E marte, 16.04.2024, 06:45 PM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: “Njeriu Vitruvian” i Moikom Zeqos

E premte, 03.04.2020, 06:05 PM


“Njeriu Vitruvian” i Moikom Zeqos - Letër nga Fotaq Andrea

Fotaq Andrea e Moikom Zeqo, dhjetor 2017

I dashur Moikom,

Duke më dërguar esenë tënde « Njeriu Vitruvian » – një shkrim sa rrëmbyes e gllabërues, aq edhe universalis e quint-essencialis – ti më kërkove shkurt, shumë shkurt, mendim që, në këtë rast, mua do më reduktohej në çast në një përgjigje të thjeshtë, të matur, të kursyer : « Aty-brenda, “Njeriut Vitruvian”, je Ti, me mjeshtëri fjale artistike, je Ti i përplotë, me bukuri estetike e eruditive, je përhershmërisht e madhërisht Ti, miku ynë Moikom,  – të qofshim falë ! »

E çuditërisht, tek esetë e tua plot tharm meditues që më dërgon herë-herë, ku unë të shoh të depërtueshëm e të tejhovshëm në skutat e gjitharsyes, vetëdijes e simbolikës, jo rrallë më qëllon që, duke të lëçitur vrrullazi, të ndalem mes rreshtave, për të marrë një hop frymë thellë, si të ristartohem në ritmin tënd të befasive perceptive e imagjinative, duke ndjekur ëmbël gjithë sa ti parashtron e shtjellon me shtjella dijeje plot shije të veçantë letraro-artistike e më tej, ekstralinguistike. Faleminderit, Moikom, për kënaqësinë intelektuale që më dhuron.

Të ngulmosh drejt një përfundimi esencial të Jetë-Vdekjes njerëzore përballë Gjithësisë, do të thotë ta kërkosh esencën e saj që në fillesë, në vezë, dhe veç kur e gjen kurorëzimin e përfundimit shi aty ku zë fill pyetja mister, duke shfaqur brenda vetë pyetjes edhe vetë përgjigjen. O Athropos! – e fillon ti esenë tënde me një thirrje panikuese kukuvajte vajtuese –  kukuvajka këtu si shpend nokturn, i njohur si zëri interpretues i Athroposit mitologjik, që vetë shqipja e jep vajtueshmërisht: ku-ku: për ku? për ku? – në ç’drejtim e përfundim pra, ky Fati Im!...  Ja një nga ato thirrje ekzistenciale që befas këput fatalisht fillin e Jetës mes errësirave të Fatit Njerëzor. Dhe aty-aty, pas kësaj apostrofe bodëleriane, vijohet me pyetjen thelbësore e gjithësore: Ç’është Njeriu Vitruvian (?) – një pyetje pra, që përmban përsibrenda vetë thelbin e saj: “Ç’është Njeriu?” fillimisht e përgjithësisht, ai Njeri në mikrokozmosin e tij përballur ethshëm me “Njeriun Vitruvian” të Leonardos në makrokozmosin e Gjithësisë. Shfaqet kësisoj në vetë pyetjen, edhe vetë përgjigja për Fatin njerëzor si Qenie e lartë brenda Trikëndores: shfaqet “Njeriu emblematik”, Njeriu enigmatik”, “Njeriu-Hy”, “Pani me sytë nga qielli drejt kulmit të së Panjohurës”, drejt Firmamentit, ai Pan Hyjni i prozës poetike “Shkolla pagane” të Bodëlerit, me të cilin ti fillon shtjellinë tënde të refleksionit të thellë estetik. Në fakt, edhe vetë Hygoi – siç e di – “Fatin njerëzor” të konceptuar e koncentruar në “Fatin e tij” e perceptoi aq bukur vizualisht, si grafist e ilustrator i mirënjohur që ish, mes një shtjelle mister që e quajti fuqishëm : “Ma Destinée” (Fati Im”).

Duke u shmangur disi nga tema jonë, sikur të përdorja një loj fjalësh, “Njeriu Vitruvian” klasik i Marcus Vitruvias, e rrjedhimisht “Njeriu Epiqendër” i Da Vinçit, do të na dilte - pse jo? - “Njeriu In Vitrus”, modern, ajo “Bebe Epruveta Louise Brown” e kohëve të sotme, duke na i sfiduar njëfarësoj krejt “Rregullat e Lojës-Fat” të Njerëzimit. Po këtë shmangie, miku im, po e bëj ashtu-kalimthi, sa për t’iu larguar disi filozofisë sokratike të formulës  Njeri – Njih vetveten ti vetëConnaît-toi toi même” siç thotë frëngu, formulë e rrëmbyer në thelbin e vet epistemiologjik nga Hegel, Marks e më pas nga Sartri ekzistencialist. Nuk kërkohet kësisoj këtu, as më shumë, as më pak, por vetë thelbi i çështjes: “I dashur Njeri – dije pra, që ti, përtej gjithçkaje, nuk je tjetër veçse një Vdekatar brenda Trikëndores leonardine, ose ndryshe: “Ti, more Zotëri, nuk je Hyjnor, Hyjnor ish veç Pani i Bodlerit”.

Ja pra, i dashur Moikom, nga “Njeriu enigmatik” tek “Njeriu Problematik” që ti parashtron gjerë e gjatë në esenë tënde, unë shoh të ndërthuren e të ndërlikohen dy elementët e tij përbërës: Njeriu dhe Problemi i tij, ose ndryshe Njeriu dhe Esenca e tij. Dhe, kur ti flet me të drejtë për “Shpirtin Problematik të Europës”, mua nuk ka se si të mos më shkojë mendja edhe tek zviceriani Denis de Rougemont (që ka vlerësuar si filozof modern kryeveprën “Ese për gjuhët natyrale” të Konicës), i cili – Rougemont –, sipas Saint-John Perse mishëron figurativisht Homo Europeanus-in e së ardhmes, duke qenë një pionier e përkrahës i flaktë i Federalizmit Europian.

Rrjedhimisht, i dashur Moikom, tek “Mona Liza pluri-engmaike” e Leonardos, tek “Kështu foli Mona Liza” tënde, vepër – traktat gjithëpërmasor, mund të gjurmohet e të kërkohet vetë Njeriu kompleks drejt së Panjohurës, ku/kur nuk do të mjaftonte kurrësesi një parashtrim i thjeshtë i pyetjes: “Cila jeni ju Zonja Mona Liza?”, apo “Cili jeni ju Zoti Njeri?”, kur faktikisht “Zoti Zot” moikomian është vetëm Nji !  Dhe, për më tepër, kur Hyut Pan i mjafton, në fund të fundit, Pafundësi e tij në Shkallën Zero të Kuptimit e të Pakuptimit njerëzor! Dhe për akoma më tepër, kur vetë Jeta njerëzore është shterruese, drejt një dekostruktiviteti gradual të pandalshëm, drejt një Hiçi, një Hiçmosgjëje, si të priste durueshëm vetë Zonjën Vdekje, të ftohtë, të ngrirë. À la Covid19! “E ç’jemi, në fund të fundit, do thoja me gjuhën e labit, një m... që të na hajnë pulat!”...

Nuk ka si të mos vëmë re, përfundimisht, se esseja « Njeriu Vitruvian » i Zeqos – falë një shqetësimi, meditimi, interpretimi e qëndrimi ndaj së Vërtetës së Vërtetë, mes lodrimit të të panjohurave ndërlidhëse të tokësores me kozmiken Da Vinçiane –, përbën në vetvete një Kartë Mendore e krejt erudicionit moikomian, një shtegtim rrethor fillim-mbarim, një itinerar figurativ i Njeriut Univers leonardin përmes estetikës, letërsisë, artit e poeticitetit, në kërkim ngulmues, hutues e të ethshëm të Thelbësores, të gurit filozofal, të arit të së fshehtës kozmike, ironike, mitike e mistike të Mona Lizës, asaj mishëruese të madhërishme të Qenies njerëzore, të cilën Umberto Eco e do dhe e kërkon në Universin continuum, si një xhevahir simbolik, të aftë për të modifikuar edhe vetë Krijimin Hyjnor.

Gjithçka pra, në këtë esse moikomiane “Njeriu Vitruvian”  të josh, të këndell, të zbukuron shpirtërisht, tek merr vetë Fjala ngjyra ylberore poetike, tek shfaqet gjithë zhdërvjelltësi në vlera të shumëfishta estetike e filozofale, duke gumëzhirë përmes asociacionesh të fuqishme ideore në një mbushulli paradigmash koherente, në kërkim të ngulmtë e të përhershëm të “Njeriut Vitruviano-Leonardin” të Moikom Zeqos.

Të përqafoj me mall miku im, nga një distancë urdhëruese shtetërore 1000 km larg, distanca jonë pandemike e Covid19. F.

Strasburg, 2 prill 2020

Ma Destinée – Fati im, nga Victor Hugo



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora