E premte, 19.04.2024, 03:05 PM (GMT+1)

Sport

Mbas një stine ndryshuese për kombëtaren e Shqipërisë, enigmat e vjeshtës 2007…

E diele, 06.05.2007, 03:35 PM


Tifozat festojne pas fitores ne Shkoder kunder Rusise
Brenda vetëm 8 ditëve, nga 25 maji deri në 2 qershor 2007, futbolli shqiptar në rang kombëtareje “shpërtheu” në tri ndeshje të sferës së lartë evropiane, çka me pasurinë e tyre të larmishme të çojnë te një përsiatje apo komentim interesant për nivelin e këtij futbolli të Shqipërisë. ndonëse pa ia arritur ta shterojmë as mbas ndeshjes së dytë me Luksemburgun. Kjo, për faktin e thjeshtë se ndodhemi ende disi larg prej shkoqitjes së asaj që nga ana tematike po e emërtojmë si enigma Vjeshtë 2007, teksa dihet se vetëm më 21 nëntor 2007, kur në Bukuresht do të luhet ndeshja e fundit për kualifikimet EURO 2008, ajo Rumania-Shqipëria, ditë tejet e vështirë për jetën e kombëtares, ne do të mund të përmbyllim mendimin a gjykimin tonë modest për ecurinë e re të kombëtares drejt përtëritjes së saj, që duket se ka nisur me vrull.

Nga Anglia “B” te Italia “NËN 21”

Më 25 maj Shqipëria u ndesh dhe humbi 3-1 me kombëtaren “B” të Anglisë në Burnley, një ndër sukseset më të mëdha gjeopolitike në historinë e saj, sepse është hera e parë që vendi i futbollit fton për ndeshje kombëtaren e Shqipërisë. Kjo është krejt e jashtëzakonshme në historinë tonë modeste, ku dihet se deri tash vetëm tre perëndimorë të rangut kanë patur mirësinë të ftojnë Shqipërinë: Meksika, Portugalia dhe Suedia. Dhe papritmas Anglia, Anglia “B” vërtet, por me plot 11 lojtarë prej të 17-ve që ajo aktivizoi, të cilët kishin veshur fanelën e kombëtares së parë të Anglisë: P.Neville, Barry, Dyer, King, Bentely, Defoe, Jenas, A.Smith, Owen, Lenon, Downing, të cilët, të gjithë së bashku përmbledhin shifrën e 262 herëve nën fanelën e shpikësve të futbollit. Ky pra ishte suksesi i madh i Shqipërisë dhe i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe jo rezultati i cili ishte normal, një 3-1 i një pjese të parë të stilit evropian të Shqipërisë, por për fat i një pjese të dytë të “stilit shqiptar” të Shqipërisë dhe me vlerën e madhe të katër zbulimeve: Rustemi, Vangjeli, Hyka, Berisha. Katër 20-22-vjeçarë, pasuri e madhe për Kombëtaren dhe mu ky qe suksesi i saj, mbas atij gjeopolitik. Në kësi rastesh, rezultati ka pak rëndësi, ndonëse nuk duhet harruar se kombëtarja “B” e Anglisë i ka të zhvilluar plot 57 ndeshje në historinë e saj dhe e dini që në alfabet “B”-ja vjen menjëherë mbas “A”-së. E riktheksoj këtë, sepse, të paktën personalisht, në politikën sportive ndihem gjithnjë në luftë me mbetjet e nacionalkomunizmit, që i bëjnë shqiptarët të fryjnë gjoksin kot së koti.

Ajo që na bën të mendojmë është se, nga ana e saj, Shqipëria nuk ka një kombëtare “B”. Bie fjala, mund të ishte Kombëtarja e Kampionatit Kombëtar, gjithnjë e gatshme si një front i dytë përzgjedhës, kur dihet se prej vitesh tashmâ lojtarët tonë të “A”-së luajnë jashtë.

Shtatë ditë më vonë, një tjetër kombëtare shqiptare, ajo e 21- vjeçarëve, luajti në Pontedera të Italisë kundër 21-vjeçarëve të Kampiones së Botës, një tjetër rast i jashtëzakonshëm ky për një krahasim futbollistik po modest Shqipëri - Evropë Perëndimore dhe 4-0 i pamëshirshëm, i përjetuar përmes transmetimit elegant të drejtpërdrejtë të “RAI”-t, ku shijuam një model gazetarie të zhanrit pamor dhe dëgjimor së bashku. (Ndërsa, ne jemi të vendosur për të mos mësuar asesi prej më të mirëve në këtë lâmë). Një dështim i madh u quajt gjithandej ky 4-0. Në të vërtetë, një nga ndeshjet më pa nivel në historinë jo dhe aq të varfër të asaj që e kemi quajtur “Shpresa” e Shqipërisë. Po nga ana tjetër, edhe këtu me dy zbulime tejet të rëndësishme të futbollit përfaqësues shqiptar: portjeri Ujkani dhe mesfushori apo sulmuesi Hyka, në një rikonfirmim të asaj çka ky i fundit paraqiti në ndeshjen e Burnley-t. E pra, nëse mbas një ndeshje të 21-vjeçarve ka dy zbulime të rëndësishme kësisoji, nuk ke të drejtë të thuash dështim. Përkundrazi.

Se cilat qenë shkaqet e nivelit të ulët të 21-vjeçares sonë, kjo kërkon ndërkaq një përgjigje, por, pa u ngutur dhe pa skajshmëri mërzinash “atdhetare”. Rikujtojmë zbulimin Ujkani-Hyka dhe qetësohemi përnjëherë. Nuk mund të harrojmë se po luanim me 21-vjeçarët e Kampiones së Botës në fuqi, Italisë, të cilën e kemi te dera e shtëpisë dhe mëkat që nuk synojmë të mësojmë fort prej saj. Jo përmes ndeshjeve loteriste të çdo jave, që ua kanë marrë mendtë shqiptarëve të rinj e të vjetër, merre me mend që për shkaqe jetese, por përmes marrëdhënieve të mirëfillta me vlerat e futbollit apenin.

Deri më tash, Shqipëria ka zhvilluar 12 ndeshje me përfaqësuese të ndryshme italiane dhe ka fituar vetëm 1, atë me të ashtuthirrurën “Italia Militare” (2-0) 15 vjet më parë, ka barazuar vetëm 1 dhe ka humbur plot 10, 7 prej të cilave janë për kampionatet e Evropës të 16, 18 dhe 21-vjeçarëve. Nuk jemi ndeshur asnjëherë me kombëtaren e Italisë, duke vërtetuar se, ndërsa kultura shqiptare ka një bashkëpunim të pasur me atë të Italisë, sporti e futbolli jo, megjithë praninë e dy “ambasadorëve” të njohur Erion Bogdani dhe Igli Tare, kurrsesi në kuptimin që iu takon atyre zgjidhja. Kjo është punë e diplomacisë së futbollit, të cilën Federata Shqiptare e Futbollit më kot kërkon të na bindë se mund ta bëjë vetë…

Duke iu kthyer nëntitullit tonë “Nga Anglia “B” te Italia “NËN 21”, vërejmë se përfitimi prej këtyre dy ngjarjeve qe i madh, edhe pse në shifra teknike kundërshtues, çka mund të mos shkojë në të mirë të shkoqitjes së enigmës Vjeshtë 2007. Ajo që marrim me vete është vetëm kjo: shqiptarët kanë talente të mirëfillta futbolli. Tjetër punë se sa dhe si di të përfitojë “inkasim” vlerash prej tyre: t’i ruajë, t’i zhvillojë, t’i pasurojë më tej në rritje të po vlerave të futbollit kombëtar.

Rritja e Luksemburgut dhe fitorja e vështirë e Shqipërisë

Dhe, të nesërmen e Pontedera-s 2-0 ndaj Luksemburgut. Tiranë, 2 qershor 2007! Për Kampionatin Evropian 2008.

Çuditërisht, kurrsesi një fitore e lehtë, madje e vështirë. Shqipëria u befasua prej rritjes së Luksemburgut, i cili luajti me pjekuri, taktikisht qartë, madje edhe me një teknikë të pëlqyeshme. E la fushën e lojës si një xhentëlmen i vërtetë, duke ndërruar fanelat dhe duke duartrokitur ai publikun shqiptar, ndonëse iu anulua një gol, që nuk ka moviolë që të vërtetojë drejtësinë e këtij anulimi!... Mirëpo, siç thuhet, i ka futbolli edhe këto. Dhe fitoi Shqipëria 2-0, e cila në fund të fundit, u tregua më profesioniste dhe diti “të vjedhë” një fitore, që shpesh të dukej se mund të anonte kah barazimi. Kujtoni tre rastet dridhëse të Luksemburgut të vogël që është ndërkohë një monarki konstitucionale, me vetëm 2556 kilometra katrorë, me vetëm 446.000 banorë, i pavarun qysh më 1867-ën, sot me 52.000 dollarë për frymë, me vetëm 150 futbollistë profesionistë, por në FIFA qysh më 1910-ën, megjithëse zhvillon kampionat kombëtar qysh më 1909-ën, por i 15-ti në botë për atë që quhet “zhvillimi njerëzor”. Jo gjithmonë niveli i jetesës është në harmoni me zhvillimin e jetesës.

Çfarë Shqipërie ishte? Dhe a na ndihmon sado pak fitorja me Luksemburgun për të shkoqitur disi para kohe enigmën Vjeshtë 2007 të Kombëtares së Shqipërisë?

Vështirë. Kjo fitore na ndihmon vetëm sa për të përfunduar në numrin e së martës së ardhshme të “TemA”-s sonë, komentin gjykues për përfundimin e një stine ndryshuese për kombëtaren e Shqipërisë. Vetëm kaq. Ndonëse edhe për këtë ndodhemi përpara një enigme të vogël për t’u shkoqitur: ajo që do të na tregojë ndeshja e kthimit në Luksemburg si dhe çka do të ndodhë me ndeshjet e të tjerëve të Grupit G të EURO 2008, disa rezultate të të cilëve të së shtunës qenë në të mirë të synimeve të arsyeshme të Shqipërisë.

Pavarësisht nga grafiku i çrregullt i ndeshjes në “Qemal Stafa”, përmbajtja që shpalosën 90 minutat, prapseprap paraqet interes. Mjafton vetëm një fakt: kombëtarja pati plot 4 lojtarë që nuk kishin zhvilluar anjeri më shumë se 7 ndeshje nën fanelën e saj, çka tregon se ndryshimi përtëritës i kombëtares, tashmâ ka hyrë në rrugë të pakthyeshme. Kemi përshtypjen se Otto Bariç është tejet i qartë në këtë rrugëtim të pandalshëm. Taktikisht, mendojmë se mu fakti i pranisë së katër “debutuesve” të pak ndeshjeve nën fanelën e shqiponjës, qe një prej shkaqeve të grafikut të çrregullt.

Ajo të dukej si një kombëtare ende e paformuar, herë-herë madje, sikur një pjesë e lojtarëve nuk njihnin mirë lojën e njëri-tjetrit. Curri kishte vetëm 7 ndeshje me kombëtaren, Vangjeli vetëm 1, të parën e tij, Berisha vetëm 5 ndeshje, Salihi vetëm 3 ndeshje me kombëtaren, të katërt jo më shumë se 22-23-vjeçarë. Për një çast të dukeshin si “të huaj” përballë Haxhit 60 ndeshje me kombëtaren, Skelës 44, Bushit 62 ndeshje! Ishte një mpleksje e çuditshme përvojash dhe moshash. Skuadra kishte në fushë plot 5 lojtarë mbi 30-vjeçarë, 5 lojtarë nën 25-vjeçarë dhe 1 lojtar mbi 25-vjeçar. Mesatarja e 11-shes ishte 28 vjeç. Mesatarja e moshës së 14-shes ishte 27 vjeç. Aty-aty, por kur e përimtëson pak a shumë shkencërisht, del se edhe këto shifra anojnë nga përtëritja, gjithnjë simbas konceptit modern të ndërtimit të një kombëtareje të sotme futbolli.

Trajneri Bariç e di mirë ndërkaq atë që kemi thënë një herë: se nuk ka përtëritje revolucionare, por ka vetëm përtëritje evolucioniste. Çka duhet kuptuar me bashkimin e tri moshave në një 11-she, që kësaj here qe vërtet e organizuar për bukuri. Kundërshtimet silleshin midis pjekurisë së Bushit dhe vrullit të Kapllanit, maturisë së Dedes dhe “fluturimeve” të Dallkut, mendimit prej “plaku” të Skelës dhe “nxitimit” djaloshar të Berishës. Diku, në mes të kësaj “mospërputhjeje” shfaqeshin 32-vjeçari Altin Haxhi dhe 24-vjeçari Lorik Cana, të cilët pavarësisht nga largësia në moshë qenë një duet - shtyllat e lojës. Nuk mundet që të harrojmë. Është hera e parë në historinë e kombëtares së Shqipërisë që ajo ka në përbërje të saj një prej 11 lojtarëve më të mirë të vitit të një shteti perëndimor, Francës - Kampione e Botës dhe Kampione e Evropës. Kemi shkuar vërtet larg.

Dhe Altin Haxhi - truri universal i lojës në ndeshjen e tij dyfish jubilare. Në mos gabojmë, për herë të parë kapiten i skuadrës si dhe në ndeshjen Nr. 60 të tij me kombëtaren. Mbrojtës, mesfushor, sulmues, madje i golit të rrufeshëm që i vuri veton fitores së lëkundshme të Shqipërisë ndaj Luksemburgut, i cili, siç thamë, qe rritur jo pak.

Sidoqoftë, kemi përshtypjen se herë-herë mendimi modern i dyshes Cana-Haxhi, mbeste në gjysmë të rrugës, çka prishte ose cenonte harmoninë e lojës dhe prap “të mirat”. Patëm një lojtar debutues “absolutus”, siç kanë thënë latinët, Kristi Vangjeli, i Aris të Selanikut, vetëm, 21-22 vjeç; patëm një golshënues debutues po “absolutus”: Edmond Kapllani, i cili risolli Karlsurher-in e Gjermanisë në Bundesligën e parë me 17 golat e tij dhe na mjafton mbase edhe kaq.

Kombëtarja është kështu në kërkim të harmonisë taktike, të njohjes së tre brezave të saj me njëri-tjetrin, të shkrirjes së tri moshave në një, ate ideale për të çuar shpejt te rezultatet njëkKombëtare të sotme, ose më saktë kombëtaren e Shqipërisë, e cila të shtunën nuk pati në 11-she as Igli Taren, as Besnik Hasin, as Altin Lalën, as Elvin Beqirin, as Erion Bogdanin, as Edvin Muratin, as Adrian Aliajn! Shtatë protagonistë të viteve emocionuese, që mjaftojnë për të kuptuar ndryshimin e rrufeshëm dhe natyrisht as Hans Peter Briegel-in. Duke patur ndërkohë, 11-shen më pak “shqiptar” në histori. Qenë plot 5 futbollistë prej të 11-ëve që nuk i ka prodhuar futbolli shqiptar: Beqaj, Curri, Dallku, Cana, Berisha. I gjashti qe në pankinë: Rustemi. Shqiptarë të Kosovës, por futbollistikisht më tepër të Evropës. Ky është mbarëkombëtarizimi i kombëtares së Shqipërisë ose globalizmi panevropian i saj. Bukur! Ajo që është keq është ajo që e kemi trajtuar në nja njëqind e më shumë shkrime: shkatërrimi i kampionatit kombëtar. Nuk ekzagjerojmë: mu shkatërrimi i kampionatit kombëtar dhe ky është më i rëndësishmi për futbollin e një vendi, jo kombëtarja.

Mos dolëm nga tema?

Nuk e besojmë. Do t’i kthehemi gjithçkasë të martën e ardhshme. Do të merremi edhe me atë, nëse Shqipëria do të jetë sërish, qoftë dhe e pesta ekëtij grupi të hekurt prej shtatë skuadrave apo do të zbresë përsëri. Do të fitojë ajo në Luksemburg apo jo? Do të ketë një harmoni më tepër në lojën e 11-shes shqiptare apo në katër ditë nuk mund të ketë ndryshime të mëtejshme? Do të përforcohet edhe në ndeshjen e dytë me Luksemburgun etja për pushtet e të rinjve apo “konservatorët” do të jenë vendimtarët? Dhe në fund të fundit, cila është nota që do të mund t’i vemë mbylljes së sezonit 2006-’07 për kombëtaren e Shqipërisë?

Sidoqoftë, larg kësaj retorike pyetjesh, qysh tash mund të pranojmë: po ndryshon gjithçka. Qoftë për të mirë!

Si mbyllje para vazhdimit, na duhet të pohojmë se trajneri Otto Bariç, të shtunën e kishte një ditë të shënuar. Me mesataren e 0.83 pikëve për ndeshje (me sistemin e vjetër “2), papritmas ai bëhet trajneri me arritjen më të lartë në këtë tregues prej të gjithë trajnerëve të kombëtares, të cilët e kanë drejtuar Shqipërinë në 5 ndeshje e lart në kualifikimet e Kupës së Botës dhe të Evropës. Dhe vetëm kaq edhe këtu, ose ky është rreshti i vetëm që i takon trajnerit Baric në këtë shkrim. Do të presim ndeshjen e dytë me Luksemburgun për të përimtësuar edhe portretin e tij, mbas një sezoni në krye të Shqipërisë. Për të pritur mandej edhe pak muaj për te shkoqitja e enigmës së Vjeshtës 2007, sepse ajo është vërtet një enigmë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora