E enjte, 25.04.2024, 07:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhevahir Cirongu: Kujtim Mateli - Eci mbi një fije shprese

E enjte, 02.04.2020, 10:45 AM


Libri poetik ‘’Eci mbi një fije shprese’’ pasqyron shpirtin e kohës që jetojmë

Nga Xhevahir Cirongu

Duke hedhur një vështrim të përgjithshëm lexushmërie poezive të autorit Kujtim Mateli, para syve m’u shfaqën lisat e Përmetit,  ujrat e burimeve të asaj ane,  kënga e valëve të lumit Vjosë,  e mbi të gjitha Frashëri e rilindasve të kombit tonë! Udhëtoj nëpër histori! Ajo më shfaqet si një flakadan në memorien time, ku në damarët e atdheut është shkruar me gërma të arta fjala Liri! Por,  që të arrihej deri këtu,  u desh shumë sakrificë e vetmohim. Mendimi e fjala e poetit tonë kombëtar  Naim Frashëri,  bëri që me vargjet e shkruara prej tij në poemën ‘’Bagëti e bujqësi’’,  zgjoi ndjenjat tona kombëtare të dashurisë për atdheun. E bëra këtë parantezë stacionale,  sepse poeti Kujtim Mateli,  pas vëllimit të parë poetik ‘’Kur mendon për të tjerët’’,  na sjell librin e dytë poetik me titull ‘’Eci mbi një fije shprese’’. Është ajo shpresëdritë që na vjen qysh nga Rilindasit tanë deri më sot; si një flakadan e ndezur si ngjyrat e gjetheve të pemëve të vjeshtës,  e si rrjedhojë na fton të gjithëve për te lëmi i grunjtë të fjalës poetike që mbahet për çdo vit ‘’Ditët e Naimit në Përmet’’. Poeti Kujtim Mateli,  duke qenë edhe biri i kësaj treve,  sa me tradita atdhetare,  patriotike,  por edhe letrare,  e ngacmon ajo ndjenjë e dëshirë që të hedhi në copa letre për tek blloku i tij vargje poetike. Ai nuk shkëputet dot për asnjë çast nga realiteti i jetës sonë,  prandaj si e tillë kjo e fundit i ngacmon ndërgjegjen dhe brenda shpirtit  ’’mbjell’’ polenin e frymëzimit poetik. Vëllimi poetik është i ndarë në pesë kapituj. Në çdo kapitull  lexuesi do gjejë atë fije shprese për jetën,  mendimin filozofik,  fjalën e gdhendur artistikisht letrar,  por edhe metafoën e krahasimet letrare,  të cilat u japin frymarrje e oksigjen poezive tërësore  të këtij libri. Qysh në titullin e librit ,  i cili të bën për vete sapo e lexon atë ‘’Eci mbi një fije shprese’’ ,  të vë në mendime,  rrokesh me vargun ku ai  është me rimë,  pastaj gjen vargun e thyer ,  e prap ngjitesh te lisat e këput gjethet e tyre nëpër degë. Pra,  poezia e këtij poeti,  është sa e thjeshtë në të lexuar,  po aq e atdhetare në të kuptuar; saqë kur bashkohen të dyja ato formëzojnë fjalën poetike letrare me bukurinë e saj,  na japin forcën filozofike me plotë mesazhe për tek lexuesi,  si hekuri që rrihet në kuthrën e frakëtarit të hekurpunuesit.Tek poezia ‘’Sythat e mendimit’’’ duket qartazi se poeti ndalet në radhë të parë për tek  ai mendim njerëzor,  sepse si qenie njerëzore që jemi na duhet të reflektojmë drejt e të përcjellim shoqërisë sonë,  në tërsinë e saj mendimin pozitiv ,  me qëllim që ai ti shërbejë kësaj të fundit për  përparim e zhvillim. Poeti i mban fort pas vetes ato thërmija toke e shkëmbi,  oshëtimat e ujrave të kristalta të burimeve,  bukurinë e lëndinave ku rriten lulet shumëngjyrshe,  këngën e zogjve të cilët ia marrin këngës së jetës nëpër pemët,  pra gjithçka që na rrethon …Dhe me penën e krijuesit autori di ta thuri vargun poetik,  si rrijedhojë i këtyre dukurive i çelin sythat e mendimit  e marrin udhën e tyre tek ajo fije bari bari ku dëgjohet lehtë fëshfërima  e  shpresave të jetës sonë. Pra,  mendimi bëhet njish me buqetën e vargjeve të poezisë. Po e konkretizojmë me vargjet e poezisë ‘’Sythat e mendimit’’,

‘’ Koha lëviz para syve tanë,

Para kafes pimë me të dashurit e zemrës,

Para tavolinës bisedat çelin sythat e mendimit.

Disa ngjarje i shohim

Nuk i fshihen dot dritës së mëngjesit;…’’

Pra,  poeti Kujtim ecën paralelisht me kohën,  por ai kthen kokën edhe pas në kohë,  sepse pa ditur të djeshmen s’mund të reflektojmë për të sotmen e të ardhemen që do shkelim në gjurmët e saj enigmatike. Ndërsa tek poezia ‘’të prisja…’’ poet derdh pa rezervë dashuritë e bekuara,  për njerëzit,  atdhun,  vendlindjen Mazhan,  për heronjtë e atdhut  etj. Simbolika është e qartë,  saqë shpirti i vetë poetit qëndron varur edhe nëpër degët e thara të lisave,  por  vazhdimësinë e jetës e gjen atje tek ajo hardhi e prerë që ngjall kujtime dhe i flet heshtjes mesjetare,  se dashuritë kanë bekimin e vetë të Perëndisë,  saqë rri në pritje që të vijë dikush…! Pra Dashuria e Jetës!

…Ecim mbi atë fije shprese! Shpresat  e jetës çelin si lulet e Majit poetik nga ku merr jetë edhe vetë libri i këtij autori. Janë poetët që thurin vargje të këngës së jetës sonë,  pikërisht i bashkon takimi i përvitshëm fjala poetike që zhvillohet më 25 Maj në Frashërin  me yje ndezur plot dritë në ‘’Ditën e Naimit’’ në Përmet. Poeti bën thirrjen e tij që i buron nga shpirti se atdheun s’duhet ta braktisim kurrë,  sepse ai që e braktisë,  një ditë do të dëshpërohet nga bora e dimrit ngricakeq.

Megjithatë lajtmotivi i poetit Kujtim Mateli është i qartë, i fluturojnë ëndrrat si dallëndyshet nëpër qiellin e kaltër  bashkë me shpresat ,  duke i përtypur  ato  me fatet njerëzore…,

’’ Adresa të vjetra mbi fletë të zverdhura,

Nofullat e kohës kishin përtypur fate njerëzish.

Ende ngulmoj me shpresë

Të gjej ndonjë shteg,

T`më çojë tek shpirti i dëshiruar

Që natën trazohet nga ëndrrat’’.

Ndërsa tek cikli i tretë e të katërtin,  poeti sintetizon atë optimizëm të shpresave të cilat marrin udhën e jetës e thyejnë udhëkryqet e kohës tinxare. Atdheu është dhimbje,  na thotë poeti Kujtim . Dhe kjo është  plotësisht e vërtetë. Tek  atdheu,  te vendlindja lindin ëndrrat,  na shfaqen si një ekran para syve në çdo hap të jetës sonë….Dhe vargjet e poezisë me titull ‘’Atdheu’’ jep drithërima dhimje,  por edhe shpresë  si rrezet e diellit për dashurin ndaj atdheut.

“Atdheu është fjala,

Kurorë e të gjitha fjalëve,

Përjetësinë ia gjen në blerime malesh’’.

…Por,  nuk shterojnë lotët e vajzës së vogël të cilës i dhimbset atdheu,  saqë gurët po ia rrukullisin të marrët në kërkim të një muri ku kërkon të vari pallton e lagur nga shirat e kohëve,  pra vargjet e poezisë ‘’Në këto troje’’ e shprehin me dhimbje këtë fenomen,  saqë nesër do jetë von për ta rikuperuar të keqen.

Ujvarat e shpirtit të poetit rrjedhin në pafundësi. Ato dalin nga skutat e fshehura të shpireti e memories të këtij krijuesi,  e marrin udhëtimin e tyre në brinja malesh duke ndezur zjarre bashkë me barinjtë,  fjala shkruhet në pllaka guri,  bojë i bëhet qumshti i bardhë i bagëtive,  vargu i poetit rend pas mëzit të vogël të pelës, flladi i erërave poetike takon stërgjyshërit në fushëbeteja….dhe u ngjajmë në të ecur,  -thotë poeti Kujtim Mateli. Sa bukur! E ku ka më bukur të ecësh në gjurmët e stëtgjyshëve tanë!? Një tjetër poezi të bën për vete sapo e lexon atë. E themi këtë,  sepse është një gjetje e goditur artistikisht letrare. Poezia ‘’Këmisha e prillit’’ i plotëson  gjithë parametrat letrare. Aty gjen pluhurën e kaltër të qiellit,  lulet e prillit, agimet e ditës,  fytyrën e një vajze, syrin e dashurisë së dritës, por edhe  burbuqet e sapoçelura të prillit jetdhënës me atë këmish gjelbëror…! Konkretisht mbyllet me këto vargje:

‘’ Këputet ndonjë kopsë,

Dhe bie mbi fletroren me vija katrore

Duke thyer heshtjen e syrit,

Që kërkon mbi libra burimin e dritës’’

Tërheqëse janë edhe poezitë ‘’Porta e së nesërmes’’, ’’Në agim të ditës’’,  ‘’Mbesës sime’’, ’’Atdheu thinjet’’,  ‘’Një kurorë lisi’’,  ‘’Në vendlindjen e profetëve’’ etj. Te  libri  poetik  ’’ Eci mbi një fije Shprese’’ lexuesi do gjejë gjithësinë e jetës,  tallazet e shprezave,  por edhe një klithje,  një zë,  liri,  krenari,  ku zogjtë shtegëtojnë horizonteve të atdhut e të kontineteve për të gjetur rrezet e ngrohta të diellit. Por,  nuk mungojnë edhe këngët e kukuvajkave…. Letrat e lagura,  konferenca e Londrës 1913,  në tokën Dardane,  shpionja e qëndisur në flamur,  janë poezitë përmbyllëse të kapitullit të pestë të këtij vëllimi me titull ‘’Eci mbi një fije shprese’’ të poetit Kujtim Mateli. Lexon vargjet e këtij libri e galeria e shpirtit të mbushet me oksigjenin e atdheut,  të dashurisë për vendlindjen,  takon shpresat e jetës e padashur  fluturon hapësirave të universit  të shpresave. Ashtu si jë gur meteori,  poeti Kujtim Mateli prek çdo cep të atdheut tonë,  që nga Tuzi,  Plava Gucia,  Dardania, Vardari. Nga Arta e Pirros,  gjer në majat e Vetëtimës,  në Tamarë,  e fushëbetejat e Krujës, tek malet e Dibrës e Matit ku jehon zëri i Lirisë!

Dhe e mbyllim këtë refleksion ndaj librit me poezi të poetit përmetar Kujtim Mateli me poezinë e titulluar ‘’Shqiponja’’,

‘’ Shqiponja

Mbi çatinë e erërave,

I vetmi zog në fluturim!...

Shqiponjë e qiejve të kaltër,

Simbol i vendit tim”.

Poeti na përcjell bukuritë e jetës të cilat lundrojnë mbi një fije shprese,  dhe reflektojnë dritë në pafundësi me forcën e fjalës artistike letrare të shkruar prej tij në këtë libër ‘’Eci mbi një fije shprese’’.

Le të udhëtojë vargu poetik i këtij libri si shqiponja drejt qiellit shpirtëror për te lexuesit ynë!

***

Xhevahir  Cirongu,  poet

Durrës,  mars 2020



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora