Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Xhelal Zejneli: Dante Alighieri - Komedia Hyjnore

| E premte, 03.04.2020, 05:09 PM |


DANTE ALIGIERI – “KOMEDIA HYJNORE”

RRETHANA POLITIKE, EKONOMIKE DHE SHOQËRORE NË ITALINË E KOHËS SË DANTES

Nga Xhelal Zejneli

Në kohën kur jetoi Danteja, Italia kishte hyrë në rrugën e zhvillimit të marrëdhënieve kapitaliste. Ajo u bë nyjë tregtare e rëndësishme midis Evropës Perëndimore dhe vendeve të Lindjes. Zhvillimi i industrisë çoi në formimin e qyteteve-republika, të cilat në Italinë e Veriut u bënë qendra politike dhe ekonomike të rëndësishme. Rritja e prodhimit në shekullin XIV në Firence, në Milano etj. i zhvilloi proceset kapitaliste, gjë që mori një karakter shfrytëzues. Republika tregtare të pasura ishin Venecia dhe Gjenova, ndërsa qytete industriale ishin Firencja dhe Milano. Por, në krahina të caktuara ende mbizotëronin marrëdhëniet feudale. Qendra e Italisë ku shtrihej krahina e papës, ishte tejet e prapambetur. Italia e Jugut ndërkaq, ndodhej në duart e feudalëve francezë, në krye të të cilëve ishte Karli i Anzhujve (1226/7-1285), i cili sundonte në Sicili.

*   *   *

Shënim: Në vitin 1271, në territoret arbërore që i rimori nga Perandoria Bizantine, Karli i Anzhujve themeloi Regnum Albaniae (Mbretërinë e Arbrit) që u shpall në fund të shkurtit të vitit 1272. Ajo shtrihej nga rajoni i Dyrrahut (lat. Dyrrhachium) në jug, përgjatë bregdetit të Butrintit. Kryeqytet i Mbretërisë së Arbrit ishte Durrësi. Gjuha që flitej ishte shqipja dhe italishtja. Feja ishte krishterimi. Qeveria ishte monarki. Mbret, Zotëri tani Dukë, ishin: Karli i Anzhujve, në vitet 1272-1285 dhe Luigji (Louis), në vitet 1285-1368). Mbretëria e Arbrit kapitulloi në vitin 1368. Në këtë vit, Durrësi u kap nga fisniku arbër që sundoi në vitet 1358-1388, Karl Topia (Durrës, 1331 – Elbasan, 1388). Në vitin 1392, djali i Karl Topisë, qytetin dhe fushat e tij ia dorëzoi Republikës së Venedikut.

KONFLIKTET POLITIKE NË ITALINË E SHEKULLIT XII

Shoqëria italiane e shekullit XII ndahej;

- në gibelinë (ital.: ghibellino), të cilët ishin ithtarë të perandorëve gjermanë nga shtëpia sundimtare e Hohenstauf-ve; dhe

- në guelf (ital.: guelfo), të cilët ishin ithtarë të shtëpisë sundimtare Guelf ose të papës.

Në Italinë e shekullit XII guelf quhej anëtari i një fraksioni me zanafillë në familjen gjermane Velf (Welf) që ishin dukë të Saksonisë dhe të Bavarisë. Velfët qenë kundërshtarë tradicionalë të familjes mbretërore Hohenstaufen në Gjermani dhe në Itali. Velfët në Itali njiheshin me emrin guelfë, ndërsa Hohenstaufen-ët me emrin gibelinë. Në shekullin XII udhëheqës i guelfëve ishte Duka i Saksonisë dhe i Bavarisë Henrik Luani (1129-1195). Ai ishte mbështetës i papatit, kundër synimeve të Perandorëve të Shenjtë Romakë. Guelfët kishin mbështetje në qytetet kryesore të Italisë. Rivalët e tyre qenë pala perandorake, ndërsa fuqia e tyre vinte kryesisht prej familjeve të mëdha aristokrate.

Në grindjet vendore, pavarësisht nga shkaku, palët në konflikt e lidhnin veten me njërën apo me tjetrën familje kundërshtare, emrat e të cilave vazhduan të përdoren shumë kohë pasi grindjet e fillimit qenë harruar.

Midis guelfëve dhe gibelinëve, Dante ishte në anën e guelfëve dhe kundër gibelinëve. U angazhua për lirinë e qyteteve-republika dhe kundër sundimit të fisnikëve të mëdhenj. Përplasjet zhvilloheshin midis ithtarëve të papës dhe ithtarëve të perandorit gjerman. Kur pala e tij e humbi luftën, Dante u largua nga Firencja dhe nuk u kthye më. Jeta e tij në mërgim zgjati mbi njëzet vjet.

DANTE ALIGIERI (Dante Alighieri, 1265-1321) është shkrimtar i madh italian i kapërcyellit të shekullit të mesëm dhe shekullit të ri. Lindi në Firence më 15 maj 1265. Data e lindjes së tij nuk dihet saktësisht. Shumë data që kanë të bëjnë me jetën dhe me veprimtarinë e poetit, nuk dihen saktë. Nuk dihen saktë edhe data të caktuara të personaliteteve që kanë të bëjnë me të. E pagëzuan me emrin Durante. Sipas Jakopo Aligierit, emri Dante është shkurtim i emrit Durante. Kur i vdiq e ëma, Dante ishte pesë apo gjashtë vjeç.

Danteja është bir i Alghieri di Bellincione-s, i cili i përkiste një familjeje dekadente guelfe dhe i gruas së tij të parë, Bela-s. E ëma Bela Abati (Bella degli Abati, ? – 1270) ishte bijë e Durante di Scolai Abati, i cili ishte pjesëtar i fisnikëve gibelinë. Disa muaj pas lindjes së Dantes, me fitoren e Karlit të Anzhujve (Charles de Anjou) në vitin 1266 mbi mbretin Manfred de Benvenito, përfundon periudha e perandorisë në Itali. Napoli qeveriset nga francezët, kështu që në Toskanë sigurohet dominimi rrymës së guelfëve. Rrjedhimisht, Danteja u rrit në frymën e demokracisë fiorentine.

Për formimin intelektual të Dantes, nuk dihet shumë. Duhet të ketë ndjekur procesin arsimor të kohës. Shtyllë e arsimit mesjetar ishte: teologjia, filozofia, fizika, astronomia (quadrivium); dhe dialektika, gramatika, retorika (trivium). Latinishtja ishte thelbësore për formimin e nxënësit, pasi ratio studiorum bazohej në leximin e Ciceronit (Markus Tullius Cicero, 106-43 para K., i vrarë si ithtar i republikës) dhe të Virgjilit (Publius Vergilius Maro, 70-19 para K.).

Thuhet se Dante e mësoi filozofinë te françeskanët dhe se mësues të retorikës e kishte politikanin dhe dijetarin fiorentin Ser Bruneto Latinin (Brunetto Latimi, 1220-1294), i cili ishte sekretar i Republikës dhe ithtar i dalluar i partisë së guelfëve. Latini ishte autor i veprës “Tesoro” që ishte një enciklopedi e kohës.

Në kushte të zhvillimit ekonomik të pabarabartë të krahinave të Italisë, u theksua nevoja e bashkimit të vendit në një shtet të qendërzuar. Qyteti-komunë i Firences vlonte nga pasionet politike. Ndërmjet partisë së guelfëve dhe partisë së gibelinëve filloi një luftë e ashpër. Nëpër burgjet e kështjellave, të burgosurit u nënshtroheshin torturave. Shumë prej tyre vriteshin. Organizoheshin komplote, ndërsa përçarjet dita-ditës thelloheshin.

Danteja merr pjesë në jetën politike të Firences si anëtar i Këshillit të njëqindëshit, i ngarkuar për punë të financave të Republikës së Firences.

Në këtë kohë Danteja e shkroi veprën e vet të parë “Jeta e re” (Vita Nuova, 1292-1293) të cilën ia dedikoi poetit fiorentinas Kavalkantit (Guido Cavalcanti, 1255-1300), të cilin e konsideronte si të parin mik.

Në fillim të vitit 1300, papë u shpall Bonifaci VIII (Bonifatius VIII, 1230-1303). Rrethanat politike në Firence ishin të acaruara për arsye se partia e guelfëve që ishte në pushtet, u nda në dy rryma: të bardhët dhe të zinjtë. Të bardhët ishin për pavarësinë e Firences nga papa, ishin për kushtetutë dhe për të drejta qytetare. Të zinjtë ishin shtresë e pasur dhe fisnikë,  mbështetnin pushtetin e papës i cili synonte t’i ndalë proceset demokratike në Toskanë.

Konflikti arriti kulmin më 1 maj kur shpërtheu konflikti i përgjakshëm midis pjesëtarëve të këtyre dy rrymave. Më 7 maj, Danteja shkon në shërbim diplomatik në San Gimignano. Pas kthimit u zgjodh si një prej gjashtë priorëve të qytetit. Priorët ishin kryeparë të zgjedhur të komunave të Italisë mesjetare. Si ithtar i të bardhëve, Dante, bashkë me priorët e tjerë vendosi masa kundër dominimit të papës në qytet. Njëherazi i dënoi krerët e të dyja rrymave dhe lejoi kthimin në Firence të pjesëtarëve të arratisur të bardhëve.

Si kundërpërgjigje ndaj këtyre masave, papa dërgon në Firence princin francez Karlin III me trupat e tij. Ky hyn në qytet më 1 nëntor të viti 1301 dhe i kthen të zinjtë në pushtet. Në vitin 1302 ithtarët e papës, të zinjtë e marrin pushtetin. Danten e dënojnë me internim. Me aktgjykimin e 10 marsit të po atij viti iu kanosën se po qëlloi në territorin e komunës, do ta djegin në turrën e drurëve.

Në vitin 1285, Danteja ishte martuar me Gema Donatin (Gemma di Manetto Donati, 1265-1329). Ajo ishte kushërirë e Korsa Donatit (Corsa Donati), kundërshtarit më të madh të Dantes, Nga martesa e tyre lindën katër fëmijë. Që nga dita e largimit të dhunshëm nga qyteti i lindjes, gruan s’e takoi kurrë. Pas një kohe, djemtë Pietro dhe Jakopo si dhe e bija Beatriçe iu bashkuan babait.

Si refugjat, jetoi në Arezë, në Veronë dhe në Ravenë. Thuhet se një kohë paska qenë edhe në Paris. Në vitet 1312-1213, perandor i Perandorisë së Shenjtë Romake ishte Henriku VII (rreth 1269/74-1313). Ai sundoi në vitet 1308-1313). Me vdekjen e tij, Danteja i humbi shpresat se ndonjë ndërhyrje e jashtme do të mund ta ndryshonte gjendjen politike në Firence. Në vitin 1315, autoritet e Firences i vunë kusht: Në do të kthehesh në vendlindje, duhet të pendohesh publikisht.  Kushtet poshtëruese të kthimit, Danteja i refuzoi. I zhgënjyer, Danteja e quajti Firencen “nënë pa dashuri”. Që atëherë, gjithnjë më tepër qëndroi larg edhe prej bashkëmendimtarëve të dikurshëm, duke u bërë kësisoj parti në vete.

Prej viti 1317 u vendos përgjithmonë në Ravenë ku, sikundër mendohet, ligjëroi retorikën. Një vit para vdekjes, mbajti në Veronë në gjuhën latine ligjëratën “Çështja mbi ujin dhe tokën”.

Vitet e fundit i kaloi në Ravenë, te Guido da Polenta, nip i së famshmes Françeska da Rimini (Francesca da Rimini, emri i vërtetë Francesca da Polenta, 1255-1283/4) të cilën poeti e këndoi në “Komedinë Hyjnore”.

Shënim: Françeska da Rimini ishte bashkëkohëse e Dantes. Nuk dihen saktë vitet e lindjes dhe të vdekjes së saj. Ishte bijë e lordit të Ravensë, Guido I da Polenta. Familja e Guidos I ishte në armiqësi me familjen e lordit Malatesta të Riminit. Ndërkohë, dy familjet aristokrate arritën paqe. Pas kësaj, për interesa politikë, e bija e Guidos I – Françeska 20-vjeçare, më 1275 u martua me të birin e lordit Malatesta, Gjovani Malatestën, i cili ishte me të metë fizike. Në Rimini, Françeska u dashurua tek i vëllai më i vogël i burrit të saj, Paolo, i cili po ashtu ishte i martuar. Dashuria e tyre zgjati rreth dhjetë vjet. Me të hetuar lidhjen e tyre, burri i saj Gjovani, që të dy i vrau në vend. Françeska s’i kishte mbushur as të tridhjetat. Ajo është një prej personazheve të “Komedisë Hyjnore”. Danteja e vendosi në rrethin e dytë të ferrit, pranë epshndjellësve.

*   *   *

Në vitin 1321, në udhëtim e sipër nëpër Venecie, Dante u sëmurë. Me t’u kthyer në Ravenë, vdes më14 shtator të vitit 1321. Monumenti i varrit të poetit në Ravenë u ndërtua në vitin 1780 nga Kamillo Morxhia.

Firencja që e internoi përjetshëm dhe e dënoi me djegie në turrën e drurëve, pesëdhjetë vjet pas vdekjes së poetit, e ftoi shkrimtarin tjetër të madh Gjovani Bokaçion (Giovanni Boccaccio, 1313-1375) të mbajë ligjërata publike për rëndësinë e “Komedisë hyjnore”, e cila në fillim e kishte titullin “Komedia” (“Commedia”). Më vonë, vetë Bokaçio e quajti hyjnore. Autori i “Dekameronit” (1348-1353), Bokaçio, ishte studiues i thellë i Dantes. Shkroi veprën “Jeta e Dantes” (Il Tratatello in laude di Dante) si dhe komentet apo referencat e “Komedisë hyjnore”.

VEPRIMTARIA LETRARE E DANTES - Rrethanat politike dhe shoqërore të Italisë ndërlidhen ngushtë me jetën dhe me veprimtarinë e poetit të madh dhe të personalitetit politik të shquar, Dantes. Zoti e dërgoi atë në tokë, që “t’ia tregojë botës mrekullitë”, kanë thënë studiuesit. Konsiderohet përfaqësues më i madh i letërsisë italiane dhe një nga poetët më të mëdhenj të botës. U quajt “Poeti i Madh”, “Poeti”.

Në veprën e Dantes, në mënyrë të sintetizuar, gjetën shprehjen arritjet e kulturës, të filozofisë dhe të letërsisë klasike e asaj mesjetare, të gërshetuara me idetë iluministe të Rilindjes. Danteja i studioi poetët antikë, në radhë të parë Virgjilin, të cilin e zgjodhi mësues dhe udhëheqës.

Që i ri, u shqua si poet i talentuar. Kishte shkruar poezi lirike që në moshën 15-vjeçare. Në moshën 18-vjeçare, poeti dashuroi Beatriçen (Beatrice di Folco Portinari, 1265-1290). Në vitin 1287, në moshën 22-vjeçare, ajo u martua me Simone del Bardi. Pas tre vjet martese, Beatriçja vdiq.

Për herë të parë Danteja e kishte takuar Beatriçen kur ai ishte vetëm 9 vjeç. Këtë dashuri do ta këndojë në vëllimin me 30 poezi, “Jeta e re” (Vita Nuova, 1292-1293). Këtë vepër, të shkruar në italisht, studiuesit e kanë quajtur roman autobiografik në vargje dhe në prozë. Në to poeti i shpreh ndjenjat e veta të pastra ndaj Beatriçes, të cilën e ka paraqitur si simbol të bukurisë shpirtërore, burim të pashtershëm të virtytit dhe të mirësisë. Vdekja e Beatriçes në moshën 25-vjeçare i shkaktoi poetit një dhimbje të thellë.

Sipas konceptit të idealizuar të dashurisë, në frymën e shkollës poetike fiorentinase “dolce stil nuovo” (stili i ri i këndshëm) Beatriçja është ngritur në simbol mbitokësor. Ajo bëhet edhe udhëheqës mistik i shpirtit të njeriut drejt Zotit. “I bekuar është ai që mund të dëshmojë për bukurinë e saj” (Beato, o anima bella, chi te vede).

Qerthullin e poetëve “il dolce stil nuovo” (stili i ri i këndshëm) e themeluan në Ravenë tre poetët italianë, Dante, Guido Guinizelli (1230-1270) dhe Guido Kavalkanti (Guido Cavalcanti, 1255-1300). Kjo shkollë poetike paralajmëron në mënyrë të sigurt krijimin poetik nga persona të mësuar. Kjo nënkupton njohjen e lëndës për të cilën shkruan, dashuritë kalorësiake. Kërkon formë të kultivuar dhe përdorim të drejtë të gjuhës. Kjo shkollë poetike e themeloi në të vërtetë gjuhën letrare italiane, duke e pranuar dialektin e toskanës si normë letrare. Mënyra e të shkruarit të poezisë dashurore, poetika galante, në interpretimin dantesk është një hallkë e rëndësishme në historinë e poezisë evropiane, po aq sa edhe konceptimi i dashurisë në kuptimin shpirtëror, spiritual në rrugëtimin e saj, që nga trubadurët provansalë, poetët sicilianë e deri te petrarkistët.

Shënim: Petrarkizmi është drejtim ose mënyrë këndimi, përkatësisht formë stili në poezinë dashurore, intime në disa letërsi evropiane, i quajtur kështu sipas poetit të madh italian Françesko Petrarkës (Francesco Petrarca, 1304-13740), i cili ishte përfaqësuesi më i madh i humanizmit evropian, njëherazi edhe një ndër lirikët botërorë më të rëndësishëm.

Me konceptin moral dhe filozofik si dhe me konstruksionin origjinal të saj, “Jeta e re” është e pasur me alegori dhe me freski rinore, gjë që paralajmëroi lindjen e “Komedisë hyjnore”.

Figurën e Beatriçes, Danteja do ta përjetësojë në kryeveprën e vet “Komedia hyjnore”, duke e ngritur në lartësinë e një qenieje ideale dhe të përsosur që rrezaton atë që është më e pastër në jetën njerëzore. Ajo është motiv themelor i poemës. Beatriçja do ta udhëheqë poetin në rrugën e drejtë të virtytit.

Pas veprës së sipërthënë, Danteja shkroi edhe vepra letrare të tjera, si “Rimat”, “Eklogat” dhe “Epistolat”. Pasojnë traktatet me përmbajtje shkencore, morale dhe filozofike, si “Mbi gjuhën popullore” (De vulgari eloquentia, 1303-1305), të shkruar në latinisht, në të cilën flet për vlerën e gjuhës popullore italiane. Poeti ishte për bashkimin e 14 dialekteve të italishtes. Angazhohej që italishtja të zëvendësonte latinishten, duke shtuar se italishtja është gjuhë e mbarë popullit italian. Veprën diturake dhe filozofike “Gostia” (Convivio, 1304-1307) e shkroi në italisht, derisa ishte në mërgim. Pasojnë “Çështja e ujit dhe e tokës” (Quaestio de aqua et terra, 1320), “Mbi monarkinë” (De Monarchia, 1312-1313). Veprat e lartpërmendura paralajmërojnë gjeninë poetike të Dantes. Lindi “Komedia hyjnore” (La Divina Commedia, 1304-1321).

“KOMEDIA HYJNORE”

Kësaj kryevepre të qytetërimit dhe të kulturës perëndimore, atributi “hyjnore” iu shtua në shekullin XVI, për dy arsye: e para, ngase këndon për temën e Zotit dhe të hyjnisë; e dyta, ngase vepra u vlerësua e përkryer (në kuptim të hyjnores). Me titullin “Komedia hyjnore” (La Divina Commedia) u botua në vitin 1555. Ajo u bë bazë e gjuhës letrare italiane.

Kjo poemë fetare është ndërtuar me respektimin rigoroz të parimeve të poetikës mesjetare: arkitekturë e jashtme e fortë, bërthama morale-krishtere dhe shprehja simbolike. Por, Danteja njëkohësisht është edhe poet i madh modern, për arsye se në kuadër të bindjes  religjioze dhe koncepteve të veta teologjike, në vlerësimin e njeriut dhe të jetës shoqërore, zhvilloi parime etike dhe humaniste kryekëput moderne.

Epit të vet Danteja ia ka dhënë formën e një vizioni. Është një sintezë madhështore filozofike dhe artistike e gjithë kulturës mesjetare, duke qenë njëherazi edhe urë lidhëse me kulturën e Rilindjes. Vizionin e marrë nga letërsia e mesjetës, poeti e plotëson me jetën e vërtetë dhe me personazhe të gjalla, në pikëpamje psikologjike të paraqitura bukur. Poeti i pasqyron problemet, shqetësimet, ndjenjat dhe pasionet njerëzore të kohës. Me zemërim të madh, flet për veset e njerëzve dhe zvetënimin e tyre.

Në poemë poeti rrëfen për një udhëtim të imagjinuar që bën ai në botën tjetër. Ideja e një udhëtimi të tillë fantastik nuk ishte e re. Edhe Homeri në “Odisenë” dhe Virgjili në “Eneidën” na rrëfejnë për heronj që zbresin në botën e përtejme për t’u takuar me njerëzit e tyre të dashur. Duke zbritur në tejbotë, poeti u sugjeron njerëzve që të ecin në rrugën e ndershme të drejtësisë dhe të virtytit. Për këtë arsye, poeti bën gjyq dhe i dënon mëkatet, veset, krimet. Udhëtimi i tij fantastik në botën tej varrit, në realitet është një udhëtim në historinë njerëzore, në mendjet dhe në zemrat e njerëzve.

Në formën alegorike të vizionit mesjetar të jetës mbi tokë është dhënë pasqyra monumentale e një epoke, me të gjitha karakteristikat e saj. Në poemë poeti zbulon pasionet njerëzore dhe dobësitë e kohës, pa e kursyer as kishën as përfaqësuesit e saj. Poeti ka dhënë galerinë e gjerë të figurave mitologjike dhe të personaliteteve historike, përfshi edhe bashkëkohësit e vet. Danteja ishte njeri me bindje dogmatike. Megjithëkëtë, kishte mirëkuptim të madh për dobësinë dhe madhështinë njerëzore.

Kryeveprën e Dantes, studiuesit e kanë cilësuar: “muzikë e përhershme”, ”lumë i gjerë në të cilin derdhen shumë përrenj”, “sistem i të vërtetave morale”, “zë, pas dhjetë shekuj heshtjeje”. Disa thonë se poeti e filloi veprën në vitin 1307. Të tjerë thonë se e nisi në vitin 1313, për ta përfunduar më 1321, në vitin kur poeti vdiq.

Vepra përbëhet prej tri pjesëve: Ferri, Purgatori dhe Parajsa (ital.: Inferno, Purgatorio, Paradiso). Secila prej pjesëve ka nga 33 këngë. I tërë epi, përfshi edhe këngën e hyrjes, ka gjithsej 100 këngë. Strofa me të cilën është kënduar vepra ka tre vargje dhe quhet tercinë. Vargu është 11-rrokësh. Vargjet janë të rimuara. E tërë vepra shquhet për një simetri të jashtëzakonshme.

PËRMBAJTJA E POEMËS - Në moshën 35-vjeçare, Danteja qëllon të jetë në një pyll të errët dhe të egër. Tërë natën bredh. Me të gdhirë mbërrin në një kodër, të shndritur nga dielli pranveror. Me të parë kodrën, nisi të ngjitet përpjetë. Në atë çast i dolën para tri bisha: pantera, luani dhe ujkonja. Deshën që të kthehej nga kishte ardhur. Prej këtyre bishave e nxjerr Virgjili, poeti i famshëm romak, autori i “Eneidës”. Poeti romak e udhëzoi Danten që të nisej për rruge tjetër nëpër të cilën do t’i printe ai. Që të dy do të shkojnë nëpër ferr dhe purgator. Për të ardhur në parajsë, do t’i duhet përcjellja e Beatriçes, e asaj që e kishte madhështuar në “Vita Nuova”. Kishte qenë ajo që e kishte dërguar Virgjilin për ta shpëtuar poetin prej rreziqeve të mëdha në të cilat kishte qëlluar.

FERRI nëpër të cilin do të kalojnë Danteja me Virgjilin, ka nëntë rrathë. Sa më të rënda të kishin qenë mëkatet, aq më i thellë dhe më i ngushtë është rrethi.

rrethin e parë ndodhet limba (lat.: limbus). Aty ndodhen të papagëzuarit, që nga fëmijët deri te të famshmit e epokës para krishterimit. Aty është vendosur edhe Virgjili. Shpirtrat në limbë nuk i janë nënshtruar torturës. Ata vuajnë ngase i mundon dëshira e zjarrtë, por pa shpresë.

Shënim: Limba është vend në purgator ku pastrohen shpirtrat për të hyrë në parajsë. Ndryshe quhet paraferr. Në purgator ndodhet edhe limbus infantum. Këtu ndodhen fëmijët e papagëzuar. Aty ndodhet edhe imbus patrum. Këtu janë vendosur shpirtrat e “stërgjyshërve”, e pafajshmëve të epokës para Krishtit. Si të papagëzuar, këta nuk mund të hyjnë në parajsë. Por, duke qenë të ndershëm, s’e meritojnë ferrin.

rrethin e dytë një stuhi e tmerrshme vringëllon mbi shpirtrat të cilat gjatë jetës, arsyen ua kishin nënshtruar pasioneve. Në rrethin e tretë vuajnë shpirtrat e grykësve. Në rrethin e katërt vuajnë shpirtrat e koprracëve dhe të shkapërdarëve. Nëpër rrethin e pestë rrjedh këneta Stiks, e në të ndodhen mëkatarë të ndryshëm. Në rrethin e gjashtë ndodhen varret e përvëluara e në to, heretikët. Rrethi i shtatë ka tre breza koncentrikë të vegjël. Në brezin e parë ndodhen vrasësit, rrëmbyesit dhe tiranët, në të dytin ndërkaq, vetëvrasësit. Rrethi i tetë ose Malebolge (humnerat e këqija) përbëhet prej dhjetë hendeqeve. Në njërin prej tyre ndodhen këshilltarët e rrejshëm. Midis tyre, Danteja takon edhe Uliksin (Odisenë). Me mirëkuptim e dëgjon Danteja rrëfimin e këtij heroi të lashtë të luftës së Trojës, i cili nga dëshira e madhe për dituri dhe zbulime, u nis me shokët e vet për në detet që ndodheshin pas grykave të Herkulit (sot gryka e Gjibraltarit) për të gjetur aty vdekjen. Rrethi i nëntë i fundit, është rreth i tradhtarëve. Më i madhi midis tyre është Luciferi. Nga rënia e tij prej qiejve, pas rebelimit të engjëjve të këqij kundër Zotit, u krijua dhe ferri. Në këtë rreth, mbizotëron një dimër i përgjithmonshëm, mëkatarët ndërkaq ndodhen në akull.

PURGATORI është një kodër në një ishull që ndodhet në mes të oqeanit. Kodra e ka formën e një koni të cunguar. Në sipërfaqen e këtij koni ngjiten drejt majës rrethe koncentrike, të cilët sa vjen e ngushtohen. Në maje ndodhet një rrafsh në të cilin është vendosur parajsa tokësore. Një prej skenave më të bukura të Purgatorit është takimi i Virgjilit me poetin romak Publie Papinie Staci (Publius Papinius Statius, 45-96 para K.) (Kënga XXI).

PARAJASA – Danteja i ka vendosur në Parajsë njerëzit e mirë dhe të drejtë. Këtu ka vetëm dritë, shkëlqim, paqe dhe harmoni. Poeti e shihte Parajsën si nëntë qiej të cilët rrotullohen rreth Tokës, qendrës së botës. Deri në të shtatin, secili prej qiejve e ka emrin e vet: i pari quhet qielli i Hënës, i dyti, qielli i Merkurit, i treti, qielli i Venerës, i katërti, qielli i Diellit, i pesti, qielli i Marsit, i gjashti, qielli i Jupiterit, ndërsa i teti, qielli i Saturnit. Qielli i tetë është qiell i yjeve të palëvizshme, ndërsa qielli i nëntë është qiell i kristaltë ose qielli i parë i lëvizshëm (Primum mobile), i cili i lëviz të gjithë qiejt e tjerë. Përmbi të gjithë qiejt shtrihet Empirei i palëvizshëm që përfshin krejt gjithësinë dhe në të cilën qëndron Zoti.

Sikurse ferri, edhe purgatori e parajsa janë të populluar me shpirtra. Në purgator njerëzit pendohen për mëkatet bëra me qëllim që ta meritojnë parajsën. Ata të parajsës janë  të lumtur dhe të qetë.

*   *    *

E tërë poema është ngritur mbi bazën e alegorisë. Kjo i jep dorë poetit për të krijuar mjedise fantastike të paqena, për të hyrë përmes tyre, aty ku jeta është më e gjallë dhe problemet politike e shoqërore janë më të mprehta. Alegorik është pylli i dendur Ferr që simbolizon jetën mëkatare të njerëzve në planin moral dhe anarkinë që sundonte në atë kohë në Itali në planin politik.

Virgjili që e shoqëron poetin në Ferr dhe në Purgator simbolizon shkencën, filozofinë dhe urtësinë tokësore. Beatriçja e cila e udhëheq poetin në nëntë qiejt e Parajsës, simbolizon urtësinë qiellore. Tiranët poeti i ka futur në gjak të përvëluar. Fajdexhinjtë kanë të varura në zverk trasta të rënda. Hipokritët janë të veshur me mantele teneqeje, të lyer përsipër me ar. Tradhtarët i ka futur deri në grykë në lumin e ngrirë Koçito për të treguar zemrën e ftohtë akull të tyre.

Poeti beson se njeriu, i udhëhequr nga drita e mirësisë dhe nga arsyeja, do ta çrrënjosë të keqen dhe do të ndërtojë një të ardhme të lumtur në një shoqëri të ndërtuar më mirë se ajo e kohës së tij.

“Komedia hyjnore” u shndërrua në një kritikë të fortë kundër sistemit shoqëror feudo-borgjez i cili nga vetë karakteri i tij shfrytëzues, lind shtypjen dhe padrejtësinë, dhunën dhe zvetënimin. Danteja e pa përmbysjen e botës mesjetare dhe lindjen e një klase të re, borgjezisë, e cila sillte me vete etjen e shfrenuar për pasuri dhe pushtet. Mëkatari i penduar i ferrit dantesk i sugjeron gjinisë njerëzore që të mos jepet pas pasurisë dhe interesit vetjak në dëm të të tjerëve.

Konceptet fetare nuk e penguan poetin të dënojë deri edhe kishën dhe papët, të cilët i ka vendosur në ferr, i bindur se kështu kryen një mision të lartë për t’i shërbyer pastërtisë së fesë dhe kishës krishtere, e cila ishte komprometuar nga abuzimet dhe spekulimet e shërbyesve të saj.

Poeti bie ndesh me moralin hipokrit të shoqërisë e cila kërkon ta bëjë gruan skllave të zakoneve prapanike duke ia mohuar të drejtën të ndjejë dhe të veprojë lirisht. Poeti ndjen dhimbje për Françeskën dhe Paolon të cilët u lidhën në një dashuri të sinqertë, e që botëkuptimi i reaksionar i epokës ua vuri njollën e mëkatit.

Poeti tronditet nga krimet dhe padrejtësitë e sundimtarëve që arrijnë sa të lënë të vdesin urie fëmijë të pafajshëm, të mbyllur në qelitë e errëta të kullave mesjetare, siç ndodh në këngën e kont Ugolinit.

Shënim: Ugolini i Gerardeskës ishte në krye të Republikës së Pisës. Pushtetin e kishte ndarë me të nipin Nino Viskontin, por midis tyre shpërtheu grindja. Këtë grindje e shfrytëzuan armiqtë e tij të udhëhequr nga kryepeshkopi Ruxheri deli Ubaldini, i cili nën maskën e miqësisë me Ugolinin dhe duke i premtuar se do ta ndihmonte në luftën kundër Ninos, thurte fshehurazi intriga kundër të dyve. Më 1288, Ruxheri e detyroi Ninon të largohet nga Pisa, kurse kundër Ugolinit organizoi kryengritje duke e akuzuar si tradhtar të atdheut. Ugolinin, bashkë me dy bijtë dhe nipat e vegjël, e burgosën në një kullë ku i lanë të vdisnin urie. Këtë dramë njerëzore të dhimbshme poeti e vendosi në rrethin e nëntëferrit, ku dënohej tradhtia. Njëri prej djemve të Ugolinit ishte Uguçioni, kurse njëri prej nipave ishte Brigata.

ferr poeti i sheh heretikët dhe epikurianët. Midis tyre, edhe kundërshtarin politik, Ferinatën e Umbertëve, i cili edhe në zjarret e ferrit qëndronte i pamposhtur dhe heroik. Në ferr, midis Dantes dhe Ferinatës zhvillohet një dialog i zjarrtë. Ndonëse e kishte kundërshtar, poeti e nderon Ferinatën, i cili bindjet e veta politike nuk i ndryshon as në ferr. Aty ndodhet edhe Kavalkant Kavalkanti, babai i poetit Guido Kavalkanti, mikut të ngushtë të Dantes.

Shënim: Heretikë quheshin ata që ishin kundër dogmave të fesë së krishterë, e që dënoheshin nga kisha si ateistë. Epikurianë ishin ndjekës të filozofit materialist grek Epikurit (342-270 para K.), i cili, në kundërshti me përfytyrimet fetare mitologjike mohonte pavdekësinë e shpirtit. Në mesjetë, epikurianë quheshin ateistët.

Nëpërmjet ferrit poeti hyn në thelbin e marrëdhënieve dhe të dukurive shoqërore, zbulon kuptimin e veprimeve njerëzore në arenën e luftës pa mbarim ndërmjet të mirës dhe të keqes, nxjerr përfundime dhe e tregon rrugën e drejtë të së mirës. Në ferr, ashtu si në tokë, gumëzhijnë pasionet politike. Mëkatarët bëjnë me Danten debate dhe biseda të zjarrta.

Danteja është mjeshtër i skalitjes së karaktereve njerëzore dhe kjo vërehet te Ferri ku gjejmë një galeri të pasur personazhesh me dramat e tyre të vogla e të mëdha. Stili i poemës është i ngjeshur me mendime dhe ndjenja. Poeti flet shkurt, por thotë shumë. Stili është i vrullshëm, i vrazhdët, ndërsa shprehja realiste arrin në majë. Në Parajsë stili merr ngjyra të forta lirizmi, bëhet i qetë dhe i harmonishëm, me xixëllima figurash poetike, që përcaktohen nga shkëlqimi dhe drita që ka aty.

Me “Komedinë hyjnore” Danteja paralajmëroi epokën e madhe të Rilindjes, që tanimë kishte nisur të trokiste në dyert e Kohës së Mesme.