E premte, 19.04.2024, 07:07 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Skifter Këlliçi: Festival i 11-të i Këngës në RTV (V)

E diele, 19.10.2008, 11:50 AM


Agim Krajka dhe Vace Zela
Urdhëri i Enverit: Në radiotelevizion, Thanas Nano në vend të liberalit Todi Lubonja!

Në përfundim të Festivalit të 13-të të Këngës në Radiotelevizion, Skifter Këlliçi, ish-gazetar i RTVSH dhe dëshmitar i këtij aktiviteti, në vazhdim, sjellë fakte të reja të analizave që thelluan më tej ndëshkimet e ashpra të Enver Hoxhës

Nga Skifter Këlliçi

Kthim në shinat e rrugës së vjetër

Pas disa ditësh, në mëngjesin e 11 prillit, gjithnjë të vitit 1973, kur, ndonëse me leje krijuese, përsëri m'u desh të shkoja në TV për një punë. Sapo u futa në ndërtesë një grup shokësh më thanë, kush të mundte më parë:

-A e di kush është caktuar drejtor tek ne?

-Jo!

-Thanas Nano!

Mbeta i drunjëzuar, ashtu siç kishin mbetur edhe ata, kur kishin dëgjuar këtë çudi. Çdo gjë kishim gjykuar, na kishte shkuar mendja te plot njerëz të zot e me horizont që mund të caktoheshin në këtë detyrë, por kurrë që të kthehej… Thanas Nano, i cilësuar nga Partia me gojën e Manush Myftiut, në një mënyrë a në një tjetër, si konservator, në atë mbledhje për të cilën kam shkruar më sipër dhe që duhej zëvendësuar me një drejtor me më shumë horizont. Por më mirë po citoj sërishmi se çfarë shkruan Marash Hajati në librin e tij "Dera e prapme e shtypit", i cili në atë periudhë ishte instruktor shtypi në KQ dhe një vit më pas, në gusht 1973 do të emërohej Drejtor i TVSH-së, e më pas Drejtor i Përgjithshëm i saj:

"Para së gjithash, kërkohej urgjentisht emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm. Kërkimet për kandidaturat e mundshme, ndoqën një "maratonë të paparë zyrash". Nën drejtimin e dy sekretarëve të KQ u shfletuan shumë dosje, u hartuan shumë karakteristika dhe u formulua relacioni përfundimtar. Ndihmesa e sektorit tonë të shtypit për të zgjedhurin në postin e drejtorit të ardhshëm të RTVSH-së ishte modeste, vetëm dhënia e mendimit, nëse ai mund t'i dilte zot asaj detyre në fushën e gazetarisë. Materiali i plotësuar me një numër kandidaturash, ku rreshtoheshin emra personalitetesh, si anëtarë të KQ, të qeverisë, titullarë dikasteresh etj., iu paraqit E.Hoxhës, i cili, mbasi e studioi me kujdes, bëri përafërsisht këtë shënim mbi materialin: "Në Radio të kthehet Thanasi. Në fushën profesionale mangësi mund të kemi, ama, proçka si ato të Todit, nuk do të bëjë". Nënshkrimi, Enver Hoxha. Ky kthim i papritur në "shinat" e rrugës së vjetër, qe një mospërfillje e gjithë kësaj pune voluminoze që u bë për të nxjerrë në krye të Radiotelevizionit, të paktën një figurë të re. Mirëpo, pranonte E.Hoxha eksperimente të tjera mbas asaj që kishte ndodhur?". (faqe 81).

Ai vazhdonte në traditën e një diktatori, që nuk kërkon mendim nga askush dhe mohon mendimet e kujtdo. A nuk kishte qenë ai, siç e pamë më lart, që kishte urdhëruar që pjesën teatrore "Njollat e murrme" të ndalohej për gabime ideore, kur kryeministri Mehmet Shehu e kishte cilësuar dramë të shkëlqyer në trajtimin e problemeve shoqërore? A nuk kishte qenë ai që Festivalin e 11-të, të cilin e kishte parë dhe pëlqyer, Ramiz Alia, shef i Ideologjisë në KQ, ai, jo vetëm nuk e pëlqente, por kurdiste tërë këtë luftë ndaj kësaj shfaqjeje, me pasoja që ende nuk dihej cilat do të ishin.

Tani, në rastin e mësipërm, po ai, me një të rënë të lapsit, shpërfillte një goxha listë të tërë kandidatësh për vendin bosh të drejtorit të përgjithshëm të RTVSH-së, të miratuar nga dy sekretarë të KQ, një ndër të cilët ishte përsëri, me siguri, Ramiz Alia dhe tjetri, ndoshta, Hysni Kapo, për të rikthyer… Thanas Nanon.

A nuk shpërfillte edhe gjykimet e Sekretarin e Komitetit të Partisë së Rrethit të Tiranës, Manush Myftiun dhe zv.kryetarin e Këshillit të Ministrave, Xhaferr Spahiun, që i paraqitën kolektivit të RTVSH-së Todi Lubonjën, me vizion dhe mendim ri, që zëvendësonte Thanas Nanon, i cili nuk u përshtatej zhvillimeve të vrullshme të kohës? Pastaj, a nuk kishte qenë ai që në fjalimet e tij theksonte se duhej të luftonim njëlloj, si konservatorizmin, ashtu edhe liberalizmin, si dy armiq të egër të shoqërisë socialiste?

Atëherë, nëse e quante Todi Lubonjën liberal, si kthente përsëri në RTVSH konservatorin Thanas Nanon? Dhe i ndërgjegjshëm se nga ana profesionale "mund të kemi mangësi", ndonëse të them të drejtën, nuk ishte plotësisht ashtu. Pra, ia njihte aftësitë e kufizuara të tij, por problemi ishte se "proçka" si ato të Todit nuk do të lejonte. Për Enver Hoxhën kjo ishte më e kryesorja, të tjerat nuk kishin rëndësi. Se TVSH-ja mund të mos kishte përmirësime nga ana artistike, kjo duket nuk e shqetësonte. Shqiptarët e shkretë, që me kursime të stërmundimshme mezi arrinin të blinin një televizor, që kushtonte 4500 lekë të reja, kur mesatarja e rrogës mujore të tyre ishte rreth 500 lekë, vetëm proçkat e mësipërme të Todit të mos shihnin!

Del pyetja: A do ta kishte ndërmarrë "Udhëheqësi i Madh" një veprim të tillë, sikur Thanas Nano të kishte qenë kryeredaktor i "Zërit të Popullit" dhe ta rikthente atë, duke pasur ato të meta që i vishte? Kurrë, sepse ai ishte organ i KQ të PPSH-së, që e kishte krijuar vetë që në vitet e Luftës.

Po cilat ishin "proçkat e Todit"? Se kërkoi t'i jepte fytyrë të re programeve të Radios dhe të pasuronte emisionet e TV-së? Ç'të keqe kishte, se u transmetuan këngët e Festivalit Evropian të vitit 1972 në Radio, këngë të këndshme që freskuan programet muzikore? Ç'të keqe kishte, se u transmetuan veprimtari sportive të marra nga TV-të e huaja, kryesisht italian, për të cilin u ble posaçërisht një aparat i quajtur "telerekording", (anglisht-regjistrues televiziv), se po nga TV italian u regjistruan rubrika e sidomos filma shumë edukativë, kur ekrani i TVSH-së dyndej kryesisht nga filma kinezë, a filma të vjetër që shfaqeshin gati çdo javë? Ç'të keqe kishte pastaj, se revistat televizive u pasurua edhe me kronika të ardhura nga kompania "Visnjuz", ose të marra pastaj përsëri nga TV italian?

Në fund të fundit, të tëra këto, Todi Lubonja nuk i bëri më kokën e tij. Ai, siç më ka thënë gjatë takimeve tona, në çdo hap konsultohej me Ramiz Alinë dhe Pirro Kondin. Për të mos shkuar më larg, në verë të vitit 1972, siç e kam shpjeguar, ai mori edhe përgëzime nga personalisht Enver Hoxha, për këto të reja që po shiheshin në TVSH.

Pastaj, RTVSH-ja nuk ishte një qendër që ndodhej dhe transmetonte në… faqen e prapme të malit të Dajtit dhe nuk shihej në Tiranë. Programet televizive i shihte, së pari, vetë diktatori, shtëpia e të cilit ndodhej jo më shumë se 300 m larg zyrës së Todi Lubonjës. Atëherë, si nuk e mori atë, të paktën një herë të telefon, ashtu siç deshi e mori kë mundi gjatë transmetimit të përshëndetjes së Papës, me rastin e Krishtlindjeve, më 25 dhjetor të viti 1975, e t'i tërhiqte vërejtje për këto "risi" televizive?

Duhet të theksoj se Todi Lubonja nuk lejoi as më të voglën lajthitje politike a ideologjike, në çdo lloj programi, qoftë në lajme, programe artistike, biseda, emisione për fëmijë, përveç Festivalit të 11-të, sipas gjykimit të Enver Hoxhës, dhe në disa raste të bashkëpunëtorëve që merrnin pjesë në emisione televizive, me flokë të gjatë, a veshje "moderne", raste të cilat stërmadhohen në letrën që një farë mësueseje nga Fieri i dërgonte atij, siç e kemi parë dhe më lart, në mos qoftë edhe kjo letër, si dhe herë të tjera, të ketë qenë e sajuar enkas.

Atëherë, ku janë "proçkat" e tij? Le t'i hedhim sy edhe programeve televizive gjatë viti 1972-'73, kur ai ishte Drejtor i Përgjithshëm i RTVSH-së:

Të hënën, si çdo ditë në orën 18.00, dhe në mbyllje të programeve ditore, lajme; në orën 18.30, transmetohej emisioni për fëmijë; në 19.15, emisioni "Për punonjësit e bujqësisë"; 19.30, koncert me muzikë popullore; 20.00, çdo mbrëmje "Revista televizive"; 20.30, "Rubrika sportive"; 21.00, film artistik.

Të martën: më 19.15 dokumentar shkencor; më 19.30, telereportazh; më 20.30, pjesë baletesh; 20.30 film artistik.

Të mërkurën: 19:15 "Udhëtim nëpër lashtësi"; 19:00, "Trupi dhe shëndeti"; 19:30, "Enciklopedia televizive"; 20:30 koncert; 21:00, film artistik.

E enjte: 19:15, "Mozaik poetik", 19:30; "Vende dhe popuj", 20:30; "Nga gurra jonë popullore"; 21:00, film artistik.

E premte: 19:15 dokumentar; 19:45, numra cirku; 20:30, koncert; 21:00, film artistik;

E shtunë: "Në botën e bukur të përrallave", 19:15; "Takim me shkencën dhe teknikën", 19:30; telereportazh, 20:30; koncert me muzike të lehtë, 21:00; film artistik.

Të diel: 19:15 "Libri- miku ynë i përbashkët"; 19:30 "Nëpër Republikën Popullore të Kinës"; 20:30, koncert; 21:00 film artistik.

Këto emisione pasuroheshin çdo të diel, në ditë festash, ose edhe gjatë javës me transmetime sportive, si dhe me programe që iu shtuan TVSH-së, nga ora 10:00 deri 14:00.

Ja pra, këto ishin programet televizive që zgjatnin çdo ditë jo më shumë sesa 5 orë. Kaq ishte forca e TVSH-së së asaj periudhe, me tri emisione lajmesh çdo ditë, me telereportazhe nga jeta në vendin tonë, rubrika artistike, ku, siç shihet, përfshiheshin emisione me muzikë popullore, me muzikë të lehtë, klasike, rubrika kulturore, shkencore, sportive dhe me filma artistikë, ku, veç filmave të blerë, nisën të shfaqeshin edhe filma të regjistruar nga TV italian, (RAI). (Të mos harrojmë se pas viteve '80-të nga TVSH-ja filluan të dërgoheshin në Francë grupe për të blerë filma artistikë, fakt që gjatë kohës së drejtimit të RTVSH-së nga Todi Lubonja do të quhej gabim i madh politik).

Atëherë, e përsëris, për çfarë proçkash e ka fjalën diktatori, të cilat nuk do t'i lejonte Thanas Nano? Paradoksi më i madh është se Todi nuk hoqi dhe nuk shtoi asnjë nga programet e mësipërme, që i trashëgoi nga koha e Nanos, veçse kërkoi që ato të ngriheshin edhe më shumë ideo-artistikisht.

Sigurisht, ai synoi më pas që të shtonte dhe emisione të tjera, por nuk pati kohë gjatë drejtimit të tij në RTVSH, që zgjati një vit e tre muaj, (janar 1972 - prill 1973). Tjetër gjë do të kishte qenë sikur t'i kishte zgjeruar programet e TVSH-së me emisione që shkonin ndesh me orientimet e Partisë, në të cilat të… depërtonte ideologjia borgjezo-revizioniste.

Zëvendësimi i tij me Thanas Nanon, na kujton një farë mënyre rikthimin pas 100 ditësh të Luigjit XVI-të në fronin mbretëror, që ishte dëbuar nga Napolon Bonaparti, i cili me të humbur në Vaterlo, (18 qershor 1815), u kap nga mbretërorët dhe u internua në ishullin e humbur të Shën Helenës. Në Francë u rikthye kështu monarkizmi konservator, pësoi goditje borgjezia e re kapitaliste e liberale.

Por, a gaboi Todi Lubonja?

Në librin e tij "Dera e prapme e shtypit", Marash Hajati shprehet kështu:

"Me Todin kishim marrëdhënie të mira, por si kudo, kur ndërrohen drejtuesit, dalin në pah dëshirat për të bërë ndryshime e organizime të reja. Në këtë drejtim, disa gjëra u morën si "me yrysh". Deri në aparat erdhën lista për zëvendësime të shumta e propozime për largimin e atyre, që quheshin të "mefshtë", konservatorë, pa iniciativë etj. Ky oreks disi i tepruar, nuk gjeti jehonë e përkrahje nga lart". (faqe 78)

Autori i librit nuk përmend emra, por Todi Lubonja e pa të arsyeshme që të largojë, së pari, Klimi Misjen, Drejtorin e TVSH-së, me arsyetimin se nuk u përgjigjej kërkesave në rritje të këtij institucioni. Që të flas hapur, nga një pikëpamje kishte të drejtë. E vërteta është se asnjë nga ne jo vetëm që nuk kishte diplomë në fushën e TV-së (duke përjashtuar kryeinxhinierin, Alfred Xhufka), por nuk kishim bërë as edhe ndonjë specializim jashtë vendit, problem të cilin Todi e pati parasysh, siç e kam përmendur më sipër.

Sidoqoftë, siç u tha atëherë, largimi i Klimi Misjes u shoqërua me një motivacion të nxituar. Zëvendësimi i tij me regjisorin e mirënjohur, Mihal Luarasi, u cilësua më pas si gabim i rëndë, sepse në postin e drejtorit të TVSH-së duhej "njeri politik" dhe, për më tepër, komunist. Mirëpo, harrohej se, as më shumë e as më pak, në tetor të vitit 1972, pra, disa muaj më parë, vetë Enver Hoxha, në fjalimin e tij të mbajtur në Mat, kishte theksuar se drejtuesit e institucioneve mund të mos ishin komunistë. Pra, duke u zbatuar ky orientim, Mihal Luarasi, si drejtor, do të merrej me ngritjen artistike të TV-së dhe problemet politike, emisionet e lajmeve, bisedat me karakter ideologjik, do t'i mbulonte një nëndrejtor. Ku ishte, pra, e keqja e këtij vendimi që kishte marrë Todi Lubonja, aq më tepër të miratuar, me siguri, edhe nga Ramiz Alia, sepse ishte KQ që vendoste për çdo emërim të këtij niveli?

Por Todi Lubonja gaboi edhe në një drejtim tjetër. Nuk bëri keq që na lexoi fragmentin e fjalës së Enver Hoxhës në Presidiumin e Kuvendit Popullor, më 9 janar të vitit 1973, me titull, "Zhvillimi i letërsisë dhe arteve të bëhet në luftë kundër çdo ndikimi të huaj ideologjik", për të cilin është folur në pjesët e para të këtij cikli, ku TVSH-ja kritikohej për shfaqje të huaja. Ajo që ka rëndësi, është se nuk duhej të mjaftohej me kaq: duhej të kishte organizuar analiza dhe diskutime të thella, të shoqëruara me autokritikë të ashpër. Mirëpo, ja që nuk e bëri ai, po përse nuk e kujtoi Ramiz Alia ose Pirro Kondi, me të cilët ishte në lidhje të vazhdueshme?

Tjetër gabim: Siç kam vënë në dukje edhe më lart, nuk iu përgjigj letrave të ardhura nga të rinjtë, të cilat, pa më të voglin dyshim, siç më pohonte Todi Lubonja, ishin të yshtura nga vetë diktatori. Nuk i lexoi apo diskutoi ato as në mbledhje Partie, as të kolektivave të RTVSH-së. Nuk dërgoi në redaksinë e "Zërit të Rinisë", ku u botuan këto letra, të paktën një përgjigje autokritike. Po, edhe për këto nuk u ysht të vepronte nga të mësipërmit. Dhe kjo, sepse as ata vetë nuk e dinin se ç'tërmet do të shpërthente tirani gjakësor.

Për Thanas Nanon, riemërimi i tij si Drejtor i Përgjithshëm i RTVSH-së, padyshim që ishte ngjarja më e madhe, që nuk e kishte marrë me mend kurrë se do të ndodhte. Dhe kishte plotësisht të drejtë të ngazëllehej. Kthehej me urdhër të vetë "Zeusit shqiptar", që e kishte parapëlqyer para emrash me personalitet ku e ku më të madh se ai.

Ai do vinte kështu në jetë porositë personale të "shokut" Enver. Dhe duhet thënë se këtë detyrë e kryente shumë mirë, sepse nuk linte të dilte në ekran, qoftë edhe faktin më të vogël që mund të ngjallte dyshim se nuk shkonte me vijën e Partisë. Madje, edhe parukieret mbanin hazër gërshërët që të shkurtonin flokët e ndonjë bashkëpunëtori të TV-së që mund t'i kishte disi të gjatë, para se ai të dilte në ekran.

Por, të themi atë që është për të thënë, kushdo që do të ndodhej në detyrën e Thanas Nanos, nuk do të kishte si të vepronte ndryshe. Si pasojë, në RTVSH u hoq çdo e re që kishte sjellë Todi Lubonja në atë vit e pak muaj që drejtoi këtë institucion. Pra, u varrosën në Arkiv këngët e Festivalit të 11-të, të Festivalit Evropian të një viti më parë e këngë të tjera të huaja, u ndanë përsëri redaksitë e informacionit të Radios dhe TVSH-së, që ishin bashkuara në një etj. Nga "Revista televizive" u hoqën lajmet sportive të marra nga RAI.

Gjatë verës së vitit 1972, për të ngritur edhe më lart nivelin e "Revistës televizive" të orës 20:00, që ishte e dobët, me aprovimin e Todi Lubonjës, regjistroja nga RAI rubrikën e përditshme sportive që transmetohej në orën 19:45 dhe, pasi zgjidhja ato kronika që paraqitnin interes, pa kaluar gjysmë ore i komentoja para kamerave në "Revistën televizive", duke shtuar, natyrisht, edhe lajme nga veprimtaritë tona. Mirëpo këtë nuk e pëlqeu Thanasi dhe dha urdhër të prerë që kjo nënrubrikë e "Revistës televizive", të hiqej një orë e më parë. Dhe ashtu u bë. E përse? Sepse teleshikuesit mësonin të reja të freskëta nga sporti në botë? Ç'pedantizëm!

Mbetën vetëm transmetimet e ndeshjeve sportive, kryesisht të futbollit, të marra nga televizionet e huaja. Por edhe me to ndodhi çudia. Veçse, jo për faj të Thanasit. Këto ndeshje, me urdhër nga lart, filluan të transmetoheshin pa zhurmat e stadiumeve, pra, pa brohoritjet ose duartrokitjet e shikuesve, kinse se mos ndoshta dëgjohej diçka që nuk shkonte. Me fjalë të tjera, në stadiume dukej se kishte shikues… memecë.

Me urdhër nga lart u ndërprenë transmetimet televizive të RAI-t, për shikimin e të cilit ishte vënë enkas një antenë në Malin e Dajtit. Por, në të njëjtën kohë u ndërtua një antenë speciale që lejonte shokët e udhëheqjes t'i ndiqnin këto programe, sepse ata ishin "të imunizuar nga ndikimi i dëmshëm i tyre në masat e popullit".

Në një kohë kur mungonin fondet për ngritjen e përsëritësve ose përforcuesve, që sinjali i TVSH-së të shihej edhe në zona të thella, kjo nuk ndodhte kur ishte fjala për "…blerjen e disa pajisjeve për garantimin e ritransmetimeve të programeve të huaja televizive në Vlorë dhe Pogradec… Duhen blerë 6 copë përsëritës, grupe diesel-gjeneratorë, 1 makinë "ARO", gjithsej, 77 mijë USD, ose 23 mijë rubla, ose 282 mijë lekë valutë". (Nga shkresa e Drejtorisë së Përgjithshme të RTVSH-së, drejtuar Komisionit të Planit të Shtetit, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, (Dosja 29, Fondi i RTVSH-së, AQSH, datë 24.07.1979).

Shpenzoheshin kështu më mijëra e mijëra dollarë, që Enver Hoxha, kur të pushonte në qytetet e mësipërme, të ndiqte sa më mirë programet e RAI-t. Gjithashtu, u dha urdhër që nga çatitë e pallateve a shtëpive në çdo qytet të Shqipërisë, të zhdukeshin antenat që shërbenin për shikimin e stacioneve të huaja televizive, e vetmja dritare për të parë një çikë botë nga e cila diktatori po na ndante…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora