpara veprave të mjeshtrave të medhej që nderojnë e përjetësojnë një komb.
E prek lehtas me dorë kornizën e asaj ikone. Më duket si ëndërr. Jo shpesh të ndodh të gjendesh aq pranë këtyre mrekullive. Por është një njeri që përditë jeton me to dhe në mes tyre. E ky është At Nikolla. Ndoshta për këtë ky fetar atdhetar që e ka vënë Flamurin kombëtar jo vetëm jashtë në lartësi të kumbanares, por edhe brenda Kishës, përballë altarit, për këtë është aq krenar e aq luftarak për ta mbrojtur Kishën Autoqefale nga erozioni i tmerrshëm dhe shkatërrimi.
Qëndruam pak kohë me kolegët e mi gazetare në atë Kishë të Moçme, atë perlë, që më së fundi shteti u kujtua si kofini pas të vjeli të shpenzojë një dorë kacille për ta mirëmbajtur.
Anipse në një qëndrim të shkurtër, Kisha e Kalasë mu be shumë shpejt pjesë e ndërgjegjes, dinjitetit dhe e krenarisë sime si shqiptar, çfarë nuk ma stimulon asnjë lloj beton armeje apo kulla xhami të ndërtuara në zemrën e kryeqytetit, sepse sapo të mbarojnë funksionin qiellçarëset tona, shemben për të ringritur te tjera sikur të mos kishin qenë, por mrekulli te tilla si Kisha e Shen Marisë në Elbasan, kurrë më nuk mund të ngremë. Kisha që po ngrihet gjigandomane e sfidante në qendër të Tiranës, mbase step e magjeps ca njerëz mediokër, por madhështinë e Kishës së Kalasë së Elbasanit, ku ngre meshë At Nikolla Marku kurrë nuk mund ta ketë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora