E enjte, 18.04.2024, 10:23 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Me celular

E shtune, 04.04.2020, 12:31 PM


Me celular

Nga Edison Ypi

Celulari nuk është vetëm për të bërë muhabet, për të dhënë e marrë mesazhe. Me celular mund të krruash bythën, të blesh sende, të paguash fatura, të bësh selfie, dhe plot gjëra të tjera.

Me celular hedh në erë një makinë ose një shtyllë.

Me celular gjen brimën e çelësit në errësirë.

Me celular shet e blen votën.

Me celular dhe pseudonim shan, shpif, trillon, intrigon, për njerëz me emër e mbiemër.

Me celular mundesh me e shpall veten patriot të zjarrtë që flijohesh për Shqipërinë pa luajtur vendit, vetëm me një rrjesht e gjysëm në Fejsbuk.

Me celular bën shkrime gazete me 1 mijë fjalë dhe 2 mijë gabime.

Së shpejti do hidhen në treg celularë me të cilët pret thonjtë, krruan dhëmbët, pastron veshët, po ashtu dhe të tjerë modele më të avancuara celularësh që do zëvendësojnë çekiçin, sqeparin, shaminë e qurrave, thikën me sustë ose me helm për vdekje të sigurtë.

Po punohet gjithashtu për një celular që do zëvendësojë briskun për rruajtjen e mjekrrës dhe prerjen e fytit.

Ende nuk ka celular që të jetë njëkohësisht copë djathi, rrotë sallami, misër i pjekur, kofshë pule, filxhan kafeje, thekse buke. Por s'ka vend për dekurajim. Edhe për këta lloj celularësh po punohet.

Në varësi të faktit sa smart është celulari dhe sa hajvan është përdoruesi, celulari mund të bëhet fare mirë sharrë, kaçavidë, si dhe lugë e trefishtë; për të trazuar sheqerin, për të ngrënë imambajalldinë, për të mbathur këpucët, si dhe pirun e thikë për ta prerë mishin në llokma.

Shpikja e një celulari që do vlejë si letër higjenike për fshirje bythe është në prag.

Si të bëhesh me anë të celularit i njerzishëm, i këndshëm, dashur, i aftë për të derdhur lot, sidomos si të ngjizësh kalamaj me celular, tanipërtani nuk është e mundur. Por pavarsisht nga kjo pengesë provizore, së afërmi, duke lënë pas dy veglat e riprodhimit që mashkulli dhe femra i kanë mes shalëve, celulari do bëhet vegla e parë pa të cilën humanoidët nuk do mund të shumzohen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora